Të dhënat statistikore (1):
- Emri ndërkombëtar në anglisht: Egypt.
- Emri zyrtar: Republika Arabe e Egjiptit.
- Sistemi i qeverisjes: Republikë.
- Sipërfaqja: 1,001,450 km².
- Numri i banorëve: 83.082.869 (2009).
- Dendësia: 76 (banorë në 1 km²).
- Feja: Myslimanë 94% – shumica e tyre suninj –, të krishterë 6% – 90% e tyre ortodoksë –, (bazuar në regjistrat zyrtarë të vitit 2001).
- Kryeqyteti: Kajro, i cili llogaritet qyteti më i madh në vend.
- Qytetet (Ndarjet administrative) e tjera kryesore: Aleksandria, Port Saidi, Suezi, El Mahalla El-Kubra, Luksori, El Mansura, Tanta, Zagaziki, Asjuti dhe Minja.
- Grupet etnike: egjiptianë 99.4%, të tjerë 0.6% (në mesin e tyre një përqindje e vogël shqiptarë).
- Gjuhët kryesore: Arabishtja (zyrtare), fliten anglishtja dhe frëngjishtja.
- Njësia monetare: Funta egjiptiane (1.00 EUR = 7.11542 EGP).
- Data e pavarësisë: 28 shkurt 1922.
- Festë kombëtare: 23 korrik 1952 (Dita e Revolucionit).
Pozita gjeografike
Egjipti është shtet afrikan që shtrihet në pjesën verilindore të kontinentit. Në veri të vendit ka dalje në detin Mesdhe, kurse në lindje në Detin e Kuq. Egjipti është një shtet shumica e territorit të të cilit shtrihet në Afrikë, por një pjesë e territorit të tij është e vendosur në kontinentin e Azisë, pikërisht në
gadishullin e Sinait. Për nga sipërfaqja është një shtet i madh, në kontinentin afrikan është i njëmbëdhjeti me radhë, kurse i tridhjeti në shkallë botërore. Republika e Egjiptit është e kufizuar me katër shtete – dy afrikane e dy aziatike. Nga perëndimi kufizohet me Libinë, me një gjatësi 1115 km; nga jugu me Sudanin, me gjatësi 1273 km; nga verilindja me Izraelin, me një gjatësi 266 km dhe me Palestinën (Rripin e Gazës), me gjatësi 11 km.
Sipërfaqja e përgjithshme e Egjiptit është 1,001,450, prej saj 995,450 km i takojnë zonës tokësore dhe 6,000 km i takojnë zonës ujore(2). Shumicën e territorit të Egjiptit e mbulon shkretëtira. Rrjedha e lumit Nil është në drejtim të veriut të vendit, duke thyer shkretëtirën, për t’u derdhur, në fund, në detin Mesdhe.. Lumi është i gjatëj 6,672 km.
Kajro – kryeqyteti i vendit, është qyteti më i madh në kontinentin afrikan, për nga madhësia e sipërfaqes tokësore(3). Pika më e ulët e territorit në Egjipt nën nivelin e detit, është 133 metra, që gjendet në ultësirën Katara.. Egjipti ka gjithsej 88 aeroporte, 72 prej të cilave janë të asfaltuara. Për shkak të shtrirjes së tij nga veriu në brigjet e detit Mesdhe dhe nga lindja në brigjet e Detit të Kuq, Egjipti posedon rreth 32 porte detare. Gjithashtu, vendi ka rrugë hekurudhore(4). Në Republikën e Egjiptit janë rreth 33 universitete. Për shkak të kursimit të hapësirës, po përmendi vetëm pesë sosh: Universiteti i Al Az’harit, Universiteti i Kajros, Universiteti i Aleksandrisë, Universiteti i Hulvanit dheUniversiteti i Ajnu Sh-shemsit(5).
Kajro: Si kryeqytet i Republikës Arabe të Egjiptit, konsiderohet edhe qyteti më i rëndësishëm i vendit. Numri i banorëve të këtij qyteti arrin në 20 milionë e gjysmë. Në këtë qytet, banojnë përafërsisht më shumë se një e katërta e banorëve të Egjiptit. Ky qytet ka shtrirje në anën e lumit Nil, gjegjësisht në jug të vendit.
Historikisht Kajro është quajtur edhe qyteti i një mijë minareve, një aludim për numrin e shumtë të xhamive që kishte në këtë qytet. Qytetin e ka themeluar El Muizzu li dinil-lah, i cili erdhi nga Tunizia e sotme, gjegjësisht nga Mehdije – kryeqyteti i parë i shtetit Fatimi –, ku e kishte themeluar Shtetin Fatimi, dhe pastaj Kajron e bëri kryeqytet të shtetit të tij. Ndërtimin e tij e bëri komandanti Xhevher Es-sakali, në vitin 358 h / 969 m. Es-sakali ndërtoi mure rreth tri qyteteve dhe i quajti me një emër – Kajro. Pra, Kajro përfshinte qytetin Fusfat, të cilin e kishte themeluar Amr ibn Asi në vitin 20 h, qytetin El Asker, të cilin e kishte themeluar Salih ibn Ali El Ab-basi në vitin 132 h, dhe qytetin El Katai’ë, të cilin e kishte themeluar Ahmed ibn Tulun. Kajro aktualisht është qyteti më i madh arab dhe qyteti më i madh në Afrikë, si dhe, për nga banorët, renditet qyteti më i populluar në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Zona më e dendur me popullatë në Kajro është zona El Metarije, të cilën e përbëjnë myslimanët me mbi 90% të popullsisë së përgjithshme të Kajros. Kurse, përqindja e mbetur (më pak se 10%), janë kryesisht të krishterë ortodoksë, dhe një përqindje e vogël e tyre katolikë e protestantë(6).
Historia e Egjiptit
Gjatë periudhës që prej rreth 60 mijë vjet më parë, kishin ndodhur përmbytje të Nilit për çdo vit në brigjet e tij dhe në zonat përreth, duke lënë pas (tërheqjes) tokë pjellore e dhé të pasur. Prandaj, ato zona pranë fushave të përmbytjeve, u bënë tërheqëse për popullatën. Në vitin 7000 para erës sonë, ambienti egjiptian ishte një ambient mikpritës dhe tërheqës për popullatën. Si argument për këtë, janë gjetur gjurma të vendosjes së disa banorëve në atë kohë, përkatësisht në zonat e shkretëtirës. Gjithashtu janë gjetur ca enë të qeramikës në disa varreza të Saidit (zonë që bie në pjesën e sipërme të lumit Nil). Egjipti u okupua nga romako – bizantinët në vitin 30 p.e.r., për t’u bërë më pastaj vendburim i Romës për nevojat që kishte ajo. Egjipti llogaritej një burim i rëndësishëm dhe shumë i pasur, prandaj Roma ishte e varur nga Egjipti për furnizimin me grurë. Qyteti i Aleksandrisë – i ndërtuar nga Aleksandri i Madh, në bregdetin e Mesdheut – u bë kryeqytet i vendit. Veçoritë e kryesore të Aleksandrisë – në kohën kur myslimanët çliruan Egjiptin – mund t’i përmbledhim si:
1) Aleksandria asokohe ishte qyteti më i rëndësishëm në Egjipt.
2) Ishte qendra e dytë e Perandorisë Romake të Lindjes (menjëherë pas Konstantinopojës).
3) Qyteti i parë tregtar në botën e atëhershme.
Romakët ndërtuan bibliotekën e Aleksandrisë dhe muzeun romak, në kohën kur ishte i banuar nga rreth 300 mijë banorë. Perandoria Romake, pas vdekjes së Kleopatrës, qëndroi në Egjipt rreth shtatë shekuj, dhe kështu atë e bëri një provincë romake. Gjatë sundimit të romakëve, egjiptianët – popullata autoktone – detyroheshin të paguanin tagra të shumta, për kokë të njeriut, për tokë, bagëti, tregti dhe për ndërtimin e anijeve. Tagrat nuk ishin vetëm për të gjallët. Sipas historianit perëndimor Milne, egjiptianët detyroheshin të paguanin tagër edhe për të vdekurit e tyre, ngase nuk u lejohej t’i varrosnin të vdekurit pa paguar tatimin e caktuar për ta. Myslimanët, duke bërë thirrje në fenë islame, në vitin 642 m, çliruan Egjiptin përfundimisht, dhe kështu pati filluar një kapitull i ri në historinë e Egjiptit(7).
Historia e përhapjes së Islamit në Egjipt
Populli egjiptian autokton kishte dëgjuar për depërtimin e myslimanëve në Sham, por për ta ishte shumë magjepsëse kur informoheshin se si silleshin myslimanët në mes vete dhe se sa mirë i trajtonin ata jomyslimanët. Kjo nënkuptonte sikur egjiptianët shpresonin dhe dëshironin që myslimanët të bëheshin shpëtimtarë të tyre, që nëpërmjet tyre të shmangnin njëherë e përgjithmonë zullumin e romakëve. Pra, kur në kohën e halifit të dytë – Umer ibnul Hat-tabit – myslimanët çliruan shumicën e rajoneve të Shamit, sidomos Jerusalemin, u shfaq interesimi i tyre edhe për çlirimin e Egjiptit. Faktorët që ndikuan në inkurajimin e myslimanëve, më drejt të udhëheqësve të tyre rreth marrjes së këtij hapi shumë të guximshëm, në mes të tjerash ishin:
(1) Pjesa më e madhe e mbetur e ushtrisë romake, e cila pësoi disfatë nga myslimanët në Damask, në mesin e të cilëve ishte edhe njëri ndër prijësit e njohur romakë – Artabun, kishin marrë arratinë në drejtim të Egjiptit.
(2) Amr ibn Asi nxiti halifin e myslimanëve, Umer in Hat-tabin, për çlirimin e Egjiptit, duke i përmendur disa nga prioritetet e këtij vendi, siç ishin: toka prodhimtare e Egjiptit, me gjithë burimet e saja, vlera e madhe e Nilit (uji i të cilit ishte shumë frytdhënës) dhe banorët autoktonë, të cilët ëndërronin ardhjen e myslimanëve.
(3) Paralajmërimi i Pejgamberit a.s. rreth çlirimit të Egjiptit dhe porosia e tij për mirësjelljen e myslimanëve ndaj egjiptianëve, me rastin e çlirimit të Egjiptit dhe të bashkëpunimit të mëtutjeshëm të tyre me banorët e tij.
Transmetohet nga Ebu Dherri r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Me të vërtetë ju – muslimanët – do të çlironi Egjiptin, një vend në të cilin gjendet El Kirati(8). E kur ta çlironi atë – Egjiptin – silluni mirë me banorët e tij, sepse ata kanë të drejtë të gëzojnë mirësjelljen tuaj, si dhe për shkak të afërsisë familjare(9) me ta”(10).
Kur halifi i myslimanëve, Umer ibn Hat-abi r.a., filloi luftën për çlirimin e Egjiptit, urdhëroi Amr ibn Asin r.a. që me ushtrinë myslimane, të nisej në drejtim të Exhnadinit – pika më e afërt në kufi me Egjiptin –. Amri r.a., si komandant i ushtrisë myslimane, ishte nisur menjëherë në drejtim të kufijve të Egjiptit, dhe hyri në vendin e quajtur El Arish, konkretisht më 10 Dhul Hixh-xhe të vitit 18h/639 m, ku, së bashku me ushtrinë myslimane fali namazin e Bajramit, i cili llogaritet namazi i parë i Bajramit që falën myslimanët në Egjipt. Shkaku i mosrezistencës së egjiptianëve autoktonë karshi myslimanëve, ishin taksat e larta që romakët u kishin ngarkuar egjiptianëve, dhe keqtrajtimi i tyre prej romakëve.
Klima
Klima e Egjiptit është e ndikuar nga disa faktorë; kryesori është pozita gjeografike e tij, sepse vendi nga veriu ka shtrirje në brigjet e detit Mesdhe, me një gjatësi prej 909 km, kurse nga lindja ka shtrirje në brigjet e Detit të Kuq, me një gjatësi deri në 1370 km. Ndërkaq, nga të gjitha anët e tjera të kufirit, Egjipti rrethohet nga shkretëtira. Pra, mund të përmendim dy karakteristikat më të rëndësishme të klimës së Egjiptit, njëra – është shumë e nxehtë dhe tjetra - me pak shi. Gjithashtu, mund të bëjmë dallimin vetëm midis dy stinëve të vendit, stina e verës, e cila karakterizohet nga një thatësi dhe nxehtësi, që fillon nga muaji maj e zgjat deri në muajin tetor, kurse stina tjetër është ajo e dimrit, që është e butë dhe me pak shi dhe fillon nga muaji nëntor e zgjat deri në muajin prill.
Gjendja ekonomike
Ekonomia e Egjiptit, llogaritet nga ekonomitë e larmishme në Lindjen e Mesme dhe me kapacitet të vogël të prodhimtarisë, e cila nuk ka bazë të fortë në naftë, siç janë shtetet e Gjirit Persik dhe Iraku. Shkalla e papunësisë në vend arrin në 9,1% (sipas të dhënave të vitit 2007). Në Egjipt kultivohen kultura të ndryshme bujqësore, ndër më kryesoret janë: gruri, misri, pambuku, orizi, fasulja, kallami i sheqerit, rrushi, fiqtë, mango, pjeshkat, mollët, ullinjtë, bananet. Edhe perimet zënë një vend të rëndësishëm në kulturën bujqësore dhe konsiderohet ndër komponentët më të mëdhenj të kulturës bimore të vendit. Prodhohen: patatet, domatet, pjeprat dhe shalqiri. Ndërkaq industritë kryesore të vendit janë: tekstili, çimentoja, prodhimet kimike, artizanalet, përpunimi i prodhimeve bujqësore etj.. Gjithashtu vendi ka rezerva pasurish nëntokësore, si: hekur, fosfat, ar, diamant, magnez, zink, plumb, naftë, etj...
(1) Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 49. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i botës islame f.57. Logos-a, 2009, Shkup. http://ar.wikipedia.org.
(2)www.moqatel.com
(3) http://ar.wikipedia. Org
(4) www..moqatel.com. Vladimir Zoto, ibid f, 50. Amir B. Ahmeti., ibid f, 57.
(5) - http://universities.roro44.com
(6) - http://ar.ëikipedia.org
(7)www.moqatel.com. Bajrush Ahmeti; HISTORIA ISLAME 2., f. 61, 62, 65. Medreseja e Mesme Alauddin, 1997, Prishtinë.
(8) El Kirat: Monedhë e vogël e valutës monetare të dinarit, dërhemit etj. Meqenëse kjo monedhë ndër egjiptianët ishte shumë e popullarizuar, ata e
përdornin shumë dhe e përmendnin kudo.
(9) Afërsia familjare: Këtu ka të bëjë me Haxheren – nëna e Ibrahimit, të birit të Pejgamberit a.s., e cila ka qenë prej tyre, pra kiptase nga Egjipti.
(10) Muslimi, v. 8-të; pj. 16-të, kap Vlera e ashabëve; titulli: Porosia e Pejgamberit a.s. ndaj banorëve të Egjiptit; f. 313-314.
Mr. Samir B. Ahmeti