Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka ogrganizuar sot në Gjakovë konferencën “Përfshirja e komunitetit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”
Pjesëmarrës në panel ishte Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë, Ahmet ef. Hoxha bashkë me znj. Mimoza Kusari-Lila, kryetare e komunës së Gjakovës, Kristë Gjokaj Komandant në Stacionin Policor në Gjakovë dhe Skender Pertreshi - hulumtues në QKSS.
Fillimisht Skender Perteshi theksoi se fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit është fenomen në rritje ku ne si vend kemi qenë shënjestër e rekrutimeve për pjesëmarrje në luftëra të ndryshme në vendet e Sirisë..
Më pas Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari - Lila, u shpreh se ky ka qenë një problem shqetësues edhe për komunën e Gjakovës ku rreth 7 qytetarë të kësaj komune ishin pjesëmarrës në luftëra në Siri.
“Nuk ka pasur strukturë familjare që i ka shtyrë këta persona për të marrë pjesë në luftëra. Ne si shoqëri duhet të fokusohemi që të krijojmë hapësira për bashkëpunim me organizata rinore që të shtyjmë forca udhëheqëse pozitive në mënyrë që rinia të ketë hapësira për edukim të mirëfilltë.”
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë, Ahmet ef.Hoxha tha se feja Islame nuk stimulon ekstremizmin dhe radikalizmin, personat që kanë ndjekur këtë rrugë nuk kanë bagazh fetar islam.
“Islami është fe e paqes, sigurisë dhe dashurisë. Shoqëria kosovare ka nevojë të informohet më shumë dhe të jetë në gjendje të bëjë dallimin mes ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit, si dhe vlerave që promovon besimi Islam. IslamI nuk ka kurrfar lidhje me këto fenomene. Islam është fe që thërret në paqe, dashuri dhe respekt”.
Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj prezantoi punën e policisë në parandalim dhe luftimin e ekstremizmin të dhunshëm. Ai tha se policia ka pasur qasje të kujdesshme në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm si dhe ka bashkëpunuar ngushtë me të gjithë akterët në vend duke theksuar që Gjakova është një ndër vendet me shumë besime fetare dhe me një harmoni fetare. Megjithatë faktorët që nxisin tendencat për ekstremizmin e dhunës janë ata social, ekonomik etj.
Në fund të konference u mbajt debat i hapur për pjesëmarrësit.