Agjërimi në aspektin shëndetësor (Ramazani i të sëmurit, gruas shtatzënë dhe gjidhënëses)


Përveç se është një nga pesë kushtet e Islamit, agjërimi është edhe një nga ruajtësit më të mirë të shëndetit të njeriut. Hipotetikisht, nëse njeriu do të ishte një makinë, agjërimi do të ishte mirëmbajtja vjetore e tij, që do të ndikonte në mirëmbajtjen dhe funksionimin sa më të mirë. Agjërimi është forma nëpërmjet të cilës trupi i njeriut pushon më së miri në gjithë totalitetin e tij. Gjithashtu, është po agjërimi ai që rinon trupin në formën më natyrale, ndihmon në përmirësimin e gjendjes së çdo organi të trupit të njeriut. 


Agjërimi dhe organizmi i njeriut 


Në studimet e ndryshme nga studiues dhe specialistë të fushave mjekësore agjërimi është cilësuar si një ruajtës i shkëlqyeshëm i shëndetit të njeriut. Sipas të dhënave të tre mjekëve specialistë: Davor Perinoviq-mjek specialist nga Kroacia, Heinz Hillman- shkencëtar gjerman, dhe dr. Nikollajev-psikatër rus, agjërimi bën shërimin e plotë ose ndikon pozitivisht në përmirësimin e një varg sëmundjeve si: sëmundjet e zemrës; sëmundjet e veshkëve; sëmundjet e mëlqisë; pastaj ndikon si preventivë kundër shumë sëmundjeve kanceroze; forcon tonusin e zemrës; përmirëson veprimin kardiovaskular; përmirëson dukshëm tensionin e gjakut; normalizon aritminë dhe frymëmarrjen e parregullt; ndikon pozitivisht tek ata që janë me diabet, me reumatizëm, me skizofreni; ndihmon në pengimin e arteriosklerozës dhe është një nga format e psikoterapisë. Madje, studiuesi gjerman i mjekësisë, Heinz Hillman, për agjërimin thotë: “Në kohën e sotme është harruar plotësisht metoda magjike që u ka ndihmuar shumë brezave më herët në ruajtjen e shëndetit. Ajo është metoda e agjërimit. Asnjëherë në historinë e njerëzimit, mjekët nuk e kanë mohuar dobinë e madhe të kufizimit të kohëpaskohshëm të ushqimit. Mjekësia bashkëkohore e ka dëshmuar në studime të hollësishme se çdo lloj agjërimi shkakton kthesë konstante në organizëm. Agjërimi e rrit ndikim bakterial të gjakut dhe në këtë mënyrë konsiderueshëm e rrit edhe aftësinë imunologjike të organizmit ndaj sëmundjeve infektive.”(1) 
Ndërsa, sipas mjekëve të fushës së kadriologjisë, gjatë agjërimit zemra kursen 14.000 rrahje. Për punën e vet zemra shfrytëzon sheqernat, albuminet dhe yndyrat. Nga sheqernat shfrytëzon glukozën, por si depo kryesore energjetike shfrytëzon glikogjenin, koncentrimi i të cilit rritet gjatë urisë-agjërimit. Kështu, agjërimi është një mjek i veçantë i zëmrës. 
Mëlqia njihet edhe si “laborator i organizmit”. Ajo bën detoksimin e helmeve (shkatërrimin e tyre në kompozime të padëmshme kimike). Ky organ që nuk pushon kurrë, sepse duhet mënjanuar madje edhe ato helme që futen përmes frymëmarrjes. Sëmundjet pak më të rënda të mëlqisë çojnë në humbjen e jetës së njeriut. Pra, nëse njeriu e humb këtë organ, në organizmin e tij grumbullohen helme të forta, e që shumë shpejt edhe ia shkaktojnë vdekjen.
Agjërimi është një kohë pushimi për këtë organ që s’pushon “kurrë”. Është si kohë pushimi e njeriut që punon një vit dhe pret një pushim vjetor, kur freskohet, përtërihet dhe merr energji për të vazhduar punën edhe për një vit tjetër. 
Funksioni primar i veshkëve është pastrimi i gjakut nga materiet e dëmshme, që janë prodhime të zbërthimit të materieve ushqyese në organizëm. Me zvogëlimin e marrjes së ushqimit zvogëlohet edhe puna e veshkëve. Këtu bazohet edhe njëra nga masat higjieno-dietike për shërimin e sëmundjeve të veshkëve, që është mosmarrja e ushqimit dhe ujit 3-4 ditë, përveç në sasie të vogël. 
Dihet se me anë të urisë zvogëlohen shtresat yndyrore në inde, por më pak dihet se me uri shkrihen edhe ato shtresa të yndyrës që sjellin infarktin e zemrës, shfaqjen e arteriosklerozës dhe shpejtimin e plakjes. Madje pohohet se personat që deri në tri herë në vit (ndërsa, shumë muslimanë në shenjë të devotshmërisë dhe shoqërimit të Ramaznit, agjërojnë para dhe pas këtij muaji), më ngadalë plaken.(2) 
Përveç këtyre që përmendëm, agjërimi ndihmon edhe në këto aspekte: njeriu i cili agjëron pas një kohe të shkurtër përjeton një ndjenjë lumturie, jeta i duket shumë e rëndësishme, i rritet aftësia e të përjetuarit, bëhet më i shoqërueshëm, ndien veten më mirë, është më vital dhe më i gëzueshëm. Muhammedi a.s. qysh para më se 14-shekujsh ka thënë: “Për agjëruesin ka dy gëzime: gëzimi i parë është në iftar, kurse i dyti në takimin me Zotin e tij”, (Transmetues: Buhariu dhe Muslimi).(3) 
Agjërimi konisderohet edhe si një faktor parandalues i kancerit. Duke qenë se qelizat kancerogjene kanë nevojë sa më të madhe për ushqim, zvogëlimi i sasisë ushqimore zvogëlon dhe bën të vdesin edhe qelizat kancerogjene. Kështu mendon edhe mjeku i shquar kroat Davor Perinoviq, që konkretisht thotë: “Çfarë do të thoshin lexuesit tanë kur të kuptojnë se njëra nga metodat bashkëkohore të kurimit të kancerit, qoftë të ashtuquajturës mjekësi alternative ashtu edhe të mjekësisë tradicionale, është pikërisht agjërimi. Rezultatet e mjekimit të kancerit me agjërim sot janë më se evidente. Është e njohur se qelizat e tumorit kanë nevojë shumë më të madhe për ushqim se ç’u duhet të gjitha qelizave të tjera në organizëm. Po ashtu është fare e ditur se zvogëlimi i konsiderueshëm i sasisë së pranuar të ushqimit ose thënë thjesht uria ndikon shumë më dëmshëm për qelizat malinje të tumorit, përkatësisht kancerit sesa për qelizat e indit normal.” 
Martin Koje e përdor agjërimin si psikoterapi. Ai thotë: “I jap rëndësi të madhe agjërimit. Ai mundëson transformim shpirtëror të njeriut. Agjërimi shumë lehtë e çliron njeriun nga lidhjet e imagjinuara materiale, dhe kontribuon të jetohet në harmoni me sferat shpirtërore”.(4) 
Pra, vlera e agjërimit në aspektin shëndetësor nuk diskutohet. Ai është mjeku më natyral i shëndetit tonë. E si të mos jetë kur më i dashuri i Zotit, Muhamedi a.s., thotë: “Agjëroni, që të jeni të shëndetshëm!”(5) Mirëpo, edhe pse Allahu e bëri obligim për besimtarët, pra që të agjërojnë “për ditë të caktuara”, jo në çdo rrethanë besimtarët janë të obliguar të agjërojnë. Të liruar nga agjërimi, sipas ajetit të lartcekur, janë: i sëmuri, dhe udhëtari, mirëpo për këtë do të flasim në kapitullin vijues. 


“Agjërimi” i të sëmurit dhe gruas shtatzënë 


Agjërimi nuk është një ndëshkim për besimtarin. Kur ai nuk mund ta bëjë, nuk është i obliguar ta bëjë, por obligohet me diçka tjetër më të lehtë. Për këtë formë lehtësimi edhe Allahu thotë se, “dëshiron lehtësim dhe jo vështirësim”. Edhe forma e shpagimit të agjërimit është specifikuar në ajetin e lartcekur: “...ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfri.” Pra, ata që janë të lejuar të mos agjërojnë, por në vend të tij të paguajnë një sasi të hollash si arsye që nuk kanë agjëruar janë: të sëmurët, të cilëve agjërimi ua keqëson gjendjen; të moshuarit, që janë në moshë të thyer, si dhe shtatzënat dhe nënat gjidhënëse. Këta janë të detyruar që për çdo ditë të paagjëruar të ushqejnë një të varfër. Ibën Abasi thotë se “i lejohet një të moshuari të ndërpresë agjërimin e tij, por për këtë ai duhet të ushqejë një të varfër çdo ditë, e nëse vepron kështu, nuk e ka për detyrë t’i agjërojë ditët që ka lënë”, ndërsa ky hadith i cilësuar si i vërtetë transmetohet nga Darakutni dhe Hakimi.(6) 
Gratë shtatëzëna dhe ato që kanë fëmijë në gji mund ta ndërpresin agjërimin dhe të paguajnë sasinë e parave që nevojitet për të ushqyer një të varfër, nëse kanë frikë për veten e tyre apo për fëmijën. Dijetarët për këtë kategori kanë mendime të ndryshme përsa i përket kompensimit edhe me agjërim. Derisa disa mendojnë se nëse paguhet agjërimi obligohet edhe kompensimi i ditëve të lëna, disa të tjerë (si Ibën Umeri dhe Ibën Abasi) mendojnë se nëse paguhet agjërimi nuk obligohet kompensimi i ditëve të lëna. Sipas hanefinjve, përkatësisht Ebu Ubejdit dhe Ebu Theurit, këto gra duhet të plotësojnë vetëm ditët e lëna dhe nuk paguajnë ushqimin për një të varfër çdo ditë. 
Mirëpo kjo mund të përcaktohet me anë të përvojës personale, konsultimit me një mjek specialist, apo kur ka shumë gjasa që të ndikojë negativisht në jetën e foshnjës dhe të nënës. 
Pra, grave shtatzëna dhe nënave me fëmijë në gji u lejohet ta prishin agjërimin nëse frikësohen për ndonjë pasojë negative në shëndetin e fëmijëve të tyre, si: pakësimi i ushqimit dhe vitaminave etj., me të cilat ushqehet foshnja në barkun e nënës. 
Ebu Daudi transmeton nga Ikrime, se Ibën Abasi për ajetin e lartcekur ka thënë: “Ky ka qenë një lehtësim për të moshuarit, meqë ata mund të agjërojnë. Ata mund ta prishin agjërimin dhe të ushqejnë një të varfër. Po në të njëjtën mënyrë, mund të veprojë edhe gruaja shtatzënë dhe ajo që ka fëmijë në gji. Nëse ato kanë frikë për fëmijën e tyre, mund të mos agjërojnë dhe të paguajnë ushqim për një të varfër.” (Transmeton Bezari).(8) Në fund të transmetimit është edhe një pjesë, ku Ibën Abasi u thoshte grave të tij që ishin shtatzëna, se ato ishin njëlloj me ata persona që nuk mund të agjëronin. Ai u thoshte të paguanin sasinë e parave për të ushqyer një të varfër dhe nuk duhet t’i zëvendësonin ato ditë më vonë.(Transmeton Darakutniu dhe thotë se zinxhiri i transmetimit është i vërtetë).(9) 


Shtatzënia dhe ushqyeshmeria me gji gjatë agjërimit 


Shtatzënia është periudha më e këndshme që e përjeton një femër. Por edhe agjërimi i Ramazanit te femrat e devotshme dhe shtatzëna është mjaft i rëndësishëm. Prandaj, ato edhe e pyesin veten nëse mund ta ushqejnë mjaftueshëm beben derisa janë agjërueshëm. 
Për gjidhënëset (nënat që e kanë fëmijën për gjiri), vendimi për të agjëruar varet kryekëput nga mosha e fëmijës. S’është njësoj kur beba është disamuajshe dhe si ushqim ka vetëm gjirin, dhe kur ajo ka mbushur një vit e ca muaj, si dhe kur është i shëndetshëm dhe ushqehet me të gjitha ushqimet, por me gji ushqehet vetëm gjatë natës. Në rastin e parë beba mund të pësojë, ndërsa në rastin e dytë mundësitë janë minimale. 
Është me rëndësi të kuptohet se agjërimi nuk ndikon as në cilësinë e qumështit. Madje është vërtetuar se agjerimi nuk ndikon aspak në përqindjen e yndyrës në qumështin e gjirit. Fakti që nëna nuk merr kalori të mjaftueshme nuk ndikon në sasinë e qumështit që prodhon, sepse organizmi i shfrytëzon më mirë kaloritë që veç i ka në dispozicion. 
Nga një studim i bërë gjakut të një grupi të grave që agjëruan doli se agjërimi nuk e dëmton organizmin e nënës që është duke e ushqyer beben me gji. Pra, edhe organizmi i saj por edhe qumështi i saj dolën të padëmtuara nga agjërimi. Baraspesha e materieve kimike ishte e njëjtë si te gratë që ushqenin fëmijën me gji, si te ato që nuk ushqenin fëmijën me gji, ose te ato që nuk ishin shtatzënë. Domethënë, pavarësisht se a e ushqeni fëmijën me gji, gjatë agjërimit përbërësit e gjakut nuk ndryshojnë. Mirëpo, dihet se gjatë agjërimit etja shtohet, dhe mund të shkoni deri në dehidrim. Si shenja të dehidrimit janë: etja e madhe, urina me ngjyrë të errët dhe erë të rëndë, plogështia, lodhja, kokëdhimbja ose ndonjë dhimbje tjetër etj. Nëse keni ndonjërën nga këto shenja, agjërimi duhet ndërprerë me pak ujë, dhe duhet pushuar. 
Gjatë iftarit dhe syfyrit preferohet konsumimi i shumë lëngjeve, veçanërisht në syfyr. Nëse jeni bërë merak se beba juaj nuk po merr mjaft ushqim, preferohet konsulta me mjekun. Shenjat se beba nuk po merr sasi të mjaftueshme të qumështit janë: beba e lag pelenën më pak (i posalinduri duhet ta lagë pelenën disa herë gjatë ditës), jashtëqitjet janë me ngjyrë të gjelbërt, beba qan pandërprerë dhe nuk pajtohet në asnjë mënyrë, dhe beba humb në peshë ose nuk shton në peshë.(10) 
Gjendjet në të cilat rekomandohet mosagjërimi janë: vjellja, shtypja e lartë e gjakut dhe nëse keni binjakë. Në fillim të shtatzënisë mund të vuani nga: plogështia, kapsllëku e kokëdhimbja, marramendja, ndërsakëto mund të theksohen edhe më shumë nëse nuk hani ose pini për periudha të gjata kohore. Ndryshimi i rutinës së përditshme, mungesa e ushqimit dhe ujit, si dhe ngrënia e pirja në kohë të ndryshme mund të shkaktojë edhe një dozë stresi. Në një studim u gjet se gratë shtatzëna por që agjërojnë kanë vlerën e kortizolit (hormon i stresit) më të lartë sesa gratë që nuk agjërojnë. 
Gjatë shtatzënisë është e zakonshme që gruaja të ketë kokëdhimbje, lodhje, pengesa të lukth, kapsllëk apo ankesa tjera. Agjërimi ndonjëherë mund t’i theksojë këto probleme. Mos pritni që problemi të bëhet shumë i madh, jeni të liruara nga agjërimi nëse ndiheni jo mirë. Nëse bëheni merak, është më mirë që të konsultoheni dhe të siguroheni se gjithçka është në rregull.(11)
Ramazani është begati e madhe. Një Ramazan i pranuar tek Allahu është lumturia e përjetshme në Xhenet. Transmetohet nga ibn Mes’ud El-Gaffari, se Muhammedi a.s. ka thënë: “Sikur ta dinë njerëzit vlerën e Ramazanit, do të dëshironin që i gjithë viti të jetë Ramazan.” (Ibn Huzejme). 


 


__________________________
1. Heinz Hillman, “Mjeku shtëpiak për të shëndoshët dhe të sëmurët”, f. 146.
2. Fehmi Maloku, “Dobitë e agjërimit në aspektin fiziko-trupor”, www. kohaislame.com. Qasja: 28. 05. 2015; 20:10.
3. Po aty. 
4. Martin Koje, “Manuali i jetës”.
5. Mundhiri, Et-Terhib, 2/206. 
6. Hadith Sahih. “El Irva” 4/18 (912). E ka nxjerrë Darakutni 2/205, El Hakim 1/440, Bejhakiu 4/230, Taberiu 2752, 2753, Ibën Xharudi 381, Ebu Daudi 2318. 
7. Buhariu 1904, Muslimi 2700, Nesai 2216, Ahmedi 2/273. 
8. Hadith Sahih. “El Irva” 912, 913. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2318, Bejhakiu 4/230, etj. 
9. Ether Sahih. “El Irva” 4/19. E ka nxjerrë Darakutni f. 250. 
10. http://www.shtatezania.com/ index.php?option=com_content&view=article&id=57:ramazani-dhe-shtatzenia&catid=37:shtatezania&Itemid=27, qasja 29.05.2015. 
11. Po aty


 


 


Msc. Ass. Teuta Borovci-Jaha
Dituria Islame 297


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme