Nën organizimin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë, të dielën më 22.02.2015, në xhaminë e Qylit u mbajt turniri në ping pong.
Turniri ka mbledhur një numër të madh garuesish nga të gjitha xhematet e xhamive të Gjakovës.
Turnirin e hapi Kryetari i KBIGJ-së, Ahmet ef.Hoxha, i cili pasi falënderoi Allahun e Madhërishëm dhe dërgoi salavate mbi te Dërguarin e Allahut, Muhammedin a.s., i përshëndeti të pranishmit e këtij evenimenti sportiv dhe tha:
"Të nderuar vëllezër, Islami si fe universale dhe e harmonizuar erdhi që t’i rregullojë çështjet e kësaj bote dhe botës tjetër, të kujdeset për njeriut në aspektin fizik, shpirtëror dhe psikik, sepse islami dëshiron që muslimani të jetë i fortë dhe i shëndetshëm. Një nga masat preventive për mbrojtjen e trupit dhe të shëndetit është edhe marrja me aktivitete sportive. Transmetohet se vet i Dërguari i Allahut, Muhammedi a.s., ishte ai që i inkurajonte shokët e tij për sport dhe bënte gara në shumë disiplina si në vrapim, kalërim, mundje, harkëtari... etj. Në kohën e Pejgamberit a.s., ishin të njohura disa sporte ndërsa sot ka shumë disiplina sportive që me shumicën e tyre të rinjtë musliman duhet të merren për të arritur suksese dhe ta ruajnë shëndetin e tyre. Por, kjo nuk është e vetmja arsye e organizimit të këtij turniri. Arsyeja tjetër është që ne, të tubuar sot këtu, ta shfrytëzojmë kohën me qëllim të afrimit dhe njohjes mes vete. Shpresoj që të gjithë ne të kalojmë qaste sa më të mira, e garuesve u dëshiroj suksese..."
Pas shumë ballafaqimeve, në një konkurrencë shumë të fortë, vendin e parë e fitoi Rushdi Gashi, i cili si shpërblim mori një mirënjohje dhe 50 euro. Vendi i dytë i takoi Armand Kidës, i cili mori një mirënjohje dhe 30 euro, ndërsa në të tretin u radhit Enes Bala, i cili përpos mirënjohjes mori edhe 20 euro shpërblim. Shpërblimet i ndau Kryetari i KBIGJ-së, Ahmet ef.Hoxha.
Në fund Imami i xhamisë së Qylit, Abdurrahman ef.Bejtullahu, u shpreh i kënaqur me numrin e garuesve si dhe me konkurrencën që mbretëroi gjatë tërë turnirit. “Jemi shumë të kënaqur me organizimin dhe rrjedhën e turnirit i cili u përcoll me një atmosferë të qetë dhe garuese. Patëm garues nga të gjitha xhamitë e Gjakovës, në mesin e të cilëve edhe disa imamë. Shpresojmë se në të ardhmen do të organizohemi edhe më mirë që turniri të jetë edhe më i madh, e pse jo të shtohet edhe numri dhe kualiteti i garuesve”, tha Bejtullahu.