Korrupsioni – Kancer i shoqërisë

Vëllezër të dashur!
Ç’është korrupsioni?

Korrupsioni, nga fjala latine corruptus d.m.th. të prishësh, shkatërrosh, deformosh, keqpërdorim, të shtrembërosh, turbullosh, përulësh, kalbëzim.
Me një fjalë, korrupsion d.m.th. brerje ose shkatërrim i rendit dhe rregullit në natyrë dhe shoqëri.
Fjala kuranore për korrupsion është fesad, e cila derivohet nga rrënja fa, sin dhe dal, nga e cila përsëri janë nxjerrë mbiemrat fasid dhe mufsid, ai që bren ose rrënon rendin dhe përparimin në natyrë dhe shoqëri. Në Kuranin fisnik potencohen dy lloje të fesadit - korrupsionit: veprat e këqija me të cilat me qëllim prishet rendi dhe rregullativa në natyrë dhe shoqëri, dhe qëllimet e prishta me të cilat me qëllim shtrembërohet fjala e Allahut. Sot do të flasim vetëm për llojin e parë.
Për veprat e këqija të njeriut me të cilat prishet rendi dhe rregulli në natyrë dhe shoqëri sot flitet më shumë se kurrë.
Nga lakmia për resurset e natyrës, njeriu ndot natyrën dhe rrezikon jetën në tokë më shumë se asnjëherë në historinë e njerëzimit. Ndryshimet klimatike që shkaktojnë vërshime vdekjeprurëse dhe thatësira, si dhe goditje të ftohta dhe termike të padurueshme na paralajmërojnë që në natyrë ka ardhur deri te çrregullimi (fesadi) dhe ky fesad mund të jetë fatal për jetën në tokë, e në veçanti për njeriun i cili është më i godituri, sepse nuk është në gjendje të mbijetojë automatikisht.
Kurani fisnik paralajmëron për këtë:
“Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).” (Er - Rrum, 41)
Pra, rrënimi i rendit dhe rregullit në tokë është pasojë e rrënimit të rendit dhe rregullit në shpirtin e njeriut e që përsëri ka si pasojë rrënimin e rendit dhe rregullit në shoqëri. Allahu e ka krijuar shpirtin të cilin njeriu mund ta mbajë të pastër ose të lejojë ta ndytë:

“Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë!
Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij.
Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten.
E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.” (Esh - Shems, 7-10)

Vëllezër të dashur, kur kalojmë pranë mbeturinave dhe lumenjve të ndotur, nëpër livadhe dhe rrugë ne shohim në shpirtin e ndotur njerëzor i cili ka humbur ndjenjën për pastërti, së pari ndaj vetit e pastaj ndaj ambientit natyror. Poashtu, kur dëgjojmë dhe shohim se është rrënuar rendi dhe rregullativa në shoqëri ne shikojmë në shpirtin e prishur njerëzor i cili nuk është në gjendje të ruajë pastërtinë e tij nga korrupsioni dhe mitoja, nga e keqja dhe lakmia, dhe të folurit e ndytë.
Për këtë, Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik thotë:
“Dhe sikur All-llahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po All-llahu është bamirës i madh ndaj njerëzimit.” (El - Bekare, 251)
“(Kjo masë) Që ta dallojë All-llahu të keqin nga i miri, dhe që të vë të këqinjtë njërin mbi tjetrin, t'i bëjë grumbull të gjithë e t'i hedhë në xhehennem. E të tillët janë më të dëshpëruarit.” (El - Enfal, 37)
Të humbur janë ata që prishin dhe rrënojnë rendin në natyrë dhe shoqëri, ata që uzurpojnë atë që sipas drejtësisë nuk u takon, por grabisin nga tjerët për arsye se kanë fuqi dhe ndikim, që janë të prishur në shpirt dhe për atë që u është lejuar të bëjnë çfarë dëshirojnë. Korrupsioni është mu ajo prishje shpirtërore dhe morale e njerëzve të cilët nuk respektojnë kodeksin moral të sjelljes në kryerjen e punëve publike në politikë, ekonomi, edukim dhe arsim.
Nuk ka mbikëqyrës i cili gjithmonë mund të dijë çfarë ka në shpirtin e njeriut, të cilit i është dhënë pushteti që të vendos për jetët tona. Nuk ka polici e cila mund të vëjë rendin dhe qetësinë në rrugë nëse ky rend dhe kjo paqe nuk është në shpirtin njerëzor.
Nuk ka ligj i cili mund të rregullojë marrëdhëniet në shoqëri nëse nuk ka ligj moral në shpirtin njerëzor.
Kjo është çështje e gjitha çështjeve të momentit të tanishëm - morali dhe etika e cila duhet të jetojë në shpirtin e secilit njeri, përndryshe do të bëhet kaos në natyrë dhe në shoqëri. Për këtë me rëndësi është të dimë që mysliman është njeriu i cili në shpirtin e tij ka rregull dhe paqe, që mu’min është njeriu i cili në shpirtin e tij ka siguri, ndërsa muhsin njeriu i cili në shpirtin e tij ka mirësi. Nga kjo rrjedh se ai që në shpirtin e tij nuk ka rend dhe paqe nuk është mysliman i vërtet, ai i cili në shpirtin e tij nuk ka siguri nuk është mu’min i vërtet, dhe ai që në shpirtin e tij nuk ka mirësi nuk është muhsin i vërtet.
Gjithsesi, është vështirë të kemi rend dhe paqe në shpirt nëse në natyrë dhe shoqëri ka parregullsi dhe shqetësim, vështirë të kemi në shpirt siguri nëse në natyrë dhe shoqëri ka pasiguri, vështirë në shpirt të kemi mirësi nëse në natyrë dhe shoqëri dominon tirania. Vështirë të jesh në shpirt i ndershëm nëse në shoqëri dominon mitoja dhe korrupsioni në çdo vend. Por, në këtë njihet vlera shpirtërore, gjegjësisht e imanit të secilit njeri, siç thotë Allahu i madhërishëm:
“A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” (El - Ankebut, 2)
“A mos menduan ata që bëjnë vepra të këqija (krime) se do të na shpëtojnë (t'i ikin dënimeve)? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre!” (El - Ankebut, 4)
“A menduan ata, të cilët vepruan në të këqija, se në jetën e tyre dhe në vdekjen e tyre do t'i bëjmë të barabartë me ata që besuan dhe bënë vepra të mira? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre?” (El - Xhathije, 21)
E ne sot, si asnjëherë më parë jemi në sprovë të madhe si mysliman të mbajmë rendin dhe paqen në natyrë dhe shoqëri, që si mu’min të punojmë për sigurinë në natyrë dhe shoqëri, që si muhsin të përhapim mirësinë në natyrë dhe shoqëri, dhe si njerëz moralisht përgjegjës ta largojmë miton dhe korrupsionin, të cilët po përhapen me të madhe në shoqërinë tonë dhe shoqërisë sonë i kërcënon të rrezikojë ekzistencën dhe përparimin tonë.
Myslimani, mu’mini dhe muhsini i vërtet duhet të jenë ata me të cilët Allahu largon që në Tokë mos të sundojë çrregullimi, por që gjithmonë të dominojë rendi dhe përparimi për gjithë njerëzit e dëshirës së mirë.
Jemi në muajin Rexheb në të cilin Muhammedi s.a.v.s. përjetoi mi’raxhin si gjendje madhështore e njeriut i cili pa të gjitha bukuritë e Xhennetit dhe të gjitha tmerret e Xhehennemit, dhe kështu edhe neve na udhëzoi që për këtë të mendojmë dhe meditojmë dhe ngadalë të përgatitemi për përmirësimin shpirtëror dhe moral në muajin e Ramazanit, kur shpirtit i duhet të pushojë nga trupi dhe kur shpirti duhet të sheh veten në pasqyrën e tij sa i ndotur është dhe sa i nevojitet që të pastrohet nga mëkatet e dukshme dhe të padukshme.
O Allah i Gjithëfuqishëm, na forco në qëllimin tonë që të gjejmë rend dhe paqe në shpirtin tonë, në komunitetin dhe shoqërinë tonë!
O Allah i Gjithëdijshëm, na mëso të jemi të sigurt në shpirtin tonë, në shtëpinë tonë dhe në atdheun tonë!
O Allah i Gjithëmëshirshëm, në bën të dashur të vërtetën, drejtësinë, paqen dhe pajtimin!



Përktheu dhe përktheu:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani