Azerbajxhani - Përhapja e fesë Islame në Azerbajxhan

Të dhëna statistikore(1) :

- emri ndërkombëtar në anglisht: Azerbaijan.
- emri zyrtar: Azerbajxhani.
- sistemi i qeverisjes: republikë.
- sipërfaqja: 86,600 km².
- numri i banorëve: 8,120,247 (2007).
- dendësia: 95.6 banorë në 1 km².
- Myslimanë: 95% (prej tyre - 85% shiitë dhe 15% sunitë), kurse 5% janë të krishterët
- rusë dhe ermenë, si dhe një përqindje e vogël hindusë e hebrenj.
- Kryeqyteti: Baku.
- Qytetet e tjera kryesore: Ali Bajramli, Ganja, Mingachevir, Sumqajit, Shaki.
- grupet etnike: 90,6% azerë, 2.2% dagestanezë, 1.8% rusë, 1.5% armenë, 3.9% etni të tjera.
- gjuhët kryesore: azerishtja (zyrtare), rusishtja dhe ermenishtja.
- njësia monetare: Manat 1 azn = 0.829582 eur.
- viti i pavarësisë: 1991.
festë kombëtare: 28 maji (1918).

Pozita gjeografike:

Azerbajxhani është shtet aziatik, i cili shtrihet në pjesën jugperëndimore të kontinentit dhe në bregun jugperëndimor të detit Kaspik (i cili quhet edhe liqen, ngase është i mbyllur dhe nuk lidhet me asnjë det tjetër). Kufizohet nga veriu – me detin Kaspik në një gjatësi 800 km dhe me Dagistanin (Rusinë) 284 km; nga veriperëndimi me Gjeorgjinë 322 km; nga lindja – me detin Kaspik; nga jugu – me Iranin 611 km; nga jugperëndimi - me Armeninë 787 km dhe me Turqinë 9 km. Vija kufitare e Azerbajxhanit me Turqinë kalon përmes rajonit autonom Nakiçevan, i cili ka popullsi myslimane dhe është pjesë e këtij shteti, me rreth 300 000 banorë e me sipërfaqe 5 500 km².
Nakiçevani llogaritet një enklavë, që gjendet midis Iranit, Turqisë dhe armenisë(2). Universitetet më të njohura në Azerbajxhan janë: Universiteti i inxhinierisë dhe ndërtimtarisë i Azerbajxhanit,Universiteti i Ekonomisë i Azerbajxhanit,Universiteti Qeveritar Baku,Universiteti i Mjekësisë i Azerbajxhanit, Universiteti i Teknologjisë i Azerbajxhanit, Universiteti i Gjuhëve(3).
Azerbajxhani ka gjithsej 36 aeroporte, 27 prej tyre janë të asfaltuara, kurse të tjerat të paasfaltuara. Po ashtu ka edhe rrugë hekurudhore dhe porte detare(4). Baku: Është kryeqyteti i Republikës së Azerbajxhanit dhe konsiderohet qyteti më i madh i Republikës, i cili mbulon një sipërfaqe prej 2.200 km² dhe shtrihet në bregun e detit Kaspik e në pjesën jugore të gadishullit Absheron. Sipas regjistrimit
të popullsisë të vitit 2005, në Baku jetonin 2 milionë banorë. Ky qytet, llogaritet edhe si qendër shkencore, kulturore dhe industriale e vendit, ngase aty qe hapur universiteti i parë, ashtu sikurse qe botuar gazeta
e parë, qe bërë operacioni i parë kirurgjik dhe qe realizuar dhoma e parë e bibliotekës për lexim. Më vitin 2009 Organizata e Konferencës Islamike qytetin Baku e ka zgjedhur kryeqytet të kulturës islame. Baku u binjakëzua me këto qytete: Izmir (Turqi), Naibol (Itali), Dakar (Senegal), Sarajevë (Bosnjë e Hercegovinë), Bordo (Francë), Basra (Irak), Hjuston (SHBA) dhe me Mainc (Gjermani)(5).

Historia e Azerbajxhanit Në shekujt 3 e 4 të erës sonë, Azerbajxhani ndodhej në kufijtë midis shtetit Sassani në Persi dhe atij të romakëve, prandaj betejat ndërmjet atyre dy shteteve kishin shkaktuar dëme të mëdha në trojet e Azerbajxhanit. Azerbajxhani mbeti gjithashtu një vend i hapur, për t’u strehuar aty fiset nomade turke, që vinin nga veriu, si dhe lëvizje të tjera duke përfshirë edhe ato nga
sulmet eventuale të khazarëve dhe të hunëve. ndërsa, në vitin h/642 (në kohën e halifit Umer in Hat-tab) myslimanët arabë hynë për herë të parë në Azerbajxhan dhe e çlirua atë, për ta bërë pjesë të Botës Islame. Kurse, që nga shekulli 11 Azerbajxhani hyri nën sundimin e turqve oguzë të dinastisë së selxhukëve. ndërkaq, tatarët në vitin 617 h. / 1220 m., me sulmet e tyre barbare u orientuan drejt perëndimit të detit Kaspik, pikërisht aty ku gjendej krahina islame e Azerbajxhanit. Ata, gjatë rrugës kaluan përreth qytetit Tibriz (atëherë ka qenë qytet i Azerbajxhanit, kurse tani është një nga qytetet veriore të Iranit të sotëm), aty ku prijësi i atëhershëm i Azerbajxhanit Uzbek ibn El Behlevan, kishte selinë e tij, i cili kishte vendosur të bënte paqe me tatarët, ngase nuk mendonte t’i luftonte
ata dhe aq më pak t’u bënte rezistencë.
Perandoria ruse e pushtoi Azerbajxhanin në vitin 1806. Më vonë Azerbajxhani u bë i pavarur, duke u krijuar Republika Demokratike e Azerbajxhanit, më datën 28 maj 1918, dhe që si të tillë e kishte njohur Qeveria komuniste e Rusisë. Parlamenti i parë i Azerbajxhanit përbëhej prej gjithsej 97 deputetësh, prej tyre 84 myslimanë, 11 rusë dhe 2 armenë. Por, vetëm dy vjet më vonë, Bashkimi Sovjetik e pushtoi Azerbajxhanin dhe, më 30 dhjetor 1922, e bashkoi me Armeninë dhe Gjeorgjinë, për t’u bashkuar të tri republikat në një republikë të vetme. Me këtë ndërhyrje dhe me pushtimin e rezervave të naftës të Azerbajxhanit, rusët realizuan
ëndrrën e tyre. Menjëherë pastaj, rusët mbyllën edhe të gjitha xhamitë dhe shkollat fetare (medresetë), si dhe patën sukses në vendosjen e sistemit ateist në këtë
vend. Mirëpo, në vitin 1936, të tri këto vende u ndanë si republika të veçanta të Bashkimit Sovjetik. Ndërsa, më 30 gusht 1991, Azerbajxhani u nda nga Bashkimi Sovjetik, duke deklaruar pavarësinë e vet. Republika e Azerbajxhanit në OB u pranua më 9 mars 1992(6).

Përhapja e islamit në Azerbajxhan

Para ardhjes së fesë islame në Azerbajxhan, popullata ishte nën sundimin sasanian të Perandorisë Persiane, kurse fe të tyre kishin fenë ziradeshtije (mexhusije) dhe atë të krishterë. Ardhja e Islamit aty kishte ndodhur përmes përfaqësimit që bëhej nga fushatat e dërguara, që prej kohës së Umer ibn el-Hatabit. Fushata e parë ka
qenë nën udhëheqjen e Utbe in ferkadit, kur myslimanët lidhën paqe me Merzebanin – guvernator i rajonit. Pastaj aty kishte arritur edhe Hudhejfeh ibn Jemani në krye të fushatës tjetër, kur çliroi Erbilen, duke bërë paqe me popullin e saj. Mandej kishin pasuar edhe fushatat e tjera nën udhëheqjen e Mugire ibn Shu’bes, Esh’ath ibn Kajsit dhe Suraka ibn Umerit. Dhe pas këtyre fushatave, filloi vendosja dhe përhapja e vërtetë e Islamit, veçanërisht pasi Esh’athi bëri përzgjedhjen e myslimanëve dhe vendosjen e tyre në Erbil si banorë të atij vendi. Mandej aty do të vinin edhe myslimanë të tjerë të fiseve arabe nga Egjipti dhe Shami, për t’u vendosur në Erbil. Kështu qyteti Erbil u shndërrua në një Qendër Islame, ku Islami mposhti mexhusët brenda një periudhe më pak se 10 vjet.
Në kohën e sundimit të emevinjve përhapja e fesë islame mori përmasa të mëdha, veçanërisht me rastin e ardhjes së myslimanëve të rinj në këto troje. Mandej Shtetit Islam iu bashkua edhe Armenia në kohën e halifit Hisham ibn Abdul Melik, gjegjësisht nën komandën e Xherrah ibn Abdil-lahit, i cili udhëhoqi ushtritë myslimane për të çliruar vise të tjera në bregdetin e detit Kaspik, gjegjësisht në veri të Azerbajxhanit. Kështu, në shekullin II hixhri sundimi i islamit në Azerbajxhan ishte bërë gjithëpërfshirës dhe rezultati i ndikimit islam në këtë vend ishte lulëzimi i qyteteve islame, siç ishin qytetet Verthan dhe Berzend. me islamin u përhap edhe gjuha arabe. Pra, e tillë ishte procedura e përhapjes së Islamit në rajonin e Azerbajxhanit, më e shpejtë sesa kishte ndodhur në vendet e tjera fqinje. Në kohën e sundimit të abasitëve, prosperiteti i thirrjes islame vazhdoi edhe më tutje. Kur Jezid ibn Usejd Es-silmi u caktua si mëkëmbës në zonën e kufijve veriorë, ai zgjodhi Azerbajxhanin si bazë, për të zgjeruar islamin në veri, dhe kështu vazhdoi roli i Azerbajxhanit, si një bazë për të përhapur Islamin në rajon.
Në shekullin V hixhri kjo zonë u sundua nga Selxhukët, të cilët do të pasoheshin nga mongolët, të cilët Azerbajxhanin e kishin bërë pjesë të perandorisë së tyre. më vonë aty do të vinte sundimi i Perandorisë Osmane. Gjuha e popullit azerbajxhanas është e ndarë në dy dialekte, në dialektin verior dhe në atë jugor, por që të dyja i përkasin grupit të gjuhëve turke. Gjuha e këtij populli, para se të zbatohej alfabeti i gjuhës ruse, ishte shkruar me shkronja arabe. Përqindja e shpitëve në Republikën e Azerbajxhanit, afërsisht më shumë se 70% është e popullsisë së Republikës së Azerbajxhanit, kurse e jo-shiitëve, janë sun-nij dhe kryesisht të shkollës hanefite, por ka edhe të shkollës shafiite. Ata, si edhe banorët e tjerë të Azerbajxhanit, flasin gjuhën azerbajxhanase, me origjinë turke(7).

