Dita Ndërkombëtare e Hixhabit në prestigjiozen Glamour

1 shkurti shënoi Ditën Botërore të Hixhabit (WHD) në shenjë njohjeje të miliona grave muslimane të cilat zgjedhin të mbajnë hixhabin dhe të jetojnë një jetë modeste.

Ideatore e kësaj lëvizjeje ishte një qytetare e Nju Jorkut, Nazma Khan, e cila erdhi me këtë ide si një mjet për të nxitur tolerancën dhe mirëkuptimin fetar duke ftuar gratë (muslimanet të cilat nuk veshin hixhab apo jomuslimanet) që të provojnë hixhabin për një ditë.
Për shumë njerëz, hixhabi është simbol i shtypjes dhe ndarjes. Duke hapur shtigje të reja të të kuptuarit, Nazma shpreson t’u kundërpërgjigjet disa prej polemikave rreth asaj se përse gratë muslimane zgjedhin të mbajnë hixhabin.
Glamour sjell tre gra të cilat tregojnë se pse ato kanë zgjedhur të mbajnë hixhabin, dhe një prej tyre shpjegon se përse ka zgjedhur mos të bëjë një gjë të tillë.

Asha Hussein, 25 vjeçe, aktiviste rrjetesh sociale dhe blogere



“Isha 17 vjeçe kur vendosa që krejtësisht ta ndryshoja jetën time jo vetëm si muslimane, por si grua. Vendosa të vishja hixhabin. Ashtu si shumë gra që mbajnë hixhabin, ishte e domosdoshme të lidhesha shpirtërisht me fenë time, ta praktikoja në mënyrë aktive Islamin dhe jo vetëm të bëj një tik në kutinë ‘muslimane’ në formular. Gjëja e parë që vura re ishte se njerëzit po dëgjonin më shumë çfarë po thosha. Unë po vija tek njerëzit si një kanavacë bosh dhe kjo, si një grua, të fuqizon dhe të çliron. Unë nuk jam flokët e mia, unë nuk jam trupi im, unë jam unë. Gratë me hixhab duhet të admirohen për mbajtjen e kokës së tyre lartë dhe për faktin se po veshin hixhabin çdo ditë, pa u frikësuar”.

Khadija Mahamud, 25 vjeçe, inxhiniere dixhitale



“Për mua, hixhabi është më shumë se vetëm një copë rrobe; është një simbol i besimit tim që përfaqëson një pjesë time para botës. Fillova të vesh hixhabin kur isha 15 vjeçe. Isha me fat që mamaja më mësoi në lidhje me arsyet për ta veshur atë dhe ajo më inkurajoi të hulumtoja rëndësinë e saj. Nuk mjafton kurrë si arsye të bëni diçka, vetëm pse dikush tjetër ju thotë ta bëni. Me pak fjalë, mu për këtë shkak isha në gjendje të shoh bukurinë e hixhabit, dhe në thelb fuqinë e përzgjedhjes për t’u mbuluar.
Në një botë ku gratë shpesh seksualizohen, ekziston diçka jashtëzakonisht e fuqishme kur e dini se njerëzit nuk do t’ju gjykojnë sipas asaj që ju vishni. Njerëzit shpesh supozojnë se ka kufizime për të veshur hixhabin. Për mua, vlen e kundërta; kjo më lejon që të jem në mënyrë apologjetike feministe në njërën anë dhe një grua muslimane në anën tjetër. Media ushqen mënyrën se si njerëzit i perceptojnë gratë muslimane; mirë dhe keq. Ne jemi protagoniste në lajmet kryesore ose për shkak se jemi duke thyer kufijtë ose, për shkak se në njëfarë forme, ne duhet të shpëtohemi. Duket sikur është koha për të pranuar, se gratë muslimane nuk janë më ndryshe nga gratë e tjera”.

Muna Jama, 27 vjeçare, ish-garuese e Mis Univers, modele dhe aktiviste humanitare



“Gjatë gjithë karrierës sime, e kam zgjedhur Islamin që të më udhëheqë në jetë, por personalisht kam zgjedhur që të mos mbaj hixhabin. Unë e kam përqafuar besimin nëpërmjet bisedave, sjelljes sime dhe mënyrës sesi vishem. Unë e tregova versionin tim të modestisë kur konkurrova në Mis Univers pa veshur bikini dhe, në vend të kësaj, isha gruaja e parë që mbante një kaftan të gjatë. Kishte gjëra rreth Miss Universit që nuk më përshtateshin si person, dhe unë zgjodha të merrja një qëndrim, në mënyrë që të mund të bëja një ndryshim.
Kur mediat fokusohen aq shumë tek ato gra që mbajnë hixhabin, ata mund të harrojnë shumëllojshmërinë e mendimit midis grave muslimane. Mua më pëlqen të vesh shaminë në ditë të caktuara dhe, në raste të tjera, praktikoj modestinë time krejtësisht ndryshe. Hixhabi është një mënyrë e mrekullueshme për të praktikuar besimin islam, por jo mënyra e vetme.

Aya Bdaiwi, 27 vjeçe, koordinatore ndërfetare dhe menaxhere e projektit në Forumin e Besimeve për Londrën



“Në moshën 19-vjeçare zgjodha të vesh hixhabin dhe kjo më fuqizoi, sepse nënkuptonte se kisha fuqinë për të zgjedhur se si ta prezantoj veten para botës. Ditën e parë që mbajta hixhabin në publik, isha paranojake se si do të më perceptojnë njerëzit. Në atë kohë unë po ndiqja një karrierë në avokaturë dhe pyeta veten nëse shamia e kokës sime do të ishte pengesë. Por në vend të kësaj, unë u bëra shumë më e vetëdijshme për mënyrën se si po përballesha me njerëzit dhe kuptova se personaliteti im po shkëlqente. Ndërsa jam krenare per pamjen time, është e rëndësishme që të gjykohem në bazë të personalitetit dhe mendjes sime. Kam mësuar shpejt se kurrë nuk mund t’i pëlqesh të gjithëve, dhe nëse kërkojmë aprovim nga e gjithë bota, ti thjesht nuk do të arrish askund, prandaj bëra zgjedhjen për të kënaqur veten dhe vazhdova të mbaj hixhabin çdo ditë të jetës sime”./tesheshi.com/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi