Islami është fe e punës dhe e pendimit; nuk është përtaci dhe indiferencë

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

Allahu (xh. sh.), është i vetëdijshëm për të gjitha krijesat e Tij, madje Atij nuk mund t’i ikë as detaji më i vogël, pasi e di shumë mirë se çfarë fshehim në zemrat tona, sepse Ai është i vetmi që i ka çelësat e fshehtësive. Por njerëzit, me neglizhencën e tyre, nuk dëshirojnë t’u binden urdhrave të Allahut (xh. sh.) dhe vazhdojnë rrugën e shejtanit, si lejimin e kamatës, konsumimin e alkoolit, prostitucionin, luftën ndaj fesë së Allahut, talljen me fenë e Tij.
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Madhërishëm, i cili është i vetmi që meriton të adhurohet, ndërsa përshëndetjet tona qofshin mbi zotëriun tonë, dritën e syve tanë, kandilin e zemrave tona, mësuesin dhe udhërrëfyesin tonë, pishtarin ndriçues, pionierin e paqes dhe diturisë, Muhamedin (a.s.), të cilin Zoti e dërgoi mëshirë për mbarë njerëzimin.

Njeriu nuk e di se kur i vjen momenti i vdekjes, as edhe sa i ka mbetur nga jeta e tij. Kështu që gjen njerëz që neglizhojnë në pendim dhe punë të mira, duke thënë se nuk është tani koha e pendimit, le t’i shijojmë njëherë kënaqësitë e jetës dhe, kur të arrijmë në moshën e pleqërisë, atëherë të pendohemi. Pikërisht, ky mendim i tyre është ndjekje e rrugës së shejtanit të mallkuar dhe joshje e dynjasë kalimtare.
Jeta e çdo njeriu është kalimtare, rinia nuk vazhdon përgjithmonë, pasurinë dhe gjërat e tjera nuk i merr me vete në varr. Nuk ka ndihmë që mund të të shpëtojë, përpos veprave dhe punëve të tua të mira, prandaj mos i mbyll sytë para argumenteve të Allahut (xh. sh.), mos u bëj i paedukuar ndaj urdhrave të Tij.
Shiko në veten tënde: je rob i Allahut apo i djallit? Nëse je rob i Allahut, dije se Zoti merr përsipër gjërat e robit të vet, qofshin rroba, ushqim, pije, banim apo çdo gjë tjetër. Nëse dikush i bën padrejtësi, Zoti e mbron robin e vet. Ndodh që të jesh rob i Allahut, por krahas Tij adhuron edhe ndonjë “zot” tjetër. Allahu (xh. sh.), thotë: “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot?” (Furkan, 43)
Ndalu dhe mendo vetëm për një çast. Pyete veten: deri kur kështu?
Mëkatet e tua dhe mosndjekja e rrugës së drejtë! Mosbindja jote e përhershme ndaj Allahut! Ngecja jote në kryerjen e urdhrave të Allahut! Indiferenca jote ndaj ndalesave të Tij?!
Ç’ do të thotë të jesh indiferent (mospërfillës); të mos bësh llogari me vetveten dhe të sillesh me mospërfillje ndaj gjërave? Kjo e shpie njeriun në humbje, në humnerë dhe u ndodh atyre njerëzve që janë mashtruar: ata mbyllin sytë para pasojave, ecin pa qëllim, mbështeten në atë që do t’u falet, dhe lënë anash përllogaritjen me vetveten, duke mos çarë kokën për pasojat që do të kenë.
Enes ibn Mliku tregon se i dërguari Allahut (xh. sh.), iu drejtua sahabëve të tubuar dhe u mbajti fjalimin vijues: “O njerëz, sikur vdekja në këtë botë i është caktuar dikujt tjetër e jo neve. Sikur e vërteta është shpallur për dikë tjetër e jo për ne. Sikur ata me të cilët ndahemi para çastit të vdekjes janë udhëtarë, që së shpejti do të kthehen. Ne i lëmë në varreza, kurse trashëgiminë e tyre e shfrytëzojmë sikur nuk do të vdesim kurrë. E harrojmë çdo këshillë. Ndihemi të sigurt nga çdo fatkeqësi...”
Të mjerë janë ata njerëz, të cilët nuk janë syçelë ndaj të gjitha këtyre mirësive që na ka dhuruar i Madhi Zot, por e lënë kohën e tyre t’u kalojë. Nuk janë në gjendje që të vetëdijesohen se çdo sekondë, çdo minutë, është i pa kthim, i pazëvendësueshëm. Çdo frymëmarrje në jetë është xhevahir i çmueshëm me të cilin mund të blihet një thesar për përjetësinë. Ta shpenzosh kot kohën apo ta zëvendësosh atë me diçka që të sjell shkatërrim, paraqet dështim të madh, të cilin mund t’ia lejojnë vetes vetëm injorantët dhe njerëzit e pamend. Mjerë ata që janë bërë ushtarë të shejtanit të mallkuar. Nuk e dinë se në çdo moment mund të vdesin dhe të japin llogari për të gjitha gjërat para Krijuesit të tyre. Duhet të marrin shembuj nga njerëzit dhe popujt e hershëm se si kanë jetuar dhe ku kanë përfunduar?!
Prandaj, neglizhenca ndaj argumenteve dhe dëshmive të Allahut në këtë botë, nuk duhet të jetë e pranishme tek besimtarët, tek ata njerëz të cilët dëshirojnë që të jenë të shpëtuar. Asaj t’i thuhet stop njëherë e përgjithmonë, sepse është cilësi dhe veti e injorantëve. Allahu Fuqiplotë, në Kuranin Famëlartë, thotë: “Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta). Sa herë që atyre u vjen nga Zoti i tyre ndonjë paralajmërim i ri, ata e dëgjojnë, duke u tallur me të. Zemrat e tyre janë të hutuara. Ndërsa ata që janë idhujtarë, flasin fshehurazi: “A është ky (Muhamedi) diçka tjetër, përveçse njeri si ju? Vallë, a do të shkoni ju pas magjisë (së tij), kur e shikoni me sytë tuaj?“ (Enbija, 1-3.)
Allahu (xh. sh.), është i vetëdijshëm për të gjitha krijesat e Tij, madje Atij nuk mund t’i ikë asnjë detaj sado i vogël. E di shumë mirë se çfarë fshehim në zemrat tona, sepse Ai është i vetmi që i ka çelësat e fshehtësive. Siç e di shpikësi i një makine se si funksionon ajo, ashtu edhe Krijuesi ynë e di se çfarë kemi në mendjet dhe zemrat tona. Por ka të atillë që janë larg fjalës së Allahut (xh. sh.).
Madje ata nuk përfitojnë asgjë nga këto fakte dhe dëshmi, siç thotë Allahu (xh. sh.): “Thuaj: “Shikoni ç’ka në qiej dhe në Tokë!” Por shenjat dhe qortimet nuk u bëjnë kurrfarë dobie njerëzve që nuk besojnë.” (Junus, 101.) Ka shumë shembuj në Kuranin famëlartë që tregojnë qartë se si njerëzit kanë qenë mosmirënjohës ndaj dëshmive dhe fjalëve të Allahut (xh. sh.), që u kanë ardhur nëpërmjet pejgamberëve të tyre. Kemi rastin e Nuhit (a.s.), me birin e tij, i cili nuk iu bind fjalëve të të atit.
Nuhu (a.s.), i tha: - O biri im! Eja me ne dhe mos u bëj prej mohuesve (jobesimtarëve)! Dhe përgjigja e tij ishte injoruese: - Unë do të ngjitem në një kodër që do të më mbrojë nga uji (vërshimi)!
I ati i tha: - Nuk ka sot të mbrojtur prej dënimit të Allahut, pos atij që Ai e ka mëshiruar!
Vala hyri mes të dyve e ai (djali) u mbyt në ujë. (Hud, 43.)
Shumë njerëz harrojnë se çdo gjë në këtë gjithësi i është nënshtruar Allahut dhe Madhërisë së Tij: “A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (myslimanët)? Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin. E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë të nderuar. Allahu, me të vërtetë, bën çfarë të dëshirojë.” (Haxh, 18)
Njeriu, i cili nuk është i bindur ndaj urdhrave të të Madhit Zot, e kupton paaftësinë e tij vetëm në momente të vështira. Në momentet e fatkeqësive natyrore, siç janë tërmetet, vërshimet apo furtunat e ndryshme. Aty e sheh dhe e ndjen se është një injorant dhe se ekziston një superfuqi absolute, por me neglizhencën e tij nuk dëshiron prapë t’u bindet urdhrave të Allahut (xh. sh.) dhe vazhdon rrugën e shejtanit, si lejimin e kamatës, konsumimin e alkoolit, prostitucionin, luftën ndaj fesë së Allahut, talljen me fenë etj. Kështu, ndodh ajo që thotë Allahu (xh.sh.): “Sa shumë qytete u treguan kokëforta para urdhrave të Zotit të vet dhe të dërguarve të Tij! Ne u kërkuam llogari të rreptë dhe i ndëshkuam me dënim të ashpër. Ata i provuan pasojat e veprave të veta dhe fundi i tyre qe shkatërrim.” (Talak, 8-9)
Shkatërrimi i qyteteve të tëra, ku ka pasur të mirë e të këqij, si shkak i asaj që përmendëm, është ligj prej ligjeve të Allahut.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Zejneb b. Xhahsh ka thënë: “O i dërguari i Allahut! A do të shkatërrohemi kur në mesin tonë ka njerëz të mirë?! Tha: Po, kur të shtohet e keqja”.
Shumë mëkate kryhen sot në emër të arteve, etikës, kulturës moderne, dhe mjeteve të informimit, si ato elektronike apo të shkruara, të cilat janë nën mbikëqyrjen e sekularistëve, për t’ua turbulluar besimtarëve besimin e tyre.
Vëllezër e motra! Largohuni nga rruga e atyre që nuk besojnë, shmanguni të këqijave dhe hipni në anijen e shpëtimit, së bashku me besimtarët e tjerë, me ata që me trup dhe shpirt i janë përkushtuar rrugës së drejtë. Mos u bëni përtacë, mos i mbyllni sytë para të gjitha këtyre mirësive të Krijuesit të vetëm, zgjohuni nga gjumi se koha po kalon, vdekja çdo ditë po afrohet dhe mos e lini që përfundimi juaj të jetë zjarri i xhehenemit.
Shejtani ka qenë shkaktar i nxjerrjes së Ademit dhe Havasë nga Xheneti. Ai ka qenë pranë Kabilit, kur ky e vrau vëllain e vet. Ka qenë pranë popullit të Nuhut (a. s.), kur u fundosën në ujë. Ishte me Adin, kur u shkatërrua nga era e tmerrshme. Ka qenë me popullin e Salihut (a. s.), ku u shkatërruan nga britma, me popullin e Lutit (a. s.), kur mbi të ranë gurë vdekjeprurës. Ka qenë pranë popullit të faraonit, kur u shkatërrua me dënimin më të rëndë. Ka qenë edhe me ata që i luteshin viçit. Ai është me të gjithë ata që janë në rrugë të gabuar dhe me injorantët. E ti, o besimtar a besimtare, mos e lejo veten të komandohesh nga shejtani i mallkuar, por kthjellohu. Mos u bëj indiferent ndaj Krijuesit tënd, nëse do shpëtim për të dy botët.
Pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë. Ndjejeni shijen e pendimit, përjetoni ëmbëlsinë e lotëve, shtrydheni zemrën dhe ndjejeni dhembjen që rrjedh loti mbi faqe, që me të t’i shuani zjarret e mëkateve që i keni bërë vetes. Vetmohu, pranoji gabimet, lute Zotin dhe thuaj: “O Allah! Unë jam i gabuar dhe kam bërë shumë padrejtësi, andaj pendohem dhe të lutem, më fal!”
Lus Allahun të na mundësojë realizimin e çdo vepre të dashur për Të, të na përmirësojë jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër, të na shpëtojë nga të këqijat e shpirtrave dhe veprave tona, të na largojë nga përngjasimi me jobesimtarët dhe hipokritët, se vërtet Allahu është shumë i mirë dhe shumë bujar!



Nexhat Spahiu


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi