Të shumtë janë ata që e kërkojnë lumturinë në pozitë ose në pasuri, por nuk e gjejnë dot po e humbën në familje, në bashkëshortësi. Prandaj edhe i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira ë Zotit qoftë mbi të, thoshte: “Më e mira e dunjasë është bashkëshortja(i) e mirë.”
Nisur nga ky këndvështrim, qasja e Kur’anit ndaj bashkëshortësisë merr një kahje ndryshe nga e zakonshmja, ai aktin martesorë e quan “besë të fortë”, dhe e konsideron nga shenjat argumentuese për përkujdesjen që e ka ndaj nesh.
Kur’ani thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.”(Rum, 21)
Ky ajet i ndritur ishte preferencë e ligjëratës një orëshe nga Mr. Violeta Smajlaj –Myrta, me titull “Lumturia bashkëshortore”, e organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë, më 07.02.2016, në Medresenë e Madhe në Gjakovë.
Duke komentuar ajetin e përmendur znj. Myrta ndër të tjera tha: “Fjala ‘prej jush’ mban në vete mesazhin se bashkëshortët janë një realitet, janë dy faqe të së njëjtës monedhë. Ndërkaq fjala ‘për ju’, thekson se jemi bërë për njëri tjetrin, çka nënkupton plotësimin e njëri tjetrit, por jo edhe domosdoshmërinë e të qenit të njëjtë, sepse secili ka dinjitetin, dëshirat dhe aspiratat e veta.”
Shihet qartë se shprehjen dhe rehatinë (lumturinë) e thekson si qëllim të martesës, ndërkaq komponentë kryesore të arritjes së saj përmend dashurinë dhe mëshirën.
Nisur nga ky këndvështrim ligjërata ishte ndarë në tri pjesë:
E para: Çelësat e fillimit, ku u përmend rëndësia e lutjes, e qëllimit të mirë dhe e përzgjedhjes.
E dyta: Qëllimi i bashkëshortësisë
E treta: Komponentet e lumturisë bashkëshortore
E katërta: Taktika të përditshme.
Ligjëratën e pasuan edhe shembuj të ndryshëm.