Shkencëtarët kanë paralajmëruar se bota rrezikohet nga shpërthimi i një supervullkani.
Sipas një eksperimenti të zhvilluar në qendrën "European Synchrotron Radiation Facility" (ESRF) në Grenoble, ata kanë bërë të ditur se vetëm shpërthimi i një magme me vëllim të madh do të sillte supershpërthime të tjera me pasoja katastrofike.
Studimi është kryer nga një ekip zviceran. Ekspertët bëjnë të ditur se këta "gjigantë të fjetur", të stimuluar nga ngrohja globale e tokës dhe nga presioni i brendshëm, mund të sjellin një fatkeqësi globale. Një nga shkencëtarët që po merret me këtë fenomen, Wim Malfait tha: "Ne e dimë që ora po troket, por nuk e dimë se sa shpejt mund të ndodhë dhe çfarë duhet për të shkaktuar këtë supershpërthim".
Ai tha se, që të ndodhë kjo katastrofë nuk duhet pasur një faktor shtesë që ta nxisë, por sipas tij, këto vullkane mund të shpërthejnë për shkak të madhësive që kanë, të stimuluar dhe nga kushtet e tjera. Shkencëtari përmendi rreth 20 qendra vullkanike, që mund të jenë me pasoja katastrofike për njerëzimin. Ndër qendrat vullkanike më të rrezikshme janë: Liqeni Toba në Indonezi, liqeni Taupo në Zelandën e Re dhe, disi më të vogla, qendrat në Phlegraean Fields, afër Napolit në Itali./Balkanweb/