Thirrja në rrugën e Allahut nuk duhet të ndalet edhe përkundër kurtheve e intrigave
"Pra, paralajmëro (o Muhamed), sepse ti, me dhuntinë e Zotit tënd, nuk je as fallxhi, as i çmendur! A vërtet thonë ata: "Ai është vjershëtar, të presim derisa ta zhdukë vdekja?!" Thuaju: "Prisni, se edhe unë po pres bashkë me ju!" A mos u vjen kjo nga mendja e tyre apo ata janë popull tejkalues (në inat e urrejtje)? Vërtet thonë ata: "Ai e ka trilluar atë?!" Nuk është kështu, por ata nuk besojnë. Atëherë le të sjellin një libër të ngjashëm me të, nëse ajo që thonë është e vërtetë!" (Et Tur, 29-34)
Shkaku i zbritjes së ajetit të 30-të
Transmetojnë Ibën Xheriri dhe Ibën Is'haku nga Ibën Abasi të ketë thënë: "Kurejshët u tubuan në "Darun Nedveh" lidhur me çështjen e Muhamedit a.s.. Njëri prej tyre kishte thënë: "Burgoseni dhe lidheni fort, e pastaj përcilleni derisa të vdesë e të shkatërrohet ashtu siç u shkatërruan poetët para tij, Zuhejri dhe Nabigu, sepse edhe ky është sikurse ata." Për shkak të këtyre fjalëve, Allahu xh.sh. zbriti: "A vërtet ata thonë: Ai është poet, të presim derisa ta zhdukë vdekja?!"(1)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Meqë në ajetet paraprake, Allahu xh.sh. u betua se ndëshkimi i jobesimtarëve do të ndodhte gjithsesi, duke na rikujtuar se në çfarë gjendjesh do të kalojnë të ndëshkuarit me zjarr dhe të shpërblyerit me Xhenet, tash në këto ajete, Ai e urdhëron të Dërguarin e Vet, që t'ua tërhiqte vërejtjen idhujtarëve në formën më të ashpër, që të mos shpifnin e trillonin gjëra të paqena kundër tij. Disa prej parisë kurejshite shpifnin kundër tij pandërprerë se ishte fallxhi dhe i çmendur. Këto shpifje dhe akuza në adresë të Resulullahut s.a.v.s., bëheshin me qëllim që të zhvlerësonin dhe përqeshnin shpalljen e Muhamedit a.s., se gjoja atij po i pëshpërit nin xhinët dhe djajtë. Pikërisht për këtë arsye, Allahu i Madhërishëm e porosit të Dërguarin a.s. që t'i para lajmëronte haptazi idhujtarët për këto shpifje, duke i sfiduar që të sillnin diçka të ngjashme me Kuranin, apo edhe të ngjashme me suren më të shkurtër, meqë në mesin e tyre kishte poetë dhe njohës të shkencave gjuhësore si retorika, etj, përndryshe, le të heshtnin.
Koment:
29. Pra, paralajmëro (o Muhamed), sepse ti, me dhuntinë e Zotit tënd, nuk je as fallxhi, as i çmendur!
Në kohën kur i Dërguari i Allahut u urdhërua të dilte haptazi me shpalljen, thirrja e tij i tronditi elitat e idhujtarëve. Ata frikësoheshin nga përhapja e Islamit, i cili thërriste në barazi mes njerëzve, sepse mund të humbnin privilegjet dhe pozitat e tyre në atë shoqëri të mykur nga injoranca dhe padrejtësia. Disa prej tyre ishin më të zëshmit në këto shpifje e përqeshje, ndër ta Shejbete ibën Rrebiai, i cili shpifte ndaj të Dërguarit të Allahut se ishte falltar (fallxhi), kurse Ukbe ibën ebi Muajti, shpifte ndaj tij se ishte i çmendur. Por, Allahu xh.sh. e urdhëron Muhamedin a.s. që t'i paralajmëronte haptazi idhujtarët që të heshtnin dhe të ndalonin nga të tilla shpifje, duke e qetësuar zemrën e tij që të mos ua vinte veshin shpifjeve të tilla, sepse ai me dhuntitë e Zotit të tij as nuk ishte fallxhi e as i çmendur.
Në aspektin terminologjik, fjala 'kahin" nënkupton falltarin, i cili pretendon se e di të fshehtën pa i ardhur frymëzim apo inspirim hyjnor, dhe shtiret se gjoja e di të kaluarën, ndërsa "mexhnun" nënkupton të çmendurin, i cili bën veprime të çoroditura e të pakontrolluara, apo nënkupton atë të cilin e ka prekur djalli.(2) Megjithatë, përqeshjet dhe sarkazmat e kurejshëve nuk kishin të ndalur. Ata filluan ta akuzonin se ishte poet që po sillte disa vargje, kot së koti.
30. A vërtet ata thonë: "Ai është poet, të presim derisa ta zhdukë vdekja?!"
Prej këtij ajeti, e deri në atë të 43-të, të kësaj sureje, janë gjithsej 15 pyetje, të cilat u janë parashtruar idhujtarëve kurejshë. Këto pyetje hyjnore janë parashtruar në atë formë, që në fund do të shtrëngonin kurejshët që patjetër të pranonin argumentet e shpalljes që po i zbriste Muhamedit a.s.(3)
Ajeti në fjalë paraqet sarkazmin dhe ironinë përqeshëse të idhujtarëve ndaj Pejgamberit a.s., duke thënë: ky është poet, siç ishin Zuhejri, Nabigu e poetë të tjerë para tij. Ata të tubuar për të diskutuar rreth çështjes së Muhamedit a.s., kishin thënë: lëreni kështu, derisa të vdesë, sepse së bashku me të do të vdes edhe feja e tij e re.
Por, Allahu xh.sh. nuk dëshiron që të Dërguarin e Tij ta lë në pozitë inferiore dhe të vetmuar, por i thotë pikërisht siç na e përshkruan edhe ajeti vijues:
31. Thuaju: "Prisni, se edhe unë po pres bashkë me ju!"
Kjo porosi hyjnore i la të nemitur dhe pa fjalë parinë kurejshite. Ata e dinin se i Dërguari i Allahut rridhte nga familja më autoritare në mesin e tyre. E dinin po ashtu, se deri atëherë kishte qenë më i respektuari dhe më besniku në mesin e tyre. E dinin se fjala e tij kishte peshë, andaj kur u erdhi me këtë paralajmërim, ata u heshtën në një mënyrë. Ndonëse e dinin se kjo shpallje e tij ishte mbi poezitë e tyre, frika e humbjes së pozitave udhëheqëse, bëri që ata ta tallnin,ta ironizonin e në fund edhe ta akuzonin. Mirëpo, i Dërguari a.s. i urdhëruar nga i Lartmadhërishmi ua ktheu me pothuajse të njëjtën masë të ironisë, duke i vënë në siklet e pozitë të palakmueshme. Mesazhi drejtuar atyre ishte shumë i qartë: Ani, priteni ju vdekjen dhe shkatërrimin tim, sepse edhe unë do të pres së bashku me ju, derisa kjo çështje të përfundojë. Do ta pres caktimin e Allahut për ju, sepse jam i bindur e këtë do ta shihni edhe vetë ju, se kë do ta ngadhënjejë në fund Allahu Fuqiplotë.
32. A mos u vjen kjo nga mendja (iluzionet) e tyre apo ata janë popull tejkalues (në inat e urrejtje)?
Pyetja e dytë që u drejtohet kurejshëve, është thënë në formë sarkastike nga ana e të Plotfuqishmit për ta, se a thua mendjet e tyre të sëmura dhe iluzionet e shkapërderdhura po i urdhëronin që të thoshin diçka të tillë. Kontradiktat e fjalëve të tyre ishin aq të mëdha, saqë nuk mund të përputheshin në asnjë mënyrë. Njëherë e akuzuan se ishte falltar, herën tjetër se ishte i çmendur, kurse më pas e akuzuan se ishte poet. Ata e dinin mirë se poetët megjithatë flasin fjalë të urta e me porosi, kurse falltarët dhe të çmendurit flasin vetëm fjalë të përçarta e të palidhura logjikisht. Që ironia të ishte edhe më e madhe, krerët e parisë kurejshite e përshkruanin veten si njerëz të mençur e largpamës, prandaj i Lartmadhër ishmi i përqesh mendjet e tyre, që nuk po arrinin dot të dallonin të vërtetën nga e shtrembëta.
Pjesa e dytë e ajetit nënkupton edhe një mendim tjetër pse ata po e refuzonin shpalljen. Ata po insis tonin në këtë refuzim të shpalljes hyjnore, të shtyrë nga inati, xhelozia dhe urrejtja, dhe në këtë drejtim kishin tejkaluar çdo arsye. Ata thjesht ishin verbuar dhe nuk shihnin asgjë tjetër, përveç interesave të tyre të ngushta e meskine.
33. A vërtet ata thonë: Ai e ka trilluar atë?! Nuk është kështu, por ata nuk besojnë.
Idhujtarët kurejshë, po edhe arabët e tjerë përreth Mekës, të pafuqishëm për të shpjeguar domethëniet e larta dhe kuptimplota të Kuranit famëlartë, në çdo mënyrë përpiqeshin ta zhvlerësonin Kuranin që po i zbriste atij. Ata njëherë e akuzuan si falltar, pastaj si poet, e në fund shpifën se Muhamedi a.s., këtë Kuran e kishte trilluar nga vetvetja. Ata thoshin se atij nuk ka mundësi t'i vinte ndonjë engjëll me shpallje, por thjesht po dëshiron të na hutojë me këto fjalë, që u ngjajnë poezive. Por Allahu xh.sh., ua shfaqi haptazi hipokrizinë e tyre, duke u thënë: "Jo, nuk është ashtu siç ju po pretendoni e shpifni. Këto fjalë janë Kuran, janë fjalë të Allahut, të cilat ia zbret engjëlli fisnik Xhibrili a.s., por ju gjithsesi nuk e besoni. Juve sikur u janë mbyllur zemrat me mjegullën e kufrit dhe nuk e shihni dritën që po tenton të depërtojë në zemrat e juaja, për të grisur perden e mohimit e të mosbesimit." Prandaj në ajetin vijues vjen provokimi dhe sfida hyjnore për të gjithë ata mohues.
34. Atëherë le të sjellin një libër të ngjashëm me të, nëse ajo që thonë është e vërtetë!
Ky ajet, sikur i ironizon idhujtarët për mjerimin e tyre shpirtëror, pse ende nuk po besonin se ky Kuran është fjalë e Allahut, e zbritur te Muhamedi a.s., por insistonin djallëzisht në konstatimin se ai është duke e trilluar nga vetja. Pikërisht për këtë arsye Allahu xh.sh. i sfidoi haptazi që të sillnin diçka të ngjashme me Kuranin famëlartë, nëse ishin të drejtë e të sinqertë në fjalët e tyre. Kjo sfidë hyjnore ndaj idhujtarëve ishte shumëdi mensionale dhe mjaft domethënëse, meqë arabët e asaj kohe, ishin pothuajse në apogjeun e arritshmërisë në poezi dhe retorikë. Ata kishin mbetur të shtangur nga ky sfidim, sepse ishte mision i pamundur të imitohej qoftë edhe një ajet kuranor, ndonëse ishin mjaft të zotë në poezi. Ata nuk e dinin se po të tuboheshin të gjitha krijesat, njerëzit dhe xhinët për të sjellë diçka të ngjashme sikur Kurani, nuk do të arrinin. Allahu xh.sh. në vazhdimësi, gjatë tërë kohës së zbritjes së Kuranit famëlartë, i ka sfiduar idhujtarët që të sillnin diçka të ngjashme me Kuranin. Në fillim sfida ishte ta sillnin një Kuran të ngjashëm, nëpërmjet ajetit 88, të sures Hud: "Thuaj: Edhe sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin";
Pastaj i sfidoi të sillnin 10 kaptina të ngjashme me Kuranin: "Nëse ata thonë: Ai (Muhamedi) e trilloi atë (Kuranin)". Thuaju: "Sillni pra, dhjetë kaptina si ai (Kurani) ashtu të trilluara (siç thoni ju)dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse e thoni të vërtetën!"(Hud, 13);
Dhe fare në fund, për t'ua bërë me dije se ishin të paaftë dhe të pamundur të sillnin diçka të ngjashme, i sfidoi që ta sillnin të paktën një sure të ngjashme me ato të Kuranit, qoftë edhe prej më të shkurtrave, sfidë kjo e shprehur nëpërmjet ajeteve 23-24 të kaptinës"El Bekare": "E nëse jeni në dyshim në atë që ia kemi zbritur (shpallur) robit tonë, atëherë sillni një kaptinë të ngjashme me të (Kuranit) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotat që i adhuroni) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë(në thëniet tuaja se Kurani nuk është prej Zotit). E mos e paçi bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është përgatitur për (të ndëshkuar) jobesimtarët."
Të gjitha përpjekjet e idhujtarëve për të sjellë diçka të ngjashme me Kuranin famëlartë dështuan, e do të dështojnë edhe në të ardhmen, sepse asgjë nuk mund ta rivalizojë fjalën hyjnore, meqë ky libër është zbritje e të Urtit, i Cili hollësisht është i njoftuar për çdo proces që ndodh në këtë ekzistencë, e është në dijeni edhe për fjalët dhe shpifjet e idhujtarëve mekas.
Porosia e ajeteve (29-34)
- Allahu fuqiplotë e urdhëron të Dërguarin e Vet, që të qëndronte stoik e i pathyeshëm në thirrjen dhe udhëzimin e popullit të tij me këshillat e Kuranit famëlartë. E porosit gjithashtu që të mos ua vinte vesh in ofendimeve dhe fyerjeve që kurejshët po ia bënin atij duke e quajtur falltar, poet dhe i çmendur. Përkudrazi, ai ishte i përzgjedhuri i Allahut në mesin e krejt njerëzimit, që ta thërriste botën në mirësitë e kësaj feje të pastër islame.
- Të ballafaquar me shpalljen hyjnore, dhe në pamundësi që t'i dilnin përballë Kuranit famëlartë, ata shpresonin që Muhamedi a.s. të vdiste i ri, ashtu siç i kishte vdekur babai, dhe të harrohej çështja e tij. Ata ëndërronin shkatërrimin e tij, sikur që kishte ndodhur edhe me kujtimin për disa nga poetët e mëhershëm arabë, të cilët kishin përfun duar në koshin e harresës historike.
Mirëpo, këto ëndrra të tyre, ua kishte zhdavaritur Allahu xh.sh., duke u thënë atyre nëpërmes gjuhës së Pejgamberit a.s. që të "prisnin" vdekjen dhe shkatërrim in e tij, sepse së bashku me ta, do të priste edhe vetë Muhamedi a.s.. Kjo ishte përgjigja hyjnore ndaj ironive përqeshjeve dhe sarkazmave të idhujtarëve.
- Idhujtarët kurejshë kishin tejkaluar të gjitha normat njerëzore në këtë urrejtje ndaj udhëzimit hyjnor, duke shpifur së këtë Kuran, Muhamedi a.s. e kishte shpikur nga vetvetja. Pikërisht, për këtë arsye, pason sfidimi hyjnor ndaj idhujtarëve, që nëse dyshonin se ai po e sillte Kuranin nga mendja e tij, atëherë le ta sillnin një Kuran të ngjashëm sikurse ky që po i zbriste Muhamedit a.s. Natyrisht, ky sfidim mbetet aktual deri në Ditën e Gjykimit, dhe sigurisht që çdo përpjekje e tillë, do të jetë e dështuar, sepse askush nuk mund ta rivalizojë fjalën e Allahut, Krijuesit të kësaj ekzistence. (vijon)
______________________________________
(1) Es Sujuti, Lubabun nukulifiesbabin nuzuli, f. 246.
(2) Et Tefsirul Munir, vëll. 27, f. 80-81.
(3) Abdulmelik ibën Ahmed Ramadani,Min kuli suretinfaide, Inabe Algjer, 2006. fq. 278-284.
Sabri Bajgora