Të dhënat statistikore: (1):
* Emri ndërkombëtar në anglisht: Syrian Arab Republic.
* Emri zyrtar: Republika Arabe e Sirisë.
* Sistemi i qeverisjes: Republikan.
* Sipërfaqja: 186,475 km².
* Numri i banorëve: 22.530.746 (2012).
* Dendësia: 118.3 (banorë në 1 km²).
* Feja: Muslimanë 90% (74% sunitë, 16% shiitë dhe druzë), të krishterë 10% (dhe grupe nga hebrenj si në Damask, Kalishli dhe Aleppo).
* Kryeqyteti: Damasku (konsiderohet qyteti më i madh i vendit).
* Qytete të tjera: Latakia, Idlib, Aleppo, Errek-kah, El hasekeh, Tartus, Hama, Hums, Der’a, etj..
* Grupet etnike: Arabë 90.3%, Kurdë, Armenë dhe grupe etnike të tjera 9.7%.
* Gjuhët kryesore: arabe (gjuhë zyrtare), kurde, armene, aramite, çerkeze, si dhe gjuhët frënge e angleze.
* Njësia monetare: Lira (Pound) siriane (1.00 SYP = 0.0064 EUR).
* Data e pavarësisë: 1 shtator 1918 (nga Perandoria Osmane); 17 prill 1946 (nga Franca).
* Festë kombëtare: 17 Prill (Dita e shpalljes të Pavarësisë së vendit).
Pozita gjeografike
Republika Arabe e Sirisë si një shtet i Azisë bie në perëndim të kontinentit, përkatësisht shtrihet në anën veri-lindore të detit Mesdhe. Nga perëndimi kufizohet me Libanin me një gjatësi deri në 375 km dhe me Izraelin me një gjatësi 76 km, nga veriu me Turqinë me një gjatësi deri 822 km, nga lindja me Irakun me një gjatësi 605 km dhe nga jugu me Jordaninë me një gjatësi deri 375 km. Nga anët detare Siria kufizohet me një varg malesh, në anën lindore ka zonën e njohur të quajtur Shkretëtira Siriane dhe në anën jugore janë vargmalet Druze. Burimi më i rëndësishëm i ujit në Siri është lumi Eufrat (buron në Turqi), i cili shtrihet në lindje të vendit. Mbi këtë lumë është ngritur një pendë e madhe në vendin Tabeka. Lumi kryesor në perëndim të vendit është lumi El Asi (Orontes), i cili buron në Liban, afër qytetit Ba’lebek. Rrjedha e këtij lumi vazhdon drejt veriut deri në perëndim të Sirisë, për të ikur tutje deri në Antaki në jug të Turqisë, pastaj vazhdon në drejtim të perëndimit për t’u derdhur në detin Mesdhe. Gjatësia e lumit Orontes arrin 571 km (355 mila). Pjesa më e madhe e tij kalon në perëndim të Sirisë, ku mbi të janë ngritur penda për ujitjen e tokave pjellore(2).
Në Siri, për shkak të pozitës gjeografike, mbizotëron klimë mesdhetare me reshjet atmosferike të kufizuara kryesisht në pjesën e fundit të vjeshtës, gjatë dimrit dhe në pjesën e parë të pranverës. Ndërkaq, gjatë dimrit është ftohtë dhe mund të bjerë edhe borë; në këtë stinë mund të bien mjaft temperaturat. Pjesa e mbetur e vitit është kryesisht e thatë dhe nxehtësia nuk ndryshon shumë – temperaturat mesatare sillen 27 - 40 gradë Celsius(3).
Damasku: Është kryeqyteti i Sirisë dhe qyteti më i madh i Sirisë, që ndodhet në jugperëndim të vendit. Ky qytet është i njohur dhe ishte i banuar afërsisht që nga vitet 8.000 – 10.000 para erës sonë. Me këtë përparësi, Damasku llogaritet kryeqyteti i parë dhe më i vjetër i banuar në botë. Damasku u çlirua nga muslimanët në vitin 14h/636m. Më pastaj, pasi u bë kryeqyteti i familjes emevite – e cila gjatë periudhës së viteve 40 – 132h /661 – 750m shtrihej nga Spanja deri tek kufijtë e Kinës dhe ishte shteti më i madh islam në histori – Damasku brenda një kohe të shkurtër arriti kulmin e përparimit. Gjithashtu Damasku gjatë historisë së lashtë ka qenë kryeqytet i disa mbretërive e shteteve dhe aty kishin lulëzuar kultura, arti, letërsia dhe industri të ndryshme. Sikur shihet, Damasku ka pasur një rëndësi të madhe në të gjitha periudhat gjatë historisë. Numri i banorëve të këtij qyteti me rrethinë arrin afërsisht 2.600.000 banorë (sipas vlerësimeve statistikore të vitit 2009)(4).
Përhapja e fesë Islame në Siri
Feja Islame në Siri hyri në kuadër të çlirimeve islame, përkatësisht gjatë sundimit të halifit të drejtë Umer in Hat-tabi r.a., konkretisht në vitin 14h/636m. Prijësit e ushtrive islame në krahinat e Biladu Sh-shamit në atë kohë ishin Halid ibn Velidi r.a. – i cili çliroi Damaskun – dhe Ebu Ubejde ibnul Xher-rahu r.a. – i cili çliroi Humusin, Haman, Latakian, Tartusin dhe Aleppon. Të gjitha qytetet e Sirisë ishin çliruar me paqe dhe pa luftë. Kur çliruan Sirinë, muslimanët sirianëve u dhanë siguri personale, pronësore dhe fetare. Dekreti i sigurisë për Damaskun ishte një shembull që iu dha më vonë të gjitha qyteteve të tjera përreth. Dekreti në fjalë ishte ky: “Kjo është ajo – siguria – që Halid ibn Velidi i dha popullit të Damaskut, kur ai hyri aty, atyre u dha siguri për veten e tyre, paratë dhe kishat e tyre, për muret e qytetit të tyre, nuk shkatërrohet dhe nuk bën të shfrytëzohet për banim asnjë nga shtëpitë e tyre. Me këtë, atyre u takon besa e Allahut, e të dërguarit të Tij, e halifëve dhe e besimtarëve, nga kjo besë ata nuk do të kenë tjetër veçse të mira, nëse e japin xhizjen”. Shtetet e Shamit – Siria, Libani, Palestina dhe Jordania – u çliruan shumë shpejtë dhe nga një numër i vogël ushtarësh muslimanë. Disa historianë e shpjegojnë këtë duke veçuar edhe dëshirën e banorëve vendas, për të shpëtuar nga padrejtësia e Perandorisë Romake-Bizantine, e cila kishte nën kontroll rajonet e sipërpërmendura. Në hapat e parë, Feja Islame filloi të përhapej në qytetet e mëdha të vendit, ku Humusi llogaritet qyteti i parë, në të cilin ishte përhapur Islami më së shpejti. Ndërkaq, rajonet rurale mbetën me shumicë të krishtera deri në fund të sundimit të Dinastisë Emevite. Pra, që nga koha e Hulefai-Rashidinëve – Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit dhe Aliut r.a. –, Feja Islame në Siri kishte filluar të përhapej në mënyrë graduale dhe paqësore(5).
Historia e Sirisë
Thuhet se në kohët e lashta Egjipti kishte pushtuar Sirinë rreth vitit 1500 para erës sonë. Pastaj e pushtuan hebrenjtë, asirianët, persianët dhe grekët. Ndërkaq, që nga viti 64 para erës sonë e deri në vitin 636 m, kur muslimanët e çliruan Sirinë, vendi ka qenë pjesë e Perandorisë Romake, e më pastaj e asaj Romake-Bizantine.
Siria, që në kohën e çlirimit dhe të sundimit të tre halifëve të drejtë - Umerit, Uthmanit dhe Aliut r.a., të Emevitëve dhe të Abasitëve, kishte lulëzuar dhe kishte arritur kulmin e përparimit dhe të zhvillimit. Mandej, në vitin 922h/1516m Siria ra nën kontrollin e turqve osmanë dhe vendi konsiderohej vilajet i Perandorisë Osmane, për të mbetur në këtë gjendje deri në Luftën e Parë Botërore. Sipas aleancës anglo-franceze të vitit 1906, qe vendos që Siria të ishte nën ndikimin e Francës. Mandej, në vitin 1930 Franca e njohu Sirinë si Republikë të pavarur, edhe pse vendi mbeti ende nën mandatin francez. Siria pavarësinë e plotë e arriti në vitin 1946, atëherë kur forcat franceze u tërhoqën nga Siria. Pastaj në vitin 1948, së bashku me Shtetet e tjera Arabe, Siria mori pjesë në luftën e Palestinës, në të cilën Forcat Arabe pësuan disfatë. Ndërkaq, në vitin 1958 Siria u bashkua me Egjiptin dhe të dy shtetet formuan Republikën e Bashkuar Arabe. Ky bashkim nuk zgjati më shumë se tre vjet, ngase në vitin 1961 Siria u shkëput nga Egjipti, kurse në vitin
1963 Partia Socialiste Ba’th mori pushtetin dhe bëri thirrje për nacionalizmin arab, kështu që u bë e vetmja parti e ligjshme në vend. Më vonë, në qershor 1967 në vend shpërtheu lufta gjashtëditore me Izraelin, dhe forcat izraelite pushtuan Golanin sirian. Më pastaj, në vitin 1971 Hafidh El Esed u zgjodh President i Republikës së Sirisë. Sundimi i tij do të zgjaste deri në vdekjen e tij, përkatësisht në vitin 2000, kur postin e kryetarit të vendit e trashëgoi i biri, Besh-shar el Esed, menjëherë pasi kishte marrë presidencën e partisë në pushtet(6).
Mirëpo, në mars të vitit 2011 në Siri shpërtheu revolucioni i popullit sirian, i cili u organizua kundër pushtetit të Besh-shar El Esedit. Revolucioni në fjalë nisi me protesta të organizuara nga vetë populli në qytetin Der’a, për të vazhduar edhe nëpër qytete të tjera, me parulla që bënin thirrje për liri. Në protesta morën pjesë edhe personalitete nga zona të ndryshme të vendit. Më pastaj, këto protesta u shndërruan në revolucion të armatosur, i cili solli shumë viktima (sipas një statistike, nga marsi 2011 deri në mars 2013 kanë humbur jetën mbi 70 000 njerëz)(7).
Konflikti i armatosur vazhdon edhe sot. Ne E lusim Allahun e Madhërishëm që ky konflikt të pushojë sa më parë dhe të bëhet zgjidhja e problemit të popullit sirian sa më shpejt që të jetë e mundur, amin!
Gjendja ekonomike
Sektori i bujqësisë përbën shtyllën kryesore të ekonomisë së Sirisë, duke u bazuar në përqindjen e punëtorëve të këtij sektori. Prodhime kryesore bujqësore siriane janë: gruri i zonës së lumit Eufrat dhe kultura e pambukut. Pambuku sirian konsiderohet prej llojeve më cilësore. Në vend kultivohen lloje të ndryshme të pemëve dhe perimeve. Ekonomia siriane gjithashtu mbështetet në naftë me një prodhim nafte baras me 3 miliardë euro në një vit, që përdoret për nevoja të brendshme dhe për eksport. Të ardhurat nga prodhimi i naftës përbëjnë një
pjesë të madhe të të ardhurave kombëtare neto(8).
1)Vladimir Zoto Enciklopedi gjeografike e botës, f.208. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame, f. 66, 67. Logos-a, 2009, Shkup. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 369. Mektebetul Adab, 2007 Kajro.
2) Muhammed Atris; f.369.
3) www.marefa.org.
4) www.tefanet.org.
5) http://ar.wikipedia.org/wiki.
6)Muhammed Atris; f. 370.
7) http://ar.wikipedia.org/wiki
8)www.marefa.org/index.php.