Kaptina "Edh-Dharijat" është kaptinë mekase, e zbritur pas sures "El-Ahkaf" dhe para sures "El-Gashije". Transmetojnë Ibn Durejsi, Nehhasi, Ibn Merduvije dhe Bejhekiu nga Ibn Abasi, të ketë thënë: "Ka zbritur kaptina "Edh-Dharijat" në Mekë." Ibn Merduvije e transmeton të njëjtin mendim edhe nga Ibn Zubejri.(1) Kjo sure ka gjithsej 60 ajete, 360 fjalë dhe 1287 shkronja.(2) Në radhitjen e Mus'hafit mban numrin 51, kurse në radhitjen e zbritjes mban numrin 66.(3)
Emërtimi i kësaj kaptine
Emërtimi i vetëm i kësaj kaptine, me të cilin është e njohur dhe radhitur nëpër Mus'hafe, nëpër librat e Tefsirit dhe të Hadithit, është "Edh-Dharijat". Arsy eja e këtij emërtimi është ajeti i parë i kësaj sureje, ku Allahu betohet në erërat: "Betohem në erërat që çojnë (e shpërndajnë pluhurin), e që nënkupton erërat e forta që e ngrenë lart dheun-pluhurin dhe e shpërndajnë atë në anë të caktuara, me lejen e Tij. Fjala "Edh-Dharijat", përveç këtu, nuk është përmendur në asnjë sure tjetër kuranore.(4) Në mesin e komentatorëve të Kuranit nuk njihet edhe me ndonjë emërtim tjetër, madje as Imam Sujutiu nuk e ka radhitur në mesin e atyre sureve që kanë më shumë se një emër.(5)
Vlera e kësaj kaptine
Sureja "Edh-Dharijat" bën pjesë në grupin e sureve "El-Mufassal". Në lidhje me këtë, transmetohet nga Vailete bin Eska'ë El-Lejthi, të ketë thënë: "Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: "Më është dhënë në vend të Tevratit, shtatëshja, (suret nga El-Bekare e deri te ato El-Enfal dhe Et-Tevbe); më janë dhënë në vend të Ze burit, "El-Miejn" - njëqindëshet, (suret që kanë mbi 100 ajete); më janë dhënë në vend të Inxhilit "El-Methanije" - (suret që kanë më pak se 100 ajete), ndërsa jam nderu ar (ndaj të Dërguarve të tjerë) me suret "El-Mufassal" (nga sureja Kaf, (e është thënë nga asaj El-Huxhurat) e deri te En-Nas)."(6)
Transmetohet nga Berra'ë bin Azib, të ketë thënë: Kur e falnim namazin e drekës pas Resulullahit s.a.v.s., nganjëherë e dëgjonim prej tij ndonjë ajet nga ajetet e sureve: "Llukman" dhe "Edh-Dharijat".(7)
Transmetohet nga Ibn Omeri r.a., të ketë thënë: "I Dërguari i Allahut lexonte në namazin e drekës me "Kaf" dhe "Edh-Dharijat".(8)
Transmetohet nga Alkame dhe El-Esvediu, të kenë thënë: "Erdhi një njeri tek Abdullah ibn Mes'udi, dhe i tha: "Unë i lexoj të gjitha suret "El-Mufassal" në një rekat." Kurse, Ibn Mes'udi i tha: "A mos po mendon se ky Kuran është si poezi, që të ngutesh në leximin e tij e të ndalesh ku të duash, dhe a mendon se këto vargje kuranore u ngjajnë vargjeve të hurmave të prishura?! Dije se Pejgamberi a.s. në një rekat lexon te vetëm nga dy sure nga sureve "El-Mufassal", si: "En-Nexhm" dhe"Er-Rrahman" në një rekat, "Ikter ebeti-s-sa'atu" dhe "El-Haakka" në një rekat, "Et-Tur" dhe "Edh-Dharijat" në një rekat, "Idha vekeatil vakia" dhe "Nun" në një rekat, "Se'ele sailun" dhe "En-Na ziat" në një rekat, "Vejlun lil mutaffifin" dhe "Abese" në një rekat, "El-Muddeth-thir" dhe "El-Muzzemmil" në një rekat, "Hel eta alel insani" dhe "La uksimu bi jevmil kijame" në një rekat, "Amme jetesaelune" dhe "El-Murselat" në një rekat, dhe "Ed-Duhan" dhe "Id he-sh-shemsu kuvviret" në një rekat!"(9)
Shkaku i zbritjes së kësaj sureje
Në lidhje me shkakun e zbritjes së sures, si tërësi, nuk kemi ndonjë shkak specifik të zbritjes, por kemi shkaqe të zbritjes për dy-tre ajete.
Transmetojnë Ibn Xheriri dhe Ibn Ebi Hatimi, nga Hasan ibn Muhamed ibnul Hanefijje, të ketë thënë: "I Dërguari i Allahut kishte dërguar një ekspeditë të vogël ushtarake, dhe ata kishin zënë pre të luftës, dhe pasi ishin kthyer kishte zbritur ajeti i 19-të i kësaj sure je: "Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësin dhe nevojtarin (që ka nevojë por nuk lyp)."(10)
Transmetojnë Ibnul Muni'ë, Ibn Rehavije dhe Hejthem Ibn Kulejbi, në Musnedet e tyre, nëpërmjet rrugëve të transmetimit që shkojnë deri te Muxhahidi, e ky nga Aliu r.a., të ketë thënë: "Kur pati zbritur (ajeti i 54-të): "Prandaj shmangu prej atyre, ti nuk do të qortohesh për këtë!", nuk mbeti askush prej nesh që të mos ishte bindur se shkatërrimi ishte afër, pasi që i Dërguari i Allahut ishte urdhëruar të largohej prej nesh, por menjëherë zbriti (ajeti i 55-të): "Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve!", dhe shpirtrat tanë u qetësuan."(11)
Transmeton Ibn Xheriri nga Karadeja, të ketë thënë: "Na është përcjellë neve se, kur kishte zbritur ajeti: "Prandaj shmangu prej atyre...!", kjo gjë i kishte shqetësuar e frikësuar sahabët e Resulullahit s.a.v.s., sepse ata mendonin se Shpallja do të ndalej, dhe ndëshkimi ishte afër, por kishte zbritur ajeti: "Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve!".(12)
Lidhshmëria e kësaj kaptine me atë paraprake, kaptinën "Kaf"
Lidhshmëria në mes dy sureve është e dukshme, dhe shpërfaqet në disa segmente:
Së pari, të dy kaptinat, ai ajo "Kaf" ashtu edhe kjo "Edh-Dharijat", janë mekase, dhe që të dyja, janë fokusuar në vërtetimin e bazamenteve të besimit të pastër, vërtetimin e ringjalljes dhe llogarisë në botën tjetër. Pastaj, të dy suret fillojnë me betime. Surja "Kaf" fillon me betimin në Kuranin famëlartë: "Kâf. Betohem në Kuranin e lavdishëm!", për të vërtetuar me argumente të fuqishme se Ringjallja është një e vërtetë e pamohueshme, dhe që do të ndodhë. Kjo sure përfundon me kërcënimin hyjnor se tubimi i njerëzve në "Mahsher" është çështje "e lehtë" për Allahun Fuqiplotë, ndonëse për Të, nuk vlejnë nocionet "lehtë"-"vështirë": "Atë Ditë, toka do të hapet, e ata do të dalin me nxitim. Për Ne është e lehtë t'i mbledhim ata të gjithë." - (Kaf, 44), ndërkohë që shohim se surja "Edh-Dharijat" ka filluar me katër betime të njëpasnjëshme: në erërat, retë, anijet dhe engjëjt, se ajo çka ka premtuar Allahu nga Ringjallja dhe marrja në Llogari gjithsesi se do të ndodhë:
"Betohem në erërat që çojnë (e shpërndajnë pluhurin), dhe në retë e ngarkuara rëndë, dhe në ato që lundrojnë lehtë, dhe në engjëjt që shpërndajnë urdhrat, se, me të vërtetë, është e sigurt ajo që ju premtohet, dhe çdo shpërblim e dënim do të ndodhë! - (Edh-Dharijat, 1-6).
Në suren paraprake,"Kaf", Allahu xh.sh. në mënyrë më të përgjithësuar ka përmendur shkatërrimin e disa popujve, ndërkohë që në suren "Edh-Dharijat" ka paraqitur disa nga këto ngjarje në mënyrë më të detajizuar.
Në të dy rastet shohim urdhëresën drejtuar Pejgamberit a,s, që të këshillonte besimtarët me këshillat e Kuranit, në mënyrë që ata të forcohen edhe më tepë në besimin e tyre. Fjala vjen, në suren "Kaf", ajeti 45, Allahu xh.sh. thotë: "Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!", kurse tash në suren "Edh-Dharijat", në ajetin 55, thotë: "Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve!".
Secila nga suret thërret për meditim dhe vrojtim në mbretërinë e pakufishme qiellore, në ndërtimin e qiellit, shtrirjen e tokës, krijimin e çifteve, në mënyrë që gjithë këto argumente lëndore të jenë shkas që njerëzit të besojnë në Madhërinë e Fuqiplotit, I Cili është Krijuesi i tërë kësaj ekzistence. Në suren "Kaf", në ajetet 6-8, Allahu xh.sh. thotë: "A nuk e shohin ata qiellin që qëndron sipër tyre, si e kemi ndërtuar dhe zbukuruar, pa pasur kurrfarë plasaritje në të?! Ndërsa Tokën e kemi shtruar, dhe në të kemi shpërndarë male të palëvizshme, dhe kemi bërë që nga ajo të mbijnë gjithfarëlloj bimësh të bukura, si dëshmi të dukshme dhe përkujtesë për çdo rob që ka drejtuar mendjen (te Zoti)", kurse në atë "Edh-Dharijat", në ajetet 47-49, thotë: "Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë Tonë, dhe Ne e zgjerojmë atë. Edhe Tokën e kemi shtruar! Sa shtrues të mrekullueshëm që jemi! Dhe nga çdo gjë Ne kemi krijuar dy palë, (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit)."
Në secilën nga suret janë përmendur cilësitë e të devotshmëve. Në lidhje me këtë në suren "Kaf", ajetet: 31 35, thuhet: "Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t'u afrohet besimtarëve të devotshëm, (që do t'u thuhet): Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur (nga gjynahet), që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu). Hyni në të (Xhen et) me paqe e siguri! Kjo është Dita e amshimit! Aty do të kenë çfarë të duan - e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë."; kurse në kaptinën "Edh-Dharijat", në ajetet 15-19, në lidhe me shpërblimin e të devotshmëve thuhet: "Pa dyshim, ata që i frikësohen Allahut do të jenë në kopshte dhe burime, duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë kanë qenë punëmbarë. Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (prej Allahut)."
Lidhshmëria e fillimit të kësaj kaptine me fundin e saj
Është një fakt mahnitës, se pothuajse në të gjitha suret e Kuranit, shohim një lidhshmëri logjike në mes fillimit dhe fundit të sures. Një gjë të tillë e shohim tek sa përsëritet edhe te sureja "Edh-Dharijat", e cila fillon me betimet hyjnore në erërat, retë, anijet dhe engjëjt, e pak më vonë edhe në qiellin, se Ringjallja dhe Llogaria, do të ndodhin patjetër dhe gjithsesi: "Betohem në erërat që çojnë (e shpërndajnë pluhurin), dhe në retë e ngarkuara rëndë, dhe në ato (anijet) që lundrojnë lehtë, dhe në ata (engjëjt) që shpërndajnë urdhrat, se, me të vërtetë, është e sigurt ajo që ju premtohet, dhe çdo shpërblim e dënim do të ndodhë!" - (Edh-Dharijat, 1-6), ndërkohë që shohim se surja në fjalë përfundon me kërcënim për ata njerëz që nuk janë përgatitur për këtë Ditë të rëndësishme: "Prandaj, mjerë mohuesit nga Dita që u është premtuar!" - (Edh-Dharijat, 60).
Përmbajtje e shkurtër e kësaj sureje
Tematika qendrore e kësaj sureje është rikonfirmimi i Njëshmërisë absolute të Allahut xh.sh., i Shpalljes dhe i Ringjalljes, duke qortuar e kërcënuar ashpër ata që mohojnë këta tre fondamente bazë të Besimit. Surja "Edh-Dharijat" fillon me katër betime të njëpasnjëshme, në erërat, retë, anijet dhe engjëjt, e që kanë vetëm një qëllim, vërtetimin e Ringjalljes, se pas Llogarisë do të vijë ose shpërblimi ose ndëshkimi. (Shih ajetet: 1-6!).
Pas kësaj pason betimi në qiellin plot yjësi e rrugë galaktike, që të mahnitin me bukurinë e tyre, e në vijim përmendet qëndrimi i jobesimtarëve mekas dhe të tjerëve, mohues të Njëshmërisë, të cilët përgënjeshtruan Kuranin, Ahiretin dhe ndëshkimin e tmerrshëm në zjarrin e Xhehenemit. Këta njerëz Kurani i quan të hutuar në injorancën e tyre të mjerë. (Shih ajetet: 7-14!).
Pastaj përmendet gjendja e besimtarëve të devotshëm, duke përshkruar mirësitë dhe kënaqësitë që ata do të përjetojnë në Xhenet. Këta njerëz të dëlirë ishin gjithmonë në përmendjen e Allahut, falnin namaz natën, kur të tjerët flinin, dhe nga pasuria e tyre ndanin për të varfrit. Allahu xh.sh. i ka përmendur të d grupet, që i mençuri të arrijë të dallojë ndërmjet tyre se ku është rruga e drejtë. (Shih ajetet: 15-19!).
Për të vërtetuar këtë, i Lartmadhërishmi sjell disa nga argumentet lëndore, e që vërtetojnë Plotfuqishmërinë e Krijuesit Absolut, në tokë, në qiell, në vetveten tonë dhe në garantimin e riskut të secilit rob të Tij. (Shih ajetet, 20-23!).
Në vazhdim të sures janë përmendur lajmet e popujve të kaluar, të cilët kishin përgënjeshtruar të Dërguarit që Allahu i kishte dërguar te ta, si dhe shkatërrimin që ata e kishin pësuar si pasojë e veprimeve të tyre të marra. Këtu përmendet dialogu i Ibrahimit a.s. me engjëjt që kishin zbritur në tokë me mandat ndëshkimi për popullin e prishur të Lutit a.s., i cili nuk ishte larg nga aty. Engjëjt kishin zbritur edhe për ta përgëzuar atë dhe Sarën për lindjen e djalit të tyre, Is'hakut. (Shih ajetet: 24-37!); e më pas, në pika të shkurtra përmendet ngjarja e Musait me Faraonin, dhe shkatërrimi i këtij të fundit; për të vijuar me njoftimin për shkatërrimin e Ad-it dhe Themud-it, si dhe shkatërrimin-fundosjen e popullit të Nuhit a.s. (Shih ajetet: 38-46!).
Përmendja e ngjarjeve të pejgamberëve në këtë sure, ashtu si dhe në tërë Kuranin famëlartë, ka për qëllim qetësimin dhe prehjen e shpirtit të Pejgamberit a.s. dhe të myslimanëve, se pas çdo vështirësie vjen edhe lehtësimi.
Pas kësaj Allahu xh.sh. sërish rikthen fjalën tek argumentet lëndore, rreth ndërtimit dhe zgjerimit të qiellit, shtrimit të Tokës, krijimit të çdo gjëje në çift, në mënyrë që llojet të vazhdojnë jetën etj. (Shih ajetet: 47-49!).
Në vazhdim pason këshilla për modestinë dhe dëlirësinë shpirtërore në këtë botë, duke kërkuar strehim pranë mëshirës së Zotit, duke tërhequr vërejtjen për rreziqet e shirkut-idhujtarisë, dhe sërish përmend jen e përgënjeshtrimit, e që u është bërë në vazhdimësi të Dërguarve të Allahut. Këtu i Dërguari i Allahut porositet të largohet e shmanget nga ata që nuk e pasojnë udhëzimin e tij, ndërkohë që urdhërohet që besimtarët t'i këshillojë vazhdimisht, në gjërat që ata kanë nevojë dhe u bëjnë dobi për jetën e kësaj bote dhe të Ahiretit. (Shih ajetet: 50-55!).
Surja "Edh-Dharijat" përfundon me sqarimin e qëllimit të krijimit të xhindëve dhe njerëzve, e që është: njohja e Allahut si Krijues i Vetëm, dhe adhurimi i sinqertë ndaj Tij. Ka sqaruar gjithashtu se risku për secilën krijesë është vetëm në dorë të Allahut, i ka kërcënuar jobesimtarët dhe idhujtarët që po i bënin zullum e padrejtësi vetvetes, se çfarë ndëshkimi i tmerrshëm do t'i presë nesër në Ahiret, duke ua bërë me dije, se ata mund t'i godiste fatkeqësia dhe dënimi edhe në këtë botë, ashtu siç kishin pësuar popujt e shumtë para tyre, që kishin mohuar këto fakte e argumente bindëse… (Shih ajetet: 56-60!).
- Vijon -
_______________________________
(1) Imam Shevkaniu, Fet'hulKadiir vëll.V, f. 109.
(2) Mex hduddin Muhamed bin Ja'kub el-Fejruzabadi "Besairu dhevi-t-Temjizi fi Letaifi-l Kitabi-l Azizi..." vëll. I, f. 439, Kajro 1996; Shih edhe: Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi'ijj - Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi l-Kur'ani, Bejrut-Liban, 2001, vëll. 28, f. 338.
(3) Ibn Ashur Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. 26, f. 335.
(4) Dr. Muhamed ibn Abdurrahman esh-Shaji'ë, Esmau suveril Kuran, Rijad, 2011, f. 147.
(5) Shih Dr. Munire ed-Devserijj Esmau suveril Ku rani ve fadiluha, Demmam, Arabia Saudite, 1416 h., f. 404.
(6) Transmeton Imam Ahmedi (4/107); Bejhekiu në Shuabil Iman (2/465); Albani ka kategorizuar si hadith "hasen" në Sahihu-tergib (1457); si hadith "sahih" me të gjitha rrugët e transmetimit në Silsile es-sahiha (1480), dhe në Sahihul Xhamiu (1059).
(7) E tranmsmetojnë Nesaiu (971) dhe Ibn Maxhe (830). Hadithi është i gradës "hasen". Shih Kitabul Xhami'u, f. 165.
(8) Shih El-Musannef nga Ibn Ebi Shejbete (1/356).
(9) Po aty, f.214; Transmetimi është i kategorisë"sahih". E transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij (1396), dhe thotë se radhitja e këtyre sureve është bërë nga Ibn Mes'udi.
(10) Shih: Imam Xhelalud din es-Sujuti Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, f. 245.
(11) Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, f. 245. Shih po ashtu: Isam ibn Adulmuhsin el-Humejdan Es-Sahihu min esbabi-n-Nuzuli, f. 300. Ndonëse në isnadin e këtij hadithi ka shkëptje mes Aliut r.a. dhe Muxhahidit, megjithatë, ky hadith arrin gradën 'sahih' i asistuar nga transmetime të tjera të ngjashme, siç është ai që e përcjell Ibn Xheriri nga Katadeja.
(12) Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, f. 245. Shih po ashtu: Es-Sahihu min esba bi-n-Nuzuli, f. 300.
Sabri Bajgora