Konferenca Shkencore “Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”

Në organizim të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në Prishtinë, në Hotelin Swiss Diamond të enjten në mbrëmje u mbajt Konferenca shkencore “Zani Naltë” – një shekull në shërbim të dijes.

Kjo konferencë vjen pas asaj të zhvilluar në Tiranë më 16 shkurt 2016, kushtuar pikërisht botimit të plotë të Kolanës Zani i Naltë në 10 vëllime, si një botim i përbashkët i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë.
Në konferencë morën pjesë drejtues të lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës. Të pranishëm ishin edhe shumë studiues, akademikë dhe intektualë.
Konferenën fillimisht e hapi kryevaizi i KMSH-së Imam Lauren Luli me një këndim të Kur’anit, e më pas nën moderimin e sekretarit të përgjithshëm të BIK-ut, Resul ef. Rexhepit, u zhvillua seanca e përshëndetjeve, ku kanë përshëndetur Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, nënkryetari i KMSH-së H. Bujar Spahiu, Myftiu i Tetovës Dr. Qani Nesimi, si dhe Myftiu i Ulqinit z. Ali Bardhi.
Myftiu Tërnava tha se, “Zani i Naltë” ka qenë një tribunë dhe një zë i komunitetit mysliman në Shqipëri dhe më gjerë, e cila ka pasur shkrime me karakter fetar, por ka pasur edhe shkrime me karakter atdhetar. Kjo revistë, tha myftiu Tërnava, ka qenë për gati një shekull në shërbim të dijes dhe ngritjes së kulturës fetare e atdhetare ndër shqiptarët.
Ndërsa, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar ef. Spahiu, tha se revista “Zani i Naltë” ka qenë një tribunë dhe një vlerë e kulturës fetare, por edhe atdhetare, sepse ka përmbajtur shkrime të tilla, duke ndikuar te lexuesit që të kenë orientim të drejtë mbi respektin fetar, por edhe mbi respektin kombëtar. Revista “Zani i Naltë”, tha Spahiu, mbetet një vepër me rëndësi historike, në të cilën kanë shkruar dijetarët islam të kohës.
Më pas nën moderimin e z. Ahmet Sadriu dhe z. Sabri Bajgora janë zhvilluar dy seanca shkencore, ku studiues dhe akademikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si Akademik Feti Mehdiu, Dr. Fahrush Rexhepi (dekan i Fakultetit të Studimeve Islame, Prishtinë), Dr. Genti Kruja (drejtor i Kulturës në KMSH dhe njëkohësisht drejtor i revistës Zani i Naltë), Dr. Hysen Matoshi, Dr. Qani Nesimi, z. Ramadan Shkodra (drejtor i Kulturës në BIK) dhe z. Sadik Mehmeti, kanë paraqitur kumtesat e tyre shkencore, lidhur me kontributin e madh të “Zanit të Naltë” në trashëgiminë islame në gjuhën shqipe gati një shekull më parë.

Revista “Zani i Naltë” njihet si revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman Shqiptar e themeluar më 1923, e cila ka zgjatur si periudhë e parë e botimit deri më 1939. Ndërsa tashmë ajo e rivazhdon botimin e saj, që prej tetorit të vitit 2012, si një revistë shkencore dhe kulturore me një redaksi me studiues nga të gjitha trevat shqiptare, e cila përmban artikuj të mirëfilltë shkencorë në fushat e shkencave të ndryshme islame dhe sociale.

Pas Konferencës, Myftiu Naim ef. Tërnava shtroi iftar për homologët e tij nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva dhe pjesëmarrësit e konferencës.










Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani