"Kurani si përmbajtje letrare" është një punë që paraqet vlerën letrare të Kuranit në përgjithësi, dhe mangimin apo mohimin e kësaj vlere gjatë përkthimeve të tij në gjuhën shqipe dhe jo vetëm, që nga tentativat e para e deri në kohën tonë.
Kurani është një kryevepër(1) letrare, mirëpo si e tillë nuk është njohur në të gjitha gjuhët që është përkthyer.
Prandaj, nëse për të gjitha që ka thënë për Kuranin nuk ka pasur të drejtë, Theodor Nöldeke(2) pa dyshim se ia qëlloi kur tha se Kurani është libri më i lexuar në historinë e njerëzimit.
Duke qenë se është më i lexuari, edhe ndikimi i tij, apo edhe fascinimi nga ai, në çdo plan, është i pashmangshëm, qoftë si strukturë apo edhe si përmbajtje.
Themi fascinimi sepse kur diçka e klasifikojmë si kryevepër letrare, para së gjithash e vlerësojmë mbi bazë të një fascinimi individual, dhe synojmë që këtë vlerësim tonin ta bëjmë të përgjithshëm e të gjithpranueshëm.(3)
Kurani gjatë gjithë historisë së tij u shqua si kryevepër letrare e arabëve. Mrekullia gjuhësore dhe letrare e Kuranit ishte ajo që mahniti gjithë letrarët! poetët arabë, saqë edhe u dorëzuan para sfidës që Kurani ua bëri atyre. Kjo sfidë për letrarët ende është aktuale, ndërsa ky edhe është fakti kryesor që Kuranin e shquan si kryevepër letrare-universaliteti.
Parimisht, kryevepra letrare pasi të pranohet si cilësim, vijon si vlerësim, për të arritur në nivelin e kategorisë letrare.(4)
Kurani që nga fillimi u cilësua si vlerë e arrirë letrare, u vlerësua vazhdimisht si i tillë dhe, në fund, u kategorizua si kategori e veçantë letrare dhe e paarritshme.
Një kryevepër letrare, përveç tjerash, dallohet edhe nga historitë që trajton, fatet e personave në historitë brenda veprës, struktura që ka, figuratika, semantika, fiksionaliteti etj.
Kurani shquhet për secilën nga veçoritë e lartcekura, dhe si i tillë qëndron në nivel kryevepre me gjithë letërsinë e gjuhës në të cilën zbriti. Ndërsa, sa i përket përkthimit të tij nëpër gjuhët e botës (edhe në gjuhën shqipe), atij as që iu njoh kjo vlerë, dhe kështu udhëtoi më shumë si një nga kuptimet e mundshme të tij, dhe, për fat të keq, jo si edhe një nga kryeveprat, tani edhe letrare, të gjuhës në të cilën u përkthye.
I. Forma letrare dhe sinkretizimi
Pra, Kurani si mrekulli në gjuhën arabe përjetohet falë sinkretizimit të trinisë tingull, formë dhe kuptim. Semantika dhe stilistika e Kuranit janë fuqia më e madhe e tij, dhe kjo u dëshmua për mbi 14 shekuj; asnjë njeri nuk arriti të ndërtojë ndonjë tekst që forma dhe përmbajtja e tij të jenë aq unike dhe të shkrira aq organikisht, (kjo sa i përket sematnikës), si dhe asnjë njeri nuk arriti të ndërtojë ndonjë tekst që flet përmes figurës (fonologjisë) dhe idesë (kjo sa i përket stilistikës). Pra, mbi këtë bazë edhe e mbështesim mendimin e Hafidh bin Kethirit, se Kurani është mrekulli e dyfishtë: e mendjes, dhe e shqisave.(5)
Derisa në antikë letërsia konceptohej si sinkretizim i trinisë tingull, ortografi (shkrim) dhe lëvizje, që sot janë ndarë në modele artesh të veçanta: muzikë (tingulli); letërsi (shkrimi) dhe vallëzim (lëvizja), dhe vetëm kjo formë e artit shquhej si e arrirë, pra sa herë që kishte harmoni mes elementeve, ky element, pra harmonizimi duke ruajtur veçoritë themelore të secilit përbërës, sot edhe shquhet si pjesë elementare dhe themelore e kryeveprave letrare.
Mbi këtë bazë arti letrar edhe mund të ketë nxjerrë format letrare të epikës, lirikës dhe dramatikes(6), përkatësisht nga kuptimi dhe shkrimi epikën, nga tingulli dhe muzika lirikën, dhe nga forma dhe lëvizja dramatiken, ndërsa harmonizimi dhe shkrirja e këtyre formave në një vepër, por pa eliminuar veçoritë themelore të secilës formë, shquhet edhe si kreativitet por edhe si origjinalitet.
Si shembull mund ta marrim suren Jusuf, që është shembulli më tipik nga Kurani sa i përket këtij elementi. Në suren Jusuf aq organikisht është shkrirë kjo trini sa, qoftë në shqip apo edhe në origjinal është bukur vështirë ta dallojmë (është fjala për shkrirjen e trinisë formale artistike). Derisa e lexojmë suren të përngjet sikur ngjarjen e sheh duke u realizuar në skenë. Edhe ndërtimi strukturor/formal i tekstit është thuajse sikur i një teksti dramatik. Fragmentariteti dhe historitë e të burgosurve në burg të ngjajnë sikur pamje skenike brenda një skene dramatike (mizanskena). Në plan prozaik historitë e të burgosurve rrinë aq mrekullisht si botë paralele fiksionale, saqë edhe forma se si vijnë (ëndrrat) është plotësuese e këtij mendimi. Madje, edhe tërë historia e Jusufit vjen si botë fiksionale: jeta e tij ec vijës së realizimit të një ëndrre, ndërsa dihet se ëndrra s' është realteti. Megjithatë, edhe dialogët në këtë sure i shkojnë shumë një teksti dramatik. Njëkohësisht, duke qenë edhe në formë lirike, poemë, sureja Jusuf ec tehut të prozës (rrëfimit), dhe të dramës, pa u bërë as prozë e as dramë tërësisht, dhe pa mbetur as poezi e pastër veçanërisht, por duke qëndruar çdoherë e veçantë dhe e rrallë. Në fund të fundit, kush të dojë mund ta lexojë si tekst lirik, poemë, si tekst prozaik, tregim, apo edhe si tekst dramatik, dramë. Sepse kjo sure, edhe sa i përket veprimeve-aksionit, është unike. Kjo veçori nuk haste në asnjë letërsi, përveç në Kuran, ndërsa shumë shkrimtarë provuan të shkruajnë po në këtë mënyrë, e ndër ta edhe gjeniu gjerman Johan Volfgang Gëte.(7)
Mirëpo, format letrare që ka Kurani, format lirike si: ode-poezi kushtuar Hyjnisë (Ajetul Kursij etj.), himnpoezi përkushtuese (ajetet nga sureja Hashër: 22-24 etj.), ditiramb-poezi rituali (El Fatiha etj.), idil-poezi përshkruese e bukurive natyrore (ajetet nga sureja Err Rahman, apo nga suret tjera, ku përshkruhen bukuritë e Xhenetit), baladë (sureja Duha etj), poemë (sureja Shems etj.) etj., pastaj format prozaike: kryesisht tregim (sureja Jusuf) e novelë (sureja Kehf), në shqip nuk vijë siç janë në origjinal. Pra kemi eliminim komplet të formës letrare.
Në letërsinë shqipe, pavarësisht se gojën plot kumtohet se Kurani ndikoi te filan e filan shkrimtari, si formë dhe si estetikë ai asnjëherë nuk arriti të shquhet te asnjëri. Përveç elementit ido-tematik, Kurani te shqiptarët dhe në shqip nuk erdhi asnjëherë si vlerë estetike.
II. Muzikaliteti dhe figurat tingullore
Gjuha e Kuranit është gjuhë që vazhdimisht prek ndjenjat përmes figurave letrare. Mirëpo, ndryshe nga letërsia, Kurani prek edhe përmes formës/strukturës, por edhe përmes përmbajtjes/kuptimit. Pra, siç e thamë edhe më sipër, Kurani si mrekulli në gjuhën arabe përjetohet falë sinkretizimit të trinisë tingull, formë dhe kuptim.
Mirëpo jo në gjithë botën qarkulloi si mrekulli e tillë. Për shembull, në gjuhën shqipe Kurani nuk erdhi si mrekulli edhe letrare/gjuhësore. Mospraktikimi i parimeve të traduktologjisë (teorisë së përkthimit dhe interpretimit në kontekst shkencor), Kuranin në shqip e solli jo siç është, si një (krye )vepër të letërsisë arabe dhe një mrekulli.
Nuk do shumë mund për ta vërejtur mangimin semantik/semiologjik të figurave tingullore të Kuranit në gjuhën shqipe. Në fakt, gjithë përkthimet e deritanishme të Kuranit në shqip atij ia kanë eliminuar këtë element, duke e lënë atë vetëm si tekst retorik.
Dhe, për dallim nga origjinali, sot Kurani në shqip nuk ka asonancën, aliteracionin, onomatopenë, anaforën, epiforën, anadiplozën, simplokën etj. Ndërsa, atë që mund ta vërejë secili, sot Kurani në shqip nuk e ka muzikalitetin rimor, pra rimën e brendshme ose të jashtme.
Eliminimi i këtyre veçorive letrare shpeshherë erdhi si pasojë edhe e neglizhencës së përkthyesve, ose edhe varësisë së tepërt nga përkthimet tjera. Për shembull, përkthyesi i parë i Kuranit në shqip, Prof. Dr. Feti Mehdiu, ajetet e para të sures El Mutafifinë (f. 506) i për kthen kështu:
1. Të mjerë ata që drejt nuk peshojnë,
2. Të cilët kur blejnë, e marrin masën e plotë prej të tjerëve,
3. Por, kur u masin të tjerëve me litër e kandar ua mungojnë.
4. Ata nuk mendojnë se do të ringjallen
Ndërsa përkthyesi Sherif Ahmeti i përkthen kështu:
1. Të mjerët ata që mangu masin e peshojnë.
2. Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë,
3. e kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangu.
4. A nuk e dinë të tillët se kanë për t'u ringjallur.
Ndërkaq përkthyesi Hasan Nahi i përkthen kështu:
5. Mjer për ata që hanë në peshë (dhe matje),
6. që, kur masin për vete, e marrin masën e plotë,
7. ndërsa, kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar, ua pakësojnë.
4. A nuk mendojnë se ata do të ringjallen
Derisa Muhamad Zakaria Khan (që Bismilahin e llogarit si ajet të parë të sures dhe jo siç bëjnë të tjerët, - botuar në UK, në vitin 1990, f. 846), vargjet e para të kësaj sureje i përkthen kështu:
2. Vaj për ata që mangu masin.
3. Që kur masin për vete, e plotësojnë,
4. Por, kur u masin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangu
5. A nuk mendojnë njerëzit e tillë se do të ringjallen
Nga një përkthim tjetër, ai i Selim Sylejmanit(8), që si i tillë përcaktohet si përkthim i kuptimeve të Kuranit, katër vargjet (citatet) e po kësaj sureje përkthehen kështu:
1. Të mjerët ata që vjedhin gjatë matjes,
2. të cilët kërkojnë të plotësohet kur blejnë prej njerëzve,
3. po kur të tjerëve u matin me litër apo terezi, atëherë vjedhin.
4. A nuk mendojnë të tillët se vërtet do të ringjallen,
Nga gjithë përkthimet, pa shtuar asnjë fjalë tonën, por vetëm duke i kombinuar dhe duke i letrarizuar, e provuam që në katër vargjet e para të ruajmë, të paktën rimën e jashtme. Dhe, vargjet e njëjta na dolën kështu:
1. Të mjerët ata që drejt nuk peshojnë.
2. Që kur blejnë, prej të tjerëve e marrin masën e plotë,
3. por kur masin për të tjerët, me litër e kandar ua mungojnë
4. Se do të ringjallen a nuk mendojnë?
Në këtë rast vargjet kanë, të paktën, në muzikalitet më të theksuar, duke qenë se në katër vargjet e para kemi rimën A, B, A, B, dhe kështu lexohen më këndshëm.
Dhe kështu, duke ia munguar këto elemente letrare që Kuranin e shquajnë si të veçantë, pra muzikalitetin e tij, Kuranit në shqip i mungohet edhe përshtatshmëria e frymës kuptimore me atë ideore. Si shembull për këtë prapë mund ta përmendim suren Jusuf, që për nga vlera letrare është kryevepra e letërsisë kuranore. Në suren Jusuf kemi një melos që i përshtatet aq mirë frymës kuptimore, varësisht nga intensiteti dramatik. Kështu pra, kur Jakubi vuan për të birin, pastaj kur Jusufi vuan nga tradhtia, burgosja ose mërzia për të atin Jakubin etj., ngjarja bëhet më e rëndë, siç janë edhe tingujt, fjalët, e që përgjithësisht mbisundohen nga shkronjat e rënda, ndërsa në letërsi, përkatësisht stilistikë, kjo formë jep figurën tingullore stilistike të aliteracionit. Ndërsa, kur kemi përshkrimin e ngjarjeve të gëzueshme për Jakubin, Jusufin, dhe përgjithësisht ngjarjet e gëzueshme dhe të lumtura, kemi lehtësim të tingujve; fjalët përgjithësisht mbisundohen nga shkronjat e lehta, saqë edhe ata që s' e kuptojnë arabishten në vija të trasha arrijnë të kuptojnë se çfarë po ndodh, apo e kuptojnë notën shpirtërore të zhvillimit të ngjarjes (atë notë që e njohin vetëm artistët).
Në aspektin estetik/stilistik, kjo formë jep figurën tingull ore stilistike të asonancës.
Të dyja këto figura i janë mënguar përkthimit të Kuranit në shqip.
Këtë sure (dhe jo vetëm) në shqip, në secilin version, e kemi pa artin letrar që ka. Përveç eliminimit të figurave tingullore stilistike, kësaj sureje i janë mënguar edhe dramaticiteti, fiksionaliteti letrar apo nivelet narrative të ndërtimit të rrëfimit etj.
Mangimi i harmonisë tingullore dhe jo vetëm të Kuranit në shqip prej gjithë përkthyesve të deritashëm Kuranin te shqiptarët në shqip e ka bërë më pak të lexueshëm. Po të ishte ndryshe, ai do të mishërohej dhe do të ishte pjesë më organike e kësaj shoqërie, siç është version origjinal, (kryevepër e letërsisë arabe, siç e rithekson edhe Hasan Kaleshi(9) në një vepër të tij).
Dikush mund të thotë se një përkthim i tillë është i pamundur, e kjo për shkak të gjuhës shqipe që s'ka fond të mjaftueshëm të fjalëve, apo edhe semantostilistikës që ka arabishtja. Mund të pajtohem se Kurani në shqip nuk mund të sillet komplet siç është në origjinal, sepse gjuha shqipe e pamundëson një gjë të tillë, por sjellja jo vetëm e kuptimit por edhe e stilit dhe formës shpeshherë ka mundur të ruhet. Më së paku, në shumë raste mund të ruhej pjesa më muzikore e theksuar e vargut, përkatësisht rima e jashtme, siç sollëm shembullin e mësipërm. Megjithatë, koha kur Kurani erdhi në shqip për herë të parë ishte determinues edhe i formës së ardhjes së tij, pasi atëherë ishte nevoja e posedimit të një Kurani në shqip, pavarësisht se a e ruante letraritetin e tij apo jo. Mirëpo Kurani për traduktologët shqiptarë ende mbetet sfidë, siç është edhe për letrarët/poetët arabë, deri në Ditën e Gjykimit.
III. Fiksionaliteti dhe fuqia narrative
Çdo rrëfim ka strukturë. Struktura e rrëfimit është e përbërë nga një sistem i shenjave, që Seymour Chatman e sheh si strukturë semiotike, e cila përbëhet nga shumë shenja narrative.(10) Narracioni është një strukturim i një ngjarjeje. Nëse rrëfimi është një strukturë semiotike dhe një strukturim i një ngjarjeje; e kjo është narracioni, ai është i ndërtuar në nivele narrative dhe ka: narrator (ai që rrëfen), vokalizator (ai që dëgjon), fokalizator (ai që sheh), narrater (atij të cilit i flet narratori), si dhe disa veçori tjera që janë me interes për fushën e narratologjisë.(11)
Pra, rrëfimi është një botë paralele me atë të autorit, bota fiksionale, dhe aty gjithçka funskionon mbi bazën e fuqisë kreative të autorit. Bota reale është krejt tjetër nga ajo fiksionale, ku gjithçka varet nga projektimi dhe mënyra e funksionimit të jetës.
Kurani si (krye)vepër letrare shquhet edhe për këtë element. Madje, ai ofron edhe shembull konkret të fiksionales paralel me realen, dhe kështu sendërton strukturën narrative të njërit prej rrëfimeve më të bukura të krejt letërsisë, rrëfimit të historisë së Jusufit.
Fillimisht, vetë Zoti në Kuran i thotë Muhamedit a.s. se po ia tregon rrëfimin më të mirë (më të bukur).(12) Më pas ngjarja transferohet në nivel fiksional: Jusufi sheh një ëndërr ku i bëjnë sexhde njëmbëdhjetë yje dhe Dielli e Hëna.
Në plan prozaik, kjo është hapja e rrëfimit/historisë së Jusufit, dhe mbyllja është me realizimin e ëndrrës. Përgjithësisht, në këtë sure kemi gjithë elementet narrative. Transformimi/kalimi i fiksionales në reale është një argument më shumë se Kurani është real dhe fjalë e Zotit të Vërtetë, sepse të kundërtën, kalimin e reales në fiksionale e kemi në përqindje maksimale në gjithë letërsitë e botës.
Prandaj, përfundimisht pajtohemi me mendimin se kryeveprat janë baza dhe shtylla qendrore e një kulture, siç është edhe Kurani për kulturën islame.
____________________
(1) E kemi përdorur termin vepër edhe pse nuk i përgjigjet komplet asaj që është Kurani. Pra, detyrohemi për shkak të termit ta quajmë kështu, megjithëse fjala e Zotit është cilësi (sifat) e Tij, dhe si e tillë është e pafillim. Arsyeja pse Kuranin e quajmë edhe kryevepër letrare është krahasimi i vlerës letrare kuranore me letërsi të në përgjithësi, dhe atë arabe në veçanti. Në një plan tjetër semantik Kurani si kryevepër arsyetohet edhe si: e para e veprave (pasi fjala është apriori veprave, dhe kështu para çdo vepre, që vjen aposteriori fjalës së Zotit, prin fjala e tij "Bëhu" që gjëja të bëhet); por edhe si më madhja - e para çdo gjëje, pra që rri në krye të radhës, nëse kushtimisht do të ishte e mundur një renditje kronologjike e gjithë krijimtarisë së Zotit.
(2) Theodor Nöldeke, "The Qur'an, An Introduction by Theodor Nöldeke".
(3) Sabri Hamiti, "Utopia letrare", ASHAK, Prishtinë, 2013, f. 249.
(4) Po aty, f. 249. (4) Hafidh bin Kethiri, Mrekullitë e Muhamedit a.s., f. 17.
(5) Këto forma letrare së pari i ka poetizuarj legjitimuar Aristoteli, në veprën e tij Poetika.
(6) Gëte imiton këtë model te kryevepra e tij "Fausti", që shkruhet në vargje gati poetike, ka formë dramatike, ndërsa narracioni e bën komplet vepër narrativejrrëfimtare.
(7) Kur'ani përkthim i kuptimeve. Përktheu Selim Sylejmani. Boton Shoqata Kulturore "Kurani", Kosovë. Viti i botimit 2011 (Ribotim).
(8) Hasan Kaleshi, Kurani kryevepër e letërsisë arabe.
(9) Ag Apolloni, Paradigma e Pro-teut, OM, Prishtinë, 2012, f. 99.
(10) Ky term për herë të parë është përdorur nga Cvetan Todorov, në 1969.
(11) Kuran, Sureja Jusuf, Citati 3.
(12) Sabri Hamiti, "Utopia letrare", ASHAK, Prishtinë, 2013, f. 250.