Komentimi i kaptinës “El-Mearixh”- (5)


Natyra e brishtë e njeriut dhe disa nga cilësitë e besimtarëve të sinqertë


"Edhe ata që besojnë bindshëm në Ditën e Gjykimit dhe që i frikësohen dënimit nga Zoti i tyre. Vërtet, askush nuk është i sigurt prej dënimit të Zotit të vet; Edhe ata që i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, me përjashtim ndaj grave të veta dhe ndaj robëreshave që i kanë në posedim, në këtë rast, nuk ka qortim për ta. Por kush kërkon jashtë këtyre (caqeve), pikërisht ata janë shkelësit; Edhe ata që i ruajnë amanetet dhe premtimet e tyre e që gjithnjë dëshmojnë drejt dhe që janë të kujdesshëm ndaj namazit të tyre, pikërisht, të tillët do të jenë të nderuar në kopshtet e Xhenetit - (El-Mearixh, 26-35)


Koment:
26. Edhe ata që besojnë bindshëm në Ditën e Gjykimit.


Vazhdojmë të jemi në shoqërim me cilësitë e besimtarëve të sinqertë. Cilësia e katërt e tyre me radhë, me të cilën i ka përshkruar i Madhërish mi është besimi i tyre i patundshëm në Ditën e Gjykimit. Besimi në këtë Ditë, do të thotë besim në jetën pas vdekjes, besim në Ringjallje dhe në Llogari. Sipas doktrinës akaidologjike të Ehli Sunetit, besimi në Ditën e Gjykimit është një prej kushteve esenciale të Imanit dhe një prej shtyllave të tij bazike.
Besimi në Ditën e Gjykimit njëkohësisht nënkupton besim në Ringjallje pas vdekjes, besim në tërë atë për të cilën thirrën të Dërguarit, me porosi nga Krijuesi absolut. Mohimi vetëm i njërës prej shtyllave të Imanit, apo edhe atyre të Islamit, njeriun e nxjerr hëpërhë nga besimi në mosbesim. Në asnjë mënyrë nuk ka mundësi që të besohet Dita e Gjykimit, kurse të mohohet Ringjallja, apo të besohet ekzistenca e melekëve e të mohohen Librat e shenjtë. Po ashtu, nuk mund të konsiderohet vetëm namazi si shtyllë e Islamit e të mohohen zekati, agjërimi apo haxhi etj.
Allahu është sunduesi i vetëm i Ditës së Gjykimit, në të cilën ditë, do t'i marrë në llogari krijesat, dhe do t'i shpërblejë ose t'i ndëshkojë varësisht nga veprat e tyre. Besimtarët e Njëshmërisë, me plotë të drejtë, shpresojnë në mëshirën e Allahut që t'i përshkojë në atë ditë të vështirë, sepse në këtë dynja besuan Allahun dhe besuan librat e shenjtë, me të cilët erdhën Pejgamberët e Tij.


27. dhe që i frikësohen dënimit nga Zoti i tyre 28. vërtet, askush nuk është i sigurt prej dënimit të Zotit të vet


Cilësia e pestë e besimtarëve të sinqertë, është frika apo droja nga dënimi i Allahut në botën tjetër. Pas ringjalljes, të gjithë njerëzit dhe exhinët, do të tubohen në një vend apo hapësirë të madhe, të paimagjinueshme për perceptimet tona ndijore e ato shqisore. Kjo është dita e Hashrit-Tubimit të madh, kur secili do të ballafaqohet me veprimet e tij në këtë botë. Në këtë ditë do të mbretërojë drejtësi absolute. Secili do të frikësohet për fatin e vet. Edhe myslimanët, apo besimtarët, do të jenë në ankth, nga frika se nuk i kanë realizuar ashtu siç duhet urdhrat e Zotit.
Fjala "Ishfak" apo "Mushfikun" sipas Ibn Kajimit nënkupton një dozë frike të shoqëruar me ndjesi të mëshirës... Fjala "Ishfak" po ashtu nënkupton një pikëllim të vazhdueshëm të shoqëruar me mëshirim. Kjo do të thotë se besimtari vazhdimisht është i preokupuar me dronë se a është duke i kryer siç duhet obligimet ndaj Krijuesit, duke ditur se Dita e Gjykimit është ditë e vështirë.
Frika nga ndëshkimi i Alla hut është prej adhurimeve më madhështore në Islam. Ajo është bazamenti i takvasë-devotshmërisë, sepse besimtari i devotshëm, vendos një mburojë në mes tij dhe hidhërimit të Allahut apo dënimit të Tij. Talk bin Hubejbi në lidhje me kuptimin e takvasë ka thënë: "Takvaja është të vepruarit me përulësi e nënshtrim ndaj Allahut, duke qenë i udhëhequr nga Drita e Allahut, dhe duke shpresuar mëshirën e Allahut. Ajo në të njëjtën kohë nënkupton largimin nga gjynahet në raport me Allahun, duke qenë i udhëhequr nga Drita e Allahut, dhe duke pasur frikën e dënimit të Allahut".
Tash të paramendojmë për një çast madhështinë e Ditës së Gjykimit. Nëse besimdrejtët e ndiejnë veten kaq në siklet nga verdikti hyjnor, imagjinojeni se në ç'pozitë të rëndë e të mjerë do të gjenden jobesimtarët, mendjemëdhenjtë, mohuesit dhe zullumqarët?!
Për këta të fundit nuk ka kurrfarë shprese, sepse vetëm besim drejtët do t'i përshkojë mëshira e Allahut. Përveç kësaj, Allahu xh.sh. do t'u japë mundësinë Pejgamberëve të Tij të ndërmjetësojnë për ymetet e tyre që u besuan misionit të atyre, ne jemi me fat që jemi Ymet i Muhamedit a.s., sepse shumica e banorëve të Xhenetit do të jemi Ne. Pastaj do të ndërmjetësojnë shehidët për familjarët dhe miqtë e tyre e do të ndërmjetësojnë edhe njerëzit e mirë, bijtë për prindërit e tyre apo prindërit për fëmijët e tyre.
Nga ky ajet kuptojmë se frika nga dënimi i Allahut duhet të jetë gjithmonë e pranishme, në mënyrë që njeriu të mos mashtrohet e të neglizhojë adhurimet, namazin, agjërimin. zekatin dhe sjelljet e mira ndaj të tjerëve. Neglizhimi i tyre e sjell njeriun deri të një vetëkënaqësi, dhe mendjemadhësi, e cila nëse "ushqehet" me këto cytje dhe intriga të shejtanit, njeriun dalëngadalë e nxjerr nga drita e besimit. Mbase këtë kuptim e synojnë këto dy ajete, që njeriu të mos mashtrohet se unë besoj, dhe do të hyjnë në Xhenet pa i kryer obligimet që i kemi marrë për sipër para Allahut. Këtë amanet ne e kemi marrë me vetëdëshirë dhe duhet ta çojmë deri në fund, duke e lutur vazhdimisht Allahun e gjithëmëshirshëm që të na marrë nën kujdesin dhe ngrohtësinë e mëshirës së Tij të pakufishme.


29. edhe ata që i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre. 30. me përjashtim ndaj grave të veta dhe ndaj robëreshave që i kanë në posedim, në këtë rast, nuk ka qortim për ta.


Prej cilësive të tjera të lavdëruar të namazfalësve, apo besimtarëve të devotshëm, është ndershmëria e tyre morale. Të edukuar në frymën e edukatës dhe moralit të lartë islam, besimtarët ruhen nga rënia në mëkatin e amoralitetit. Ata, ndonëse kanë mundësi të bëjnë vepra të tilla të shëmtuara, megjithatë, janë shumë të kujdesshëm që të largohen nga kjo rrugë që shpie në mëkatim të hapët. Duke qenë të vetëdijshëm prej këtyre tundimeve, ata ulin shikimet e tyre ndaj grave të hua ja, dhe ngrohtësinë bashkëshortore e gjejnë vetëm te gratë e tyre, me të cilat kanë krijuar familjen, dhe e cila është gjëja më e shenjtë për ta, ose te robëreshat të cilat i kishin në posedim, atëherë kur sistemi i robërisë gjatë luftërave ishte ende aktiv në mbarë botën.
Allahu i Madhërishëm në shumë vende na e ka tërhequr vërejtjen që të ruhemi nga zinaja-amoraliteti, sepse ky mëkat shpie në degradimin e familjes, por edhe të mbarë shoqërisë. Nëse në një shoqëri kanë humbur vlerat morale, atëherë ajo shoqëri pavarësisht të arriturave teknologjike etj, do të ketë një fund tragjik, ashtu siç pësuan në të kaluarën populli Lutit a.s., populli që banonin në Pompe (Itali) etj.


31. por kush kërkon jashtë këtyre (caqeve), pikërisht ata janë shkelësit;


Nëse dikush, del jashtë këtyre kornizave të përcaktuara nga Alla hu Fuqiplotë, atëherë pa dyshim që këta janë shkelësit e urdhrit të Tij dhe mëkatarë të mëdhenj. Ata besimtarë që ia kanë dhënë besën Alla hut në ezel dhe i besuan Madhërisë së Tij, ata kurrë nuk do të pranojnë të shkelin këtë besatim, pavarësisht sa joshëse mund të jenë intrigat djallëzore. I lumi ai njëri që ruhet nga këto shëmti, sepse të tillët nesër do të jenë nën hijen e mëshirës së Allahut në Ditën e Gjykimit, e një prej këtyre njerëzve fatlumë do të jetë ai ose ajo që refuzon me ngulm mëkatin e amoralitetit në të cilin i thërret shejtani në formë të njeriut. Për këtë ka përgëzuar i Dërguari a.s. në një hadith kur thotë:"Shtatë grupe, Allahu do t'i fusë në Hijen e Arshit të Tij në Ditën e Gjykimit, ditë në të cilën nuk do të ketë hije tjetër veç Hijes së Tij: udhëheqësi i drejtë, i riu që është rritur duke adhuruar Allahun e Plotfuqishëm, njeriu që zemrën e tij e ka pasur të lidhur me xhamitë, dy njerëz të cilët janë dashur për hir të Allahut, që janë takuar për këtë dhe janë ndarë për këtë (dashuri), një burrë që është thirrur nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer marrëdhënie me të), por ky thotë: '(jo, sepse) Unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve, personi që jep për bamirësi dhe e fsheh atë, saqë dora e tij e majtë nuk e di se çfarë jep e djathta dhe personi që e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij i lotojnë".


32. Edhe ata që i ruajnë amanetet dhe premtimet e tyre;


Ardhjes sonë në këtë botë, i ka paraprirë një dëshmi, besatim dhe premtim, të cilin ia kemi dhënë Krijuesit tonë qysh në ezel: "Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): "A nuk jam Zoti juaj?" Ata thanë: "Po, dëshmuam!" Të mos thoni në ditën e kiametit: "Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur." (El-A'raf, 172)
Ky ajet na kthen në fillet e krijimit tonë, duke qenë ende në botën shpirtërore, në ezel, kur Ne i besuam Allahut se është Zoti dhe Krijuesi ynë, ndërsa si rezultat i këtij pranimi të Njëshmërisë së Tij, është edhe përgjegjësia që e kemi marrë, duke ndjekur rrugën në të cilën Ai do të jetë i kënaqur ndaj neve. Njeriu e meritoi privilegjin nga Allahu fuqiplotë, sepse doli nga të gjitha krijesat dhe vullnetarisht e pranoi amanetin dhe barrën e rëndë, që këtë besim ta ruante e ta mbante me kujdes, deri në Ditën e Gjykimit. Në lidhje me këtë amanet dhe besatim, Në Kuranin famëlartë thuhet: "Ne u ofruam emanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë, u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejtë si vetes dhe ishte padijshëm."- (El-Ahzab, 72).
Amanetin që e refuzuan qiejt dhe toka, e mori përsipër njeriu, për t'ia dëshmuar edhe njëherë dashurinë e thellë që kemi ndaj Krijuesit tonë, i Cili na dhuroi lirinë e të vepruarit, na dha mendjen-logjikën dhe mbi të gjitha na bëri mëkëmbës në këtë Tokë. Pikërisht për këtë arsye, Allahu xh.sh. i ka veçuar besimtarët, të cilët i mbajnë premtimet dhe i zbatojnë amanetet.
E prej këtyre amaneteve apo premtimeve janë edhe falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit, punët e mira, kujdesi ndaj prindërve etj. Me një fjalë, "amaneti" përfshin të gjitha ato obligime, të cilat na i ka lënë në amanet Krijuesi Fuqiplotë, që për pos obligimeve të fesë, nënkupton edhe ruajtjen e gjymtyrëve tona nga harami, siç janë syri, veshi, dora, këmba, gjuha etj.


33. e që gjithnjë dëshmojnë drejt;


Besimtarët e vërtetë, në asnjë mënyrë nuk i bishtnojnë së vër tetës, sado e hidhur qoftë ajo për ta, por gjithmonë dëshmojnë të vërtetën dhe realitetin, ashtu siç është, qoftë edhe kundër tyre.
Allahu xh.sh. në lidhje me këtë në suren El-Maide, ajeti 8, thotë: "O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t'i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë se ajo është më afër devotshmërisë..."
Nga këto ajete, kuptojmë vlerën dhe peshën e dëshmisë së drejtë për hir të Allahut. Dëshmia nënkupton që, nëse jemi dëshmitarë f.v. të ndonjë krimi, të dëshmojmë drejt, pa anuar në favor apo dëm të asnjërës palë, gjithnjë duke pasur në hatër se, për këtë dëshmi, do të përgjigjemi edhe para Allahut në Ditën e Gjykimit. Besimtari në asnjë mënyrë nuk guxon ta fshehë dëshminë, sepse për këtë na ka ndaluar Allahu i Gjithëfuqishëm kur thotë: "Mos e fshihni dëshminë, sepse ai që e fsheh atë është mëkatar me zemrën e vet, Allahu di atë që veproni." - (El-Bekare, 283).
Dëshmia e drejtë, kur funksionon në një shoqëri, sjell drejtësi në mes njerëzve, dhe njëkohësisht ndalon padrejtësitë dhe mizoritë në mes tyre. Për këtë arsye, ata që dëshmojnë me drejtësi, janë të lavdëruar nga Allahut në këtë botë, dhe të shpërblyer me mirësitë e Xhenetit në botën tjetër.


34. e që janë të kujdesshëm ndaj namazit të tyre.


Madhështia e këtyre ajeteve të sures El-Mearixh, që flasin për cilësitë e besimtarëve të sinqertë, është se kanë filluar me lavdërim in e atyre që janë të rregullt në namazet e tyre, duke i falur në kohët e tyre, dhe po përfundojnë sërish me përmendjen e namazit dhe kujdesit që besimtarët e dre jtë i kushtojnë kryerjes së tij. Nuk është e rastësishme që namazi është një prej shtyllave të fesë, dhe është një lidhje e fortë me Allahun që po të mbahet siç duhet, kurrë nuk shkëputet. Meqë namazi do të jetë prej adhurimeve të para që do të peshohen në Mizan, dhe ai që e ka kryer në formën dhe në kohën e duhur, me plot të drejtë shpreson në shpërblimin nga Allahu. Namazi, Namazi! Kjo ishte edhe porosia e fundit për Ymetin e tij nga ana e Resulullahit s.a.v.s., në momentet e dorëzimit të shpirtit të tij të bekuar, Allahut xh.sh.
Në lidhje me këtë ajet, Fahru Rraziu thotë se kujdesi ndaj namazeve nënkupton afërsinë dhe ngrohtësinë e Allahut ndaj robërve të Tij namzfalës. Sepse, sa herë që ne i lutemi Allahut, Ai na përgjigjet, sikur thotë edhe vetë i Lartmadhërishmi: "Pra më kujtoni Mua, Unë ju kujtoj ju, më falënderoni e mos më mohoni"- (El Bekare 152)
Ndërsa i Dërguari a.s. na porosit e thotë; "Ruaje Allahun, që të të ruajë Ai ty"
Arsyeja pse shumë herë është përmendur në Kuran urdhri për namaz, fsheh në vete një urtësi të madhe, sepse namazi, përveçqë është një lidhje e drejtpërdrejtë me Zotin, ai në të njëjtën kohë, na ndalon nga çdo punë e keqe, e shëmtuar dhe e ligë, ashtu siç na ka mësuar Krijuesi ynë kur thotë: "...vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat"- (El-Ankebut, 45).


35. Pikërisht, të tillët do të jenë të nderuar në kopshtet e Xhenetit.


Këta besimdrejtë, të cilët Allahu xh.sh. i lavdëroi dhe i veçoi në këto ajete të sures El-Mearixh, do të jenë njerëzit më të lumtur nesër në Ahiret. Këta do të jenë të nderu ar e të shpërblyer me mirësitë e Xhenetit. Për këta nuk do të ketë frikë e as dëshpërim. Ata do të jenë përherë në Xhenet, të respektuar me fisnikërinë më të madhe.


Porosia e këtyre ajeteve (26-35)


- Besimtarët e sinqertë e besojnë bindshëm Ditën e Gjykimit, kur secili njeri do të japë Llogari për veprat e tij në këtë botë. Besimi në këtë ditë është një prej kushteve të Imanit.
- Ata i frikësohen dënimit të Zotit të tyre, duke qenë të ndrojtur nëse i kanë kryer siç duhet obligimet ndaj Allahut, ashtu siç ka kërkuar Ai.
- Këta njerëz që ia dhanë besën Allahut qysh në ezel, këta e ruajnë nderin dhe moralin e tyre, duke mos rënë në mëkatin e amoralitetit, duke e ditur se një mëkat i tillë i shëmtuar, prish ngrohtësinë e folesë familjare, prish shoqërinë dhe e degradon atë në nivelet më të ulëta të moralit njerëzor. Për këtë arsye, ata i përmbahen martesës së ligjshme dhe të lejuar-hallall, duke pasur kujdes që në asnjë mënyrë të mos i tejkalojnë kufijtë e asaj që ka përcaktuar Allahu xh.sh.
- Ata po ashtu ruajnë amanetet, i mbajnë dhe i zbatojnë premtimet. Përveç kësaj, ata dëshmojnë me drejtësi për hir të Allahut, qoftë edhe kundër të afërmve të tyre, sepse e dinë se dëshmia e tyre do të dalë haptazi nesër në Ditën e Gjykimit.
- Në fund, këto ajete ashtu siç filluan me përmendjen e atyre që janë të kujdesshëm që të falin namazin në kohën e tyre, tash në fund përmendet se sa janë të kujdesshëm që atë të falin në formën më të plotë, duke respektuar çdo pjesë të namazit dhe duke ia dhënë hakun atij në çdo segment, fizik dhe shpirtëror.
- Shpërblimi meritor për këta besimtarë, të cilët i përshkroi vetë Allahu i Madhërishëm me këto cilësi të lavdëruara, pa dyshim që do të jetë Xheneti, ku do të priten me nderimet më të larta, të respektuar me fisnikërinë dhe bujarinë e Krijuesit të Gjithëmëshirshëm.



- vijon -


 


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Promovohen “Akaidi islam: Parimet, zhvillimi dhe shkollat” dhe “Ixhazetnamet e Sherif ef.Ahmetit”