Pavarësia në shkrimet letrare të ulemave shqiptarë

Njëra ndër të metat kryesore të shqyrtimeve lidhur me identitetin tonë është edhe kundrimi i pjesshëm i tij. Ndonëse një kategori tejet komplekse, e përbërë nga komponentë të shumtë dhe me ndikim të shumëfishtë, identiteti i individit dhe grupit të caktuar jo rrallë është trajtuar pjesshëm e njëanshëm.

Shembull tipik i deformimit të këtillë është trajtimi që i është bërë identitetit tonë kombëtar në periudhën e komunizmit. Ideologjia sunduese e kësaj kohe e konceptonte identitetin kombëtar, si kundërshti të plotë me identitetin fetar. Logjika e këtillë përjashtuese nuk e akceptonte dot mundësinë e të qenit të një individi atdhetar dhe fetar njëkohësisht. Personalitetet që, përveç dashurisë për atdheun, kombin, vlerat e identitetit të tij, shfaqnin haptas dashurinë për Krijuesin tonë, Allahun e Madhërueshëm, anatemoheshin dhe ekskomunikoheshin në të gjitha drejtimet. Qasja e këtillë e dëmshme u shtri edhe në vlerësimin e kontributeve të figurave të shquara të historisë e të kulturës sonë, ndonëse ndihmesa e tyre dhënë ngritjes së kombit ishte vendimtare për proceset historike.
Një qasje e këtillë përjashtuese ka bërë që ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX, e deri në zhvillimet e fundshekullit të kaluar, të cilat e ndryshuan rrjedhën historike shqiptare, të mbesin pa shumë protagonistë të tyre eminentë. Dhe nuk kishte asnjë arsye të mirëqenë për të anashkaluar personalitete kyçe të këtyre zhvillimeve historike, të cilat në rastin më të mirë minimizoheshin, ndërsa nuk janë të rralla rastet kur edhe ekskomunikoheshin krejtësisht. E gjithë kjo plotëninë e ngjarjes historike, jo një herë e ka shndërruar në një torzo ideologjike. Absurdi i këtillë, ta zëmë, ka bërë që Lidhja Shqiptare e Prizrenit të trajtohej në historiografinë tonë, pa e pranuar gjithanshëm e në përmasa reale rolin e Myderriz Ymer Prizrenit, ndonëse ishte kryetar i komitetit kombëtar të këtij Kuvendi – kthesë në historinë unifikuese të shqiptarëve. U frynë tej mase disa figura dytësore, pa ndonjë peshë intelektuale e morale, me të vetmin qëllim që të eklipsohej sa më shumë rëndësia historike e kryetarit të kuvendit, që i ofroi rreth një projekti të përbashkët shqiptarët e katër vilajeteve. Edhe kur ndodh që të vlerësohet roli i ulemave shqiptarë, sikurse ishte, ta zëmë, vizionari Haxhi Zeka, themelues i Lidhjes së Pejës (1902), si vijuese e idealeve të parealizuara të Lidhjes së Prizrenit, nga biografia e gati pahetueshëm lihen anash të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me përkatësinë e tij fetare dhe me përkushtimin e tij të rrallë në këtë drejtim.
Në historinë tonë fare pak mund të mësohej për Haxhi Vehbi Dibrën, kryetarin e Pleqësisë në Qeverinë e parë të Vlorës, të zgjedhur në kuvendin historik të Pavarësisë e Shqipërisë. Historiografia jonë më shumë është marrë me faktin se kush e qëndisi flamurin shqiptar se sa me kryetarin e Pleqësisë së saj, zëvendësuesin e Ismail Qemalit dhe njërën ndër figurat më bashkuese të këtij Kuvendi, vendimet e të cilit do të dëshmoheshin si kthesë e madhe në historinë e re të shqiptarëve. Përveçse nuk do të vlerësohej në përmasën e duhur kontributi historik i këtij imami e atdhetari të rrallë, në periudhën e komunizmit do të bëheshin përpjekje që, nëpërmjet retushimeve falsifikuese të fotografive, të zhbëheshin edhe faktet dokumentare të Kuvendit të Pavarësisë. Në margjina të historiografisë shqiptare do të mbetej, ta zëmë, edhe Hoxhë Kadri Prishtina, themelues dhe kryesues i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, pastaj Mulla Idriz Gjilani, i cili u vu në krye të forcave kombëtare për të mbrojtur kufijtë e Kosovës nga ripushtimi serb në përmbyllje të Luftës së Dytë Botërore etj. Ulematë e kalibrit të këtillë kombi i vuri në ballë të zhvillimeve më të rëndësishme, por një historiografi e mbrapshtë, skajshëm e ideologjizuar, për dekada i nxori nga faqet e historisë sonë vetëm për faktin se, konceptualisht nuk i shkonte për shtat që, figura të shquara të proveniencës fetare islame të kishin rëndësinë, të cilën e kanë pasur historikisht.
Vetëdija e tyre kombëtare, krahas asaj fetare, gatishmëria për të sakrifikuar në ngjarjet që përcaktonin fatin e kombit shqiptar dhe vizioni për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, i shquajnë prijësit dhe dijetarët tanë fetarë, si personalitete pa të cilët nuk mund të shkruhet e vërteta historike e kombit shqiptar. Në fakt binomi fe-atdhe, përveçse fryt i vetëdijes së intelektualëve për ta konceptuar tërësinë identitare, është edhe reagim i natyrshëm ndaj përmasave tmerruese të rrezikimit të qenies kombëtare e fetare të shqiptarëve.
Konteksti në të cilin u ndodhën shqiptarët, pas defaktorizimit të përgjithshëm politik e ushtarak dhe largimit të Perandorisë Osmane nga këto hapësira, është një dëshmi e padiskutueshme për perceptimin e tyre nga fqinjët, si pengesë në rrugën e ekspansionit sllavo-grek. Vitet 1912 dhe 1913 për shqiptarët e Kosovës dhe përgjithësisht të viseve etnike përbëjnë periudhën e fushatës së paparë mbi qenien e tyre etnike dhe fetare. Lufta që nisën serbët dhe malazezët, përveçse ishte drejtuar kundër hapësirës etnike shqiptare, në masë të madhe atakoi deri në çrrënjosje edhe identitetin fetar të shqiptarëve, madje pa dallim, si të myslimanëve, ashtu edhe të të krishterëve katolikë. Me fjalë të tjera, zvogëlimi i hapësirës etnike do të thoshte zhbërje fizike për shqiptarët, ndërsa atakimi i pashembullt i dimensionit fetar, nëpërmjet konvertimit të dhunshëm, do të thoshte zhbërje shpirtërore e tyre. Ndaj, është e kuptueshme pse në shkrimet diskursive e letrare të kohës e gjejmë dendur këtë binom, në krye të herës, si reagim për ta mbrojtur qenien e rrezikuar fizike dhe shpirtërore të kombit. Teksa dysia fe-atdhe, aq e pranishme edhe në veprën letrare të At Gjergj Fishtës, është trajtuar gjithanshëm nga studiues të veprës e të jetës së tij, pikëpamja e ngjashme e bashkëkohësit të tij Hafiz Ali Korça pothuajse është lënë në harresë, megjithëse vargjet vijuese janë një qortim i rreptë për fanatizmin, i cili nuk ka të bëjë me esencën e besimit:
Nuk e di me ç’mendje venë
Kush s’ka fe a do atdhenë?
Duhet të mentohen pakë
Fe – atdhe janë binjakë.[1]
E njëjta pikëpamje e Hafiz Aliut, veçse në një version tjetër, del edhe në katër vargjet vijuese, duke potencuar faktin se kush nuk do t’ia dijë për njërin nga këta komponentë identitarë nuk do ta mbrojë dot as tjetrin:
Dini e vatani dy binjakë janë
Që të dy një rrënjë dhe një burim kanë.
Ç’derd ka për atdhenë kush ka flakur fenë.
Për dit vagabondi e ndërron kiblenë.[2]
Natyrisht kjo pikëpamje e Hafiz Ali Korçës është në përputhje me porosinë e të dërguarit të Allahut, Muhamedit (a.s.), sipas të cilit dashuria për atdheun është pjesë e besimit. Për më tepër, në konceptimin e këtij binomi të pandarë, autori e trajton atdheun si mbrojtës të fesë, si kusht në kuadër të të cilit gjëllin (gjallon) feja:
Atdheu kuti është feja xhevahiri
Rron në kutit brënda e ruhet floriri.
Për të mbrojtur nderin na duhet kutija
Po s’pate kutinë shkon feja, inxhija.[3]
Në kontekst të shqyrtimit të shkrimeve letrare të Hafiz Ali Korçës, lidhur me atdheun, pavarësinë e tij, bëjnë pjesë edhe preokupimet, që shpreh lidhur me tokat etnike shqiptare, që mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, që nuk e gëzuan pavarësinë e shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912. Elegjia e tij nuk është thjesht vetëm vajtim për Kosovën, ndonëse merr shkas nga një ngjarje e dhimbshme, nga një masakër serbe e bërë në ditën e Kurban Bajramit në Drenicë më 1924; më tej, kjo elegji nuk është as vetëm vajtim për Çamërinë, ngase, në një kontekst më të gjerë, del vajtim për Shqipërinë që mbeti pa krahët e saj, pa pjesët më të bukura e më të domosdoshme për një jetë me dinjitet të kombit tonë. Krijimet letrare, që trajtojnë fatet e atdheut të copëtuar, identitetit të përçarë mbi baza të ndryshme shquhen edhe për një shprehje të fuqishme emocionale. Mund të thuhet se përmbajtja në këtë rast e ka kushtëzuar edhe ligjërimin poetik, pastaj edhe mjetet shprehëse ndër të cilat figurat e përsëritjes dhe pyetjet retorike zënë një vend qendror.
Ka një numër të madh dijetarësh e krijuesish shqiptarë të besimit islam, të cilët i kushtojnë vëmendje aktit heroik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Madje, mund të thuhet se edhe organet e shtypit islam të periudhës parakomuniste e vlerësonin lart këtë ngjarje madhore në historinë tonë. Revistat që dolën në këtë periudhë historike, sikundër janë Zani i Naltë, Kultura islame dhe Njeriu, në mënyra të ndryshme, e shënojnë përvjetorin e pavarësisë. Ndonëse Shqipëria ndodhej nën pushtimin fashist, më 1942 revista Njeriu, për nder të 30-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, i kushton kësaj ngjarjeje një numër tematik, në të cilin mbizotërojnë shkrimet letrare. Natyrisht, aty i gjejmë shumicën e autorëve, të cilët kanë shkruar tekste me pretendimin për himnin kombëtar, për flamurin kombëtar, për vetë aktin madhor të Vlorës, sikurse janë Asdreni, Gjergj Fishta, Faik Konica, Lasgush Poradeci, Kristo Floqi, Ibrahim Hasnaj, Mustafa Greblleshi etj. Me një kontribut poetik në këtë numër tematik shfaqet edhe Baba Ali Tomori. Dedikimi i tij i titulluarFlamurit të Shqipërisë, ndjek një procedim artistik interesant. Autori e shëtit flamurin kombëtar nëpër kronologjinë kombëtare, që nga gjeneza jonë historike, e deri në kohën më të re. Ndonëse, si tërësi ky krijim letrar nuk shquhet për nivele të larta artistike e të krahasueshme me autorët e shquar të letërsisë shqipe, disa pjesë të tij dalin të realizuara mjaft mirë. Po sjellim këtu vetëm disa vargje për të dëshmuar se si prushi atdhetar i Baba Ali Tomorit, herë-herë, mbështetej edhe me gjetje interesante të mjeshtërisë letrare:
Pra, në ç’jetë more frymë? Cila ré të kishte ngritur?
Ah, në cilën hapësirë, ti Flamur jeshe valvitur?
Cili Diell të pat parë? Cilët yje shok ke pasur
Cila botë kish jetuar, një me ty, Flamur i dashur?[4]
Autori i tretë që kemi zgjedhur të trajtojmë në këtë kumtesë është Haki Sharofi, përkatësisht poezia e tij “Një malsori”, në të cilën shpërfaqet dimensioni i sakrificës për të mbrojtur tokën shqiptare nga i huaji, pra pavarësinë dhe lirinë e saj. Përmasa legjendare e veprimit, që bëri një malësor i vetëm përballë ushtrisë armike, e ka preokupuar zemrën, mendjen dhe talentin krijues letrar të Haki Sharofit. Në këtë poezi, si rrallëkund tjetër, ndërlidhen koncepti tradicional etnik shqiptar për madhështinë e luftëtarëve dalzotës të Atdheut me konceptin islam për dëshmorët. Pa dyshim, kjo poezi ka elemente përafrimi të ndjeshëm edhe me poezinë popullore, ndonëse në të spikat edhe mjeshtëria e autorit, që buron nga bota e tij e pasur ideore e emocionale, nga zotësia për ta konceptuar këtë akt heroik me fjalë të zakonshme, por me një ligjërim që perceptohet në mënyrë krejtësisht të veçantë:
Cili je ti, o Shqiptar,
Or i dashur i Perëndisë!
Qi e vrave ‘i komandar,
Në midis të ‘i ushtrisë?[5]
Në këtë kontekst trajtimi nuk ka qenë e mundur që të përfshihen edhe autorë të tjerë të rëndësishëm, sikurse janë, bie fjala, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ibrahim Hasnaj, Murat Labënishti, Ferit Vokopola etj., të cilët për një kohë të gjatë, si dijetarë dhe krijues letrarë, kanë kontribuar për përparimin kombëtar e fetar të shqiptarëve. Krahas materies që e trajtojnë më me përparësi, asaj fetare, nuk janë të pakta shkrimet, qofshin letrare, qofshin publicistike, në të cilat ata këshillojnë bashkëkombësit se si të veprojnë për të mirën e përgjithshme kombëtare e shoqërore. Natyrisht, si njohës të moralit islam dhe të traditës së lashtë zakonore shqiptare, dijetarët dhe autorët shqiptarë shpesh do t’i gërshetojnë elementet pozitive për të mbajtur sa më lart frymën kombëtare në kohët e zhvillimeve vendimtare.
Shumë nga kontributet e asokohshme mund të shërbejnë edhe në ditët e sotme, sepse trajtimi i tyre është i përtejkohshëm, ndërsa vlera e tyre artistike në rrafshin tonë kombëtar mbetet e gjithmonshme.


_____________________
[1]. Hafiz Ali Korça, Historia e shenjtë dhe të katër halifetë, Vepra 4, Logos A, 2008, f. 23.
[2]. Hafiz Ali Korça, Publicistikë dhe shkrime të tjera, Vepra 12, Logos A, 2008, f. 13.
[3]. Hafiz Ali Korça, po aty.
[4]. Njeriu, revistë e përmuejshme shpirtnore kulturore, nr. 5 – Kushtue Flamurit, 1942, f. 10.
[5]. Cituar sipas veprës Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (simpozium ndërkombëtar), botoi Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 1995, f. 416.



Prof. dr. Hysen Matoshi
zaniinalte


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme