Në vigjilje të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në Komunën e Gjilanit në një audiencë me përfaqësim nga institucione të ndryshme të shtetit, është bërë promovimi i librit “Dëshmi për Kohën”, të autorit Islam Osmani.
Ky libër është një dokumentim i kontributit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit për Lëvizjen Popullore gjatë viteve 1990-1999.
Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, ka folur profesor Resul Rexhepi, sekretar i përgjithshëm, i cili për këtë libër ka thënë se është një përmbledhje e angazhimit të komunitetit të hoxhallarëve, të Bashkësisë Islame në Gjilan, por edhe të veprimit politik e arsimor në një qëllim të vetëm për liri.
“Bashkësia Islame gjithandej Kosovës së bashku edhe me medresetë, mejtepet, gjatë viteve ’90-’99 kanë qenë në shërbim të arsimit shqip dhe më pas edhe shndërrimi i objekteve të saja në shërbim të politikës shqiptare e më vonë edhe angazhimeve në kuadër të përkrahjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rrugën e lirisë dhe pavarësisë së vendit”, ka thane Rexhepi.
Në emër të Komunës së Gjilanit, ka folur kryesuesja e KK, Shpresa Kurteshi-Emini, e cila tha se kontributi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan është jashtëzakonisht i madh, ku përpos shërbimit për një jetë më të mirë për qytetarët e Komunës së Gjilanit, ky institucion ka qenë derë e hapur e organizimeve për pajtimin e gjaqeve, krijimin e hapësirave për arsimin shqip, vend për veprimtari politike e më pas edhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Naim Aliu, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, ka potencuar vendosmërinë e institucionit të tij për mbështetjen dhe përkrahjen e institucioneve të shtetit për ndërtimin e shtetit, zhvillimin dhe integrimin e tij.
Ai ka thënë gjithashtu se KBI, kontributin e vet e ka dhënë gjithnjë në angazhimin e përbashkët për lirinë e Kosovës nga një okupator, i cili ka qenë shkatërrues i çdo gjëje që ishte shqiptare, duke mos kursyer as objektet fetare xhamitë, medresetë, mejtepet etj.
“Dëshmi për Kohën” Kontributi i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit për lëvizjen gjithëpopullore gjatë viteve 1990-1999, është libër i botuar nga autori Islam Osmani, në të cilën sipas autorit mund të gjenden detaje të shumta nga procese të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptarë nëpër faza të ndryshme e posaçërisht gjatë viteve ’90-’99.
Për librin kanë folur edhe njohës të tjerë të librit dhe standardit të shkrimit si Hysen Matoshi, Nexhat Rexha dhe autori Islam Osmani.
Ky manifestim është përcjellë më pas edhe me një program artistik të korit të medresesë “Alaudin” nga Prishtina dhe medresesë “Haxhi Sheh Shamia”./koha.net/