Historia e Ibrahimit a.s ceket në Kuranin fisnik në shtatëdhjetë e tri vende, gjë e cila është tregues i madhështisë së këtij Pejgamberi dhe rëndësisë së historisë së tij. Ibrahimi a.s është nga pasardhësit e Sam-it, djalit të Nuhut a.s..
Ibrahimi a.s lindi dhe u rrit në veri të Irakut, në qytetin Babiloni. Ky qytet ishte selia e civilizimit të asaj kohe dhe banorët e tij ishin idhujtarë. Thotë Zoti në Kuran: “Dhe ai tha: ‘Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë’.”(1); “Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”, ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.”(2)
Ata vetë e pranonin se ishte një rit që e kishin trashëguar nga të parët e tyre. Me pyetjet e tij, Ibrahimi a.s synonte stimulimin e tyre për të menduar dhe logjikuar mbi adhurimin e idhujve të tyre. Njeriu e adhuron Zotin, me qëllim që kur të ketë nevojë ta lusë dhe Ai t’i përgjigjet. Ai e adhuron Zotin, me qëllim që ta udhëzojë në jetë dhe ta ndihmojë të jetojë konform natyrës dhe ligjeve të Zotit. Megjithatë, këta njerëz e kishin flakur arsyen dhe nuk ishin racionalë në këtë çështje. Këtë çështje Kurani e përshkruan më këto ajete: “Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë).”(3)
Ibrahimi a.s. është njeri prej pesë pejgamberëve që janë të cilësuar me nofkën “Ulul-Azmi’’ që e ka kuptimin pejgamberët e vendosmërisë së lartë prej të cilëve Allahu pati marrë premtimin e fortë e të cilët janë: Nuhi, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Muhamedi a.s..
Ky pra është Ibrahimi a.s. të cilin Allahu e sprovoi me sprova të mëdha, sprova që tejkaluan mundësitë njerëzore. Prej mirësive të Allahut ndaj Ibrahimit a.s. është fakti se atë e kishte bërë prijës – Imam të njerëzimit, duke bërë që nga pasardhësit e tij të ndriçonte drita e pejgamberisë dhe e librave të shpallur. Çdo pejgamber pas Ibrahimit a.s. ishte prej bijve dhe nipërve të tij, me çka edhe u plotësua premtimi i Allahut dhënë atij, se asnjë pejgamber nuk do të dërgohej pa qenë prej lozës së tij.(4)
Nëse vazhdojmë të hulumtojmë më tutje rreth nderimit, fisnikërimit dhe dhuntive të Allahut xh.sh. ndaj Ibrahimit a.s., vërtet do të mbesim të mahnitur e të habitur për epitet e tjera që ia jep Kurani i madhërishëm.
Ibrahimi a.s. dallohet në Kuran po ashtu edhe me titullin Halil-ul – Allah (mik i Allahut). Dijetarët kanë thënë se fjala Halil do të thotë: i dashur, i afërt, dashamirë, mik.(5) Po ashtu Ibrahimi a.s. përshkruhet si shembull dhe model i të mirëve, adhurues i sinqertë dhe besimtar i drejtë: “Vërtet, Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, adhurues i Allahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët.”(6)
Një ditë Ibrahimi a.s. e pa babanë e tij duke gdhendur puta dhe e pyeti: Çfarë është kjo o baba, veshët i paska të mëdhenj, madje shumë më të mëdhenj se veshët tanë? Azeri iu përgjigj: Ky është ‘Merduhu‘, zoti i zotave, o biri im! këta dy vesh të mëdhenj simbolizojnë urtësinë dhe mençurin e tij të thellë. Atëherë Ibrahimi e pyeti babanë e tij dhe i tha: Kush e ka krijuar njeriun? Ai i tha unë të kam bërë ty e mua babai im. Ibrahimi a.s. u përgjigj: Kjo nuk është e vërtetë, baba, sepse unë kam dëgjuar një plak të moshuar duke u ankuar dhe thoshte: O zoti im, përse nuk më fal fëmijë?!. Atëherë babai i kishte thënë: Ashtu është, biri im. Zoti e ndihmon njeriun që ta bëjë njeriun, por Ai nuk vë dorën e tij në të, por ai thotë: bëhu dhe bëhet. Njeriut nuk i mbetet tjetër pos të lutet dhe të përulet para Krijuesit të të gjitha botëve. Atëherë Ibrahimi a.s. i tha nëse Zoti ndihmon në bërjen e njeriut, atëherë, si bëhet që njeriu të bëjë zotat?! Ti po gdhend dhe laton zota të shumtë dhe po u ndihmon atyre, atëherë pse zotat nuk të ndihmojnë ty pre të bërë shumë fëmijë, që të bëhesh njeriu më i fuqishëm në botë?! Kështu dialogu mes tyre përfundoi me zgjatjen e dorës se babait, i cili e goditi fort në faqe Ibrahimin a.s.(7)
Nga kjo revoltë në shtëpinë e Azerit, babait të tij, Ibrahimi a.s. vazhdoi të sfidojë politeizmin e fisit të vet. Ibrahimi a.s. njihet edhe si prishësi i idhujve dhe themelues i monoteizmit dhe luftues i injorancës.
Ibrahimi a.s. i shkatërroi të gjithë putat, idhujt e tyre dhe la vetëm një put pa e prishur, kur i panë banorët se çfarë kishte ndodhur thanë se këtë kishte mundësi ta bënte vetëm Ibrahimi dhe thanë: Shkoni e thirrni Ibrahimin ta pyesim se kush e ka bërë këtë! Ibrahimi a.s. iu përgjigj duke u thënë: Pyeteni atë më të madhin ai e di ndoshta kush e ka bërë këtë gjë! Ata iu përgjigjën se ai nuk di të flasë, Ibrahim a.s u përgjigj: Si adhuroni ju një idhull kur ai nuk flet, mjerë për ju dhe për ata që i adhuroni! “Po përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër vetëm të thonë ”Mbyteni atë ose digjeni! Mirëpo Allahu e shpëtoi atë prej zjarrit. Për një popull që beson, këtu vërtet ka fakte bindëse”.(8)
Ata e sollën Ibrahimin a.s. para putave të tyre. Ndezën zjarrin në praninë e tyre, qëllimi i djegies ishte që ata të shohin dhe të kënaqen në vend hakmarrjeje, ceremonia e hakmarrjes ishte tejet masive. Ata grumbulluan drunj si dhe iu drejtuan putave të tyre, para të pranishmëve që ishin prezentë aty filluan ta ndezin zjarrin. Ibrahimi a.s. nuk tentoi të ikte, por u fut në turmën e drunjve ku zjarri ishte gjithnjë në rritje e sipër. Në një situatë të tillë siç ishte Ibrahimi a.s., ishte e mundur që zjarri të shuhej nëse dëshironte Allahu xh.sh. të lëshonte breshër shiu në ato çaste të vështira për Ibrahimin a.s., por Allahu xh.sh. nuk deshi të lëshonte shi, por u dha atyre dhe idhujve të tyre një bindje se i Dërguari i Zotit, Ibrahimi a.s. ishte me mision për t’i shpëtuar njerëzit nga injoranca dhe për t’i bindur se ekziston vetëm një Zot i plotfuqishëm në këtë botë.
Vullneti i Allahut pamundësoi dhe pengoi vetitë djegëse të zjarrit dhe për këtë Allahu xh.sh. thotë në Kuranin fisnik: “Po Ne i thamë: O zjarr, behu i ftoftë dhe shpëtim për Ibrahimin!(9)
Sidoqoftë kjo mrekulli ndodhi në sytë e tyre për t’u bindur se Ibrahimi a.s. ishte i dërguar i Zotit të populli beni israil, ata prapëseprapë nuk u dhanë fund përpjekjeve për ta persekutuar dhe izoluar Ibrahimin a.s., i cili qëndroi i patundur në besimin e tij, i durueshëm në vuajtjet e tij, i dashur në sjelljen e tij deri në migrimin e tij për në tokat e Aramit dhe Kananit. Duke parë refuzimin e banorëve të tij, Ibrahimi a.s. vendosi ta linte qytetin e tij të lindjes, ndërkohë mbreti Nemrud për të cilin thuhet se kishte në sundimin e tij një pjesë të madhe të botës asokohe, kishte dëgjuar për një djalosh që e kishin hedhur në zjarr dhe nuk ishte djegur.
Ai i kishte dërguar ushtarët që ta gjejnë djaloshin që e kishin hedhur në zjarr dhe nuk ishte djegur. Ata e gjetën Ibrahimin a.s. dhe e sollën para Nemrudit. Ai filloi ta pyeste Ibrahimin a.s. mbi besimin dhe Zotin e tij, këtë ngjarje e përshkruan Kurani, ku Zoti xh.sh. thotë:
“A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje” – ai (Nemrudi) u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. – për të vërtetuar se edhe ai jep dhe merr jetë, Nemrudi solli dy të burgosur, njërin e ekzekutoi në çast, kurse tjetrin e liroi – Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.”(10) Pas kësaj bisede Nemrudi e la të lirë të largohej Ibrahimi a.s.
Pas Palestinës, Ibrahimi a.s. udhëtoi për në Egjipt. Gjatë gjithë kësaj kohe dhe gjatë të gjitha udhëtimeve të tij, Ibrahimi a.s. vazhdonte me thirrjen e tij, duke i ftuar njerëzit në rrugën e Allahut, duke luftuar në rrugën e tij, duke u shërbyer skamnorëve dhe të varfërve, duke gjykuar me drejtësi në mes të njerëzve dhe duke i udhëzuar ata për të vërtetën. Bashkëshortja e tij ishte grua sterile, andaj nuk kishte fëmijë, me të ishte vetëm nipi i tij Luti. Me të mbërritur në Egjipt, mbretit i shkon lajmi se në mbretërinë e tij sapo ka shkelur një grua shumë e bukur. Duke qenë se ky mbret ishte i dhënë shumë pas epshit, ai menjëherë i dërgoi ushtaret qe t’ia sillnin atë grua. Ai i porositi ushtarët që, nëse burri që e shoqëron është i shoqi, ta vrasin. Zoti i tregoi Ibrahimit a.s. për këtë kurth, Ibrahimi a.s. e porositi Saren dhe i tha : “Nëse ushtarët që do të vijnë të pyesin se kush është ky burrë, për mua, u thuaj që jam vëllai yt. Për Zotin nuk ka njerëz të tjerë besimtarë mbi këtë tokë, përveç meje dhe teje.”
Kur mbërritën ushtarët e mbretit, e pyetën Ibrahimin a.s. “Çfarë e ke këtë grua?” Ai u përgjigj: “Ajo është motra ime’ pastaj erdhi te Sara, i tha : ‘’Oj Sarë! në mbarë botën nuk ka besimtarë, përveç meje dhe teje. Ky më pyeti për ty e unë i thashë se të kam motër, andaj “mos e moho këtë !” Ushtarët e quan Sarën te mbreti, gjatë rrugës ajo filloi të lutej: O Zot, nëse e di që të kam besuar ty dhe të Dërguarit Tënd, e kam ruajtur nderin tim dhe të burrit tim, me mbro nga ky qafir!” Edhe Ibrahimi a.s. kur e dërgoi Sarën te sundimtari i Egjiptit, filloi të falte namaz dhe ta luste Allahun xh.sh. qe t’ia ruante bashkëshorten dhe ta mbronte atë nga personi i cili dëshironte t’i sillte të keqën bashkëshortes së tij. Dhe Sara mori abdes, fali namaz dhe bëri dua te i madhi Zot.
I Lartmadhërishmi, thotë: “O ju qe keni besuar ! Kërkoni ndihmë prej Zotit me namaz dhe me durim!”(11) Kështu Allahu xh.sh. e mbrojti atë për hir të robit të tij, të dashurit të tij dhe mikut të tij, Ibrahimit a.s. dhe po ashtu për hir të vetë Sarës, e cila ishte besimtare e sinqertë.
Prandaj mbreti i dhuroi shumë dhurata me vete Sarës para se të ikte nga pallati, nder të tjera ai i dha një skllave, me emrin Haxhere. Kur Sara u kthye te i shoqi Ibrahim a.s., e gjeti duke u falur. Pasi përfundoi faljen, Ibrahimi a.s. e pyeti: Çfarë ndodhi ! Sara iu përgjigj: Zoti nuk e lejoi të bënte ç’donte ai qafir. Ibrahimi a.s. tha: Të falënderoj, o Zot!(12)
Ibrahimi a.s. me Sarën nuk kishte fëmijë pas një moshe të shtyrë, por Sara i dha liri Ibrahimit a.s. që të martohej me Haxheren. Më pastaj Haxherja mbeti me barrë. Ibrahimi a.s. lutet për një fëmijë : “Zoti im, me dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve!”(13)
Pas kësaj duaje që ia bëri Ibrahimi a.s. Zotit, ajo dua do të pranohet te Allahu xh.sh për robin e tij, sepse Ibrahimi a.s. do të jetë një rrënjë e profetëve të tjerë pas tij. Për këtë na rrëfen edhe Kurani famëlartë: “Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm)”.(14)
Sidoqoftë, kur Haxherja e lindi Ismailin a.s., Allahu xh.sh. e urdhëroi Ibrahimin a.s. që ta linte atë dhe të ëmën e tij, t’i dërgonte në një vend të largët e të shkretë. Kur i la aty dhe deshi të kthehej prapa, ajo iu afrua, e kapi për rroba e i tha: ”O Ibrahim, ku po shkon, ne po na lë këtu pa lëng e pa shtëpi?!’’ Ai nuk iu përgjigj asgjë. Pasi e pyeti shumë herë e ai nuk i përgjigjej, ajo tha: ’’A të ka urdhëruar Allahu kështu ?’’ Po, tha ai. Atëherë pra ne nuk do të jemi të humbur, - tha ajo.(15)
Ibrahimi a.s. u largua derisa arriti te një kthesë sa nuk mund të shihej më. Aty u kthye kah Qabeja, i ngriti duart dhe filloi të lutej me këto fjalë: “O Zoti ynë! unë i kam vendosur disa pasardhës të mi në një luginë, ku nuk mbillet asgjë, te Tempulli yt i Ndershëm, në mënyrë që ata, o Zoti ynë, të falin namazin, andaj bëj që zemrat e njerëzve të priren kah ta dhe furnizoji ata me fruta, që te jenë mirënjohës.”(16)
Allahu xh.sh. e pranoi lutjen e Ibrahimit a.s. Si rrjedhojë e kësaj lutjeje zemrat e besimtarëve për mijëra vjet bëjnë Haxh e Umre, ndiejnë gjithmonë një rritje dashurie për atë vend.
_____________________________
1. El Ankebut, 25 (përkthimi i ajeteve Kuranore është marr nga Kurani –në gjuhën shqipe, përktheu H. Sherif Ahmeti, 1992.
2. El Enbija, 52-53.
3. El Enbija, 51.
4. Ahmet Behgjet ‘’ Të dërguarit e Allahut ‘’, botoi Dituria Islame, Prishtinë , 2009, f. 120.
5. Po aty f. 120.
6. En Nahel, 120.
7. Ahmet Behgjet, po aty, f. 124.
8. El Enbija, 67.
9. El Enbija, 69.
10. El Bekare, 258.
11. El Bekare, 153.
12. Hafidh iben Kethiri, ’’Rrëfime për të dërguarit e Allahut “ Prishtinë , 2007, f. 157.
13. Es Safat, 100.
14. Es Safat, 101.
15. Hafidh iben Kethiri , po aty, f. 164.
16. Ibrahim, 37
Ibrahim Iljazi