Sjellja hipokrite e jobesimtarëve ndaj të Dërguarit të Allahut
"Ç'është kështu me jobesimtarët, që drejt teje të dalldisur nxitojnë, djathtas e majtas, në turma?! A mos secili prej tyre lakmon të hyjë në Xhenetin e begatshëm? Kurrsesi! Vërtet ata e
dinë se nga çfarë i kemi krijuar! Betohem në Zotin e lindjeve dhe të perëndimeve se Ne kemi fuqi (mundësi) t'i zëvendësojmë ata me (njerëz) më të mirë se ata dhe askush nuk mund të na pengojë. Por ti lëri ata të zhyten në fjalë të kota dhe të dëfrehen, derisa të përballen me Ditën që u është premtuar. Ditën, kur do të dalin nga var rezat duke vrapuar, sikur të ishin duke nxituar drejt idhujve, me shikime të përulura, të kapluara nga poshtërimi. Ajo është dita që u është premtuar atyre" - (El-Mearixh, 36-44).
Shkaku i zbritjes së ajetit 38
Në lidhje me ajetin e 38-të: "A mos secili prej tyre lakmon të hyjë në Xhenetin e be gatshëm?", kemi edhe shkakun e zbritjes, të cilin e ka cekur Vahidiu. Ai ndër të tjera thotë: Dijetarët e tefsirit kanë përmendur se idhujtarët mekas, shpeshherë mblidheshin rreth të Dërguarit të Allahut dhe i dëgjonin fjalët e tij, jo për t'u udhëzuar, por për ta ironizuar dhe për t'u tallur me të. Në një prej këtyre ndejave, ata e kishin shpotitur Resulullahin s.a.v.s. për të varfrit që i kishte pranë duke i thënë: "Nëse këta do të hyjnë në Xhenet, atëherë sigurisht ne do të hyjmë para tyre dhe do të kemi më shumë mirësi sesa këta."(1) Pas këtyre fjalëve të tyre tallëse, Allahu xh.sh. zbriti ajetin e sipërshkruar, duke i tallur tash idhujtarët në të njëjtën mënyrë ironike.
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet paraprake, pamë prem timin e Allahut për besimdrejtët, të cilët e kanë stolisur karakterin e vet me cilësitë e lavdëruar, duke ua premtua si shpërblim për këtë Xhenetin, ndërsa tash, në ajetet në vazhdim, i Madhërishmi flet për gjendjen e jobesimtarëve në këtë dynja dhe në Ahiret. Sa i përket kësaj bote, ata i ka kërcënuar me shkatërrim, sepse nxitojnë drejt kufrit, kurse në Ahiret, vendi i tyre do të jetë në Xhehenem. Pikërisht për shkak të këtij qëndrimi përbuzës të tyre ndaj fesë, Allahu i Gjithëmëshirshëm e urdhëroi të Dërguarin a.s., që të largohej prej tyre e t'i linte ata në humbëtirën në të cilën ishin zhytur, derisa të ballafaqohen me re alitetin e trishtuar për ta në Ditën e Ringjalljes. Pas ringjalljes, këta idhujtarë, do të dalin nga varret e tyre me nxitim, me shikime të poshtëruara për shkak të arrogancës dhe kufrit të tyre, për t'u përballur me dënimin e tyre të përjetshëm, zjarrin e Xhehenemit.
Koment: 36.
Ç'është kështu me jobesimtarët, që drejt teje të dalldisur nxitojnë, 37. djathtas e majtas, në turma?!
Allahu xh.sh., i drejtohet Muhamedit a.s. me këtë pyetje: athua ç'është puna e këtyre idhujtarëve mohues, që ulen përreth teje, të dëgjojnë dhe tallen me fjalët e tua? A i sheh ata teksa nxitojnë të dalldisur drejt kufrit dhe përgënjeshtrimit tënd si pejgamber, duke qëndruar turma-turma, në të djathtën e të majtën tënde?