Klima

Klima në Azerbajxhan është shkretinore në përgjithësi, me përjashtim të disa fushave jugore dhe lindore, si dhe të zonave të larta në malet veriore. Temperaturat në Azerbajxhan, veçanërisht në kryeqytetin Baku, gjatë muajve të verës (6 deri 8 muaj) sillen afërsisht në mes 20 e 30 gradë Celsius, gjatë ditës, duke bërë rënie në 18 gradë Celsius në mbrëmje. Ndërsa, pjesa tjetër e vitit, është shumë e ftohtë, sepse bora arrin të mbulojë shumë zona të Azerbajxhanit(8).

Gjendja ekonomike

Azerbajxhani, në aspektin ekonomik, llogaritet një shtet industrial- agrar, i cili që nga pavarësimi nga Bashkimi Sovjetik, u bë republikë me orientim drejt tregut të lirë. Pasuritë tokësore në vend përmbajnë rezerva të mëdha dhe të shumta, siç janë: nafta, gazi natyror, hekuri dhe energjia. Ai importon prodhime industriale. Azerbajxhani, si republikë e pasur me naftë, kur ishte nën sundimin e Bashkimit Sovjetik, konsiderohej burimi kryesor i tij, dhe kjo kishte vazhduar gjithnjë derisa u zbuluan rezerva të mëdha të naftës në rajone të tjera të Bashkimit Sovjetik, dhe sidomos në Siberi, ku u gjetën rezerva gjigante të naftës. Për këtë shkak filloi të binte rëndësia e burimeve të naftës në Azerbajxhan, mirëpo, prapëseprapë cilësia e naftës që nxirret në burimet e Azerbajxhanit, e rrit rëndësinë e këtyre burimeve(9).



(1) Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, f:. 20. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, f:. 58, 59. Logos-a, 2009, Shkup. ATLAS islamskoga svijeta / redakcija i autori testova Ahmet Alibasiç ...; f:. 33. Sarajevë, 1004.
(2) - Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, f:. 20. Dasara, 2007, Tiranë. http://www.moqatel.com/openshare/Behoth/DëalModn1/Azerbaijan/Sec02.doc_cvt. htmhttp://ar.wikipedia.org/wiki
(3)-http://seenjeem.maktoob.com/question?category_id=73&level=L2&question_id=2886
(4) – Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, f:. 59. Logos-a, 2009, Shkup.
(5) -http://sq.wikipedia.org/wiki/Baku http://ar.wikipedia.org/wiki
(6) - Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, f:. 20, 21. Dasara, 2007, Tiranë. Dr. Shevki Ebu Halil; Atlesu Duveli –l- Alemi –l- islami, f:. 9. Botimi i parë. Darul Fikr, 1422 h / 2001 m, Damsk. Dr. Ragib Es-serxhani; Kis-satu T-tetar minel bidajeti ila Ajni Xhaluti, f:. 42. Botimi i parë. Mues-sisetu Ikre’ë, 1427 h / 2006 m, Kajro.http://www.hanein.info/vb/showthread.php t=132249 http://alwelaya.8m.net/muslim4. htm http://www.nationsencyclopedia.com/Asiaand-Oceania/Azerbaijan HISTORY.html
(7) - http://ar.wikipedia.org/wiki
(8) - Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, f:. 20. Dasara, 2007, Tiranë. http://www.uaegoal.com/vb/showthread.php t=93962 http://ar.wikipedia.org/wikihttp://www.islamicnews. net/Common/ViewItem.asp?DocID=49868&T ypeID=2&ItemID=292
(9) - http://sq.wikipedia. org/wiki/Azerbajxhani Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, f:. 21. Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, f:. 58, 59. Logos-a, 2009, Shkup. Dr. Shevki Ebu Halil; Atlesu Duveli –l- Alemi –l- islami, f:. 9. Botimi i parë. Darul Fikr, 1422 h / 2001 m, Damsk. http:// sq.wikipedia.org/wiki/Historia_e_Azerbajxhanit.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme