Pak nga historia e Islamit në Peqin

Peqini radhitet ndër qytetet më të vjetër të Shqipërisë si Durrësi, Kruja, Shkodra e Berati.

Zbulimet arkeologjike dëshmojnë se trevat e Peqinit janë banuar me shoqëri njerëzore deri në 40 000 vjet para Hazreti Isait a.s. Në vitin 150 para Hazreti Isait a.s. Komandanti romak Ap Klaudi vendosi garnizonin e tij në Peqin dhe kësaj qendre të banuar, për nder të tij, i u vendos emri Klodiana. Kjo qendër ishte me rëndësi strategjike dhe ekonomike sepse ndodhet në qendër të vendit dhe se këtu bashkoheshin rrugët që vinin nga Apallonia dhe Durrakium dhe vazhdonin deri në Kostandinopojë (Stambolli i sotëm), këtë e dëshmon historiani grek Polibi në shkrimet e tij të vitit 120 para Hazreti Isait a.s.



Për qytetin e Klodianes flet edhe historiani tjetër grek Straboni, në librin “Itinerarium Provinciarium” i cili ka jetuar në vitet 63 – 20 para Hazreti Isait a.s., kur Maqedonia u bë provincë romake. Qyteti Klodiana përmendet edhe në “Itinerarin e Burdigales” e vitit 333 shkruar nga një murg i cili në vitin 333 ka bërë një udhëtim nga Bordoja ne Jeruzalem dhe ka fjetur ne qytetin e Klodianës. Historiani Malhu shkruan: deri në vitin 479 Peqini njihej si qendër e zhvilluar urbane, por invazioni i gotëve me Teodorikun, sulmuan dhe shkatërruan këtë qytet, ku sipas historianëve ishte me shtëpi shumë të dendura. Në vitin 1200 Peqini rimori një zhvillim të ri dhe meqenëse ndodhej në kryqëzim të rrugëve dhe shërbente si stacion pushimi për udhëtarët mori emrin Beklejem. Në vitin 1431 me urdhrin e sulltan Muratit të dytë u bë regjistrimi i popullsisë dhe Peqini (Beklejemi) rezultonte me 2600 banorë.



Në shekullin e XV, në vitin 1450 mbi rrënojat e kalasë së periudhës romake u ndërtua një kala e re. Nga kjo periudhë deri në vitin 1968 në Peqin ishin instaluar 4 topa, nga të cilët 3 topa ndodheshin në muret e kalasë dhe një top i vendosur në kodrën më të lartë të qytetit (edhe sot ky vend quhet Kodra e Topit), dhe përdorej gjatë muajit Ramazan i cili qëllonte për hapjen e iftarit dhe për përfundimin e syfyrit. Thirrja e ezanit në kazanin e minares dhe oshtima e topit dëgjoheshin jo vetëm në Peqin, por edhe në fshatrat për rreth qytetit. Me ndalimin e fesë nga regjimi Komunist u hoqën edhe topat. Në vitin 1500 Peqini njihet me emrin Peklin. Në vitin 1600 me ndryshimin e trajtës morfologjike merr emrin Peqin
Kronikani osman Evlia Çelebi shkruan: Në vitin 1656 Abdurrahman Pashë Peqini ka ndërtuar në qendër të qytetit Peqin, xhaminë e madhe me minaren qiellshpuese, kjo xhami ishte më e madhja nga 7 (shtatë) xhamit e tjera, që ndodheshin në Peqin. Në portën e kësaj xhamie gjendet e shkruar viti 1656 dhe shkrimi “I qofshim falë Zotit që kjo xhami e re u ndërtua. Cilido që do ta shohë do t’i defrejë zemra. Në mes të pranverës u krye ndërtimi i saj. Ju bekoftë Zoti, o të pasur që shkëlqyet datën e përurimit”. Më tej Çelebiu vazhdon e thotë: Veç kësaj xhamie është e famshme dhe e bukur në Peqin edhe xhamia e Hariz Zades me hajatin e saj të bukur dhe minaren e lartë dhe të hijshme e ndërtuar me gurë dhe qagjir në lindje të kalasë së Peqinit, xhami kjo e ndërtuar para asaj të Abdurrahman Pashë Peqinit dhe shquhej për më shumë xhemat.



Një tjetër xhami e bukur në këtë qytet ishte edhe xhamia e parë me minare e ndërtuar para vitit 1500 në lagjen më të vjetër të Peqinit e quajtur lagja Atik, e cila ndodhet në Jugperëndim të qytetit, në pjesën më të lartë buzë lumit Shkumbin, kjo xhami ka mbajtur gjithmonë emrin Xhamia e Vjetër. Në këtë periudhë në Peqin kishte 7 xhami, ndërtuar në 7 lagjet e qytetit, nga këto 4 (katër) xhami ishin me minare e qagjirë dhe tre xhami ishin me tjegulla. Më tej Çelebiu vazhdon: Në këtë periudhë Peqini ka 3 (tre) Medrese e 7 (shtatë) Mesxhide me studentë të ndershëm e të urtë, të cilët ishin më të dalluar se studentët e krahinave për rreth. Peqini ka edhe 5 (pesë) mejtepe (shkolla fillore), me nxënës shumë të zgjuar, të cilët dinë të lexojnë përmendësh shumë libra e vjersha. Popullsia e këtij qyteti i është përkushtuar diturisë. Sipas llogaritjeve të Çelebiut në këtë periudhë, në vitin 1650 Peqini kishte 4000 (katërmijë) banorë, ku spikatnin 400 shtëpi dy katëshe, të bukura si pallate, ndërtuar me qagjir e në dy pode të mbuluara me tjegulla e të stolisura me kopshte të bukur e shatërvanë. Këtu gjenden shumë lloje pemësh të favorizuara nga klima e mirë e këtij qyteti. Në këtë periudhë Peqini ka 200 (dyqind) dyqane, numri i madh i të cilëve justifikohet nga ardhja e shumë fshatrave për Pazar dhe si qendër tranzite për udhëtaret drejt lindjes (Stamboll), drejt perëndimit (Durrës) dhe drejt jugut (Apolloni).
Mbasi u njohëm me panoramën e objekteve fetare, arsimore dhe lulëzimin e Peqinit në këtë periudhë më poshtë po paraqesim shkurtimisht jetën dhe veprën e ndërtuesit të xhamisë në qendër të qytetit Abdurrahman Pashë Peqini.



Abdurrahman Pashë Peqini (1616 – 1686)

Lindi në fshatin Çiçul (Çopanaj) Peqin më 1616. Mësimet e para i mori në Medresenë e Peqinit dhe më pas vazhdoi studimet e larta ushtarake në Stamboll. Në vitin 1667 u bë Agai (komandanti) i jeniçerëve dhe fitoi luftën e Kretës (luftë e cila kishte filluar para 100 vitesh) dhe për këtë fitore iu dha titulli “Pasha” dhe të drejtën për të zotëruar kazan e Peqinit. Në vitin 1673 fitoi gradën e Vezirit dhe postin e guvernatorit në Bagdat. Në vitin 1675 u bë guvernator i Egjiptit. Në vitin 1680 u bë guvernator i Bosnjës. Në vitin 1681 u bë guvernator i Budës në Hungari dhe në vitin 1685 u emërua komandant i ushtrisë Osmane në Hungari. Po atë vit shkoi guvernator në Halep. Në vitin 1686 u emërua për herë të dytë guvernator i Budës në Hungari. Me aftësitë e tij si lider dhe ushtarak bëri të mundur sundimin e territoreve të Hungarisë. Më 2 Shtator 1686 Abdurrahman Pashë Peqini u vra në luftë në krye të ushtrisë. Aftësitë e tij intelektuale dhe komanduese i vlerësonte jo vetëm Porta e Lartë por edhe Hungaria megjithëse ishte nën sundimin e tij. Në vendin ku u vra në pjesën veriore të kështjellës së Budës, në kujtim të këtij komandanti të famshëm në vitin 1932 Hungarezët ndërtuan një memorial ku në gjuhën hungareze dhe turke shkruhet: “Guvernatori i fundit i okupimit të gjatë 145 vjeçar të Budës nga Turqit, Abdurrahman Abdi Arrnaut Pasha ra në këtë vend më 2 Shtator 1686 në moshën 70 vjeçare. Ai ishte një armik hero, u prehtë në paqe”. Ky memorial ndodhet edhe sot i pa prekur, dhe gjatë viteve të fundit shumë intelektualë nga Peqini e kanë vizituar këtë memorial.
Popullsia e Peqinit e përqafoi Islamin që në fillimet e ardhjes së Turqve në Shqipëri, kjo dëshmohet me ndërtimin e shumë xhamive dhe shkollave fetare në këtë qytet. Sipas dokumenteve historike ne vitin 1670 në qytetin Peqin dhe në fshatrat në varësi të Peqinit nuk kishte as një të krishterë, e gjithë popullsia 100 % ishte myslimane. Në këtë periudhë në krye të drejtimit të fesë ishte Myftiu, i cili kishte në administrim: Ulematë (dijetarët e fesë), Sulehatë (të urtët e fesë islame), Hytebatë (mbajtësit e hytbeve për ditë Xhumaje), Imamët (funksionaret e xhamive), Hoxhallarët (mësuesit e shkollave të Kur’anit).



Në vitin 1815-1822 për të plotësuar funksionimin e xhamisë në qendër të qytetit dhe për zbukurimin e ambienteve për rreth saj, Sulejman Pashë Peqini ndërtoi kompleksin e ri, punime të cilat vazhduan 8 vjet rresht, periudhë gjatë së cilës u kryen këto punime: Përfundoi kulla e sahatit me lartësi 18 m nga bazamenti, e cila bashkë me xhaminë sot simbolizojnë qytetin e Peqinit, u bë rikonstruksioni i plotë i xhamisë së ndërtuar nga Abdurrahman Pashë Peqini (1656) me minaren elegante me lartësi 30m nga bazamenti dhe kuben e bukur, fasada e përparme u pajis me kolona të gdhendura nga duart e mjeshtrave të gurit, u dekoruan muret e brendshme me shkrime Kur’ani, u hap një pus i ri për t’i shërbyer xhamisë, qytetit dhe kalimtarëve për të pirë ujë e për t’u freskuar, në anën lindore të xhamisë u ndërtua një medrese 2 katëshe, një furrë buke, 11 dyqane dhe një banjo publike, të gjitha këto në varësi dhe pronësi të xhamisë Peqin.
Xhamia e bukur dhe shumë funksionale së bashku me medresenë deri në verën e vitit 1967 ishin qendra praktikimi dhe mësimi të fesë islame dhe qendra shumë të vizituara nga turistët e huaj për vlerën arkitekturore dhe historike.[1] Megjithëse xhamia u shemb dhe feja u ndalua me ligj, populli i Peqinit nuk u distancua nga feja. Në mënyrë të fshehtë aplikohej falja e namazit, agjërimi i Ramazanit dhe therja e kurbaneve. Edhe ish hoxhallarët e qytetit mbajtën qëndrim dinjitoz, megjithëse regjimi i mbante nën survejim dhe i punësoi në punë të rëndomta, si ish myftiu Hamid Hallulli, megjithëse në moshë të thyer e dërguan punëtor betoni dhe gjatë muajit Ramazan hoxhallarëve dhe atyre që njiheshin si besnikë të fesë islame, provokatorët e sigurimit të shtetit i servirnin cigare dhe ushqime për t’i prishur agjërimin, ndërsa hoxha i mirënjohur në Shqipërinë e mesme për dituri fetare Osman Haskasa u dënua me burgim nga regjimi komunist për ushtrim e propagandë fetare.
Në historinë e tij Peqini ka disa figura të shquara fetare si:

Shyqyri Efendi Myftiu (1896-1945)

Lindi në Peqin, mësimet e para i mori në medresenë e Peqinit dhe më pas vazhdoi gjimnazin e Manastirit. Ne vitin 1918 laureohet për Teologji dhe Drejtësi në Misir (Kajro). Në vitin 1921-1922 është deputet i Peqinit në Asamblenë e Këshillit Kombëtar. Më 23 Shkurt deri 12 Mars 1923, Shyqyri Efendi Myftiu, ishte përfaqësues dhe delegat i Peqinit në Kongresin e Parë Mysliman të Shqipërisë që u zhvillua në Tiranë për shkëputjen administrative të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nga Shehul-Islami i Turqisë. Nga viti 1924-1927 kryen detyrën e kryetarit të bashkisë Peqin. Shyqyri Efendi Myftiu nga viti 1928-1932 kryen detyrën e Kryemyftiut të Shqipërisë (dhe zëvendës Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë) së bashku me Vehbi Dibrën dhe Ali Korçën. Në vitin 1945 u pushkatua nga regjimi komunist.

Selim Luniku. Më 23 Shkurt deri 12 Mars 1923 së bashku me Shyqyri Efendi Myftiun ishte përfaqësues dhe delegat i Peqinit në Kongresin e Parë Mysliman të Shqipërisë.

Abdurrahman Myftiu, teolog. Mbaroi studimet për Teologji në Misir në vitin 1877.

Hafiz Qerim Beheluli myfti i Peqinit rreth viteve 1930.

Abdyl Baki Biça lindur e banues ne Peqin, myfti në Peqin ne vitin 1912.

Sulejman Efendi Kuqi në vitet 1907-1912 me detyrë Muderriz i Medresesë së Peqinit

Ibrahim Efendi Kuqi (1815), mbaron shkollën e lartë për teologji në Stamboll. Ka punuar Myfti në Gjirokastër dhe Peqin.

Mulla Osman Kuqi (1823-1898), imam Xhamie ne Peqin.

Ismail Efendi Kuqi (1861-1909), mbaron studimet e larta për teologji në Stamboll dhe emërohet Myfti në Paranthi të Çamërisë.

Mulla Kamber Kuqi, imam në Peqin rreth viteve 1900-1913.

Sheh Tahsim Gjinishi (1855-1938) ishte kryeprijës i sektit Rrufai pë gjithë Shqipërinë. Lindi në Peqin dhe studimet e para i kreu në medresenë e Peqinit. Shkollën e mesme e mbaroi në Manastir. Studimet e larta për teologji-gjuhësi i kreu ne Stamboll. Mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit i ftuar si përfaqësues i Peqinit. Në vitin 1900 krahas aktivitetit fetar caktohet dhe punon si mësues në shkollën Ruzhdije të Peqinit.

-Sheh Ahmet Gjinishi (1895-1968) – Prijës i sektit Rrufai për gjithë Shqipërinë. Lindi në Peqin në një familje me tradita fetare dhe patriotike (ishte i biri sheh Tahsimit). Studimet e para i mori në medresenë dhe shkollën Ruzhdije të Peqinit. Ka mbaruar studimet për teologji në Stamboll në shkollën “Medresetu-l Eimmeti ve’ IHuteba”. Në Stamboll ka marrë dhe leksione për drejtësi.[2]
Me lejimin e fesë, pas vitit 1990 populli i Peqinit iu rikthye praktimit të riteve fetare islame, përsëri popullsia e Peqinit kishte ruajtur traditat dhe 100 përqind e popullsisë së qytetit dhe fshatrave i përkiste besimit islam, ishte kjo arsyeja që xhamia e parë u rindërtua në Peqin.
Gjatë periudhës që po rindërtohej xhamia në qendër të qytetit u plotësua dhe organika e Myftinisë si më poshtë:

XHAMIA PEQIN

1. Hamid Hallulli – Myfti i rrethit Peqin[3]
2. Hysen Hasa (hafiz nga të rrallët në Shqipëri) – Vaiz dhe mbajtës i Hutbeve
3. Daut Beheluli – Imam
4. Sadik Beheluli (njihte gjysmen e Kuranit Permendesh) – Muezin
5. Qani Kaziu (ish medresist) – mesues Kurani
6. Pullumb Progmi – ngarkuar për evidentimin e pronave e ndjekjen e tyre.
7. Kujtim Gjinishi (medresist) – u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm në Komunitetin Mysliman.
Pjesë e administratës së Xhamisë pa rrogë me baza vullnetare ishin:
8. Bujar Gripshi – Sekretar i këshillit të Myftinisë
9. Shaban Saliu – Arkëtar dhe financier i Myftinisë



Gjithashtu nga viti 1991 e në vazhdim për disa vite rresht në Peqin funksiononte dhe një shoqat arabe e cila merej me propogandimin e fesë, organizimin e kurseve per të rinjë dhe shperndarjen e literaturave fetare. Gjatë ketyre viteve në ambientet e Myftinise jan organizuar kurse te gjuhes angleze, kurse rrobaqepsie dhe kurse kompjuteri dhe në përfundim kursantet pajiseshin me certifikatë e cila njihej ligjërisht.

XHAMIA KARINË

Shaban Thartori (medresist) – imam
XHAMIA KAZIJE
Hasan Bardhi – imam
XHAMIA HASMASHAJ
Adem Zhguni – imam
XHAMIA PAJOVE
Gani Fethu – imam
Deri në vitin 1967 përveç xhamive të rindërtuara ka patur xhami funksionale edhe në fshatrat Galush, Garunjë e Madhe, Përparim Kodër, Bishqem dhe Kurtaj, të cilat si në gjithë Shqipërinë u rrënuan nga regjimi komunist ateist.
Aktualisht (viti 2014) Myftinia Peqin ka në juridiksionin e sajë këto xhamia: Xhamia Peqin Qendër, fshati Fatish, fshati Karinë, fshati Pajovë, fshati Përparim (ka nevojë për riparim), fshati Hosmashaj, fshati Gjocaj, fshati Kaziaj.
Sot mbas 24 vitesh të ligjërimit të fesë myftinia Peqin ka në organikën e sajë vetëm 5 veta: Myftiu, imami i xhamisë qendër, vaiz, myezin dhe një imam në fshatin Karinë. Theksojmë në këtë informacion se myftinia e rrethit Peqin përfshin në juridiksionin e saj Bashkinë Peqin dhe 5 Komuna ( Gjocaj, Pajovë, Përparim, Shezë, Karinë) me popullsi totale 40 000 banorë.

Përgatiti: Bujar Gripshi (Anëtar i Këshillit të Myftinisë Peqin )

[1]Medreseja u mbyll si qendër arsimimi që në vitet e para të çlirimit, ndërsa shembja e xhamisë u shoqërua edhe me shembjen e medresesë.
[2] Të dhënat historike, vitet dhe emrat janë nxjerre nga libri “Historia e Peqinit” me autor Genc Gripshi
[3] Me krijimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë i ndjeri Hamid Hallulli i dhuroi atij komuniteti bibliotekën e vet personale me shumë libra fetar dhe kompletin e revistës Zani i Naltë.