Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mbajti ligjëratë në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë

 


Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë mirëpriti sot në një vizitë ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, z. Ejup Maqedonci, i cili mbajti një ligjëratë para studentëve, duke ndarë me ta informacione dhe vështrime mbi çështjet e mbrojtjes, sigurisë dhe zhvillimet në fushën e mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Gjatë ligjëratës, ministri trajtoi rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve të mbrojtjes, rëndësinë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit, si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e zhvillimit të institucioneve të sigurisë dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar në funksion të paqes dhe stabilitetit.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua bashkëbisedimit me studentët. Përmes pyetjeve dhe përgjigjeve, studentët patën mundësinë të diskutonin drejtpërdrejt me ministrin për çështje që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen e vendit, bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën ushtarake, si dhe sfidat dhe prioritetet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.
Ky aktivitet shërbeu si një mundësi e vlefshme për studentët që, përtej njohurive teorike, të njihen më nga afër me funksionimin e institucioneve shtetërore dhe me çështjet aktuale që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe përgjegjësinë qytetare.
Fakulteti i Studimeve Islame vazhdon të krijojë hapësira për dialog dhe bashkëpunim me përfaqësues të institucioneve të vendit, duke synuar zgjerimin e horizontit të studentëve dhe lidhjen e studimeve akademike me zhvillimet shoqërore e institucionale në Republikën e Kosovës.


&t=8s