Fjala "muhti'ine" nënkupton nxitimin apo zgjatjen e qafave drejt diçkaje, në këtë rast të idhujtarëve për të dëgjuar ndonjë fjalë nga Resulullahi s.a.v.s., për t'u tallur pastaj me të. Ata edhe pse uleshin rreth tij, as që përfillnin ndonjë këshillë nga i Dërguari i Allahut.(2) Në lidhje me fjalën"muhti'ine"në kontekst të ajetit, rreth nxitimit të idhujtarëve drejt Pejgamberit a.s., dijetarët kanë dhënë disa mendime, ndër të cilat spikasin, se ky nxitim ishte vetëm për tallje e përgënjeshtrim, se ishte për përbuzje dhe nënçmim, disa kanë thënë se ishte edhe shprehje e hapët e armiqësisë ndaj Resulullahit s.a.v.s.. Sido qoftë, mendimi se kjo fjalë është më tepër për tallje, përqeshje e nënçmim, është më i pranuari,(3) ngase idhujtarët talleshin me të për ringjalljen, të cilën e mohonin kategorikisht. Kur Muhamedi a.s.,u fliste besimtarëve për Xhenetin, kjo idhujtarëve u dukej aq absurde, saqë i përcillnin këto fjalë të tij me sarkazëm e me të qeshura ironike.
Përshkrimi i tyre nga ana e të Madhërishmit, është po ashtu një për shkrim që qet në pah tërë poshtërsinë e tyre. Të tillët Allahu i Plotfuqishëm i ka përshkruar edhe në disa vende të tjera në Kuran si f.v. në suren El-Mud deth-thir, ajetet (49-51): "E, përse ata (idhujtarët) shmangen nga këshillimi, sikur të ishin gomarë të egër, që të frikësuar ikin prej luanit?!
38. A mos secili prej tyre lakmon të hyjë në Xhenetin e begatshëm?
Nëpërmjet këtij ajeti, i Lartmadhërishmi shpërfaq anën e errët dhe egoiste të idhujtarëve, të cilët ndonjëherë edhe lakmonin që nëse do të kishte jetë tjetër pas jetës së kësaj bote, të ishin prej banorëve të Xhenetit! Ja deri në ç'masë kishte shkuar paturpësia e tyre. Këndej talleshin me të Dërguarin a.s., duke i nënçmuar e përbuzur myslimanët e varfër, ndërsa në anën tjetër, në heshtje, lakmonin të mirat e Xhenetit, duke u krekosur e thënë se nëse dikush do të hyjë në Xhenet, atëherë ata duhet të ishin të parët dhe më meritorët që të hyjnë në të?!(4)
Por, këto ëndrra dhe shpresa të rreme, ua zhdavariti menjëherë Alla hu xh.sh. kur në ajetin vijues u thotë:
39. Kurrsesi! Vërtet ata e dinë se nga çfarë i kemi krijuar!
Pjesëza "Kel-la"e cila në gjuhën tonë i bie"kurrsesi"!, e largon çdo mundë si reale që këta mohues të mund të shijojnë ndonjë prej kënaqësive të Xhenetit, të cilat janë dedikuar e për gatitur ekskluzivisht vetëm për besimtarët e devotshëm. Ata që mohuan Allahun dhe Shpalljen e të Dërguarit a.s., ata që mohuan Ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit, nuk kanë çfarë të shpresojnë në botën tjetër, sepse për të hyrë në Xhenet, lypsen besimi dhe veprat e mira. Ndërsa idhujtarët pas vetes kishin vetëm veprat e tyre të shëmtuara, të vulosura me vulën e kufrit-mosbesimit, të cilat do t'i dë gojnë ata në greminat e pafundme të Xhehenemit. Të tillët, i Madhërishmi kurrë nuk do t'i shikojë me syrin e mëshirës së Tij, ndërsa ndëshkimi me zjarrin e Xhehenemit do të jetë i përjetshëm për ta.
Allahu i Madhërishëm u drejtohet mendjeve të tyre të sëmura me fjalët: "ju e dini nga çfarë ju krijuam". Ju e dini mirë se ne ju krijuam së pari nga balta nëpër etapa të ndryshme e pastaj edhe në barqet e nënave tuaja, nga një pikë uji, po ashtu në disa etapa: "A nuk ju kemi krijuar nga një lëng (spermatozoid) i dobët"- (El-Murselat, 20), dhe ju sërish krekoseni e keni guxim ta mohoni Krijuesin Tuaj, të talleni me Fjalën e Tij dhe të dyshoni nëse Ai mund t'ju ringjallë apo krijojë për së dyti?!
Dijetarët kur kanë folur rreth këtij ajeti kanë thënë se në të janë synuar tri qëllime:
1. T'u bëhet me dije idhujtarëve se nga çka janë krijuar, për t'ua shembur mendjemadhësinë e tyre.
2. Ishte reagim ndaj jobesimtarëve të cilët në fshehtësi lakmonin të mirat e Xhenetit, ndonëse asnjë vepër e tyre nuk ishte e banorëve të Xhenetit, dhe
3. Argumentim nga Allahu për Ringjalljen, duke ua bërë me dije atyre se, nëse e dinë se i ka krijuar prej një pike të dobët uji, Ai po ashtu ka mundësi edhe t'i rikrijojë apo t'i ri- ngjallë për së dyti.(5)
40. Betohem në Zotin e lindjeve dhe të perëndimeve se Ne kemi fuqi (mundësi), 41. t'i zëvendësojmë ata me (njerëz) më të mirë se ata dhe askush nuk mund të na pengojë.
Këto dy ajete janë tërheqje e hapët e vërejtjes ndaj idhujtarëve që, nëse vazhdojnë me këtë mohim, refuzim dhe tallje ndaj asaj që po i shpallej Muhamedit a.s., ata do t'i vdiste e shkatërronte të gjithë, e në vend tyre mund të sillte të tjerë njerëz, të cilët do të ishin besimtarë të devotshëm.
Siç shohim në këtë ajet, Allahu i Gjithëpushtetshëm, është betuar në Vetë Qenien e Tij absolute, si Zot i lindjeve dhe i perëndimeve: "Betohem në Zotin e lindjeve dhe të perëndimeve", që dëfton për madhështinë dhe seriozitetin e këtij betimi hyjnor.
Në Kuranin fisnik, shohim se i Madhërishmi është betuar në tri raste në Veten e Tij si Zot i lindjes dhe i perëndimit në njëjës, në dyjës dhe në shumës: "Zot i lindjes dhe i perëndimit"-"Rabbulmeshriki vel magribi"(6), pastaj si "Zot i dy lindjeve dhe Zot i dy perën dimeve"-"Rabbul meshrikajni ve Rab bul magribejni(7)", dhe si: "Zot i lindjeve dhe i perëndimeve"-"Rabbul meshariki vel megaribi"(8).
Në lidhje me këto betime, dhe arsyeja pse ato kanë ardhur në Kuran në këto tri trajta, mufessirët nëpër kohë kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me synimin e këtyre ajeteve.
Sipas tyre, kur Allahu është betuar në Qenien e Tij të pashembullt duke i vënë në numrin njëjës emrat në funksion përcaktori të emrit të Tij "lindje" dhe "perëndim", si "Zot i lindjes dhe i perëndimit", kanë thënë: Ne jemi dëshmitarë se në Tokë, për çdo ditë të re kemi një lindje dhe një perëndim të diellit. Sa i përket betimit të dytë, kur i vë në numrin dyjës emrat në funksion përcaktori të emrit të Tij: "Zot i dy lindjeve dhe Zot i dy perëndimeve", sipas tyre, kjo nënkupton se në verë dielli lind më në veri kurse dimrit më në jug, d.t.th. ndryshon trajektorja e lindjes së tij nëpër stinë. Ndërsa në lidhje me këtë ajet, kemi edhe mendimin e dijetarëve bashkëkohorë, të cilët merrem me mrekullinë shkencore në Kuran dhe Sunet. Ata e kanë zgjeruar komentin e këtij ajeti edhe në një dimension tjetër shkencor dhe fetar. Sipas tyre, ajeti në fjalë, "Zot i dy lindjeve dhe Zot i dy perëndimeve", nënkupton se në fillimin e krijimit të Tokës dhe të galaktikës sonë, pati një lindje të diellit nga lindja, kurse lindja e dytë do të jetë në ditën e fundit të kësaj bote dhe nga perëndimi, bazuar edhe në ha ithin e Pejgamberit a.s., se "Nuk do të vijë Kiameti, pa lindur dielli nga perëndimi"(9). Po ashtu edhe dy perëndimet nënkuptojnë perëndimin e diellit në ditën e parë në Tokë, dhe perëndimin e tij në ditën e fundit në Tokë, para Kiametit. Ky mendim duket shumë i arsyeshëm dhe i kapshëm, sepse vetëm në këtë ajet, Allahu e ka përmendur dy herë emrin "Rabb-Zot", gjë që nuk është përsëritur në dy betimet e tjera. (Zoti e di më së miri!)(10)
Kurse sa i përket betimit të tretë kur i vë në numrin shumës emrat në funksion përcaktori të emrit të Tij: "Zot i lindjeve dhe i perëndimeve", kjo sipas mufessirëve nënkupton se përgjatë 365 ditëve të vitit, kur toka lëviz rreth boshtit të vet, e pastaj edhe rreth Diellit, vazhdimisht ka lindje dhe perëndime të diellit, për shkak të formës eliptike të Tokës, proces ky që do të vazhdojë deri në ditën e fundit të kësaj bote, kur siç dihet, toka do ta ndryshojë kursin e rotacionit të saj, dhe dielli do të lindë nga perëndimi, për të mos lindur më kurrë në këtë Tokë.
Që të tri këto betime, si dhe betimet e tjera hyjnore në Kuranin famëlartë, e kanë një emërues të përbashkët: shfaqjen e madhështisë krijuese të Allahut, pushtetin, fuqinë, mbizotërimin dhe kontrollin e plotë në çdo proces të kësaj ekzistence të dukshme dhe asaj të padukshme nga ana e Allahut fuqiplotë.(11)
Pas këtij betimi madhështor, Allahu xh.sh. i vë në dijeni idhujtarët dhe jobesimtarët se ata mund t'i arrinte ndëshkimi i Allahut në këtë botë, dhe që pas shkatërrimit të tyre, t'i zëvendësonte me njerëz të tjerë, pa ndier kurrfarë lodhjeje, pa e penguar askush dhe pa pasur nevojë për ndonjë model paraprak, sepse askush tjetër përpos Atij, nuk mund të krijojë diçka nga mosqenia!
Pas kësaj, Allahu xh.sh. e urdhëroi të Dërguarin e Tij që t'i linte ata në këtë humbëtirë të tyre dhe të vazhdonte misionin e tij fisnik, pa e vënë veten në siklet.
42. Por ti lëri ata të zhyten në fjalë të kota dhe të dëfrehen, deri sa të përballen me Ditën që u është premtuar.
Për shumë idhujtarë, zemrat e të cilëve nuk dëshironin të përudhesh in, ishte e kotë të flisje për besimin dhe atë çka ka krijuar Allahu i gjithë pushtetshëm. Ata kurrsesi nuk mund ta perceptonin faktin se pas vdekjes mund të kishte ringjallje, andaj Alla hu nga mëshira dhe dhembshuria për të Dërguarin a.s. e porosit që t'i linte ata në errësirën e kufrit të tyre. Lëri ata të dëfrehen edhe ndonjë ditë me kënaqësitë e kësaj bote, lëri ata të vazhdonin me inatet e tyre personale në përgënjeshtrimin e tij dhe në mohimin e Ringjalljes, derisa të ballafaqohen vetë me këtë Ditë të tmerrshme e cila u është premtuar-Dita e Gjykimit!(12)
43. Ditën, kur do të dalin nga varrezat duke vrapuar, sikur të ishin duke nxituar drejt idhujve,
Në Ditën e fundit të kësaj bote, kur i Gjithëpushtetshmi jep urdhër për fun din e jetës së kësaj bote, dhe të ekzistencës në përgjithësi, ekuilibrat e kësaj gjithësie do të shemben, dhe çdo gjë do të shkatërrohet, përfshirë edhe tokën tonë. Atëherë, pas fryrjes së parë në "Sur", do të pasojë fryrja e dytë dhe çdo krijesë do të ringjallet, e në mesin e tyre edhe njerëzit, të cilët do të dalin nga varret e tyre, të trembur e të frikësuar, duke vrapuar me shpejtësi drejt "Mahsherit", sikur të ishin duke vrapuar drejt idhujve të tyre. Ky përshkrim kuranor: "sikur të ishin duke nxituar drejt idhujve", shpërfaq katërçipërisht mjerimin e jobesimtarëve në atë ditë, teksa e kuptojnë se paskëshin besuar në gjëra të kota e në zota të rremë! Ashtu siç i ka përshkruar Kurani, kur njerëzit dalin nga varret, u ngjajnë turmave të karkalecave që kërcejnë dhe enden nëpër shkretëtirë, sa andej e sa këndej: "... Ditën, kur do t'i thërrasë Lajmëtari në diçka të tmerrshme. Me sy të përulur do të dalin nga varret, sikur të ishin karkaleca të shpërndarë" - (El-Kamer, 6-7).
Asnjë prej tyre nuk mundet ta refuzojë këtë ftesë për tubim në Mahsher, por me nxitim do të nisen, të molisur, të frikësuar e me shikime të përulura, për të dalë para Allahut të Madhërishëm në dhënien e Llogarisë.(13)
Ndërsa sa i përket pjesës së parë të ajetit: "Ditën, kur do të dalin nga var rezat duke vrapuar", gjuhëtarët duke folur për alegoritë kuranore kanë bërë pyetje: Përse Allahu në këtë ajet, për fjalën varre e ka përdorur termin "exhdath" e jo "kubur"? Sipas tyre, termi "exhdath" për varreza është përdorur vetëm në tri raste në Kuran, ndërsa termi "kubur" në shumës ose "kabr" në njëjës, është përdorur tetë herë. Por a thua çfarë është dallimi në mes këtyre dy shprehjeve "exhdath" dhe "kubur", ndonëse që të dyja emërtimet nën- kuptojnë varret? Sipas dijetarëve, fjala "exhdath" nënkupton varrin në rërën e shkretëtirës, që është i rrëshqitshëm dhe jostabil. Këtë term për varrin e ka përdorur fisi Hudhejle prej tyre e kanë marrë fisi Kurejsh. Në të tri rastet kur në Kuran është përdorur termi "exhdath", është përdorur për të vizualizuar pamjet e Ditës së Kia metit, kur varret rrëshqasin e hapen dhe prej tyre dalin të ringjallurit për në vendtubimin e madh të llogarisë. Ndërsa me termin"kubur", sa herë që është përdorur, është pasur për qëllim vetëm varret në këtë botë, të cilat ha pen në tokë të fortë dhe nuk ka frikë se mund të rrëshqasin e të shemben.(14) Nga kjo kuptohet se termi "exhdath" nënkupton vetëm varret e të ringjallurve, kurse "kubur" varret e të vdekurve, të cilët qëndrojnë në atë gjendje deri në momentin e Ring jalljes.(15) Disa kanë shkuar edhe më tej me sqarime shtesë për dallimin në mes këtyre dy shprehjeve, duke thënë se me fjalën "kubur" nënkuptohet qetësia dhe moslëvizja e trupave të të vdekurve, kurse me fjalën "exhdath", nxjerrja, lëvizja dhe gjallëria e tyre. Ky shembull i dallimit në terminologjinë kuranore, dëfton për precizitetin e shprehjeve që gjenden në Kuranin famëlartë, për raste, vende dhe rrethana të caktuara.
44. me shikime të përulura, të kapluara nga poshtërimi. Ajo është dita që u është premtuar atyre"
Jobesimtarët, qysh në momentin e Ringjalljes, janë të vetëdijshëm për fatin e tyre të mëtejmë. Ndjenja e keqardhjes i përcjell në çdo hap. Madje as kokën nuk mund ta ngrenë lart nga turpi, kurse shikimet i kanë të përulura e të trishtuara. Ata e dinë mirë se cili është destinacioni i tyre i fundit. E dinë se skëterra e Xhehenemit do të jetë vendqëndrim i tyre i përjetshëm. Shpresat e varura te idhujt e ndryshëm që i adhuruan në këtë botë, u bien përdhe, sepse në atë Ditë, sundimi i takon vetëm Krijuesit absolut-Allahut xh.sh., të Cilin ata gjatë jetës së kësaj bote e mohuan. Pikërisht, kjo Ditë e Gjykimit, është dita që u premtohej jobesimtarëve, se do të ballafaqoheshin me të, herët a vonë. Ajet i fundit i kësaj sureje të bekuar, sikur na kthen në fillimin e sures, kur i Madhërishmi flet për perceptimet e idhujtarëve rreth Ditës së Gjykimit, dhe thotë: "Atyre u duket ai (dënim) i largët, kurse Ne e shohim shumë të afërt." - (El-Mearixh, 6-7).
Porosia e këtyre ajeteve (36-44)
- Idhujtarët nuk linin metodë pa përdorur, vetëm për ta tallur të Dërguarin e Allahut. Madje, ata shpeshherë tuboheshin rreth tij, kinse për të dëgjuar fjalët e tij, që pastaj ta ironizonin e përqeshnin.
- Ata ironizonin edhe me ringjalljen pas vdekjes. Por çuditërisht, disa prej tyre, nganjëherë lakmonin të hynin në këto xhenete që Allahu nëpërmjet Kuranit dhe Pejgamberit a.s., ua premtonte besimtarëve. Madje thoshin se ata kishin më shumë përparësi sesa këta të varfër përreth të Dërguarit a.s., sepse qenkeshin më të pasur dhe qenkeshin elita-paria e këtij vendi!
- Këto shpresa të fshehura të tyre, Alla hu i Madhërishmi ua prishi menjëherë, duke ua bërë të qartë se në Xhenet mund të hyjë vetëm ai, zemra e të cilit pulson me iman të pastër në Njëshmërinë e Allahut, dhe duke respektuar çdo urdhëresë dhe ndalesë të Tij në këtë botë.
- Allahu i Madhërishëm është betuar në lindjet dhe perëndimet se ka mundësi t'i shkatërrojë jobesimtarët, dhe në vend të tyre të sjellë njerëz të tjerë që do t'i besonin, por megjithatë, ai i lë ata për një kohë që të luajnë e të dëfrehen, kurse në botën tjetër, ata i pret dënimi i përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit.
- Allahu i Madhërishëm e ka përshkruar gjendjen e idhujtarëve në Ditën e Ringjalljes teksa dalin nga varret duke nxituar. Ky nxitim i tyre i ngjan nxiti mit që ata bënin për t'u përulur idhujve të tyre gjatë jetës në këtë botë.
- Shikimet e tyre në këtë ditë do të jenë të përulura e të trishtuara. Ata do t'i mbulojnë turpi dhe përbuzja për shkak të kryeneçësisë së tyre, kur nuk pranuan dritën e udhëzimit.
- Dita e Gjykimit është dita e cila u premtohej atyre, në të cilën do të balla faqohen me shëmtitë dhe paudhësitë e tyre!
_________________________________
1.El-Vahidij en-Nisaburi, Esbabu nuzuli-l Kuran, (me rivajet nga Argijaniu), f. 697. 2. Kurtubiu, El-Xhamiu li ahkamil Kuran, Bejrut, 2006, vëll. XXI, ff. 240-241. 3. Umer bin Ma'jud es Selmi, Et-Tenasuk el mevdui fi suretej Et-Tahrim ve-l Mearixh, Mekë, 1435, f.244. 4. Shih më gjerësisht: El-Bukai, En-Nadhmu-d-durreri fi tenasubi-l ajati ve-s-suveri, Kajro, 1984, vëll. XX, f f.413-414. 5. Fahru Rraziu, Mefatihul Gajbi, vëll. XXX, f. 647. 6. Esh-Shuara'ë, 27. 7. Er-Rrahman, 15. 8. El-Mearixh, 40. 9. Buhariu (4635); Muslimi (157); Ebu Davudi (4312); Ibn Maxhe, (4068). 10. https:// www.eajaz.org/index.php/component/content/article/77 Nineteenth-issue/774-Lord-of-Almcherqan-Lord Amorbin (artikull nga Halid bin Hamza el Medenij). 11. Ibn Ashur, Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. (29/179); Sejjid Kutb, Fi Dhilali-l Kuran, (6/3703). 12. Ibn Kethir, Tefsiru-l Kurani-l Adhim, Bejrut, 2011, vëll. VI. f. 286. (Redaktuar nga Abdurrezzak el Mehdi). 13. Mustafa ibnul Adevijje, Et-Tes'hil li te'ëvili-t-tenzil-tefsir xhuz'u Tebareke fi sualin ve xhevabin, f. 184. 14. Dr. Husam en-Nuajmi, Lemesat el bejanijje fi sureti-l Mear ixh, (kopje elektronike). 15. http://islamiyyat.3abber. com/post/186526
Sabri Bajgora