Hafëz Lutfi Efendi Ahmedi (1904-1981)

-Skicë për një monografi -

Myderriz Hafëz Ali ef. Ahmedi, Drejtor i shkollës "Ryzhdije" dhe më vonë themelues dhe drejtor i "Medresesë së Preshevës", tek i cili Hafëz Lutfiu përfundoi hafëzllëkun, shkollën "Ryzhdije" dhe mori "Ixhazetin".

Hyrje

Disa personalitete bëjnë ndryshime të mëdha në histori, lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e popullit të tyre, dhe mundësojnë që edhe pas vdekjes së tyre prore të përmbushin shpirtin dhe ndërgjegjen e të gjallëve, ngaqë vepra e tyre është aq e frytshme saqë frytet e tyre ngelin në dynja edhe pas amshimit të tyre në ahiret. Një nga personalitetet e shquara dhe që ka lënë vulën dhe gjurmët e veta gjithandej nga shkoi e veproi është edhe Hafëz Lutfi efendi Ahmedi nga Presheva, i cili me dijen dhe veprën e tij së pari rilindi veten e tij, e më pas edhe popullin e tij, duke e shpërndarë dijen që kishte, si me udhëzim ashtu edhe me këshillim dhe duke vepruar për ta dhe pro tyre deri në frymën e fundit. Njerëz sikur Hafëz Lutfi efendiu, vijnë rrallë në këtë botë. Ishte mësues, imam, edukator, këshillues, ligjërues, veprimtar politik dhe prijës i shquar.

Lindja, edukimi dhe shkollimi

Hafëz Lutfi efendiu lindi në Preshevë, më 31. 11. 1904, në një familje arsimdashëse e të formuar kombëtarisht dhe me taban kulturor. Shkollën fillore e kreu në Preshevë, te i ati i tij Abdylaziz efendiu, i cili ishte i shquar dhe njihej si mësues i shkollave në Kumanovë dhe Preshevë me rrethinë. Në vitet e hershme të vegjëlisë e kreu shkollën tek i ati dhe te Selim Selimi dhe Talat Hydaverdi Esati, të cilët njiheshin si pinjollë të parë të arsimit në këto treva, ndërsa më pas vazhdoi mësimet në shkollën e mesme të atëhershme të quajtur II Ryzhdije" , në Preshevë, ku mësues dhe drejtor i saj ishte ungji i tij, mësuesi i parë i shkollave shqipe në Preshevë, Myderriz Hafëz Ali efendi Ahmedi, me ç'rast edhe diplomohet në këtë shkollë. Në shkollën "Ryzhdije", Hafëz Lutfiut i jepet mundësia që të pajiset me mësim dhe njohuri të shumta në shkencat fetare dhe shkencore, që ishin të parapara në plan-programet e këtyre shkollave, që ishin fort të avancuara për kohën. Lëndët që mësoheshin në shkollat "Ryzhdije", ndaheshin në tri grupe: në lëndët shkencore, gjuhësore dhe ato fetare.
Në grupin e parë, respektivisht në lëndët shkencore, bënin pjesë: Algjebra, Edukata fizike, Bukurshkrimi, Historia, Gjeografia, Gjeometria, Amvisëria, Shkencat për ruajtjen dhe kujdesin shëndetësor j Higjiena, Metodologjia e mësimdhënie s dhe hulumtimit dhe Matematika.
Në grupin e dytë hynin lëndët fetare: Shkencat e Përgjithshme Fetare dhe Kurani me disiplinat e tij.
Në grupin e tretë bënin pjesë lëndët gjuhësore, si: Gjuha arabe, Gjuha osmane, Gjuha perse dhe Gjuha frënge.
Nëpër të gjitha këto lëndë Hafëz Lutfiu u vlerësua me nota të larta, dhe veç e veç nga secili profesor, të cilët përveç firmave të tyre kishin vënë edhe vulat në diplomën e Hafëz Lutfiut.



Myderriz Hafëz Ali ef. Ahmedi, Drejtor i shkollës "Ryzhdije" dhe më vonë themelues dhe drejtor i "Medresesë së Preshevës", tek i cili Hafëz Lutfiu përfundoi hafëzllëkun, shkollën "Ryzhdije" dhe mori "Ixhazetin".

Krahas vijimit të shkollës, Hafëz Lutfiu në moshën dhjetëvjeçare përfundoi edhe "hafëzllëkun" - "mësimin e Kuranit përmendësh", gjithashtu tek axha i tij, Myderriz Hafëz Ali efendiu.
Përveç këtyre, Hafëz Lutfiu kreu edhe medresenë e Preshevës, ku edhe mori ixhazetinj diplomën, të cilën ia lëshoi myderriz Hafëz Ali efendiu.


Punësimi dhe aktiviteti politik për çështjen shqiptare

Pas përfundimit të krejt niveleve të shkollave të kohës dhe hafëzllëkut, Hafëz Lutfiu filloi menjëherë aktivitetet e tij në xhami-si imam i rregullt, dhe në shkollë-si mësues i rregullt.

Hafëz Lutfiu në moshë të re



Gjatë periudhës ndërmjet viteve 1928/29 e deri në vitet 1932, Hafëz Lutfiu punoi si "mualim" - "mësues" nëpër shkollat e atëhershme "ibtitidaije" - "fillore" të Preshevës. Gjatë kësaj pune trevjeçare e ndihmoi në masë të madhe edhe e shoqja e tij hafëzja Emine Aliu - Ahmedi, e bija e ish administratorit dhe tregtarit të famshëm të Preshevës, Ymer efendi Aliut.
Në vitin 1932 emërohet si imam ofiqar për xhematin që varej nga xhamia kryesore e qytetit, përkatësisht, te xhamia e "Ibrahim Pashë Bushatliut".
Duke qenë imam, me insistimin e Abdulla Krashnicës, i cili në atë kohë ishte kryetar i Nënprefekturës së Preshevës, Hafëz Lutfiu u emërua si zëvendës i kryetarit të Nënprefekturës së Preshevës. Këtë post ai e ushtroi menjëherë pas çlirimit, domethënë gjatë viteve 1944/45.
Nga protokollin me numër 14/45 të datës 04. 01. 1945, shihet se Hafëz Lutfiu është emëruar si referent kryesor i arsimit në Nënprefekturën e Preshevës. Pas kësaj gjithashtu filloi edhe vijimin e punës si mësues në shkollën e parë shqipe të Preshevës, e cila fillimisht ishte e vendosur në godinën e njohur si "Villa Letafet", e më pastaj në "Medresenë e Vjetër të Preshevës", e më vonë te godina pranë stacionit të autobusëve në Preshevë.
Në kohën kur ishte mësues Hafëz Lutfiu, drejtoreshë dhe mësimdhënëse e atëhershme e shkollës ishte Lepsha, ndërsa zëvendës i saj dhe drejtor për shqiptarët ishte Hafëz Lutfiu.
Në këtë kohë Hafëz Lutfiu nxënësve u mësonte gramatikën e gjuhës shqipe, duke u bazuar në një gramatikë që e kishte marrë në Shqipëri, e që përdorej në shkollat e mesme të Shqipërisë. Edhe sot e kësaj dite nxënësit e tij, si: Bejtullah Osmani, Sylejman Ahmedi, Sylejman Fetahu etj., kujtojnë me nostalgji dhe flasin me admirim për mësimet që ua kishte mësuar, formën dhe mënyrën e shpjegimit të mësuesit të tyre.
Në kohën sa ishte mësues Hafëz Lutfi u burgos nga UDB-ja jugosllave. Në një dokument të kohës shkruan se burgosja e Hafëzit ishte urdhër i prerë që patjetër duhej përmbushur. Kjo dëshmi është në protokollin
me numër 13 të Nënprefekturës së Preshevës, të datës 27. 02. 1947. Në mungesë të argumenteve, provave dhe verifikimit e lëshuan nga burgu pas një muaji, por ky lëshim ishte me kusht, e kjo ndodhi aty diku me datë 28.03.1947. Mirëpo, pas daljes nga burgu ai sërish e vazhdoi punën e tij në arsim.
Edhe disa vite punoi si mësues, dhe më vonë u detyrua nga sistemi i kohës që ta hiqte uniformën e tij fetare të hoxhës, respektivisht "shallin" - "çallmën", gjë që ishte në kundërshtim të plotë me profesionin dhe idetë e Hafëz Lutfiut.
E gjithë kjo ndodhi nga detyrimi i dhunshëm i Josif Trajkoviqit, i njohur në popullatë me nofkën "Joski", për arsye se e kishte pasur Selim Selimin si nxënës, ndërsa Hafëz Lutfiu dhe Selim Selimi kishin raporte të shkëlqyera dhe respekt të madh për njëri-tjetrin.
Iniciator i burgosjes së tij ishte personi mirëmbajtës i shkollës, një serb i quajtur Hristo, që gjatë kohës kur Hafëz Lutfiu ai ishte mësues ai ishte shërbëtor dhe pastrues i shkollës.(1)
Si personalitet Hafëz Lutfi efendiu ka qenë një entuziast dhe person që meriton çdo lëvdatë. Ka qenë shumë i rregullt në kryerjen e shërbimit fetar,
ka pasur një zë të bukur, gjë që edhe më shumë ia ka rritur vlerën si imam. Ka qenë njeri me ideale të forta kombëtare, dhe më 1945, kur filluan të hapen shkollat e para shqipe dhe kur kuadri për këto shkolla mungonte gati 100 %, ai pa u hamendur aspak u paraqit të punojë si mësues. Ky vendim i tij ndikoi pozitivisht edhe te shumë hoxhallarë, që u rreshtuan ndër mësuesit e parë në këtë proces me rëndësi të madhe kombëtare. Ky me kolegët e tij të profesionit ka përcjellë shumë gjenerata, nga ku dolën shumë studentë të profileve dhe fushave të ndryshme.(2)
Përveçqë imam dhe si prijës fetar, Hafëz Lutfiu ka mbajtur edhe shënimet e gjendjes civile të xhematit të tij, si "Mbajtja e librit amzë të të lindurve, të të vdekurve dhe të të kurorëzuarve.(3)


___________________
(1) Nga kujtimet e të birit të tij, Hafëz Avni efendi Ahmedit. Bisedë e zhvilluar më 01. 14. 2016 në Preshevë.
(2) Nijazi Bektashi, Revista "Jehona", f. 25, bot: 27, Janar 2003, Bujanoc.
(3) Nijazi Bektashi, po aty, f. 24.



Dr. Hatixhe Ahmedi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme