Nigeria - Përhapja e fesë Islame në Nigeri

Republika Federale e Nigerisë është një nga shtetet afrikane, që zë këndin lindor të Afrikës Perëndimore, përkatësisht bregun e Gjirit të Guinesë, i cili lidhet me oqeanin Atlantik.

Kjo është një zonë, të cilën arabët në të kaluarën e quanin Sudani Perëndimor. Sipërfaqja e vendit përfshin 3% të sipërfaqes së kontinentit afrikan. Vendi posedon dy lumenj - Niger dhe Binui, si dhe degët e tyre të shumta. Në vitin 1899 u miratua nga qeveria britaneze që vendi të merrte emrin Nigeria, kurse më 1 janar 1914 u realizua bashkimi në mes Veriut dhe Jugut të vendit, për t’u formuar Nigeria aktuale. Republika e Nigerisë kufizohet me katër shtete fqinje. Pra, nga veriu dhe veriperëndimi - kufizohet me Nigerin me një gjatësi 1497 km, nga verilindja - me Çadin në një gjatësi deri në 87 km, nga lindja – me Kamerunin në një gjatësi deri në 1690 km dhe nga perëndimi - me Beninin me një gjatësi 773 km, ndërsa përmes brigjeve jugore shtrihet në gjirin e Guinesë në një gjatësi deri 853 km2.



Abuja: Si kryeqytet i Republikës Federale të Nigerisë shtrihet në pjesën qendrore të vendit, e cila njihet si zonë me rrethinë të afirmuar për vendin. Konsiderohet prej qyteteve të planifikuara, që nënkupton se ishte planifikuar të bëhej kryeqyteti i shtetit si dhe llogaritet një nga qytetet relativisht moderne. Ndërtimi i tij pati filluar në vitet tetëdhjetë, për t’u bërë, më 12 dhjetor 1991, kryeqyteti zyrtar i Nigerisë në vend të kryeqytetit të vjetër Lagos.


Xhamia e madhe në Abuja

Numri i banorëve të këtij qyteti arrin deri në 405.000 banorë (2005). Abuja ka qenë kryeqytet i një principate, e cila quhej Abuja dhe konsiderohej nga rajone të afirmuar afrikane, në të cilat ishte shfaqur civilizimi i Neolitit (apokës e re e gurit). Po ashtu aty ishte njohur edhe industria e gurit dhe përdorimi i tij në mijëvjeçarin e parë të erës sonë.


Historia e Nigerisë

Sipas vlerësime historike, konstatohet se kulturat e hershme në Nigeri datojnë që nga viti 700 p.e.s., ose edhe më herët, dhe kjo dëshmon lashtësinë e banimit të rajoneve Nigerisë. Ndërkaq, në shekujt e mëvonshëm, në periudhat kohore në mes shekujve XII e XIV, në zonat si Yuruba dhe Eyf në Veri të vendit u zhvilluan qytetërimet më të përparuar në rajon, pikërisht në kohën kur ndikimi i Islamit u bë mbizotërues në v end. Madje në shekullin XV Perandoria e Beninit kishte arritur kulmin e lavdisë në Jug të Nigerisë, ku ishte realizuar edhe kontakti i parë me tregtarët evropianë. Më pastaj, gjatë shekujve XV e XVI u paraqitën edhe tregtarët e skllevërve, siç ishin portugezët dhe britanikët. Në periudhën nga viti 1804 deri në vitin 1817 në veri të vendit u themelua Perandoria islame Fulan. Në vitin 1861 tregtarët britanikë arritën të nënshtronin qytetin Lagos, ku aktivitetet misionare krishtere atëherë më kishin filluar në jug të vendit, si dhe britanikët arritën të shtrinin mbizotërimin e tyre mbi zonat e brendshme të vendit dhe, që nga viti 1904 ata kishin pushtuar shumicën e zonave të Nigerisë. Mandej, në vitin 1960, Nigeria arriti pavarësinë nga Britania, po brenda Federatës Britanike, për t’u bërë republikë në vitin 1963.


Klima

Klima tropikale në Nigeri mbulon pjesën më të madhe të vendit, kurse temperaturat më të ulëta shënohen në zonat kodrinore, sidomos në zonat qendrore dhe në ato lindore të vendit. Kjo për shkak të lartësisë së madhe të këtyre zonave.


Gjendja ekonomike

Ekonomia e Nigerisë konsiderohet një ekonomi në zhvillim, që mbështetet në bujqësi. Edhe pse afërsisht dy të tretat e punëtorëve në Nigeri merren me bujqësi, prodhimet bujqësore nuk arrijnë të përbëjnë më shumë se një të pestën e vlerës së përgjithshme të të ardhurave kombëtare të vendit. Në Nigeri ka shumë fabrika të cilat prodhojnë sasi të shumta mallrash të ndryshme, por numri i punëtorëve në sektorin e prodhimit nuk tejkalon 10% të fuqisë punëtore të vendit, kështu që industria mbulon më pak se 10% të vlerës së të ardhurave kombëtare në Nigeri.


Të dhëna statistikore*:

• Emri ndërkombëtar në anglisht: Federal Republic of Nigeria.
• Emri zyrtar: Republika Federale e Nigerisë.
• Sistemi i qeverisjes: Republikan, federal.
• Sipërfaqja: 923,768 km².
• Numri i banorëve: 170.123.740 (2012).
• Dendësia: 184,2 (banorë në 1 km²).
• Feja: Myslimanë 68% (prej tyre 99% sunitë të drejtimit maliki dhe një pjesë e vogël shia), të krishterë 22% (prej tyre protestantë, katolikë dhe grupe të tjera të krishterësh) dhe 10% përkatësi të tjera fetare.
• Kryeqyteti: Abuja.
• Qytete të tjera:Lagos (llogaritet qyteti më i madh i vendit), Kano, Ibadan, Kaduna, etj..
• Grupet etnike: Hausa dhe Fulani 29%, Yoruba 21%, Igbo 18%, Ijaw 10%, Kanuri 4%, Ibibio 3.5% dhe Tiv 2.5%.
• Gjuhët kryesore: Angleze (gjuhë zyrtare), Hausa, Yoruba, Igbo dhe Fulani.
• Njësia monetare: Naira nigeriane NGN (1.00 NGN = 0.0047 EUR).
• Data e pavarësisë: 1 tetor 1960 (nga Britania e Madhe).
• Festë kombëtare: 1 tetor 1960 (Dita e Pavarësisë).


Përhapja e fesë Islame në Nigeri

Duke pasur parasysh se Islami është feja e vetme e pranuar tek Allahu xh.sh., dhe çdo mysliman është pedagog dhe predikues i mesazhit të Islamit, që dëshmohet me ajetin kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë: “E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve?” (Fussile, 33), mandej se Islami lejon tregti të ndërsjellë dhe kërkim të furnizimit për jetesë në çdo vend dhe në çdo kohë, - tregtarët myslimanë patën shfrytëzuar këtë mundësi, që, përmes zhvillimit të aktiviteteve të tregtisë, të përhapin Islamin edhe në Afrikën Perëndimore, përkatësisht te bashkëpunëtorët e tyre tregtarë të këtyre zonave, tek të cilët ndalonin dhe qëndronin për disa ditë, si dhe me sjelljet e tyre islame, si sinqeriteti, besueshmëria, korrektësia, mbajtja e premtimit dhe kryerja e obligimeve fetare si namazi, reflektonin pasqyrën e drejtë të Islamit.



Të gjitha këto cilësi u lanë përshtypje të mira në zemër banorëve të këtyre rajoneve, dhe kjo ndikoi në përqafimin e Islamit nga ana e anasve të këtyre rajoneve dhe në publikimin e tij në mesin e bashkëvendësve të tyre. Sipas burimeve historike theksohet se Feja Islame që nga shekulli VII h- XIII m filloi të çante rrugën e vet drejt zonave të njohura që sot quhen Nigeria, dhe kjo përmes tregtarëve arabë myslimanë, të cilët vinin drejt këtyre zonave të Afrikës Veriore, dhe përmes Shkretëtirës së Madhe. Pastaj, rritja e përhapjes së Islamit dhe ngritja e vlerës së myslimanëve në vend, u realizuan shumë shpejtë, që nga shekulli i sipërpërmendur, të ndikuar nga Murabitët (1056 h – 1147 m dhe Muvehidinët (1121 – 1269m), të cilët kishin ngritur shtetet e tyre në Magreb – Afrika Veriore. Përhapja e Islamit në Veriun e Nigerisë kishte ndikim në jetën sociale dhe kulturore të popullsisë së vendit, duke i bërë ata një figurë të veçantë me sjelljet dhe zakonet e tyre të përditshme me karakter fetar islam, ndonëse më herët kishin qenë robër të besimeve pagane. Islami nuk arriti të shtrihej në fillim në pjesët jugore të Nigerisë, për shkak të dendësisë së pyjeve, që ndajnë Veriun dhe Jugun e vendit.



Para pushtimit kolonial Nigeria gëzonte një sistem arsimor islamik, shkollat kuranore shtriheshin në të gjitha rajonet e vendit dhe në to nxënës dhe studentë studionin Kur’anin, shkencat e tij dhe e mësonin përmendsh atë. Më 1914, në rajone të ndryshme të vendit kishte 25 mijë shkolla kuranore, dhe studentët që përparonin, kalonin nga një shkollë në tjetrën, që ishte më e ngritur, për të përfunduar me marrjen e diplomave në teologji, filozofi dhe në degë të tjera. Mësimet që ata studionin, në tërësinë e tyre, kryesisht pasqyronin natyrën e vërtetë të islamit dhe ndikimin e tij në fushat e shkencës dhe jetës.



Mr. Samir B. Ahmeti


Artikulli i kaluar
Bashkësia Islame e Splitit
Artikulli radhës
Afrika, toka e Islamit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kumtesa e Dr. Valon Myrta në Dëgjesën - Konfigurimi i zbatimit të Islamit për një shoqëri në ndryshim