Një njeri i pasur, por dorështrënguar, kishte bërë një premtim:
"Nëse Allahu më jep një fëmijë, do të bëjë kurban një dash me brirë katër pëllëmbë."
Pas një kohe, atij i lindi një djalë. Gëzimi ishte i madh, por shpejtë nisi edhe shqetësimi: si do ta mbante premtimin e dhënë? Ai kërkoi kudo një dash me brirë katër pëllëmbë, por nuk gjeti asnjë.
I brengosur pyeti disa dijetarë, por nuk mori përgjigje të qartë. Më në fund, dikush i tha të shkonte te Imam Ebu Jusufi.
Pasaniku shkoi dhe ia tregoi hallin. Imami, i cili e njihte mirë dorështrëngimin e tij, e dëgjoi me kujdes dhe i tha:
"Unë mund të të ndihmoj, por me një kusht."
"Cili është kushti?" - pyeti ai.
"Ndërto katër shkolla për fëmijët e varfër dhe katër dyqane për të siguruar shpenzimet e tyre."
Pasaniku hezitoi, sepse nuk ishte mësuar të jepte. Por, për të mbajtur premtimin, pranoi.
Në ditën e Bajramit, imami solli një dash të zakonshëm dhe një fëmijë pesëvjeçar. I kërkoi vogëlushit të maste brirët e dashit me pëllëmbën e tij.
Kur i mati, dolën saktësisht katër pëllëmbë.
Atëherë imami tha:
"Ky është dashi që ke premtuar, sepse ti nuk e ke përcaktuar madhësinë e pëllëmbës."
Në atë moment, pasanikut iu bë e qartë urtësia e gjithë situatës. Ai e përmbushi premtimin dhe, sipas marrëveshjes, ndërtoi shkolla dhe ndihmoi fëmijët në nevojë.
Ky tregim është një shembull se si një premtim i thjeshtë mund të shndërrohet në vepra të dobishme, në mirësi dhe në ndihmë për të tjerët.