Shkencëtarët e Koresë së Jugut, thonë se së shpejti do të jetë i mundur shërimi i kancerit me nanorobotë, që janë shumë më efikas dhe më pak të dëmshëm sesa kimioterapitë e ndryshme.
Ata kanë zbuluar një bakterie gjenetike jotoksike që futet në një mikrokapsulë të mbushur me barëra të ndryshme, dhe që ka qasje të drejtpërdrejtë në qelizat e prekura nga kanceri.
Thuhet se kapsula sapo të ketë kontakt me qelizat e infektuara, ajo automatikisht hapet dhe lëshon barërat e kombinuara që ndalojnë sulmet në tru.
Shefi i grupit të hulumtuesve Park Jong-oh nga Universiteti Kombëtarë Chonnam, ka deklaruar para gazetarëve se ky sistem ka pasur sukses në trurin e miut, dhe se shpresojnë që shumë shpejt do të ketë sukses edhe tek njerëzit. Në këtë fazë të zhvillimit të projektit, bakter-robotët mund të detektojnë vetëm tumoret e vogla që nuk janë shpërndarë në gjithë trupin. Por, Park beson se me kalimin e kohës do të zhvillojnë programin e tyre, ku mikrokapsulat do të mund të detektojnë edhe llojet e tjera të kancerëve. Ky grup shkencëtarësh janë shumë të bindur se nanorobotët do të lehtësojnë mjekimin e pacientëve të prekur nga kanceri, pa pasur ndonjë efekt anësorë siç kanë kimioterapitë me humbje flokësh dhe anemi. Kjo teknologji moderne tashmë është patentuar në SHBA, Japoni dhe Evropë, por ende nuk është aprovuar për përdorim në njerëz. /Tribuna/