Terri i hollë i mbrëmjes tashmë kishte filluar të pushtonte dhomën. Heshtja e saj kishte diçka të çuditshme dhe fytyra e saj tregonte se ajo ndrynte diçka në shpirt. Një plogështi e jashtëzakonshme ia përshkroi trupin. Çdo gjë iu duk e çuditshme, madje edhe vetja. I erdhi më mirë të rrinte pranë dritares dhe u mbështet në mbështetësen e madhe të karriges.
Hodhi vështrimin nëpër dhomë. Të gjitha sendet iu dukën me një pamje të pikëlluar dhe të strukura në qetësinë e vet. Edhe ajo hyri e u struk më brenda në lëkurën e vet.
Një tis i vazhdueshëm shqetësimi dhe një mjegull e padukshme trishtimi dukej në sytë vjeshtorë të saj. Zhurma e erës që trazoi qetësinë e dhomës së saj e bëri edhe më shurdhuese zhurmën e heshtjes së saj. Qetësia ishte qepur me penjtë e kësaj heshtjeje të rëndë dhe të palëvizshme. I pëlqente të meditonte dhe të zhytej në trazirat shpirtërore, dilemat, misteret.
Kishte dëshirë të përsiaste me veten. Ndjeu se po delironte e ulur aty pranë dritares e rrëmbyer nga kujtimet që rendnin në kohë. Mendimet e saj po shtegtonin në një depo kujtimesh që tashmë iu dukën sikur kundërmonin aromë vjetërsie.
Një rrymë ajri trazoi syprinën e ujshme të kujtimeve dhe e përfshiu në afshin e tyre. Ndjeu mërmërimën e mendimeve dhe iu duk se jehona e tyre u përhap në eter.
Kërkonte të lexonte fragmente të bukura të jetës, por ato shushuritnin me një gjuhë të pakuptimtë, thuaj fantazmagorike.
Një heshtje e tejdukshme endej nëpër dhomë. Heshtjen e saj nuk e trazoi as fëshfërima e gjetheve që sikur përpiqej të griste perden e qetësisë. Rrezet e mekura të hënës dukeshin si të skllavëruara nga zërat misteriozë të qiejve.
Kujtimet e shtrydhura në morsën e kujtesës filluan të avullonin dhe t’i përplaseshin humnerave të shpirtit.
Qëndronte e pafuqishme përpara asaj hapësire aq të pakufishme që ngrihej mbi greminat e shpirtit.
Një enigmë e mbërthyer dhe e burgosur brenda saj kërkonte të rendte, të çmbështillej e të çlirohej. Në atë çast, mendimet iu ndalën, iu këputën dhe iu shterën. Por dëshira nuk e la. Desh ta vazhdojë kërkimin, por mendimet iu përzien dhe iu shndërruan në një shkarravinë kolosale të pakuptimtë vijash të ndryshme, si hieroglifë të pakuptueshëm, që lakonin, dredhonin e zhdukeshin në labirinte pa rrugëdalje.
Çdo gjë iu duk tepër e ngatërruar, nuk shihte tjetër përveçse një pështjellimi të pashoq. Por ishte e sigurt se edhe te labirintet pa fund e pa krye gjendej një rrugëdalje.
Syprina e ujshme e kujtimeve të saj u përfshi nga trazirat e një ere të papritur. Ishte bërë pre e mendimeve të kaluara që tërhiqeshin për t’u rikthyer prapë si fosile që ringjallen. Hijet e së kaluarës po i afroheshin duke u luhatur nga erërat e kohës. Ishte zhytur në ujërat e thella të deteve të zemrës dhe i dukej së bashkë me të edhe e tërë bota ishte zhytur në një natë universale.
Iu duk vetja e zbrazët, e shkretë, e zhytur në terrishte. Po jetonte në skutat e një vetmie trishtuese si një trumcak i vetmuar në një holokaust dimri.
Objektet e natyrës nuk përbënin asgjë më shumë sesa figura të pajeta pjesëmarrëse në një paradë të pakuptimtë. Ekzistenca në tërësinë e saj ishte fragmentarizuar dhe pjesët e saj, të shkëputura nga shpirtërorja, ishin të huaja për njëra-tjetrën.
Në fëmijëri kishte krijuar imazhin e saj për jetën, plot mahnitje e rrëzëllime yjësie, plot ishuj ekzotikë valëzues e shkumues, plot dritësi e nanurisje, plot fosforeshencë dhe pllaja ëndrrash, plot shkëmbinj koralesh të zhytur në ujëra transparentë tërë dritë e ngjyra, plot pranvera me kurora lulesh përrallore, plot agime mëngjesore me ngjyrë mermeri të trëndafiltë, por më pas plot drithërima trembjeje dhe enigma.
Universi i librave të mrekullueshëm artistikë, të autorëve të shquar klasikë e modernë, dhe tingujt e ëmbël të “Flautit magjik”, “Bukuroshes së fjetur, “Liqenit të Mjellmave” dhe simfonive të tjera melodioze, ishin si zëra sirene që e kishin magjepsur deri atëherë.
Mendimet po i luanin një vals të trishtë. Lumturia e dikurshme iu duk si një mirazh dhe shtojzovalle që ikën tepër shpejt. Jeta i dukej aq absurde me ditë që zinin ndryshk, e muaj që pikonin lot. Iu duk vetja si një rreze e purpurt përballë reve të zeza e të rënda, si një lule e sapodalë sipër barit të freskët përballë tankeve të hekurta të luftës.
Shkurtësia e jetës i ishte bërë e pafundme nga prania në të e misterit të vetvetes. Hapja e derës së vetvetes i dukej më e rëndësishme dhe më e guximshme se hapja e çdo dere tjetër, qoftë ajo edhe dera e një kasaforte të mbyllur me shifra të koduara, në të cilën ruheshin thesaret dhe xhevahiret e kësaj bote. Hapja e kësaj dere do ta çonte drejt një të panjohure të njohur që prekej, shihej, fotografohej, kurse ajo që fshihte dera e vetvetes nuk shihej, nuk prekej e as nuk filmohej.
Tendosja iu shkallëzua në një makth alarmant. Ndjeu regëtimat e shpjeta të zemrës që ia drithëruan trupin si një rrëmet sizmik. Ndihej si një qenie hibride mes një mjedisi të dyzuar. Ndiente se erozioni po e gërryente brenda vetes.
I mblodhi kujtimet e saj të shkuara, i groposi si relikte në katafalkun e ëndrrave të saj dhe ua fali flatrave të harresës.
Iu bë se po humbiste brenda vorbullës së dhimbjeve të vdekjes dhe po përpiqej ta çlironte kështjellën e shpirtit nga magjepsjet e Circes. Iu duk se shpirti iu zbardh nga mendimet e thinjura. Pulëbardhat e shpirtit kapën fijet e shkëputura të tij dhe po përpiqeshin të fluturonin larg ferrit dantian, larg humnerave të frikshme që kishte projektuar Luciferi.
Gjithçka që i kishte dhënë gëzim e lumturi deri atëherë ishte tretur e zhvlerësuar ashtu si astrologjia babilonase përballë zbulimeve të dishepujve të Keplerit.
Shqetësimi i saj filloi të shprehej në një mjegullnajë të lehtë lotësh. Qepallat iu vesuan nga lotët. Ndjeu pulsin t’i rrihte si fëshfërima e përplasjes së krahëve të një pëllumbeshe të plagosur. Shkulmet e vajit që dilnin nga shpirti drithëronin edhe xhamat.
Drithërimat e saj reflektonin në xhamat e dritares portretin e saj të shformuar nga frika.
Hodhi vështrimin nga dritarja. Jashtë hapej qielli i mbushur me yje tërë shkëlqim. Pjesët e fytyrës që ndriçoheshin nga hëna hidhnin një hije të zbehtë mbi pjesët e tjera duke e mbuluar atë me një vello dritë-hije, dhe fytyra i kishte marrë një shprehje pafajësie. Lotët e frymëzuan dhe ia bleruan shpirtin e shkatërruar, ashtu si pranvera bleron natyrën pas dimrit të acartë.
Papritur një vetëdije hyjnore e mbushi qenien e saj duke davaritur frikën e duke e orientuar në rrugën drejt jetës.
Filloi të bëhej një me ndjenjat e veta dhe të provojë ëmbëlsinë e hyrjes në brendësinë e vet. Kur hyri brenda origjinës së vet, kur arriti të takohej me brendësinë e saj, ajo gjeti dikë tjetër që e donte shumë dhe e kuptoi se ekziston një Zot që e kish krijuar atë dhe botën e saj të brendshme.
Shpirti i saj vazhdimisht pretendonte dhe synonte botën më të lartë shpirtërore, botën e panjohur nga e cila kishte të njohura vetëm disa vegime të cilat shpërndaheshin përpara se të paraqiteshin. Atëherë e kuptoi se ajo botë e panjohur, një refleks shkëlqimi të së cilës e kishte vërejtur në melodinë e ëmbël dhe në tregimin gjenial, dhe që në momentet e inspirimit e kishte ndier aromën e saj, ishte shumë më e fuqishme se kjo botë materiale. Shkëmbi i akullt i egolatrisë brenda shpirtit të saj filloi të shkrijë.
Ishte një kërkim i pareshtur i përgjigjes së kësaj enigme për t’u kthyer sërish në unitetin e përkryer të zanafillës së parajsës së humbur, të rilidhjes përsëri me kordonin amënor.
I dukej sikur ishte duke gërmuar pusin me gjilpërë, por në fakt sapo kishte filluar të qëndiste në gjergjefin e saj lulet e para të besimit.
Pesha e zhdukjes së përjetshme iu hoq dhe arriti të ndiejë dimensionin e pafundësisë së ngulitur brenda thelbit të vet.
Engjëjt e bardhë që i prekën membranën e kujtesës iu përplasën në honet e subkoshiencës si kone drite.
Arriti të perceptojë rrugën dhe destinacionin që kalon nëpërmjet varrit drejt pafundësisë dhe në udhëtimin e saj misterioz e vërteta hyjnore ishte drejtuesja e saj drejt vendit të përjetësisë. Njohja hyjnore, që e grisi perden e hedhur në fytyrën e vdekjes dhe vdekshmërisë, ia tregoi varrin si një sallon pritjeje të botës së lumturisë së amshuar dhe e çoi zemrën e saj të etur për lumturi që të pinte në burimin e eliksirit të pavdekshmërisë.
Pas shtrëngatës, në detin ku kishin ulëritur dhe buçitur furtunat dhe dallgët, tani sundonte vetëm një zë i dëlirë dhe i ëmbël. I tërë deti kishte rënë në qetësi i magjepsur nga ky tingull hyjnor që endej brenda hapësirave të tij të pakufishëm. Arriti të kuptojë domethënien e të fshehtave që qëndronin prapa vellos së ekzistencës dhe besimi te Zoti ia ndryshoi dëshirat dhe mendimet.
Shkëlqeu e tëra e ndezur nga një dritë e brendshme. Një ndjenjë e fuqishme dhe sublime ia përshkroi tërë kurmin.
Kapilarët e boshatisur nëpërmjet të cilave organizmit të saj i shpërndahej energjia filluan të furnizoheshin sërish. Ishte njëlloj si lindja e një dielli në një botë ku kishte munguar ajri.
Ndjeu se dalëngadalë po përfshihej nga procesi rrezatues i përsosjes. Ndjeu shkëlqimin e mirësisë dhe vetja iu duk më e bukur, më e mirë.
Dashuria e pafundme për Krijuesin si një oazë llamburitës shprese i dha forcë.
Kjo vetëdije hyjnore tani ishte gjithçka për të: bota, jeta, lumturia, e tashmja tokësore dhe e ardhmja qiellore.
Filloi të përjetojë kënaqësinë që i dhuronte lutja drejtuar Krijuesit kur rrezet e dritës akoma nuk e kishin çarë perden e natës dhe filloi të freskojë zemrën e zhuritur në lumenjtë e përjetësisë.
Në shpirtin e saj reshën shirat e frymëzimit. Filloi t’i lutet Allahut: “Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve ...Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti ndihmë kërkojmë!”
Fjalët e dala nga goja e saj, të kapura dorë për dore u ngritën duke vallëzuar deri në qiellin e shtatë, trokitën dhe hynë në portën e Mëshiruesit.
Edhe pse përjashta do të frynin e shfrynin rrebeshe, ajo do t’i ujiste dhe kultivonte me kujdes rrënjët delikate dhe të brishta të filizit të besimit që hibridët të mos e hibridizonin pemën e sapo mbjellë të imanit të saj.
Dashuria për Krijuesin madhështor reshi mbi shpirtin e saj ashtu si reshin shirat e begatë të pranverës mbi tokën e mbetur djerrë dhe ajo u rrok pas stinës së trëndafiltë të frymës islame.
Qielli i pakufishëm u ndriçua nga drita e kulluar e diellit. Hëna po voziste si velë drejt viseve të largëta të botës. Vellot e mjegullave u përhapën dhe mënjanuan dantellat e mëndafshta të reve. Rrezja e dritës filloi të pushtojë hap pas hapi zonat e hijesuara. Syprina e kaltër e reflekseve të qiellit iu derdh mbi fytyrë dhe fashat e ëmbla të dritës depërtuan nëpër dritare. Hodhi vështrimin nga kaltërsia e qiellit, ngriti dorën lart ta prektë atë, dhe gishtërinjtë ndien freskinë e ajrit. Ajri ishte i tejdukshëm dhe konturet e pemëve të veshura në të gjelbër dukeshin qartë. Një gjelbërim i ëmbël i lundronte në sy. Mori frymë thellë e etur dhe iu duk sikur nuk do ngopej edhe po të thithte tërë ajrin e hapësirës. Vështrimi i saj i kadifenjtë si një rreze e purpurt sodiste dritësinë e agimit. Tingujt dhe cicërimat që mbushnin hapësirën rezononin me një akustikë të ëmbël. Dëgjonte një përzierje tingujsh akustikë dhe metafizikë.
Ishte çliruar plotësisht nga hallkat e ftohta të së kaluarës dhe përgjonte zërin e paqtë të së ardhmes.
Mimoza Sinani