Disa fetva për çështjen e gruas në Islam

Këshilli evropian për fetva dhe kërkime

Pyetja: A mund ta ndalojë burri gruan e tij nga prania në takimet islame të grave?

Përgjigjja: Problemi i shumë muslimanëve të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme fetare është se ata ia imponojnë Islamit natyrën, mendësitë dhe bindjet e tyre personale. Kështu, nëse njeriu është i ashpër dhe i pamëshirshëm me njerëzit që e rrethojnë, përfshirë këtu bashkëshorten dhe fëmijët e tij, do të sillet me këtë sjellje agresive dhe të vrazhdë, madje mund të mendojë se kështu kërkon Islami.

Në këtë kontekst duhet përmendur trajtimi i disa burrave ndaj grave të tyre, i cili karakterizohet nga dëshira e burrit për ta mbajtur nën kontroll gruan e tij si dhe nga paragjykimi i tij për të. Ata burra mund të vijnë nga mjedise të cilat e nënçmojnë gruan dhe e trajtojnë atë sikur të jetë krijuar vetëm për t’i shërbyer apo për t’i kënaqur nevojat e tij. Është për të ardhur keq që edhe pse shumë nga këta burra kanë pasur mundësi të arimohen e të fitojnë dije si dhe të vëzhgojnë shoqëri dhe kultura të tjera, qëndrimi i tyre ndaj grave nuk ka ndryshuar aspak. Disa prej tyre mbajnë edhe tituj Masteri dhe doktoratura, disa të tjerë janë shkencëtarë, inxhinierë, ekonomistë apo administratorë, por megjithatë në këtë aspekt mbeten të ngurtë, nuk ndryshojnë dhe nuk përparojnë.

Asnjë fe tjetër se ka nderuar gruan si e ka nderuar atë Islami. Ai e ka nderuar gruan dhe e ka ngritur statusin e saj si qenie njerëzore, si femër, si bijë, si bashkëshorte, si nënë dhe si anëtare e shoqërisë. A nuk mjafton për këtë ajeti kur’anor: “Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humbë mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri” (3: 195)? Domethënia e “njëri nga tjetri” është se burri e plotëson gruan dhe gruaja e plotëson burrin, dhe se njëri nuk mund të bëjë pa tjetrin, për këtë edhe janë të barabartë në barrën e obligimeve dhe përgjegjësive që ata bartin. Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin Famëlartë: “Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e Allahut e shumë përmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh” (33: 35). Gjithashtu, nënkuptohet se burri dhe gruaja janë partnerë në obligimet e rëndësishme shoqërore, siç janë obligimet e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Allahu i Madhërishëm thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja” (9: 71).

Pejgamberi Muhamed (a.s.) thotë: “Gratë janë motrat e burrave”1. Ai (a.s.) po ashtu thotë: “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut (gratë) nga xhamitë”2. Xhamitë kanë qenë mënyra e vetme për muslimanen në kohën e Pejgamberit Muhamed (a.s) që të arsimohet fetarisht dhe të prezantoj në xhuma dhe me xhemat si dhe të njihet me motrat e saj muslimane të devotshme. Rolin e xhamive në kohën tonë e kryejnë takimet islame të cilat ia mundësojnë muslimanes njohjen më të madhe e më të thellë të të vërtetave islame; po ashtu ia mundësojnë asaj njohjen dhe bashkëpunimin me motra aktiviste në veprimtarinë islame. Të gjitha këto janë obligime për të gjithë muslimanët, burra apo gra qofshin, sepse përndryshe do të dobësohet dhe përkeqësohet gjendja e Islamit. Ky bëhet obligim edhe me shumë kur dihet se armiqtë e Islamit punojnë ditë e natë për largimin e muslimanëve nga feja e tyre dhe për promovimin e mendimeve, kulturave dhe botëkuptimeve të huaja në mesin e tyre.

Megjithatë, duhet pasur parasysh se ky aktivitet i gruas nuk duhet të jetë ne kurriz të burrit dhe fëmijëve të saj, sepse është e drejtë që ndaj çdonjërit të tregohet kujdesi i duhur. Po ashtu, meqë burri është i obliguar ta mirëmbajë familjen, ai nuk duhet të abuzojë me autoritetin e tij dhe nuk duhet ta pengojë ushtrimin e lirive dhe të drejtave të familjarëve të tij, pasi duke vepruar kështu do të ishte i dëmshëm, e në Islam ndalohet rreptësisht që dikush të bëjë dëm dhe të dëmtohet.

Referenca
1. Hadith i mirë (hasen), të cilin e transmetojnë Ahmedi (6/256), Ebu Davudi, (nr. 236), Tirmidhiu (nr. 113) nga hadithi i Aishes dhe Ahmedi (6/377) nga hadithi i Ummi Sulejmes; si dhe Darimiu (nr. 764) nga hadithi i Enes Ibn Malikut.
2. Transmetojnë Buhariu (nr. 585) dhe Muslimi (nr. 442) nga hadithi i Abdullah Ibn Omerit.



Fetva 3

Pyetja: A lejohet që burri musliman ta ndalojë në mënyrë të prerë gruan e tij perëndimore e cila ka pranuar fenë islame, nga vizita e prindërve të saj të krishterë, ose ta lejojë që t’i vizitojë ata rrallë? A pretendon Islami që ai i cili e përqafon atë, ti këpusë lidhjet me familjen dhe farefisin e vet?

Përgjigjja: Nuk lejohet që burri musliman ta ndalojë gruan e tij nga vizita e prindërve të saj të krishterë, pasi si muslimane, ajo obligohet t’i respektojë dhe të sillet mirë me ta. Në të vërtetë, këtë urdhër Islami e radhiti menjëherë pas urdhrit për të mos adhuruar tjetër pos Zotit (monoteizmit). Allahu i Madhërishëm thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve” (17: 23). Kjo, pasi obligimi më i madh i njeriut pas obligimit ndaj Allahut xh.sh. është obligimi ndaj prindërve.

Islami nuk e ka ndaluar muslimanin madje as nga mirësia ndaj prindërve idhujtarë. Ai nuk ka ndaluar nga kjo edhe nëse ata përpiqen që fëmija i tyre ta braktisë Islamin dhe ta përqafojë injorancën dhe idhujtarinë. Allahu xh.sh. thotë: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindërit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (e porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj. E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre” (31: 14-15)
Pra, në këtë ajet, Allahu xh.sh. urdhëroi që të refuzohet kërkesa e prindërve për kthim në idhujtari, por njëkohësisht urdhëroi për sjellje të mira ndaj prindërve.

Pas marrëveshjes së Hudejbijes erdhi Esmaja, e bija e Ebu Bekrit, te Pejgamberi (a.s.) dhe e pyeti: “O Pejgamber i Allahut, erdhi te unë nëna ime e cila ende është idhujtare, a t’i bëjmë mikpritje? (të tregojë mirësi ndaj saj dhe t’i japë diçka)”. Pejgamberi (a.s.) tha: “ Po, respektoje nënën tënde”1.
Disa dijetarë kanë thënë se në këtë kontekst ka zbritur ajeti kur’anor: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë” (60: 8).
Gjithashtu, Islami urdhëroi të lihet testament për prindërit jomuslimanë. Siç duket qartë prej ajetit kur’anor: “Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, testamenti (vasijeti) për prindërit dhe për të afërmit u është bërë juve obligim, por ashtu si: është drejtë. Për ata që janë të devotshëm kjo është detyrë që lypet kryer” (2: 180).
Dihet mirë se në Islam nuk lejohet testamenti për prindërit muslimanë sepse ata janë trashëgues, e për trashëgimtarin nuk ka testament. Prandaj, ky ajet ka për qëllim prindërit dhe të afërmit jomuslimanë, sepse fakti se ata janë jomuslimanë nuk ua anulon të drejtat e tyre prindërore dhe farefisnore. Allahu xh.sh. thotë: "dhe kine frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni. Ruajeni farefisin (akraballëkun)” (4: 1).

Islami miqësinë nga martesa e konsideroi si njërën prej lidhjeve natyrore që i lidh njerëzit me njëri tjetrin, ndërkaq lidhja tjetër është farefisi. Allahu xh.sh. thotë: “Dhe ai nga uji (fara) krijoi njeriun, e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi” (25: 54).
Pra, kjo lidhje natyrore nuk duhet të lihet pas dore e as të shpërfillet; burri duhet të krijojë marrëdhënie të mira me të afërmit, e sidomos me prindërit e bashkëshortes së tij. Ai duhet t’u bëjë mirë edhe nëse janë jomuslimanë, sepse me këtë sjellje ua shton simpatinë ndaj Islamit. Islami në botë është përhapur me karakterin e virtytshëm të muslimanëve dhe me sjelljen dhe trajtimin e mirë ndaj të tjerëve. Muslimanit nuk i lejohet ta ndalojë gruan e vet nga mirësia ndaj prindërve të saj, qofshin muslimanë apo jomuslimanë, por përkundrazi, ai gjithmonë duhet ta nxisë atë për një gjë të tillë, të shkojë bashkë me të në vizitë te prindërit e saj dhe t’i ftojë ata ta vizitojnë në shtëpinë e tij. Në këtë mënyrë mund të forcohet miqësia e martesës të cilën e legjitimoi Allahu xh.sh. Burri gjithashtu duhet të kujtojë se prindërit e gruas së tij janë gjyshi dhe gjyshja e fëmijëve të tij; vëllezërit dhe motrat e bashkëshortes së tij janë dajallarët dhe tezet e fëmijëve të tij, dhe ndaj gjithë atyre ka obligime si ndaj farefisit.

Jemi shpesh herë dëshmitarë se sa ndikim të madh në zemrat e njerëzve ka sjellja e mirë, sa e sa njerëz hynë në Islam për shkak të sjelljes së bukur të muslimanëve të sinqertë. Po ashtu jemi dëshmitarë edhe të asaj se sjellja dhe morali i keq ndoshta kanë shkaktuar urrejtje ndaj Islamit dhe muslimanëve. Lum ata qe bëjnë mire dhe ndalojnë nga e keqja, dhe mjerë ata që bëjnë keq dhe pengojnë nga e mira.

Referenca
1. Transmetojnë Buhariu (nr. 2477) dhe Muslimi (nr. 1003).



Fetva 4

Pyetja: Shumë gra muslimane pengohen të flasin me vizituesit, apo në përgjithësi me burrat e tjerë, ndërkohë që burri ia lejon vetes të flasë me çdo grua. Cili është qëndrimi i Islamit ndaj kësaj çështjeje?

Përgjigjja: Në një hadith të vërtetë transmetohet se Pejgamberi Muhamed (a.s.) ka thënë: “Turpi është prej besimit”1. Po ashtu, në një hadith tjetër ka thënë: “Turpi sjell vetëm të mira”2. Prandaj, turpi është virtyt për të dy palët, edhe për burrat edhe për gratë. Por, kjo preferohet edhe më tepër te gruaja, pasi kjo është më e përshtatshme për natyrën e saj femërore. Dhe pikërisht kjo është ajo që e ndalon gruan që të fillojë biseda me njerëz të huaj. Megjithatë, kjo drejtohet nga traditat dhe zakonet të cilat ndryshojnë sipas vendeve, kohëve dhe rrethanave.

Me rëndësi është të dihet se Islami nuk e ndalon që gruaja t’i flasë burrit, apo burri gruas kur kjo është e nevojshme, mirëpo kjo bisedë duhet të jetë brenda kufijve dhe normave fetare. Allahu xh.sh. u tha grave të Pejgamberit (a.s.): “O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse keni kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura” (33: 32).
Edhe pse gratë e Pejgamberit kanë pozitë të veçantë dhe dispozita të cilat vlejnë vetëm për ato, si dhe kanë disa kufizime të cilat nuk vlejnë për gratë e tjera, Allahu nuk i ndaloi që të flasin, por i ndaloi të mos llastohen në të folur, ashtu që t’i lakmojnë njerëzit që kanë sëmundje në zemrat e tyre dhe ata që i janë nënshtruar thirrjes së pasioneve të kësaj bote. Ndërkaq bisedat e matura dhe që janë në pajtim me rregullat islame janë legjitime. Ekzistojnë disa hadithe autentike të cilat lejojnë që burri t’u japë selam grave dhe anasjelltas e po ashtu edhe vizitat e burrave te gratë dhe vizitat e grave te burrat në rast sëmundjeje.

Por, kjo nuk do të thotë që të hapen dyert krah në krah për të dy palët, ashtu që gruaja t’i flasë çdo burri që e takon apo burri t’i flasë çdo gruaje që e takon, sepse një gjë të tillë e mohojnë logjika dhe sensi para se ta mohojë Islami. Gruas i lejohet ti flasë ndonjë mashkulli nëse është i afërm i saj, mësues, fqinj, punëdhënës i saj dhe të ngjashëm. Këtë e imponojnë kushtet jetësore dhe marrëdhëniet komplekse ndërmjet njerëzve sidomos në kohën tonë, me kusht që të ketë besim, mos të ketë shpifje dhe gjendja të jetë normale.
Kjo praktikohet edhe në shumë vende islame ku burrat i përshëndesin gratë me selam si dhe gratë burrat kur takohen dhe bëjnë bisedë (me fjalë të matura) për çështje të rëndësishme me pëlqimin e prindërve, bashkëshortëve dhe vëllezërve, si dhe këtë veprim atyre nuk ua ka ndaluar asnjë dijetar.

Ne nuk e mohojmë të vërtetën se në disa vende ka zakone shumë të rrepta për gratë, të cilat thuajse i mbyllin në shtëpi dhe gjykojnë për to burg të përjetshëm deri në vdekje. Megjithatë, edhe pse disa dijetarë e kanë përkrahur këtë botëkuptim, argumentet autentike dhe të qarta të Sheriatit si dhe interesat e njerëzve dhe evoluimi i kohës dhe njeriut e kundërshtojnë këtë.

Referenca
1 Transmetojnë Buhariu (nr. 24, 5767) dhe Muslimi (nr. 36) prej Ibn Omerit.
2 Transmetojnë Buhariu (nr. 5766) dhe Muslimi (nr. 37) prej Imran Ibn Husajnit.



Anëtaret e Këshillit evropian për fetva dhe kërkime
1. Professor Jusuf Kardavi, President of ECFR (Egjipt, Katar)
2. Judge Sheikh Feisal Maulavi, zëvendës president (Liban)
3. Sheh Hussein Muhamed Halaua, Sekretar i përgjithshëm (Irlandë)
4. Sheh Dr. Ahmed Xhaballah (France)
5. Sheh Dr. Ahmed Ali El-Imam (Sudan)
6. Sheh Mufti Ismail Kashoulfi (UK)
7. Ustadh Ahmed Kadhem El-Raui (UK)
8. Sheikh Ounis Kurkah (France)
9. Sheh Rashid El-Ganouchi (UK)
10. Sheh Dr. Abdullah Ibn Bejja (Arabi Saudite)
11. Sheh Abdul Rahim El-Tauil (Spanje)
12. Gjykatës Sheh Abdullah Ibn Ali Salem (Mauritani)
13. Sheikh Abdullah Ibn Jusuf El-Xhudai, (UK)
14. Sheh Abdul Maxhid Al-Nexhar
15. Sheh Abdullah ibn Sulejman Al-Mani (Arabi Saudite)
16. Sheh Dr. Abdul Sattar Ebu Gudda (Arabi Saudite)
17. Sheh Dr. Axhil El-Nashmi (Kuvait)
18. Sheh El-Arabi el-Bikri (France)
19. Sheh Dr. Issam El-Beshir (Sudan)
20. Sheh Ali Karadaghi (Katar)
21. Sheh Dr. Suheib Hasan Ahmed (UK)
22. Sheh Tahir Mahdi (France)
23. Sheh Mahboub-ul-Rahman (Norvegji)
24. Sheh Muhammed Taki Uthmani (Pakistan)
25. Sheh Muhammed Siddique (Gjermani)
26. Sheh Muhammed Ali Saleh El-Mansur (UAE)
27. Sheh Dr. Muhammed El-Hauari (Gjermani)
28. Sheh Mahumoud Muxhahid (Belgjik)
29. Sheh Dr. Mustafa Ceric (Bosnje)
30. Sheh Nihad Abdul Kudus Ciftci (Gjermani)
31. Sheikh Dr. Naser Ibn Abdullah El-Mejmen (Arabi Saudite)
32. Sheh Jusuf Ibram (Svicer)



vizion-islam


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë