Pozita gjeografike
Republika Islamike e Pakistanit është një prej shteteve aziatike që bie në jug të kontinentit, përkatësisht në rajonin malor në kufi të Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme.
Vendi ka shtrirje në jug në brigjet e Detit Arab dhe në gjirin e Omanit. Pakistani kufizohet me katër shtete fqinje, nga perëndimi kufizohet me Afganistanin dhe me Iranin, nga lindja me Indinë dhe nga verilindja me Kinën. Kurse rajoni i Kashmirit është i ndarë në mes Indisë dhe Pakistanit.
Fjala “Pakistan” është e përbërë prej dy fjalëve urde dhe persiane, që janë: fjala “Pak”-i që domethënë “i pastër”, dhe fjala: “Stan”, që do të thotë ”vend”. Bashkimi i këtyre dy fjalëve përbën emrin e Republikës së Pakistanit me domethënien “Vend i pastër”. Në Pakistan ka male të larta të mbuluara me borë, rrafshnalta të ngritura, fusha pjellore të sheshta dhe brigje me rërë. Shumica dërrmuese e popullit të Pakistanit jetojnë në fusha të rrafshëta pjellore, të cilat ndodhen në rajonin
lindor të vendit2.
Klima e përgjithshme në Pakistan, përveçqë është e nxehtë në verë dhe e ftohtë gjatë dimrit, ajo karakterizohet për thatësi në pjesët më të mëdha të vendit. Ndërkaq, zonat e larta veriore dhe perëndimore të vendit karakterizohen nga moti i ftohtë e me diell, kurse klima në këto vende është e thatë. Temperaturat në Pakistan ndryshojnë nga një vend në tjetrin; në rajonet malore janë më të ulëta.
Temperaturat mesatare gjatë verës në veri dhe në verilindje të vendit arrijnë deri në 24 gradë, ndërsa, gjatë verës në zonën e Punxhabit, që është në lindje të vendit, temperaturat arrijnë në 32 gradë verës dhe 13 gradë gjatë dimrit3.
Islamabadi: kryeqyteti i Pakistanit ndodhet në këndin verilindor të vendit, afër kryeqytetit të vjetër Ravalpindi, përkatësisht në kufi me Kashmirin. Islamabadi si qytet është i ri, u ndërtua në vitet gjashtëdhjetë dhe vetëm në vitin 1960 u bë kryeqytet i Pakistanit. Vlen të theksohet se xhamia më e madhe në këtë qytet, është ajo që quhet “Xhamia Fejsal”, e cila konsiderohet dëshmi e arkitekturës islame dhe llogaritet nga xhamitë më të mëdha në botë, vetëm oborri i saj – më i madhi në botë – është i gjerë për 15 mijë xhematlinj, 1500 të tjerë në pjesën e sipërme dhe 300 mijë në zonën përreth xhamisë. Ndërtimi i kësaj xhamie – që zgjati nga viti 1975 deri në vitin 1986 –ka kushtuar 120 milionë dollarë amerikanë4.
Përhapja e fesë islame në Pakistan
Krahinat e Sind-hit – Pakistani i sotëm – kanë qenë synim i çlirimeve islame gjatë kohës së halifit të drejtë Umer ibn El Hat-abit r.a., prandaj mëkëmbësi i Bahrejnit - Uthman ibn Ebil As, në vitin 15 hixhri / 636 m dërgoi një ushtri me të vëllain El Hakem në krye, drejt brigjeve të Indisë, ku kishte realizuar disa fitore, për të vazhduar më pas edhe me çlirime të tjera.
Nga kjo, vërehet se Feja Islame kishte trokitur në Pakistan që nga koha e hershme e thirrjes islame në Njëshmërinë e Allahut xh.sh., d.m.th. në kohën e sundimit të Umerit r.a.. Pra prej asaj periudhe e tutje Islami zinte vend edhe më të gjerë në ato zona, kurse në kohën e komandantit Muhamed ibn Kasim Islami mori hovin gjithpërfshirës të përhapjes edhe drejt rajoneve të tjera përveç Sind-hit.
Të dhëna statistikore*:
• Emri ndërkombëtar në anglisht: Islamic Republic of Pakistan.
• Emri zyrtar: Republika Islamike e Pakistanit.
• Sistemi i qeverisjes: Republikë Federale Parlamentare.
• Sipërfaqja: 796,095 km².
• Numri i banorëve: 187.342.721 (2011).
• Dendësia: 226,6 (banorë në 1 km²).
• Feja: Myslimanë 97%, hinduizmi 1.5%, kristianizmi 1.5%.
• Kryeqyteti: Islamabad.
• Qytete të tjera: Karaçi (konsiderohet qyteti më i madh i vendit), Lahore, Faisalabad, Ravalpindi, Multan, Gujranvala, Hyderabad, Peshavar, Quetta, Sargodha etj..
• Grupet etnike: Punxhabi, Pashtunë, Sind-hi, Sariaki dhe Baloçi.
• Gjuhët kryesore: Urdu dhe Angleze (të dy gjuhët zyrtare), Punxhabi, Sind-hi, Siraiki, Pashtu, Baloçi, Hindko, Brahui, Burushaski etj..
• Njësia monetare: Rupi pakistaneze (1.00 PKR = 0.078 eur).
• Data e pavarësisë: 14 gusht 1947 (nga Britania e madhe).
• Festë kombëtare: 23 Mars 1956 (Dita e shpalljes së vendit republikë).
Historia e Pakistanit
Qytetërimi i vendit – në luginën e lumit të Sind-hit – filloi të lulëzonte rreth 2500 vjet p.e.s. dhe konsiderohet një nga qytetërimet më të rëndësishme në botë, një vend që sot njihet me emrin Pakistan. mirëpo, ky qytetërim në luginën e lumit të Sind-hit u zhduk afërsisht në vitin 1700 p.e.s.. Shkencëtarët nuk arritën të gjenin shkakun e kësaj zhdukjeje. Ndërkaq, në vitin 1500 p.e.s. qytetërimi indian, i cili zgjati afërsisht rreth 2000 vjet, përfshiu Pakistanin dhe Indinë. Kurse, nga shekulli VI p.e.s. sunduan me radhë këta pushtues: persianët, aleksandri i madh dhe sasanitët. dhe vetëm në shekullin VIII të erës sonë filluan çlirimet e myslimanëve drejt zonave të Pakistanit të sotëm. Pastaj, në shekujt XVI e XVII qyteti pakistanez Lahore ishte kryeqyteti i Perandorisë Mongole, e cila ekzistonte në gjysmën veriore të nënkontinentit indian. Mandej filloi pushtimi i vendit nga evropianët, nga portugezët, holandezët dhe, në fund, britanikët, nga të cilët këta të fundit, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII pushtuan zonat e Pakistanit të sotëm. Mirëpo, në vitin 1916 Muhammed Ali Xhenah udhëhoqi një parti pakistaneze për të kërkuar formimin e një shteti mysliman në zonat me shumicë myslimane. Pavarësimi i Pakistanit nga India në vitin 1948 shkaktoi shpërthimin e luftës midis dy vendeve për shkak të territorit Xhambo dhe Kashmir, të cilat bien në kufijtë e të dy vendeve.
Në vitin 1956 Pakistani u shpall republikë e pavarur, me Iskender Mirza-n në krye, ndërsa në vitin 1970 partia e Muxhiburrahmanit fitoi në zgjedhjet e mbajtura në Pakistanin Lindor – Bangladesh –, e cila kërkonte pavarësimin e vendit. Kështu, në vitin 1971 kërkesa e Pakistanit Lindor –Bangladeshit – për pavarësimin e vendit u aktivizua edhe më shumë, derisa shpalli pavarësinë nga Pakistani Perëndimor – Pakistani i sotëm – dhe mori emrin Bangladesh. Kjo ngjarja e fundit çoi në shpërthimin e luftës civile në mes dy pjesëve të Pakistanit, për të nërhyrë India në anën e Bangladeshit, duke përfunduar me realizimin e plotë të pavarësimit të këtij shteti.
Vetëm një vit më vonë – në vitin 1972 – Pakistani njohu pavarësinë e Bangladeshit. Pastaj në vitin 1978 president i Republikës së Pakistanit u bë Zia-ul- Hak, i cili shpalli zbatimin e Sheriatit Islam për ligj të vendit5.
Gjendja ekonomike
Republika Islamike e Pakistanit ka një ekonomi të kombinuar në mes dy sektorëve, njërit publik dhe tjetrit privat, edhe pse roli i sektorit publik në kohët e fundit ka filluar të bjerë. Sistemi i ekonomisë pakistaneze mbështetet kryesisht në bujqësi. Shumica e popullit të Pakistanit përfitojnë një zhvillim progresiv në fushën e ekonomisë përmes angazhimit në bujqësi dhe kultivimit të dhive dhe deleve.
(1) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 275, 276. Mektebetul Adab, 2007, Kajro. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame f.. 46, 47. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 179, 180. Dasara, 2007, Tiranë.
(2) www.marefa.org Muhammed Atris; f. 276.
(3) www.cairodar.com
(4)Amine Ebu Haxher; Mewsuatu-l- Muduni-l- Islamij-jeti, f. 468, 469. Daru Usame, 20, Aman, Jordani. Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; f. 187.
(5) bahrainforums.com
Mr. Samir B. Ahmeti