Katari - Historia e përhapjes së islamit në Katar

Pozita gjeografike e Katarit

Katari, si një shtet i mbështetur në sistemin e monarkisë, është gadishull (siujdhesë) në mes të bregut perëndimor të Gjirit Persik, që përmes kufijve tokësorë lidhet me Arabinë Saudite, si dhe prej shteteve fqinje të tij llogariten Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Irani. Shtetin e Katarit e përbëjnë disa ishuj, nga të cilët më të rëndësishmit janë: Halul, Shira’awah dhe Eshat. Terreni i vendit ka një sipërfaqe të hapur shkëmbore, të mbështjellë me disa kodra e kodrina në zonën e El Duhanit- në perëndim dhe prej zonës së malit Fuwairit - në veri. Ky terren karakterizohet nga pellgje, gjire dhe zona të ulëta, që vendësit i quajnë Rijad – kopshte, të cilat janë të vendosura në pjesët veriore dhe qendrore, që konsiderohen prej zonave më pjellore, të pasura me bimë natyrore. Kuptimi i fjalës Katar lidhet me të foljes ‘Katare’, që do të thotë ‘pikon’, ‘rrjedh’, ‘kullon’. Pra, ky vend është quajtur kështu, sepse në të kaluarën ka qenë i njohur për dendësi të madhe të të reshurave atmosferike2. Sipërfaqja e tërësishme e vendit arrin afërsisht deri në 11.437 km2 dhe e tëra i takon zonës tokësore. Gjatësia e përgjithshme e kufijve tokësorë të vendit arrin deri në 60 km. Shteti i Katarit kufizohet vetëm me një shtet fqinj, që është Arabia Saudite, nga jugu, me një gjatësi prej 60 km, ndërsa vija bregdetare e vendit, që është Gjiri Persik, ka një gjatësi prej 563 km. Pika më e ulët në shtetin e Katarit është në nivelin të detit, që janë brigjet bregdetare të Gjirit Persik – Arabik, kurse ajo më e larta ndodhet në majat e malit Kurejn Ebul Bavil, që arrin lartësinë deri në 103 metra mbi nivelin e detit. Bazuar në të dhënat e vitit 2007, shteti i Katarit ka gjithsej 5 aeroporte, 3 prej tyre janë të asfaltuara, kurse 2 të paasfaltuara. Përderisa Katari ka dalje në Gjirin Persik, aty ka edhe dy porte të njohura, si porti Doha dhe porti Re’su Lafan3. Shteti i Katarit ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore. Prej universiteteve dhe kolegjeve më të njohura në vend, janë: Universiteti i Katarit, Kolegji Katar i Atlantikut të Veriut, Universiteti Katar i Stendenit, Universiteti Veriperëndimor në Katar, Akademia për Përsosmëri të Sportit dhe Universiteti i Arsimit Profesional në Katar, etj.4

DOHA: Si kryeqytet i shtetit të Katarit ka një popullsi 400.051 (2005). Ky qytet bie në mes të bregut lindor të gadishullit të Katarit në bregun e Gjirit Persik. Qyteti Doha është themeluar në vitin 1686. Qyteti Doha është i njohur edhe nga një numër i konsiderueshëm i xhamive dhe ndërtesave moderne. Gjithashtu, kanali i njohur arab televiziv “Al Jazeera” selinë e ka në Doha. Katari zë vendin e dytë a të tretë në botë si eksportuesi më i madh i gazit natyror, me burimet në fushën e gazit në veri, që është një nga fushat më të rëndësishme të gazit në botë5.

Historia e Katarit

Zbulimet arkeologjike, gërmimet, mbishkrimet dhe koleksionet e rralla nga copat e qeramikës të punuara me dorë, që janë gjetur në pjesë të ndryshme të vendit, tregojnë se trualli i Katarit ishte i populluar qysh në mijëvjeçarin e katërt (para erës sonë). Katari ishte përmendur nga historiani grek Herodoti, në shekullin V p.e.s.. Gjithashtu gjeografi i njohur, Ptolemeu, këtë vend e kishte futur brenda hartës së tij të quajtur “Harta e Botës Arabe”, Dhe e kishte quajtur “Kitar” apo “Katar”, që besohet të jetë një vend në Katar që sot quhet “Zubara”, të cilin e themeloi Al ibn Ali El Utub dhe në atë kohë ky vend pati fituar famë si një nga portet më të rëndësishme tregtare në Gjirin Persik. Katari ka luajtur një rol të rëndësishëm në qytetërimin islam, atëherë kur banorët e tij patën marrë pjesë në formimin e flotës së parë detare, e cila ishte mobilizuar për të transportuar ushtritë islame gjatë luftërave çlirimtare islame. Qyteti Zubara, që shtrihet në veriperëndim të gadishullit të Katarit, asokohe ishte nga qytetet kryesore. Në shekullin XVI, shumica e rajoneve të Gadishullit Arabik ,duke përfshirë edhe Katarin, iu nënshtruan sundimit të Perandorisë Osmane, që zgjati për rreth katër shekuj. Në fillim qenë vendosur në Zubara, në veri të gadishullit të Katarit, pastaj u transferuan në Doha të zonës El Bed’u, të udhëhequr nga Shejh Muhammed ibn Thani, i cili bashkoi fiset nën udhëheqjen e një prijësi. Më pastaj, nga mesi i shekullit XIX, Katarin e sundoi familja Al Thani, e cila mori emrin e familjes nga gjyshi i tyre Thani in Muhamed, që ishte babai i Shejh Muhammed in Thanit, i cili qe princi i parë që ushtroi qeverisje efektive në gadishullin e Katarit gjatë mesit tëshekullit XIX6. Në vitin 1916, në bazë të Traktatit, të cilin e nënshkroi Shejh Abdullah Al Thani me Britaninë, Katari hyri nën protektoratin e saj. Mandej, në vitin 1960 Shejh Ahmed Al Thani mori udhëheqjen e Katarit. Në vitin 1970 u miratua kushtetuta e vendit, e cila konfirmoi se shteti i Katarit është Mbretëri Absolute. Më 3 shtator 1971 Katari arriti pavarësinë nga Britania7.

Historia e përhapjes së islamit në Katar

Fillimi i periudhës islame në Katar ishte atëherë kur përhapja e Fesë Islame në shekullin VII përfshiu të gjitha rajonet e Gadishullit Arabik, ndër to edhe zonat e Katarit të sotëm. Në atë kohë, me përhapjen e Islamit në rajon, Muhamedi a.s., afërsisht në vitin 628 m, kishte dërguar delegatin e tij të parë, El Ala ibn El Hadramin, tek guvernatori i Bahrejnit të atëhershëm (që asokohe shtrihej në brigjet e Gjirit Persik, nga Basra e duke përfshirë Kuvajtin, El Ihsau – krahinë në Arabinë Saudite –, vetë Bahrejnin e sotëm, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e deri tek Umani), Mundhir ibn Sava Et-temimi dhe kishte ftuar atë dhe popullin e Bahrejnit, në Islam. Guvernatori in Sava, duke përqafuar Islamin, iu përgjigj kësaj ftese, dhe rrugën e tij e ndoqën të gjithë arabët që jetonin në Bahrejn dhe disa nga persianët e popullatës së tij. Me këtë veprim filloi periudha islame në Katar. Më pastaj, Muhamedi a.s. kishte emëruar El Ala ibn El Hadrami’un mëkëmbës në Bahrejn, si dhe kishte caktuar xhizjen për ata që nuk kishin hyrë në Islam. Gjatë asaj periudhe të hershme të epokës islame, Katari ishte i njohur për lloje të ndryshme tekstili, të cilat eksportoheshin në rajone të ndryshme.
Thuhet se Muhamedi a.s. dhe gruaja e tij, nëna e myslimanëve, Ajsha r.a. kishin nga një burdë, të prodhuara në Katar. Gjithashtu, Umeri r.a. kishte një mantel të mbuluar me pupla, që ishte i prodhuar po në Katar8.

Klima

Klima në Katar karakterizohet nga vapa e madhe, thatësira dhe lagështi e theksuar. Vapa e madhe është kryesisht nga muaji maj deri në muajin shtator, me temperatura që arrijnë deri në 50 gradë Celsius, kurse temperaturat mesatare gjatë vitit mbretërojnë nga muaji nëntor deri në muajin maj. Pavarësisht nga kjo klimë e vendit, temperaturat në dimër mund të bien deri në 5 gradë Celsius. Të reshurat atmosferike janë shumë të rralla, të kufizuara vetëm në muajt e dimrit, e në disa raste ato janë shira me stuhi, që ndonjëherë shkaktojnë dëme të mëdha. Vetëm një pjesë e vogël e vendit ka kushte të mira për bujqësi9.

Gjendja ekonomike

Shtyllë e ekonomisë së Katarit është shfrytëzimi i burimeve të naftës. Në zhvillimin ekonomik të vendit ka pasur një përparim të dukshëm nga mesi i viteve tetëdhjetë, kur u zbulua fusha më e madhe në det të hapur, e njohur në botën e gazit, që është në zonën veriore bregdetare të shtetit të Katarit. Katari mburret gjithashtu edhe për sektorë të tjerë dhe të ndryshëm industrialë, dhe kjo ka ndikuar që vendi të jetë në rritje të qëndrueshme me mbështetjen tek industria e rëndë, e mesme dhe e lehtë. Katari është i përqendruar në tri zona industriale të vendit: zona industriale e qytetit Mesi’id, industria e re në qytetin Re’s Laffan dhe zona industriale në kryeqytetin e vendit, Doha.

* Përqindja e përkatësisë etnike në Katar ka shumë dallime nga një burim tek tjetri.

(1) Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 110. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame f. 14, 15. Logos-a, 2009, Shkup. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 453. Mektebetul Adab, 2007 Kajro.
(2) www.marefa.org
(3) www.moqatel.com
(4) www.indiaeduforum.com
(5) ar.wikipedia.org
(6) forum.jsoftj.com (7) Muhammed Atris; f. 454.
(8) http://lalipost.almountadaalarabi.com
(9) wikipedia.org/wiki.
(10) forum.jsoftj.com



Mr. Samir B. Ahmeti


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme