Natyra e brishtë e njeriut dhe disa nga cilësitë e besimtarëve të sinqertë
"Vërtet njeriu është krijuar të jetë i padurueshëm, sepse kur e godet e keqja, ai ankohet (ligështohet) së tepërmi, ndërsa, kur e prek mirësia, ai bëhet tepër koprrac. Përveç atyre që falen e që janë të rregullt në faljet (namazet) e tyre e që nga pasuria e tyre, ndajnë një pjesë të caktuar, për lypësin dhe për nevojtarin". (El-Mearixh, 19-25)
Lidhja e këtyre ajeteve më ato paraprake
Në ajetet paraprake, pamë disa nga pamjet trishtuese të Ditës së Fundit dhe të asaj të Gjykimit, në të cilat ditë, jobesimtarët do të shohin makthin e tyre më të madh. Ata kishin qenë mohuesit e kësaj dite të Ringjalljes dhe të Gjykimit, kurse tash, do të përjetojnë turpërimin dhe ndëshkimin më të tmerrshëm në zjarrin e Xhehenemit, ndërkohë që në këto ajete vijuese, flitet për faktin se njeriu është krijuar që të jetë lakmues, shpirtngushtë, por mbi të gjitha i paqëndrueshëm dhe i padurueshëm. Pas këtij përshkrimi të natyrës së brishtë njerëzore, vijnë ajetet që përmendin dhjetë cilësi të ndritshme, me të cilat besimtarët dallohen apo veçohen prej jobesimtarëve...
Koment
19. Vërtet njeriu është krijuar të jetë i padurueshëm.
Përzgjedhja e fjalëve që asociojnë me më shumë se një kuptim, është karakteristikë e mrekullisë së shpre hjes kuranore. E tillë është edhe fja la "el-hel'u", e cila në vete ngërthen disa kuptime si: gjendjen e paqëndrueshme të njeriut, i cili nuk është në gjendje të përballojë dot sprovat, njeriun shpirtngushtë, dorështrënguar e koprrac, por në të njëjtën kohë edhe lakmitar të madh në grumbullimin e pasurisë. Kurse në kontekstin e këtij ajeti, fjala"heluan",e cila mbase edhe i atribuohet natyrës njerëzore, nënkupton njeriun që ligështohet, hidhërohet e pikëllohet shpejt kur e godasin fatkeqësitë, kurse bëhet tepër lakmitar dhe dorështrënguar kur është në mirëqenie.(1)
Sipas Zemahsheriut fjala "el-hel'u" nënkupton:"mosdurimin e njeriut kur atë e godet ndonjë e keqe, si dhe dorështrëngimin kur atë e godet ndonjë e mirë."(2)
Ndërsa nga mufessirët bashkëkohorë, mbase sqarimin më të thukët për fjalën "el-hel'u" e ka dhënë Ibn Ashuri kur thotë se kjo nënkupton: "pamundësinë e të përmbajturit të vetvetes kur dikë e godet pikëllimi apo edhe gëzimi."(3)
Nga edukata e pastër islame, që reflektohet nëpërmjet ajeteve të shumta kuranore, e po ashtu edhe nga hadithet e Muhamedit a.s., shohim se koprracia apo të qenët dorështrënguar dhe shpirtngushtë, është një prej veseve më të këqija që mund të ketë një njeri, pavarësisht nëse është mysliman apo jo. Kjo veti e shëmtuar, shkatërron shoqëritë dhe dëmton raportet ndërnjerëzore dhe familjare në përgjithësi. I Dërguari a.s., kur flet për këto vese të shëmtuara thotë: "Gjëja më e keqe që ndodhet te njeriu është koprracia dhe qyqarllëku- frika e tepruar."(4)
20. sepse kur e godet e keqja, ai ankohet (ligështohet) së tepërmi. 21. ndërsa, kur e prek mirësia, ai bëhet tepër koprrac.
Ashtu siç përmendëm më lart, njeriu si krijesë, është i brishtë nga aspekti emocional. Varësisht nga situatat dhe sprovat të cilat i përjeton në këtë botë, ashtu janë edhe sjelljet e tij me të tjerët. Kur atë e godet ndonjë e keqe, apo sprovë e rëndë, ai është i prirë të ankohet për vuajtjen dhe mjerimin që e ka pllakosur, ndërsa kur e prek mirësia, ai shndërrohet në një koprrac dhe dorështrënguar.
Nga aspekti gjuhësor fjala 'xhezea xhez'uan' nënkupton: njeriun që an kohet pandërprerë, ligështohet dhe dëshpërohet kur e godet ndonjë e keqe apo fatkeqësi dhe nuk bën durim në sprova.(5)
Njeriu është një qenie e tillë sociale që, kur është në mirëqenie, e kap një mendjemadhësi e pashpjegueshme, saqë pretendon se pasuria që e ka ar ritur është vetëm falë mençurisë dhe aftësisë së tij. Pikërisht kjo mburrje dhe krekosje e shtyn atë në koprraci, dhe e shndërron në një njeri të pandjenja ndaj të varfërve dhe skamnorëve. Madje i tilli nuk heziton fare që edhe t'i nënçmojë këto kategori, duke u tallur me gjendjen e tyre të mjerueshme sociale.
Nga aspekti islam, prej ajeteve të shumta kuranore po edhe haditheve të Resulullahit s.a.v.s. shohim se koprracia është një ves aq i shëmtuar, saqë njeriun e bën të urryer e të padëshiruar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Koprracia dhe lakmia e tepërt për grumbullimin e pasurisë e bëjnë atë mendjemadh, e në shumë raste edhe e largojnë nga rruga e drejtë e besim it. Në zemrën e tij mbetet shumë pak vend për dashurinë ndaj të afërmeve, përveç ndoshta për rrethin e tij më të ngushtë familjar. Koprracia po ashtu e ndalon njeriun t'i kryejë edhe detyrimet e tij fetare siç janë zekati, sadakaja etj. Allahu xh.sh. thotë: "Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kiametit do t'u mbështillet në qafën e tyre. Alla hut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, Allahu është i njohur mirë më atë që veproni". - (Ali Imran, 180), dhe "Ata përveçqë vetë janë koprracë i nxisin edhe të tjerët në koprraci, dhe e fshehin atë që u ka dhënë Allahu nga mirësitë e Veta, Ne kemi përgatitur dënim të turpshëm për jobesimtarët". - (En-Nisaë, 37)
22. Përveç atyre që falen, 23. e që janë të rregullt në faljet (namazet) e tyre.
Përjashtim nga kjo kategori e njerëzve të pandjenja e të paqëndrueshëm, të cilët pikëllohen shpejt kur i godet ndonjë e keqe dhe bëhen koprracë e nuk japin kur janë në mirëqenie, janë pikërisht ata më të zgjedhurit, ata që i besuan Allahut, ata që iu bindën urdhrave të Tij - besimtarët e Njëshmërisë së pastër, ata, zemrat e të cilëve gjithmonë pulsojnë me ritmin e dashurisë hyjnore.
Besimtarët e sinqertë, nuk ankohen kur goditen nga sprovat, por durojnë për hir të Allahut, ndërsa kur janë në mirëqenie, hapin zemrat e tyre dhe janë bamirës e të dobishëm për rrethin dhe shoqërinë. Për të tillët, i Dërguari a.s. ka thënë: "Është e çuditshme puna e besimtarit. Çdo çështje e tij është veç mirësi e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin. Nëse i vjen ndonjë e mirë, ai falënderon (Allahun) dhe kjo është mirë për të, e nëse e godet ndonjë fatkeqësi, ai duron (për hir të Allahut) dhe përsëri kjo është mirë për të".(6) Nuk ka dyshim që çdo njeri në këtë botë, Allahu do ta vërë në sprovë, qoftë ai besimtar apo jobesimtar. Por, ndryshe nga këta të fundit, që nuk mund t'i përballojnë këto sprova, por ligështohen, pikëllohen dhe ankohen për gjendjen e tyre, besimtarët, i lidhin zemrat e tyre te Allahu dhe mbështeten te Ai. Besimtarët e vërtetë e dinë se çdo gjë që u ndodh në këtë botë, është me caktim dhe dije të Allahut, andaj e presin me zemërgjerësi 'kaderin' e Allahut dhe bëjnë sabër.(7)
Për të tillët Allahu xh.sh. thotë: "Ne do t'ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me humbje nga pasur ia e nga jeta e edhe nga frytet, por ti përgëzoji durimtarët. Të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: "Ne jemi të Allahut dhe vetëm te Ai do të kthehemi! Të tillët kanë bekim prej Zotit të tyre dhe mëshirë dhe të tillët janë të udhëzuarit." - (El-Bekare, 155-157).
Ata e dinë mirë se Allahu i gjithëmëshirshëm i dëgjon ankesat dhe lutjet e tyre, sepse Ai Vetë ka thënë në Kuranin famëlartë: "E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutë si më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua." - (El-Bekare, 186).
Ashtu siç do të shohim, prej këtij ajeti e deri në atë të 35-të, Allahu i Madhërishëm i ka përshkruar dh jetë cilësitë e lavdëruara të besimtarëve. Dy cilësitë e para, janë vërtet cilësi madhështore. Ata së pari janë falës të namazit dhe së dyti janë të rregullt në namazet e tyre, duke mos lejuar që t'u ikë asnjë namaz nga koha e tyre.
Kjo nënkupton se ata me bindje dhe me zemër, e kryejnë një prej obligimeve më madhore në Islam, namazin, i cili adhurim u bë farz në natën e Israsë dhe Miraxhit, si një dhuratë për Ymetin e Muhamedita.s. Prandaj, me plot të dre jtë, nga shumë dijetarë, namazi është quajtur miraxhi i besimtarit. Nëse më fjalën 'mi'raxh', nënkuptojmë ngritjen fizike në qiell të Muhamedita.s., atëherë namazi është ngritja e vërtetë shpirtërore e çdo besimtari, në kërkim të kënaqësisë së Allahut fuqiplotë.
Namazi është lidhja shpirtërore në mes robit dhe Krijuesit, është dritë që përshkon zemrat e besimtarëve dhe i udhëzon ata drejt Dritës Hyjnore. Namazi në të njëjtën kohë ndalon nga çdo gjë e keqe, e shëmtuar dhe amorale, sepse nuk ka mundësi që në të njëjtën kohë, njeriu të jetë shpirtërisht i lidhur me Allahun dhe të mëkatojë. Nëse namazi, nuk e ndalon atë nga punët e këqija, atëherë sigurisht se namazi i tij është formal dhe bëhet sa për sy e faqe. Ndoshta mu këtu qëndron edhe urtësia pse kohët e pesë namazeve të obliguara janë të shpërndara në kohë të ndryshme gjatë ditës dhe natës, sepse falja e tyre me rregull dhe në kohët e përcaktuara nuk i lë njeriut hapësirë të mjaftueshme për të mëkatuar.
24. e që nga pasuria e tyre, ndajnë një pjesë të caktuar. 25. për lypësin dhe për nevojtarin;
Cilësia e tretë e besimtarëve është dhënia e zekatit nga pasuria e tyre për të varfrin, lypësin dhe nevojtarin.
Ashti siç është namazi, shtyllë e Islamit, po ashtu edhe zekati është një prej shtyllave themelore të tij. Ajetet në fjalë, përshkrua jnë besimtarët me zemër të pastër, të cilëve Allahu u ka dhënë pa suri e mirëqenie, dhe ata ndajnë për çdo vit nga pasuria e tyre një pjesë të caktuar për të varfrit dhe skamnorët.(8)
Këta përveçqë kryejnë një urdhër të Zotit, në të njëjtën kohë, ndihmojnë një kategori të caktuar njerëzish, që sa më lehtë të përballojnë vështirësitë dhe sprovat e jetës. Pikërisht, ky edhe është synimi i zekatit dhe i sad kasë, që njerëzit të mos vuajnë nga varfëria, por që mirëqenia të shpërndahet gjithandej në mesin e myslimanëve. Dhënia e zekatit në të njëjtën kohë e forcon shoqërinë myslimane, duke mbjellë dashuri e respekt ndërmjet besimtarëve, kjo harmoni bën që ata të jenë të bash kuar si një trup i vetëm, duke funksionuar në kuadër të një sistemi të përkryer të jetës, të përcaktuar nga Allahu i gjithëdijshëm dhe i gjithë pushtetshëm.
Porosia e këtyre ajeteve (19-25)
- Njeriu është krijesë e brishtë nga aspekti emocional. Është i padurueshëm dhe i paqëndrueshëm kur atë e godasin sprova të kësaj bote. Kur është në skamje, ai nuk bën sabër dhe ankohet vazhdimisht, kur e arrin ndonjë mirësi dhe begati nga Zoti, ai bëhet koprrac dhe nuk çan kokën për asnjë njeri. Nuk e ndihmon askënd, por vetëm preokupo het me grumbullimin e pasurisë, zotësi dhe aftësi të cilën ia atribuon vetëm vetes. Ai nuk e ka frikën e Zotit, por i frikësohet vetëm humbjes së pasurisë.
- Besimtarët e vërtetë kujdesen që të respektojnë maksimalisht urdhëresat e Allahut, njëra prej tyre është namazi, i cili llogaritet si një prej pesë shtyllave bazike të Islamit. Namazi për myslimani është obligim pesë herë brenda 24 orëve dhe duhet të falet në kohë të përcaktuara dhe me rregull. Ata që namazet ditore i falin me xhe mat, kanë vlerë dhe shpërblim më të madh sesa ata që namazet i falin vetëm në shtëpi.
- Cilësia tjetër e besimtarëve të sinqertë është dhënia e zekatit, i cili si obligim madhor, po ashtu përbën një prej shtyllave themelore të Islamit, dhe si term në Kuran është përdorur pothuajse çdo herë së bashku me namazin. Besim tarët, të cilëve Allahu u ka dhënë pasuri, e kanë obligim që nga ajo pasuri e tyre të ndajnë një pjesë të saj në emër të zekatit, që u jepet të varfërve.
________________________
1. Seid Havva, El-Esasu fi-t-Tefsir, vëll. 11, f. 6142.
2. Zemahsheriu, El-Kesh-shaf, Rijad, 1998, vëll. 6, f. 209.
3. Ibn Ashuri, Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. 29, f. 167.
4. Transmetojnë Imam Ahmedi (302/2 dhe 320); Ebu Davudi (2511) dhe Ibn Hibbani (3250) nga Ebu Hure jra.
5. El-Vahidijen-Nisaburi, Et-Tefsiru-l Be sit, Rijad, 1430 h. vëll. 22, f. 227.
6. Muslimi (2999).
7. Abdulkerim El-Hatib, Et-Tefsiru-l Kurani li-l Kuran, Kajro, 1970, vëll. 5, f. 1175.
8. Dr. Me'mun Hammush, Et-Tefsiru-l Me'mun, Damask, 2007, vëll. 8, f. 189.
Sabri Bajgora