Të dhëna statistikore(1):
• Emri ndërkombëtar në anglisht: Comoros Islands.
• Emri zyrtar: Republika Federale Islame e
Ishujve Komore.
• Sistemi i qeverisjes: Republikan.
• Sipërfaqja: 2,235 km².
• Numri i banorëve: 798.000 (2005).
• Dendësia: 275 (banorë në 1 km²).
• Feja: myslimanë 98%, të krishterë (katolikë) 2%.
• Kryeqyteti: Moroni (konsiderohet qyteti më i madh
në vend; përveç që është kryeqyteti i tre ishujve
Komore, është edhe i njërit prej tyre – Negarixha).
• Qytete të tjera: Mutsamudu (kryeqyteti i
ishullit Anzhuan), Fomboni (kryeqyteti i ishullit
Moheli), Domoni, etj.
• Grupet etnike: Antalote, Cafre, Makoa,
Oimatsaha, Sakalava dhe Arabë.
• Gjuhët kryesore: arabe dhe frënge (të dyja
zyrtare) dhe shikomoro (gjuhë komorase e përzier
nga dy gjuhë: bregdetare vendëse dhe arabe).
• Njësia monetare: Franga komore, (1.00 KMF =
0.0020 EUR).
• Data e Pavarësisë: 6 qershor 1975 (nga Franca).
• Festë Kombëtare: 6 qershor 1975 (Dita e
Pavarësisë).
Republika Federale Islame e Ishujve Komore, si një shtet i vogël, përbëhet prej tre ishujve: Negarixha, Anzhuan dhe Moheli, të cilët (edhe pse ka shumë ishuj të tjerë të vegjël në vend) konsiderohen ishujt kryesorë në arkipelagun e Komoreve.
Arkipelagu i Komoreve bie në Oqeanin Indian, në kanalin e Mozambikut, në mes bregdetit të Afrikës dhe pranë Mozambikut, Tanzanisë dhe Madagaskarit. Republika e Ishujve Komore (që llogaritet vendi i tretë më i vogël afrikan – për nga sipërfaqja, dhe vendi i gjashtë më i vogël afrikan - për nga popullsia), nuk ka kufij tokësorë me asnjë shtet fqinj. Duke pasur parasysh sipërfaqen tokësore të vogël të vendit, Republika e Ishujve Komore llogaritet një nga vendet më të vogla në botë. Ishujt Komore përfshijnë 320 km2 të ujërave territoriale, vargmale të larta dhe kodrina të ulëta. Ishulli Negarixha, për nga sipërfaqja tokësore, konsiderohet më i madhi në arkipelagun e Ishujve të Komoreve. Përveç kësaj, ky ishull llogaritet më i zhvilluari dhe ka një sipërfaqe shkëmbore. Ndërkaq, ishulli Moheli, për nga sipërfaqja tokësore, llogaritet më i vogli nga ishujt kryesorë të vendit. Ishulli Anzhuan ka sipërfaqen 224 km2 dhe 250.000 banorë, shumica e të cilëve janë myslimanë. Sipërfaqja e tërësishme e vendit arrin përafërsisht 2170 km2, dhe e tëra është zonë tokësore. Vendi, nga të katër anët, kufizohet me ujëra: me Oqeanin Indian, në një gjatësi të përgjithshme detare deri 340 km. Pikën më të ulët në Republikën e Ishujve Komore e ka territori në nivelit të detit, në brigjet bregdetare të Oqeanit Indian, kurse më të lartën e kanë majat e malit Le Karthala, që arrijnë lartësinë deri 2360 metra mbi nivelin e detit(2). Bazuar në të dhënat e vitit 2008, Komore ka 3 aeroporte të asfaltuara. Në vend ka edhe një numër të konsiderueshëm portesh detare,prej t’i cilave kryesoret janë portet Majotte dhe Mutsamudu(3).
Komoret ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore.
Prej universiteteve më të njohura në vend, janë: Universiteti La Gran i Komoreve, universiteti La Salle i Komoreve, Universiteti Kombëtar i Komoreve, universiteti Francisco de Paula Santander, Universiteti Industrial i Santanderit, Universiteti del Atlantico, etj.(4)
Moroni: Si kryeqytet është nga viti 1962, një vit pasi kishte shpallur pavarësinë nga Franca. Moroni ndodhet në bregun perëndimor të ishullit më të madh të vendit, Negarixha. Ky qytet ka një popullsi prej 60.200 banorësh (s. 2003). Në këtë qytet gjendet një prej porteve më të njohura detare të vendit, i cili bën lidhjen e kryeqytetit me ishujt e tjerë të vendit, me Madagaskarin dhe me shtetet e tjera bregdetare afrikane të kësaj zone të Oqeanit Indian. Në brendësinë e mureve të Moronit gjenden gërmadhat e qytetit të vjetër, të cilin e kishin shkatërruar francezët në shekullin XIX.(5)
Historia e Komoreve
Historianët besojnë se diku në fillim të erës sonë një numër i malgashij-jinëve të ardhur nga Indonezia, kishin arritur në Komore. Mandej, duke filluar nga shekulli V, grupe të ndryshme detarësh, si indonezianë, indianë, persianë dhe kinezë ishin vendosur në Ishujt Komore. Prania e këtyre të fundit në ato rajone kishte ndodhur kur po zhvilloheshin aktivitete tregtare të ndërsjella në mes Azisë dhe Afrikës, më drejt në mes të popujve të këtyre dy kontinenteve. Pastaj, duke filluar nga shekulli VII dhe sidomos nga shekulli VIII (i cili përbënte kulmin e periudhës së artë për myslimanët) myslimanët arabë arritën të kontrollonin lëvizjet e këmbimit tregtar në ato rajone dhe imponuan monedhën e tyre (dinarin) si valutë këmbyese në tregtinë e vendit. Shumica e atyre tregtarëve myslimanë ishin nga Adni Hadramevti – qytete në Jemenin e sotëm – dhe nga Meskati – kryeqyteti i Omanit të sotëm.
Me vendosjen e pushtetit të myslimanëve në arkipelagun e Komoreve, u arrit që në secilin prej këtyre ishujve të sundonte nga një sulltan mysliman, si dhe të mbeteshin lidhje të forta midis çdo sulltani dhe vendit të tij të origjinës. Portugezët arritën t’i zbulonin Ishujt Komore vetëm në fillim të shekullit XVI, por ata nuk qëndruan gjatë dhe i braktisën ata. Mandej aty u kthye sundimi i sulltanëve myslimanë, të cilët do të qëndronin aty deri në shekullin XVIII, dhe ajo periudhë kohore ishte quajtur “periudha e sulltanëve luftëtarë”, për shkak të luftërave që kishin zhvilluar në mes tyre. Sulltanët myslimanë do të zëvendësoheshin nga francezët, të cilët i pushtuan këta ishuj, njërin pas tjetrit, për një gjysmë shekulli, pikërisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Në këta ishuj, në vitin 1904 qe pezulluar tregtia me skllevër, dhe kësodore po merrte fund ajo dukuri e njohur për kohën dhe e dëmshme, që kishte shtrirje në ato rajone. Pastaj, në vitin 1912 ishujt Komore u bashkuan dhe u bënë një koloni franceze, e lidhur me Madagaskarin. Më pastaj, në vitin 1947 Ishujt Komore u bënë një nga krahinat franceze përtej ujërave dhe u shkëputën nga Madagaskari.
Ndërkaq, në vitin 1961 vendi arriti të fitonte autonomi të brendshme, kurse, në korrik të vitit 1975, Ishujt Komore arritën pavarësinë nga Franca (me përjashtim të ishullit Mayotte, i cili ndodhet në juglindje të arkipelagut të Komoreve, sepse
populli i tij votoi për të mbetur pjesë e Francës, për shkak se shumica e banorëve janë të krishterë, sa kohë që shumica e banorëve të tre ishujve të tjerë të Komorove janë myslimanë).(6)
Historia e përhapjes së islamit
Ka një mendim të historianëve, sipas të cilëve Feja Islame arriti në Ishujt Komore kishte arritur në shekullin 1 hixhri (VII miladi), përmes tregtarëve dhe pedagogëve myslimanë arabë, kryesisht nga Jemeni. Mandej, përhapja e Islamit u zgjerua nëpër rajonet e vendit në shekullin II dhe vazhdoi të shtrihej në këta ishuj, ku ekziston edhe sot. Ka disa historianë që theksojnë se si arritja e myslimanëve të parë në Ishujt Komore të kishte rastisur në një natë të ndriçuar nga reflektimet e bukura të hënës, prandaj ishujt do t’i quanin “Xhuzurul Kamer”, që d.m.th. “Ishujt e Hënës”.
Këta historianë thonë që arabët ishin që kishin zbuluar ishujt Komore dhe i quajtën ashtu, sepse ishujt më përpara nuk kishin pasur ndonjë emër. Përhapja e Islamit në ishuj mori hov të madh, saqë përfshiu të gjithë ishujt Komore dhe aty rrënjosi parimet e tij Sheriati Islam. Mandej u formuan edhe qeveri islame, të cilat ekzistuan që nga koha e hyrjes së Islamit në Komore, e derisa u dobësuan dhe erdhi koha e ndërhyrjes së kolonizimit francez aty.(7)
Mirëpo, sipas një mendimi tjetër të historianëve, përqafimi i Fesë Islame nga banorët e arkipelagut të Komoreve kishte filluar që nga shekulli IV h. (X miladi), ose më herët, dhe realizohej përmes rrugës së emigrantëve të ardhur nga vendet jugore arabe dhe nga Gjiri Arabik – Gjiri Persik –. Për shkak të vendndodhjes së ishujve Komore në Oqeanin Indian, vendi i tyre ishte stacion i tregtarëve që kaluan nëpër Oqean, rrugë e lidhjeve tregtare në mes bregdetit afrikan, bregdetit arab, bregdetit indian dhe ishujve të Indonezisë. Pikërisht për këtë arsye, banorët e ishujve Komore përbëjnë një përzierje racash - arabësh, iranianësh dhe indianësh, si dhe disa komunitetesh afrikane, aziatike dhe, në veçanti, malaje. Më pastaj ishte zhvilluar/krijuar një racë e banorëve të arkipelagut të Komoreve, nga bantu dhe malajash, e cila ishte përzier me arabët dhe me të tjerët, për t’u njohur si “raca komore”. Islami në Ishujt Komore është feja e shumicës dërrmuese, sepse myslimanët përbëjnë 98% të popullsisë së vendit dhe zbatojnë e praktikojnë parimet islame me një përkushtim të madh. Arabishtja është gjuha e studimeve islame në vend, kurse gjuha vendëse përdoret në brigjet e vendit. Pasi u çliruan nga kolonizimi francez në vitin 1975, lidhjet e Ishujve Komore u shtuan edhe më shumë me Botën Islame, prandaj paraqitën kërkesën që zyrtarisht t’i bashkoheshin Ligës Arabe, për t’u pranuar anëtare e Ligës Arabe në vitin 1993.(8)
Klima
Klima në Ishujt Komore karakterizohet si një klimë kryesisht tropikale, e ngrohtë dhe e thatë. Kjo pasqyrë e klimës së vendit mbretëron nga muaji maj deri në muajin tetor. Temperaturat në vend arrijnë 29-30 gradë celsius gjatë muajit mars, kurse stina e shirave në vend zotëron nga muaji nëntor deri në muajin prill.(9)
Gjendja ekonomike
Ishujt Komore konsiderohen nga shtetet më të varfra në botë. Vendi nuk posedon industri të madhe dhe deri tash nuk i ka prirë fati të zbulonte ndonjë burim të rëndësishëm mineral. Ekonomia e Komoreve mbështetet kryesisht në bujqësi; 80% e popullsisë janë bujq, fermerë dhe peshkatarë. Merren kryesisht me kultivimin e të lashtave dhe frutave të ndryshme, si: oriz, banane, arra, bimë e fruta të ndryshme për vajra aromatike etj.. Shkëmbimet tregtare të këtij shteti të vogël bëhen kryesisht me Francën, Madagaskarin, Pakistanin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komoret marrin shuma të mëdha ndihmash financiare nga Franca. Disa stacione të radios në vend kanë transmetuar një program gjithëpërfshirës, përmes të cilit synohej luftimi i varfërisë dhe papunësisë. Ky program ishte paraqitur në konferencën me temën: “Donatorët dhe rritja ekonomike”, e cila u mbajt në ishullin e Morhes më 12/08/2005, ku morën pjesë Kryetari i Afrikës së Jugut, përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe një numër i biznesmenëve të huaj.(10)
________________
(1) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 314. Mektebetul Adab, 2007, Kajro. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame f. 42, 43. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 122. Dasara, 2007, Tiranë.
(2) www.moqatel.com
(3) www.moqatel.com
(4) comoroseducation.info
(5) www.marefa.org.
(6) Muhammed Atris; f. 315. www.arab.sh2elh.com
(7) Mr. Mesh’hur Hasen Hamud, Dr. Hasen Jusuf Ebu Semur dhe Umer Muhammed El-Armuti, Mevsuatu-l-Alemi-l-Islami, f: 330. boton: Vekaletun- Neiimi Li-l-i’lani ve t-Tiba’ati, Amman – Jordani, 1994.
(8) Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; El Vexhiz fi Gjugrafia El Alem El Islami, f. 155. Dar Alem El Kutub, 1997, Rijad.
(9) ejabat.google.com (10) www.marefa.org
Mr. Samir B. Ahmeti