Trajtimi i çështjes kombëtare në revistën "Zani i Naltë"

Përmbledhje

Nuk është e tepërt të thuhet se shtypi gjithherë është faktor me rëndësi të madhe shoqërore, politike e kombëtare, shkencore dhe morale, dhe mjet për ballafaqimin e mendimeve të argumentuara me qëllim që të arrihet deri te e vërteta. Shtypi është mjeti më i përshtatshëm për të kultivuar mendimin e lirë e konstruktiv, dhe për të luftuar dukuritë negative e destruktive, që si pasojë e euforisë ose e tendencave prapa skene mund të paraqiten në kohë e rrethana të caktuara. Roli i shtypit shqiptar në përpunimin e mendimit politik shqiptar të Rilindjes ishte i madh. Ky shtyp lindi dhe u përhap krahas me zhvillimin e lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar, e që ishte njëkohësisht faktor aktiv për rritjen e kësaj lëvizjeje. Madje, mjetet e in- formimit dhe shtypi luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e vetëdijes së çdo populli, dhe ato duhet të jenë pasqyrë reale e vlerave shpirtërore, kulturore e tradicionale të atij populli.

Periudha e viti 1923

Në vitin 1923 Komuniteti mysliman shqiptar shënon disa ngjarje me rëndësi në veprimtarinë e tij. Në këtë moment bëhen përpjekje për hartimin e dokumenteve bazë, të statuteve dhe rregulloreve, të medresesë së përgjithshme, e cila pritej të hapej në këtë vit në qendër të Tiranës. Në këtë vit dalin dy të përkohshme: në Shkodër, në muajin tetor del e përkohshmja "Udha e s'vërtetës", e cila kryeredaktor pati personalitetin e shquar, juristin dhe burrin e shtetit Hoxhë Kadri Prishtinën, kryetar i "Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”, dhe revista "Zani i Naltë", si organ i Komunitetit Shqiptar Mysliman.
Qysh në numrat e parë këto revista u bënin thirrje të gjithë studiuesve dhe personaliteteve fetare e kombëtare që të angazhohen e të bëhen pjesë të dobishme të jetës fetare e kombëtare në trojet shqiptare. Përveç temave fetare e kulturore, në këto revista nuk ishte lënë anash edhe aspekti kombëtar dhe atdhetar. Aty shpeshherë gjejmë mesazhe që shprehin dashurinë për atdheun, për kombin, për unitetin, për rininë etj., por, edhe mesazhe që shprehin brengën dhe preokupimin për gjendjen e përgjithshme të popullit shqiptar. Kështu, në numrin e tretë të kësaj reviste, të botuar në vitin 1923, e hasim një këshillë, (ligjëratë) me titull: "O shqiptar mysliman! Mëmëdheu po të thërret!”.
Nga kjo ligjëratë del porosia që amaneti apo përgjegjësia e shtetit të mos lihet në duar të tradhtarëve, në duart e atyre që i shesin interesat e shtetit për interesa personale, por ky amanet t’i lihet të aftit, të ndershmit, të moralshmit, dhe atij që beson Zotin.

"Zani i Naltë"

Revista, e cila doli paralelisht me "Udha e s'vërtetës", pra në tetor të vitit 1923, është edhe "Zani i Naltë”, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, e cila botohej në Tiranë, ku ishte dhe qendra e këtij Komunitetit. Ajo ishte e përkohshme, dhe vazhdoi të qarkullojë nga tetori i vitit 1923 deri në vitin 1938. Gjatë kësaj periudhe atë e udhëhoqën personalitete të shquara e me përgatitje të lartë të kulturës dhe shkencave islame, siç ishin: Ismajl Maqi, Isa Domi, Haki Sharofi etj. Tematika e materialeve të botuara ishte fetare, por në përmbajtjen e saj nuk mungonin dhe problemet e filozofisë, moralit, literaturës kombëtare dhe sociologjisë.
Revista "Zani i Naltë”, nëpërmjet artikujve të saj, botoi pjesë nga këshillat që mbante Haxhi Vehbi Dibra, personalitet i shquar në fushën e teologjisë dhe komentimit të Kuranit në gjuhën shqipe. Ky personalitet kishte qenë nënshkrues i aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, dhe njeriu i cili kishte dhënë interpretim (fetfa) për vlerën e flamurit kombëtar. Ndërsa personalitetet tjera që bashkëpunuan me "Zani i Naltë" ishin edhe Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Korça, Sali Vuçiterni, Haki Sharofi, Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri (Lumo Skendo), Ferid Vokopola, Ismet Dibra etj.

Programi dhe synimet e revistës "Zani i Naltë"

Revista "Zani i Naltë" luajti një rol shumë të rëndësishëm edhe në thesarin e kulturës islame, por edhe në thesarin e kulturës kombëtare. Me kalimin e kohës ajo u shndërrua në një tribunë të fuqishme të kulturës fetare, të mendimit, të filozofisë, të edukatës, e të artit islam. Dalja në dritë e kësaj reviste ka qenë ngjarje e shënuar jo vetëm për lëvizjen e mendimit të shkruar islam në Shqipëri, por edhe për vetë historinë e shtypit kombëtar shqiptar. Nuk ka dyshim se botimi i revistës "Zani i Naltë" në shpirtin e besimtarëve islamë do të këndellte një dëshirë përparimi e qytetërimi. Ky ishte edhe synimi kryesor i programit të organit të Komunitetit Mysliman, sepse gjendja ishte shumë e rënduar dhe mjaft preokupuese.
Programi themelor i revistës "Zani i Naltë", i cili u botua në numrin e parë, kishte këto synime: Me bashkue në një trup të fortë e të qëndrueshëm popullin mysliman shqiptar pavarësish përkatësisë fetare dhe besimit.
Me përmirësue gjendjen e vakufeve, të xhamiave, të mesxhideve, të medreseve, të teqeve e të tjera institucioneve myslimane kësi sojit.
Me ia zbulue popullit mysliman shqiptar të vërtetat e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikueme, tue ia ngrofun këtij zemrën me dashni për këto të vërteta.
Simbas statutit me plotesue vllaznimin ndërmjet të gjithë elementëve në Shqipni.
Me këto nijete, mandej me forcue edhe themelet e një politike së shëndoshtë e fjeshtë kombëtare në shtetin tonë (Zani i Naltë, nr 1, 1923).
Ndër studiuesit islamë më i njohuri që ka bashkëpunuar me revistën "Zani i Naltë” ka qenë Hafiz Ali Korça, i cili ishte njëri ndër nismëtarët e krijimit të revistës. Intelektualët e tjerë islamë që kanë trajtuar tema të rëndësishme dhe të larmishme fetare janë edhe: Haki Sharofi, Jonuz Bulaj, Hasan Tahsini etj. Ndërsa artikuj lidhur me reformat, modernizimin e medresesë, zhvillimet kulturore, interpretimet shkencore filozofike, morale dhe etike, kanë shkruar edhe personalitetet e shquara, si: Salih Vuçiterni, Mehdi Frashëri, Lumo Skendo, Ferit Vokopola, Nebil Cika, Sheuqet Muka, Ihsan Qereshniku etj.
Kontributi i revistës "Zani i Naltë", nga aspekti kulturorë e kombëtar, vështrohet në disa drejtime.
Së pari: shumë nga intelektualët bashkëpunëtorë të revistës përmes artikujve dhe studimeve të tyre hynë në oqeanin e diturisë e të shkencës, dhe me kontributin e tyre u afirmuan e u bënë personalitete të shquara. Në
mesin e tyre gjejmë kryetarë të Komunitetit Mysliman,studiues, autorë veprash shkencore, orientalistë, përkthyes, gazetarë, akademikë etj.; së dyti: kjo revistë për lexuesit shqiptarë ofroi njohuri të shumta të mendimit
fetar e filozofik islam, të bazuar në burimet e Islamit, në Kuran dhe në Hadith. Revista "Zani i Naltë” kishte për synim t'i ndërgjegjësonte shqiptarët për vlerat e fesë islame dhe për mundësitë e zbatimit të saj në kushtet e jetës bashkëkohore.
Revista "Zani i Naltë” ka një rol dhe kontribut konstant edhe në fushën e edukimit patriotik, në formimin e ndërgjegjes kombëtare, në bashkimin dhe unitetin e popullit shqiptar. Kredon e vet patriotike redaksia e kishte shpallur haptazi para lexuesve të vet, duke theksuar: "Na të 'Zanit të Naltë' kemi le shqiptarë, jemi rritur shqiptarë dhe do të vdesim shqiptarë". Si duket revista dhe autorët që shkruanin në të me kohë e kishin kuptuar se feja islame dhe edukimi i njerëzve në frymën e saj janë të lidhura ngushtë me ndjenjat kombëtare, me frymën atdhetare dhe përgjegjësinë qytetare për të punuar për zhvillimin dhe përparimin e kombit shqiptar. Qëndrimi ndaj atdheut dhe edukimit patriotik trajtohen në një plan të gjerë politik, shoqëror, moral dhe ekonomik. Por, jo rrallëherë lidhur me problemet e fesë dhe të atdheut revista "Zani i Naltë” hyri në polemikë me autorë të shumtë ateistë. Madje, Hafiz Ali Korça shpeshherë në këtë revistë trajtoi çështjet e nacionalizmit dhe të fesë. Ai me një theks të veçantë letrar-artistik shprehet me vargjet: "Dini e vatani janë dy binjakë janë/Që të dy një rrënjë e një burim kanë". Hafiz Ali Korça, përmes shumë vargjeve e poezive shkroi edhe për pavarësinë e Shqipërisë dhe bashkimin kombëtar. Përmes këtyre vargjeve ai ishte shprehur: "An e mb'an bota sot e kuptoi, mëma Shqipëria nga zgjedha shpëtoi”. Pastaj: "Të mos qe bashkimi derdhej shumë gjak, kujtoi edhe fqinjët na hidhnin në lak". Dhe poezia tjetër: "Kur ne t'mos kemi një bashkim në shtet ahere do jemi për lum e për det". (Zani i Naltë, Nr. 9, qershor, 1924).
Në një poemë tjetër me titull "Vajtimet e atdheut”, Hafiz Ali Korça përshkruan gjendjen e mjerë të shqiptarëve në Kosovë dhe bombardimet e Serbisë në Drenicë bërë në ditën e Kurban Bajramit. Ai vajton gra, burra e foshnje që vriten, katundet e tyre që digjen, dhe ata që u përzënë nga vatrat e tyre: "Me s'tu nda zjarri, Me s'tu nda flaka, me s'tu nda vrasja, ndjekja, shuplaka". Kur apetitet e fqinjëve, sidomos të atyre sllavë, për t'u zgjeruar në dëm të trojeve shqiptare, nuk ishin shuar ende, në revistën "Zani i Naltë” gjejmë shkrime që u bëjnë thirrje shteteve evropiane e të qytetëruara që të mbajnë qëndrim të drejtë karshi territoreve shqiptare të copëtuara më parë. Ky shqetësim shprehet përmes këtyre vargjeve: "Qytetërimi ku është vallë? Përse, Evropa nuk iu sheh hall?”. Autori,duke konsideruar Kosovën dhe Çamërinë si dy pjesë të pandashme të Shqipërisë etnike, spikat: ”M'i madhi krahi i Shqipërisë! M'e madhja çerdhe e trimërisë!". (...) "Iu dha serbit e Greqisë". (Zani i Naltë, Nr. 11, gusht, 1924).

"Zani i Naltë" për 28 Nëntor 1929

Në numrin e 5-të të revistës "Zani i Naltë" e hasim të botuar një shkrim me titull "28 Nanduer, 1929". Ky artikull ka më tepër karakter informativ, sepse informon mbi shënimin e festës së 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, e cila ishte organizuar më 1929, në Xhaminë e Vjetër, nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Artikulli fillon me këto fjalë: "Kjo ditë e lumtun dhe fatbardhe e kombit t'onë fisnik e bujar u kremtue me madhninë që i përkkite ktu në kryeqytet; popullsia e të cilit e priti, sikurë të gjithë ajo e viseve tjera, me nji gëzim e dashuni të posaçme"
Revista "Zani i Naltë” dha një kontribut të shquar për progresin dhe zhvillimin e shoqërisë, mbështetur në vlerat e mendimit islam e në përshtatje me moralin, shijet, psikologjinë, botëkuptimet dhe idealet e shoqërisë shqiptare. Pavarësisht nga dallimet e pikëpamjeve të botuara shpesh me karakter të theksuar polemizues, "Zani i Naltë” u bë një dritare, një rrugëdalje e hapur drejt progresit. Autorët e shumë artikujve dhanë programe manifest, por edhe shpresë, besim e siguri për brezat. Përmes saj shpeshherë u dënua injoranca, pastaj zakonet e mbrapshta dhe injorante, varfëria, u ngrit zëri edhe kundër egoizmit dhe pasioneve të pakontrolluara. Me të drejtë dhe nga revolta Mehdi Frashëri do të thërriste: "Ay popull që rrëzohet me këmbët e veta, nuk ka të drejtë të ankohet”.
Për shkak të kohës së gjatë të daljes së revistës "Zani i Naltë", mund të thuhet se ajo pati një rëndësi shumë të madhe në edukimin fetar mysliman të popullatës shqiptare, por edhe të zgjimit të ndjenjave patriotike, ngritjes kulturore e arsimore etj. Andaj, mund të thuhet se kjo revistë i përkrahu shumë proceset shoqërore e demokratike që u filluan në territorin e shtetit shqiptar. Se kjo revistë ishte gjithnjë në funksion të tolerancës fetare, në funksion të çështjes kombëtare dhe në korrespodencë me organet dhe institucionet e shtetit shqiptar, me qëllim të promovimit të këtyre vlerave, tregojnë edhe qarkoret dhe dokumentet tjera zyrtare që botoheshin herë pas here në faqet e kësaj reviste.
Një dokument të tillë e gjejmë të botuar që në numrin e parë të kësaj reviste.
Kjo revistë ishte ndihmëse edhe në ndërtimin e shtetit shqiptar, në ndërtimin e modernitetit të shoqërisë shqiptare në vitet 20-40. "Zani i Naltë” ndihmoi po ashtu në hapjen e perspektivave drejt kontinentit ku duhej të zinte vend shoqëria shqiptare dhe myslimane, e që ishte Evropa perëndimore.
Në fund, dua të potencoj se kompleti i botuar i revistës "Zani i Naltë" hyn në botën e periodikut që shërben si referencë jashtëzakonisht e mirë për të gjithë studiuesit e kësaj fushe. Prandaj, ia rekomandoj lexuesi dhe studiuesi që ta lexojë këtë komplet të revistës "Zani i Naltë”, sepse, sipas meje, ka vlerë të rëndësishme shkencore.



Prof. Asoc. Dr. Fahrush Rexhepi
DituriaIslame 208


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë