Zhvillimi i embrionit të njeriut është projektuar nga një Fuqi Superinteligjente

“Njeriu, duke menduar se velën e vet të krijuar me kaq mjeshtëri të madhe dhe pastaj të mendojë se në trupin e tij ka një shpirt, në çast gjykon se ka një Krijues fuqiplotë, i cili rregullon trupin e tij dhe gjithësinë” Hafiz Ibrahim Dalliu

Zoti i Madhërishëm në Kuran urdhëron e thotë: “Allahu ju nxorri nga barqet e nënave tuaja (foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju bëri me shqisa për të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (Nahl, 78)
Pra, nuk mund të ketë njeri në botë që të thotë se ora që ka në dorë është ndërtuar nga asgjëja dhe rastësisht. Çdo objekt ka një ndërtues dhe për rrjedhojë çdo krijesë ka një Krijues. Mes objektit dhe ndërtuesit ekziston një lidhje shumë e ngushtë, po kështu edhe në mes krijesave dhe Krijuesit.
Atëherë embrioni i njeriut nga një pikë ujë, si arrin të bëhet kaq i përsosur? Organizmi i njeriut përbëhet nga qeliza, numri i tyre i tejkalon miliardat disa herë, por është për t’u çuditur se për të ardhur në jetë një njeri nevojiten vetëm dy qeliza, një mashkullore e një femërore. Në Kuran thuhet: “Ai krijoi çift, mashkull-femër prej një pike fare ku derdhet…” (Nexhm, 45-46).
Embrioni fillon jetën kur bashkohen këto dy qeliza e japin zigotën. Por, për të pllenuar vezën duhet vetëm një spermatozoid. Si shpjegohet ky fenomen kur tek femra lëshohen miliarda spermatozoide? Projektuesi i këtij organi, krijuesi i tij e ka ndërtuar në mënyrë të tillë, që ka aftësi përzgjedhëse dhe numri i spermatozoideve (qelizave mashkullore) pakësohet shumë, por njëri do të bëjë kontaktin me vezën.
Thuhet se kontakti është i rastit, por këtu kontrolli është i Krijuesit, i cili i krijoi gjallesat si çift, mashkull-femër, pra është ai që ndjek procesin.
Zoti në Kuran urdhëron e thotë: “Ne e krijuam njeriun prej një lëngu e një balte. Pastaj e shndërruam në një pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të sigurt e bëmë copë mishi, e shndërruam në eshtra dhe atyre u veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër me shpirt. I lartë është Allahu, më i miri krijues.” (Mu’minun, 12-14).
Mbasi bëhet kontakti i spermatozoidit me vezën çahet membrana e saj e bëhet shkrirja duke formuar një qelizë të re me material gjenetik të ardhur nga të dy prindërit. Për një periudhë gjashtëditore formohet embrioni, i cili zbret në folenë e tij, mitrën e nënës. Atëherë nëna e kupton që në trupin e saj ka nisur fillimi i një jete të re njerëzore, biri apo bija e saj. Organizmi i nënës është përgatitur për të rritur një krijesë të re, sepse Krijuesi e ka ndërtuar në mënyrë të tillë që bebja të ushqehet dhe të sigurojë oksigjenin për frymëmarrjen, por gjatë këtij procesi duhet të dalin jashtë lëndët e panevojshme. Mbasi fiksohet në mitër, jashtë embrionit formohen dy organe: amniazi ose cipa rreth tij, që ka në brendësi të tij lëngun amniotik i cili krijon kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të embrionit. Pastaj formohet placenta, një organ që krijon lidhje midis embrionit dhe mitrës nëpërmjet kordoni ombelial, që pas lindjes, këputet dhe formon kërthizën. Kur embrioni merr formën e qenies njerëzore quhet fetus dhe placenta i shërben atij si organ frymëmarrje, si zorrë, si veshka, që të gjitha kalojnë në trupin e nënës.
Nëpërmjet placentës kalojnë të gjitha llojet e ushqimit që përdor nëna. Njëkohësisht ajo prodhon edhe disa hormone që janë të domosdoshme gjatë shhtatzanisë.
Embrioni merr trajtë njerëzore pas dy muaj e gjysmë. Atëherë në tremujorin e parë fillon diferencimi i organeve, në muajin e katërt fillon të lëvizë e të formohet skeleti, në muajin e pestë fetusi zë 50 % të mitrës, zemra rreh shumë shpejt, fillojnë të dalin qimet e kokës. Në muajin e shtatë diferencohen të gjitha organet dhe në rast të një lindje të sforcuar, fëmija mund të jetojë.
Lindja bëhet pas 266 ditësh nga dita e fekondimit. Pra, Zoti për zhvillimin e embrionit të fëmijës ka përcaktuar afate të caktuara, fazë pas faze deri në lindje. Zoti i madhërishëm e ka përsosur këtë organ të veçantë që e mbron beben nga çdo përplasje që mund të ketë nëna në ambientin e jashtëm. Në mitër mbështillet me një veshje që quhet qeskë, e cila është e mbushur me një përbërje ujërash, që njëkohësisht e ndihmojnë beben të ketë një temperaturë konstante dhe njëkohësisht të lëvizë lirisht. Nuk është e vërtetë thënia e evolucionistëve se embrioni në fazat e para ngjason me atë të kafshëve duke filluar nga peshqit, amfibët, zvarranikët e gjitarët.
Në trupin e njeriut ekzistojnë një seri mekanizmash të përsosur, që për çdo ndryshim të brendshëm ata e sjellin menjëherë në normë si p.sh. sasia e lëngjeve të përgjithshme është 60% , që përfshin lëngun brenda qelizës e atë jashtë saj. Lëngu jashtëqelizor u plotëson të gjitha qelizave nevojat e tyre me përqendrimin e përbërësve kimikë, që të ruajnë kufij të qëndrueshëm normativ si sheqer, proteina, kripëra etj., por edhe fizikë si shtytje, temperatura e me radhë. Prandaj Zoti në Kuran urdhëron e thotë: “Sigurisht Ne e krijuam njeriun nga një pikëz e përzier (zigota), së cilës pastaj i dha trajtë dhe i shfryn shpirtin e krijuar prej Tij. Ai u ka dhënë dëgjimin, shikimin dhe zemrën, por pak prej jush janë mirënjohës.” (Sexhde, 9).
Në Kuran vërtetohet se tek embrioni, për të ardhur deri në formimin e plotë të njeriut, çdo gjë bëhet e programuar. Kjo fillon që nga qeliza e parë e një foshnje të re (zigota) e në vazhdimësi derisa formohet një grumbull qelizash, të cilat pastaj fillojnë të diferencohen si p.sh. në qeliza gjaku, qeliza eshtrore, qeliza nervore etj. Këto sipas funksionit bashkohen duke formuar indet dhe prej tyre formohen organet si zemra etj., të cilat së bashku formojnë sisteme si ai i qarkullimit të gjakut, frymëmarrjes, tretjes etj., ku e dimë p.sh. se qelizat e syrit janë vendosur në pozicion të përshtatshëm për të ndërtuar organet e të parit, apo atë të të dëgjuarit, të sistemit nervor. Këto organe të përsosur ndërtohen që në mitrën e nënës, por të aftë të përshtaten edhe kur fëmija të dalë në jetë. Kush mund të krijojë një fëmijë të tillë që nga një ambient krejt i mbyllur në trupin e nënës, të jetë i përshtatshëm edhe në një mjedis të ri, në kushte krejt të reja? Sigurisht njohësi më i mirë i kushteve të brendshme e të jashtme, Zoti i madhërishëm, e projektoi dhe e krijoi njeriun mbi bazën e ligjeve më të sakta që mund të ekzistojnë.
Që të ruash të gjitha parametrat në organizëm do të thotë që të gëzosh shëndet të plotë, ndryshe do të sëmuret dhe mund të shkojë deri në vdekje. Nuk ka asnjë mekanizëm në natyrë që të vërtetojë se gjallesat erdhën si rezultat i evolucionit të tyre. Pra, edhe evolucioni i njeriut nuk ka ardhur kurrë nga majmuni në njeri. Njerëzit kanë qenë e janë njerëz dhe majmunët kanë qenë e janë majmunë. Ka diferenca të shumta midis majmunëve dhe njerëzve si në strukturën e skeletit, kapacitetin e kafkës, ecja drejt me dy këmbë, që është cilësi vetëm e njeriut etj.



Xhemal Balla


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani