Sinagoga e Marsejës kthehet në xhami

Ka kohë që Sinagoga Or Thora në Marsejë është braktisur nga besimtarët hebrenj dhe gjithnjë e më pak përdoret nga komuniteti hebre, prandaj zgjidhja është gjetur në shitjen e saj shoqatës muslimane El-Bedr.

El Bedr aktualisht ka edhe një tjetër xhami në rrugën Saint Dominique, e cila është shumë e vogël dhe për shkak të numrit të madh të besimtarëve nuk i plotëson nevojat e bashkësisë.
Kthimi i Sinagogës, në qendër të Marsejës, në xhami reflekton ndryshimet demografike në qytetin jugor francez, thotë udhëheqësi hebre Zvi Ammar.
"Në 20 vitet e fundit shumica e pjesëtarëve të komunitetit hebre janë duke u shpërngulur në pjesë tjera të qytetit", thotë Ammar, duke shtuar se shitjen e Sinagogës e shohin pozitivisht.
"Ne të gjithë kemi një Zot, gjëja kryesore është që e gjithë kjo të shkoj në harmoni", tha ai.
Në Marsejë jetojnë rreth 220.000 muslimanë, 70.000 prej të cilëve janë praktikues. Ata ende janë në pritje të ndërtimit të Xhamisë së Madhe, por projekti i ndërtimit i premtuar nga kryebashkiaku në vitin 2001 ka hasur në vështirësi financiare dhe probleme ligjore që vijnë nga Frontit Nacional.
Ndërtimi i xhamisë është planifikuar të arrijë në 23 milionë euro, dhe po qe se ndërtohet, ajo do të jetë më e madhja në Francë.