Familja dhe mënyra e jetesës në përvijimsinë historike

 


O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk kundërshtojnë.. (Et-Tahrim, 6)


Organizimi i vjetër shoqëror shqiptar


Historiku i familjes si formë e organizimit, në traditën shqiptare, ngreh gjurmë nga lashtësitë e mugëta. Elementet e përvijimësisë historike, që nga format nismëtare të bërthamës familjare, si pasuese e rudimenteve të shoqërisë se hershme gjinore, na strukturohen të mbijetuara si mbetëza relike, më pak apo më shumë funksionale, pastaj si kujtesa emocionale të ripërsëritura në rite e ceremoni familjare e deri te mbijetoja të reduktuara që përmbushin mënyrën e jetesës në familjen e sotme të organizuar në: jetën sociale, zakonore, konfesionale - religjioze, etj. etj. Kjo paraqet një pasuri faktografike si dëshmi e rrugëtimit historik dhe rritës evolutive të familjes, përkatësisht shoqërisë shqiptare duke i dhënë asaj tiparet dhe specifikat në gjirin e zhvillimeve të gjithëmbarshme të shoqërisë si pjesë e civilizimit, pavarësisht të metave apo zhvillimeve në kontekstin e fesë islame. Elemente të kësaj natyre konsiderojmë: gjurmët e matriarkatit, të reflektuara përmes punëve që organizon gruaja në familjen shqiptare - punët e kopshtit (punët e shatit); roli i saj në fejesën dhe martesën e bijve, bijave, nipërve dhe mbesave; roli i saj në aktet e lindjeve të grave të familjes, vëllazërisë, por dhe fshatit; roli i saj në vendosjen (si ndihmëse e të zotit të shtëpisë) për shitjen e ndonjërës nga bagëtitë e tufës; për caktimin e ditës së martesës së vajzës së shtëpisë, etj. etj. Pastaj elementet e poligamisë, leviratit, sororatit; minoratit; elementi i martesës në grupe (mbijetesa e traditës së grushtimit të dhëndërrit nga shokë të brezit, me rastin e natës së martesës) një element ky që nga lashtësitë pagane e që edhe tani në disa raste atë e gjejmë në aplikim tek disa raste edhe pse në këtë rast dhe në këtë kohën tonë bashkëkohore nuk mund të themi se një element i tillë pagan po aplikohet me qëllimin e arsyes se është pagane por se ka mbetur si një formë relike e së kaluarës pa qëllime të asaj periudhe, por që një gjë e tillë duhet të ju bëhet me dije edhe popullatës së gjerë se kjo formë e grushtimit të dhëndërrit ka përvijimsi dhe bazë pagane;pastaj kuvada ( lehonia e burrit, si një mbijetojë deri në vitet e 50-ta të shek. xx me shumë forma rudimente të saj, të mbijetuara në rite lindjeje. Në këtë rast për shumë këndë është një element shumë i pakapshëm por që ka ekzistuar deri në periudhën e shënuar më lartë. Gjithashtu edhe kjo formë ku burri shtrihej së bashku me gruan lehonë d.m.th. pas lindjes së fëmiut me domethënien e solidarizimit me gruan dhe kinse për të përjetuar dhimbjet së bashku ka prejardhjen nga paganizmi.
Familja shqiptare, dhe jo vetëm ajo, në Kosovë e më gjerë në troje shqiptare, në fundshekullin XX dhe fillimin e shek. XXl na vije si një konglomerat i bashkëdyzuar formash organizative. Në strukturën e saj përmbajtësore akoma ruhen format e mbijetuara të matriarkatit e, sidomos në funksion relativisht të fortë (në veçanti kur është fjala për zona të thella malore) na paraqitet patriarkati, si formë e organizimit familjar. Ndërkaq, periudha e shthurjes së jetës tipike agraro-blegtorale dhe dalja në horizont e realizimit të të ardhurave nga veprimtari të tjera jashtë-primare, me mundësitë e dominimit të strukturës arsimore, shkencore, shendetësore dhe kulturore, e viteve të 60-ta e tutje të shek. XX dhe fillimit të XXI-shit, solli dekompozimin e formave tradicionale të organizimit jetësor duke sjellë si model familjen bashkëkohore, me një strukturë plotësisht të re përmbajtësore dhe organizative, e cila me synimet e saj kah globalizimi gjithnjë e më shpejt po lirohet nga veçoritë etno- kulturore.


Funksionimi i familjes


Për shthurjen dhe dekompozimin e këtyre formave të prapambetura pagane rol kyç apo vendimtar ka luajtur edhe pranimi i islamit nga ana e popullatës së këtij areali gjeografik edhe pse deri vonë dhe sot e kësaj dite ne hasim në disa raste ndoshta jo në praktikë por si thënje dhe në kujtesën e njerëzve. Në familjen tradicionale me organizim patriarkal struktura organizative i përmbahet një kierarkie rreptësisht të respektuar, ku vendin primar në kuptim deri të ngritjes në kult, e zë i zoti i shtëpisë, e pason e zonja e shtëpisë, pastaj bujku (lavërtari), bariu. Ndërkaq, në pjesën organizative i zoti i shtëpisë cakton ndihmësit e tij për punë fushe. Poashtu e zoja e shtëpisë cakton ndihmëset e saja dhe dirigjon me punët shtëpiake: bën rendin e magjetoreve, etj. I zoti i shtëpisë në familjen tradicionale është person i pakontestueshëm dhe përgjegjës për të gjitha punët në familje, për: fejesë e martesë; për punë shtëpiake; për punë tregu e prone; për prezentim të familjes brenda vëllazërie, fshati apo fisi; përgjigjet për sjellje dhe çfardo që bëjnë meshkujt dhe pjesëtarët e familjes; është plak i shtëpisë dhe nga kjo pozitë bënë pjesë në pleqët e katundit - në vendosje për gjëra të përbashkëta të fshatit apo fisit: për ngjitje të marrëveshme në bjeshkë, sipas konsultimeve me pleqët e fshatit; caktimin e kullosave në bjeshkë për shtjerra, qengja, bagëti të trashë; për kohën e zhdjergave dhe lirimin e fushës, ashtu sikundër ishte bërë edhe zënja e fushës në pranverë - në kohën e Shëngjergjit; është i vetmi trashëgimtar i pronës së paluajtshme, deri në ndarje të familjes; merr vendime autoritare pa pyetur mëshkujt e tjerë të familjes; vendosë dhe furnizon me veshmbathje pjesëtarët e familjes - në formë të barabartë, sipas pjesëtarëve; përfaqëson familjen në dasëm e dekë, në pleqni e kuvend - në log burrash, etj. Me rastin e ndarjes së familjes, sipas kanunit, ka privilegj për trashëgiminë e odës së burrave, takamin e kafes, kalin e shalës dhe mbetët në bashkësi familjare me djalin e vogël - element ky i minoratit në traditën e zakoneve juridike ndër shqiptar.
Në rrethanat e një strukture bashkëkohore të organizimit të jetës sociale, arsimore, kulturore, shkencore, etj. ku dinamizmi i jetës dhe mundësitë e realizimit të mjeteve të mirëqenjes janë nga më të ndryshmet, forma tradicionale e organizimit të familjes e pati të pamundshme jetën e saj.


Transformimet shoqërore


Andaj, sot në organizimin e jetës familjare shqiptare funksionon mënyra bashkëkohore e organizimit të familjes dhe jetës. Në vendimmarrje, në punë, në obligime dhe detyra, në të drejt trashëgimie, etj., marrin pjesë të gjithë pjesëtarët e familjes, pa marrë parasysh gjininë, duke respektuar moshën. Natyrisht se, nënkuptojmë realitetin e rrethanave në hapësirën shqiptare, ku kushtet e jetesës nuk janë rreptësisht të adaptuara njërës apo tjetrës formë të organizimit familjar dhe jetësor, andaj edhe këto transformime na vijnë si proces evolutiv - në zona me ekonomi primare si më të ngadalshme, kurse në qendra urbane e kulturore - arsimore, më të shpejta. Por në çfar suazash na vien këto ndryshime dhe sa janë të pranuara në aspektin fetar duke marrë parasysh që shumë elemente pa hyrë në detaje bien në kontradikt me të drejtën fetare që është përcaktuar nga Ligjëvënësi i Urti, mënyra të organizimit familjar që po të përmbaheshim rregullave të parapara në aspektin islam gjithsesi se do të kishim një shoqëri të shëndosh, pasi që parimet e caktuara nga Allahu i Madhëruar gjithsesi se janë më të drejtat dhe të vetmet të drejta, mirëpo ja që njerëzimi shpesh herrë ndjek egon e vet dhe jo ligjet e Krijuesit dhe kemi lëshime dhe degradime të shoqërisë e gjithësesi edhe në aspektin familjar e më konkretisht edhe në organizimin dhe mënyrën e jetesës, e nganjëherë ç'është më e çuditshmja është ajo çfarë në bisedat e përditshme apo në masmedia ndëgjojmë e shofim se si ta organizojmë familjen në baza europiane duke u larguar nga natyrshmëria që Allahu na ka krijuar e kush tjetër më mirë se Allahu mund ta dijë se si duhet jetuar njeriu përgjigja është se askush përveq Allahut nuk e di se çka është më mirë për njëriun. Pamë disa nga format dhe mënyrat e organizimit që nga lashtësitë e mugta pagane dhe nga format më primitive të mënyrës së organizimit familjar, andaj kur sot ndalemi në këtë shekull dhe i analizojmë e çështë më e keqja kur ende hasim në njerëz që i aplikojnë gjëra të tilla doemos duhet të ju bëhet me dije se forma të tilla organizimi jo që nuk kanë një bazë të shëndoshë logjike, por edhe në aspektin fetar përbëjnë një rrezik të madh edhe për imanin tonë, duke e ditur faktin që Allahu xh.sh. nuk na la asgjë të vogël apo të madhe qoftë pa na e sqaruar e edhe i Dërguari i tij a.s., Allahu xh.sh. thotë:
"O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikqyrin engjëjt e rrept e të ashpër...".
E gjithashtu edhe i Dërguari a.s. nëpërmjet një hadithi shif se si e paralajmëron të bijën e tij, por kjo vlen gjithashtu edhe për të gjithë ne si musliman se para se të bëjmë një veprim çfarëdo qoft ai doemos duhet ta analizojmë mirë para se të veprojmë. Shiko këtë burrë se si i drejtohet vajzës së tij: "Fatime, bija e Muhamedit a.s. shpëtoje veten nga zjarri, ngase unë nuk posedoj diç prej Allahut për ty (nuk mund të shpëtoj, nëse ti vetë nuk vepron)". E shumë ajete të tjera dhe hadithe nga i Dërguari i Allahut a.s. që sikur ne të ju përmbaheshim atyre pra duke i praktikuar sigurisht që nga ardhja e islamit në këto troje doemos përveç që ne do të fitonim kënaqësinë e Allahut xh.sh. ne gjithashtu si popull do të përparonim edhe më tepër në shumë sfera të jetës , por ja që mbijetoja nga paganizmi mund të vërejmë edhe sot në disa sfera të jetës ku më shumë e ku më pak por që siç thamë ato janë të papranuara në islamin e pastër që e ka zbritur Allahu për mbarë njerëzimin. Dhe së fundi lutemi që çdo herë ta kuptojmë hakun (të vërtetën) dhe gjithsesi të lutemi për të gjithë muslimanët e në veçanti për popullin tonë shqiptar që ta udhëzoj Allahu në rrugën e drejtë e larg nga devijimet dhe kotësirat e çfarëdo kohe qofshin ato.


 


________________________________________
1. Burime tregimtare për Historinë e Shqipërisë, shek x-xv, Tiranë f, 220;
2. N. Borgia, I monaci basilani in Albania, Roma;
3. Prof Dr Ukë Xhemaj, (4) Hadith sahih, e transmeton muslimi.


 


Ilir Sopjani


Dituria Islame 251-252


Artikulli i kaluar
Keqtrajtimi i fëmijëve
Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë