Menaxho stresin sipas këshillave të Muhamedit a.s.

 


Jeta është përplot strese dhe secili prej nesh është i ekspozuar një lloj shtypjeje. Presioni psikik në vete nuk është i dëmshëm, por mënyra se si ballafaqohemi me këto presione, ndonjëherë është e gabuar.


Shumë autorë në bibliografinë botërore, janë munduar ta definojnë fjalën stres si dhe faktorët stresues me sindromën e përgjithshme të adaptimit individual, por ende si term ka ngelur enigmatik. Duke e shfletuar literaturën, gjendjet afektive stresuese i takojmë me emra të ndryshëm, si: emocion i padëshiruar, emocion i pakontrolluar, frikë, bllokim, jotolerancë, shqetësim dhe traumë e jashtme psikike.
Pra, vetë fjala stres, është traumë e kohës sonë, e tek ne, gjithmonë evokon emocione ose sensacion, në lidhje me ndonjë ngjarje ose gjendje të padëshiruar, që paraqet pjesën integrale të jetës sonë të përditshme, por sipas shumë stresologëve stresi është epidemia bashkëkohore numër një e civilizimit tone.


Shkaktarët e paraqitjes të stresit kanë karakter shumëdimensional


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë renditjen e sëmundjeve të ndryshme të cilat janë të lidhura me stresin kronik. Në atë listë vend të parë zë ulkusi gastrointestinal (i thati në lukth), sëmundje tipike psikosomatike, edhe pse këtë mund ta shkaktojë edhe Helikobakter pilori. Pastaj vijnë gjendjet shokante me etiologji të ndryshme. Vijon amenorrea stresoide nëse femra gjendet e ekspozuar stresit, për shembull të ftohtit me acar, ose maltretimit fizik; riniti si rezultat i infeksionit viral në proporcion linear me stresin psikologjik; migrena, dhembjet migrenoze të kokës janë direkt të lidhura edhe me stresor të ndryshëm. Çrregullimet gastrointestinale, sipas literaturës, 20% janë lidhje direkt me ndonjë stresor, në plan të parë paraqiten obstipacioni, fryerja e barkut, dhembjet e barkut, diarrea, etj. Në planin biologjik, stresi akut mental, e rrit nivelin e kolesterolit në organizëm. Edhe obeziteti (mbipesha) te popullata e re është rezultat i stresit. Në fund ngelin sëmundjet psikosomatike, ku individi ka incidencë të paraqitjes së sëmundjeve psikosomatike për shkak të mungesës së aftësisë dhe pamundësisë që t’i adaptohet stresit.


Lodhja e tepërt në punë krijon stres dhe anksiozitet


Jashtë nga profesionet te të cilat lodhja fizike është stresori kryesor, ekzistojnë profesione që janë anksioze për shkak të hyrjeve enorme dhe përmbajtja me motive tensioni, e cila sjell me veti natyrën dhe kryerjen e procesit dhe të detyrave të punës pa pasur aktivitet fizik ose rrezik nga kryerja e ndonjë aktiviteti tjetër. Në mesin e këtyre profesioneve vend të lartë zënë: kontrollorët e fluturimeve, gazetarët, mjekët e mjekësisë familjare si derë e parë e kontaktit me pacientin e sëmurë, kirurgu, kardiologu dhe mjekët e specializimeve të ndryshme, forcat e rendit publik, policia, FSK, zjarrfikësit, hoxhallarët, etj. 
Njerëzit nuk janë njëlloj të qëndrueshëm në vështirësi dhe presione psikike. Disa adaptohen dhe e kontrollojnë situatën në të cilën gjenden dhe të përgatitur ballafaqohen me probleme. Disa me humor të keq përballen me situatën, duke ndier aversion ndaj saj. Disa dorëzohen dhe binden në rrethana të reja (submission).   
Ata që përballen me kriza të rënda, rëndom kanë dhembje koke në muskujt e qafës dhe shpinë. Nuk mund të flenë qetë. Disa ankohen në marramendje, barkqitje apo kapsllëk. 
Ibn Abbasin, r.a., e kanë pyetur se a më shumë e dëmton trupin hidhërimi apo pikëllimi? Ai tha: “Të dy shkojnë në rrugë të njëjta, por kuptimi është i ndryshëm. Kur lufton me atë që është më e fortë se ti, kjo të frikëson dhe të shkakton pikëllim. Ndërsa kur lufton me atë që është më e dobët se ti, kjo shkakton hidhërim.” 
Qoftë i kënaqur Allahu me Ibn Abbasin, r.a., sa i mençur ka qenë! Është e vërtetë se edhe njëri edhe tjetri lëvizin në të njëjtën rrugë. Të dyja gjendjet ngritin nivelin e adrenalinës në gjak. Ngritin shtypjen e gjakut dhe veprojnë dëmshëm në zemër. 
Shumica e njerëzve i është ekspozuar një lloj stresi ose brengave të përditshme. Është vërtetuar se 18 % e amerikanëve besojnë se nuk është e nevojshme t`i zvogëlojnë streset që i përcjellin në jetë. Ekzistojnë njerëz që hidhërohen në situata të rënda të krizave. Pejgamberi, s.a.v.s., e përshkruan hidhërimin si prush i cili ndizet në zemër: “Hidhërimi është prush që ndizet në zemër.”(1) 
Pejgamberi, a.s., na nxit në mënjanimin e hidhërimit: “Kush e mbizotëron hidhërimin kur mund të hakmerret, Allahu do t`ia mbushë zemrën me siguri dhe besim.”(2) 
Allahu i Madhëruar thotë: “Të cilët japin edhe kur janë të çliru ar, edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit.”(3) 
Pejgamberi, a.s., e përshkruan ilaçin për hidhërim: “Nëse dikush prej jush zemërohet, le të ulet; nëse zemërimi nuk e lëshon, le të shtrihet!”(4) Këtë psikologët bashkëkohorë e quajnë ndryshim i “gjendjes trupore” dhe besojnë se ky ndryshim sjell deri te dobësimi i reaksionit dhe flakja e zemërimit.
Gjithashtu, shkenca bashkëkohore ka vërtetuar se hormoni adrenalin rritet shumëfish gjatë zemërimit. Ky nivel është më i lartë kur njeriu qëndron në këmbë, ndërsa zvogëlohet kur ulemi ose shtrihemi, mu sikur i këshillon Pejgamberi, a.s., ata të cilëve u ndodh pikëllimi ose brengosja. 
Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Zemërimi është shejtani. Shejtani është krijuar nga zjarri. Ai shuhet me ujë. Për këtë, kur të  zemëroheni merrni abdest.”(5) Kur Pejgamberin, s.a.v.s., e brengoste ndonjë gjë, sigurinë e kërkonte në namaz. Ai ka thënë: “Gëzimin gjeje në namaz!” 
Lloji tjetër njerëzor i dorëzohet presionit psikologjik dhe ngulfatet në pikëllim, mbyllje ne vetvete dhe brengosje. 
Simptomat më të shpeshta të kësaj gjendjeje janë: ndjenja e depresionit dhe pikëllimit, ndjenja e pafuqisë dhe e pashpresës dhe dëshira për të qarë. Këta njerëz mund të ndiejnë përzierjen e depresionit dhe brengës. Kjo gjendje mund të lë gjurmë në trup, duke shkaktuar ndryshime të përkohshme apo afatgjate. Njeriu në këtë gjendje ankohet në dhembje koke, marramendje, dhimbje të ndryshme, vjellje, etj. 
Kjo bën që këta njerëz të tërhiqen në vetmi dhe të largohen nga njerëzit. Në këtë situatë njeriu duhet të pyesë: a mund t`i bart të gjitha obligimet e ditës? A do t`i përpij emocionet dhe ndjenjat e mia, apo do t`i ndaj me dikë që do të më ndihmojë në zgjidhjen e problemit? Si mundet të shpëtojë njeriu nga këto brenga dhe të zvogëlojë presionin psikik? 
A mundemi me fuqinë e dëshirës t`i përballojmë streset ? Njeriu i mençur e ka mekanizmin, i cili refuzon streset dhe i thyen në copëza. 
Nuk ka dyshim se besimi në Allahun dhe kërkimi i ndihmës nga Ai, paraqet mekanizmin mbrojtës më të mirë. Besimi në Zotin na nxit në durim ndaj vështirësive dhe në përparim. Durimi është të përballesh me problemin, e jo t`i nënshtrohesh atij. 
Pasi që stresin e presim të përgatitur, njeriu mundohet ta eliminojë dhe ta shërojë. Ndonjëherë nevojitet ndihma e personit tjetër dhe mu ky është qëllimi i ndihmesës, vëllazërisë dhe dashurisë. E tërë kjo ndihmon që të forcohet mekanizmi i thithjes së stresit. 
Dr. Adil Sadik thotë: “Njerëzve të cilët sëmuren nga krizat psikike, u mungon dashuria në jetë. U mungon përkrahja dhe kuptimi i personit tjetër. Askush nuk dëshiron të sakrifikohet për ta në momentet e rënda.” 
Besimi në Allahun, durimi, dituria, përvojat e kaluara dhe dashuria e njerëzve tjerë krijon mekanizmin më të fuqishëm për thithjen e stresit dhe zvogëlimin e tendosjes psikike. 
Pejgamberi, a.s., tërheq vërejtjen në rrezikun e grumbullimit të brengave: “Kush ka shumë brenga, i sëmuret trupi.”(6) Ai këshillon lutjen dhe kërkimin e faljes si ilaç për këtë gjendje. 
Ibn Abasi, r.a., transmeton se Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Kush bie istigfar pa ndërprerë, Allahu do t`ia mënjanojë çdo brengë, do t`i japë rrugëdalje nga çdo situatë dhe do ta furnizojë nga nuk shpreson.”(7) 
Në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit shënohet se Pejgamberi, a.s., në vështirësi ka thënë: “La ilahe il-llallahu-halimul adhim La ilahe il-llallahu rabul arshil adhim La ilahe il-llallahu rabbus-semavati vel-erdi ve rabbul arshil kerim.” 
Nuk ka Zot, përveç Allahut, të Butit dhe Madhështorit. Nuk ka Zot, përveç Allahut, Zotit të Arshit madhështor. Nuk ka Zot, përveç Allahut, Zotit të qiejve dhe Tokës dhe Zotit të Arshit Fisnik.” 
Në Sunenin e Ebu Davudit transmetohet nga Ebu Bekri se Pejgamberi, a.s., ka thënë: 
“Allahumme rahmeteke erxhu fela tekilni ila nefsi tarfete ajnin ve aslih li she`ni kul-lehu la ilahe il-la ente.” 
“O Zoti im, të lutem për Mëshirën Tënde, mos lejo që t`i lëshohem vetes sime asnjë moment dhe bëje gjendjen time më të mirë. Nuk ka Zot tjetër përveç Teje.”(8) 
Esma bin Umejr ka thënë: “I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., më ka pyetur: “A dëshiron të t’i mësojë fjalët që do t`i thuash në vështirësi – Allahu është Zoti im dhe askush nuk është i barabartë me Të!”(9) 
Imam Ahmedi në Musned shënon transmetimin e Ibn Mes`u dit se Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Kur njeriu në vështirësi thotë këto fjalë: “Allahumme inni abduke ve bnu abdike ve bnu emetike. Nasijeti bijedike madin fijje huk muke adlun fijje kadauke, es`eluke bi kul-li ismin huve leke semmejte bihi nefseke eu al-lemtehu ehaden min halkike eu enzeltehu fi Ki tabike eu iste`therrte bihi fi ilmil gajbi indeke en texh`alel Kur`ane rabi’a kalbii ve nura sadrii ve xhe lae huznii dhe dhehabe hemmii.” 
“Zoti ynë, unë jam robi Yt, i biri i robit Tënd, i biri i robëreshës Sate! Fati im është në duart e Tua, e kaluara ime në pronësinë tënde, drejtësia në mua është përcaktimi Yt. Të lutem me tërë Emrat e Tu, me të cilët e ke quajtur Veten ose ia ke mësuar dikujt prej krijesave të Tua ose i ke shpallur në Librin Tënd, apo i ke pronësuar për Vete, të bësh Kuranin pranverë të zemrës sime, dritë të gjoksit tim, duke larguar pikëllimin dhe brengën time” - Allahu do t`ia largojë pikëllimin dhe brengën duke ia zëvendësuar me gëzim.”(10) 
Një ditë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., hyri në xhami. E pa një ensar me emrin  Ebu Umame dhe i tha: “Ebu Umame, përse të shoh në xhami jashtë kohës së namazit?” 
“Brengat dhe borxhet më kanë kapluar, o i Dërguari i Allahut”, tha ai. Pejgamberi, a.s., i tha: “A do të t’i mësoj disa fjalë të cilat kur t`i thuash, Allahu do të mënjanojë brengën dhe do ta paguash borxhin tënd?”  “Po, o i Dërguar i Allahut”,- tha ai. Pejgamberi, a.s., i tha: “Në mëngjes dhe në mbrëmje thuaj: “O Zot, më mbroj nga brenga dhe pikëllimi, më mbroj nga pafuqia dhe përtacia, më mbroj nga qyqaria dhe koprracia dhe më mbroj nga vështirësitë, borxhi dhe anashkalimi i njerëzve.“(11) 
Ebu Umame më vonë tregon: “Kështu veprova dhe Allahu ma largoi brengën dhe më ndihmoi ta kthej borxhin tim.“ 
Ti njeri, mendo realisht dhe pozitivisht, hulumto nevojat e tua shpirtërore e fizike pa emocione, bën gjumë dhe pushim natyral, jeto dhe çmo vlerat tua, familjen, shokët dhe shoqërinë, mos e ngarko trurin pa limit, menaxho jetën tënde në të gjitha momentet e jetës pa STRES, duke kujtuar dhe praktikuar këshillat e mësuesit tonë të dashur, Muhammedit, s.a.v.s..


________________________
1. Tirmidhiu. 
2. Shënon Ibn Ebi Dunja. 
3. Ali Imran, 134. 
4. Shënon Ebu Davudi, Ahmedi dhe Ibn Hibbani në “Sahih el-Xhamius-sagir”, 694. 
5. Shënon Ebu Davudi. 
6. Ahmedi, 5/388. 
7. Shënon Ibn Sunni dhe Ebu Nu`ajmi. 
8. Shënon Ebu Davu di, Ahmedi dhe Ibn Maxhxheh. 
9. Shënon Ebu Davudi (5090), Ahmedi, 5/42, Buhariu në “El Edebul mufred”.
10. Shënon Ebu Davudi (1525) dhe Ibn Maxhxheh (3882). 
11. Shënon Ahmedi në musned 1/254 dhe 394.


 


Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani