Mbrëmë, me rastin e muajit të madhërueshem të Ramazanit, në ambientet e Restorantit “President” në Gjakovë, Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Mal të Zi në bashkëpunim me Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, organizuan iftar për Këshillat e BI të regjionit të Gjakovës, Rahovecit dhe Malishevës.
Në fillim Kryetari i KBIGJ, Ahmet ef.hoxha i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrje në këtë iftar madhështorë.
Më pas fjalën e mori i ngarkuari për punë në Ambasadën e Emirateve të Bashkuara Arabe Ghazi Almahri, i cili tha: “Jam i lumtur që sot gjendem këtu, në mesin tuaj në këtë iftar madhështorë. Kosova është një shtet mik dhe shumë i dashur i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe për këtë jemi krenarë. Vendi ynë kultivon marrëdhënie të shkëlqyera miqësore me Kosovën dhe kjo është vetëm një tjetër mënyrë për të treguar ndjenjën e afërsisë dhe lidhjes me ju. Më lejoni që edhe një herë t’ju uroj muajin e bekuar të Ramazanit duke ju dëshiruar agjërim të lehtë dhe të pranueshëm.”
Të pranishmëve iu drejtua edhe myftiu i Kosovës, Naim ef.Tërnava. “Të nderuar vëllezër të pranishëm sonte në këtë iftar më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës t’ju përshëndes të gjithëve me përshëndetjen më të bukur, Esselamu Alejkum. E lusim Allahun xh.sh. që të na ketë pranuar agjërimin tonë, adhurimet dhe veprat tona që i bëjmë në shenjë respekti ndaj madhërisë së Allahut xh.sh., Krijuesit të këtij universi. Këtë muaj të shenjtë dhe të bekuar të Ramazanit, sigurisht që më tepër i ka dhënë domethënie prezenca e vëllezërve tanë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët në prag të këtij muaji kanë bërë shpërndarjen e 1.200 pakove ushqimore për familjet e varfra, ndërsa sonte shtruan këtë iftar, i cili është vetëm një simbolikë dhe një gatishmëri bashkëpunimi me ne dhe me Kosovën tonë si shtet. Ndaj, unë dëshiroj që në emër të të gjithë neve t’i falënderoj për ndihmën që na kanë ofruar gjatë luftës, pas luftës, në rimëkëmbjen e vendit tonë dhe që vazhdojnë të na ofrojnë edhe sot në vazhdimësi.
Vëllezër të nderuar, Islami është përplot vlera sepse është fe e të Madhit Zot. Vet fjala Islam do të thotë paqe, lumturi, ardhmëri dhe progres, prandaj ju porosis që vlerat e Islamit, porositë që dalin nga Kur’ani dhe nga thëniet e Muhammedit a.s. t’i përcillni tek xhemati nëpër xhamitë tuaja, tek rinia. Ta mësoni xhematin dhe ta edukoni atë duke iu ofruar vlerat që i ka Islami, ta adhurojnë Allahun xh.sh. të jenë të urtë, të devotshëm dhe gjithnjë të gatshëm që të kontribuojnë për Islamin, për vendin, për ardhmërinë dhe për brezin e ri që po e lëmë pas.
Në fund edhe një herë dëshiroj t’ju uroj muajin e bekuar të Ramazanit, muajin e Kur’anit, muajin e mëshirës të sakrificës, devotshmërisë dhe afrimit mes vete, muajin që në vete ngërthen të gjitha vlerat që i ka Islami, fe e shpallur nga i Madhi Zot, që nga krijimi i njeriut të parë Ademit a.s. e deri te Pejgamberi i fundit Muhammedi a.s., muaj që na jep shanse që edhe më shumë të afrohemi tek mëshira ë Allahut xh.sh. dhe të kërkojmë ndihmë dhe falje prej Tij”, tha ndër të tjera myftiu Tërnava.