Pasojat shëndetësore të imoralitetit

Imoraliteti si një fenomen që prek individët dhe shoqërinë ka pasojë të thella në shumë aspekte të jetës, duke përfshirë edhe shëndetin fizik dhe mendor. Ky koncept, që mund të përfshijë sjellje të papranueshme nga norma morale dhe shoqërore, ndikon në mënyra të ndryshme në mirëqenien e individëve dhe komunitetit. Përderisa imoraliteti është shpesh i lidhur me shkeljen e normave dhe vlerave shoqërore, pasojat e tij në shëndet janë të shumëfishta dhe të ndërlikuara. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të shqyrtojmë ndikimet që imoraliteti mund të ketë në shëndetin fizik dhe mendor, në marrëdhëniet ndërpersonale, si dhe në ndjenjat e përgjithshme të lumturisë dhe stabilitetit emocional.
Përveç pasojave mendore, imoraliteti mund të ketë gjithashtu pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda në shëndetin fizik. Abuzimi me substanca, sjelljet e rrezikshme seksuale dhe mungesa e kujdesit ndaj shëndetit personal mund të çojnë në sëmundje të ndryshme, përfshirë infeksione dhe sëmundje kronike. Për shembull, individët që angazhohen në marrëdhënie seksuale të pamatura ose të pasigurta mund të përjetojnë infeksione seksualisht të transmetueshme, që përveçse ndikojnë në shëndetin e tyre, mund të dëmtojnë edhe ata që janë të afërt me ta.
Në nivelin shoqëror, pasojat e imoralitetit shfaqen edhe në shtimin e tensioneve dhe mosbesimit. Nëse individët nuk respektojnë normat dhe vlerat që krijojnë kohezionin shoqëror, mund të lindin përçarje dhe konflikte, që dëmtojnë harmoninë dhe bashkëjetesën e komunitetit. Kjo mund të ndikojë gjithashtu në ndjenjën e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në shoqëri, duke kontribuuar në një klimë më të pasigurt dhe më të tensionuar. Pasojat shëndetësore të imoralitetit janë të shumta dhe të ndërlikuara, duke përfshirë dëmtimin e shëndetit mendor dhe fizik, si dhe ndikimin në mirëqenien sociale dhe emocionale të individëve dhe shoqërisë. Përmes këtij punimi do mundohemi të shfaqim pasojat - dëmet shëndetësore të cilat i shkakton amoraliteti (zinaja).
Për këtë kemi shqyrtuar literaturën mjekësore duke tentuar ta përputhim me atë fetare dhe të nxjerrim për përfundim qëllimin e përbashkët të tyre.


SËMUNDJET INFEKTIVE


Sëmundjet infektive janë shmangie strukturore dhe funksionale e organit apo organizmit nga normaliteti i tij fiziologjik,1 si shkak i mikroorganizmave (viruseve, baktereve, kërpudhave apo të tjera.) Janë të shumtë mikroorganizmat të cilët jetojnë në trupin e njeriut. Këta janë zakonisht të padëmshëm ose edhe të dobishëm për shëndetin, mirëpo në rrethana të caktuara disa mikroorganizma mund të shkaktojnë sëmundje. Sëmundjet ngjitëse janë gripi (influenza), lija e ujit (variçela) e shumë të tjera. Sëmundjet infektive janë të njohura gjithashtu si çrregullime të transmetueshme brenda qelizave të shkaktuara nga futja e mikroorganizmave ose parazitëve në trup nga ndonjë agjent patogjen. Këto sëmundje shpesh quhen sëmundje ngjitëse, sepse ato transmetohen nga një person në tjetrin ose nga një specie në tjetrën. Të gjitha sëmundjet ngjitëse karakterizohen nga mundësia e transmetimit te njerëzit në një ose më shumë mënyra, nga një person në tjetrin, nga kafshët te njerëzit. Gjithashtu mund të transferohet nga toka e kontaminuar.
Sipas kritereve që janë caktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, me fjalën shëndet kuptojmë mirëqenien e plotë fizike, mendore dhe sociale. Faktorët sëmundje shkaktues për njeriun janë të shumtë, si mikroorganizmat (që shkaktojnë sëmundje infektive, e të cilat janë tema jonë), çrregullimet metaboliko-degjenerative, sëmundjet gjenetike, helmimet, traumat etj.. Sëmundjet infektive gjithmonë kanë tërhequr vëmendjen e shoqërisë njerëzore për karakterin masiv, epidemik, për vdekshmërinë e lartë, për ndërlikimet dhe invalidizimet që shkaktojnë.
Sëmundje ngjitëse vdekjeprurëse kemi shumë, por do të cekim vetëm disa siç janë: Antraksi, Tetanosi, Leptospira, Tuberkulozi, Pneumonia, Kolera, Botulizmi, Infeksionei Pseudomonas, Infeksioni MRSA, Infeksioni E.Coli, Meningjiti, Gonorrea, Dezinteria, Sifilizi, AIDS-Sida, Fasciiti nekrotizues, etj..(2)


HIV - SIDA


Sida paraqet sëmundje infektive, e cila njihet si infeksioni i virusit të mungesës së imunitetit të njeriut dhe sindroma e mungesës së imunitetit të fituar. HIV/AIDS apo SIDA është një spektër kushtesh të shkaktuara nga infeksioni me virusin e mungesës së imunitetit të njeriut (HIV), një retrovirus.(3)
Që kur u identifikua SIDA deri në vitin 2021, sëmundja ka shkaktuar rreth 40 milionë vdekje në mbarë botën. Në vitin 2021, kishte 650.000 vdekje dhe rreth 38 milionë njerëz në mbarë botën që jetonin me HIV. Rreth 20.6 milionë nga këta njerëz jetojnë në Afrikën Lindore dhe Jugore. HIV/ AIDS konsiderohet një pandemi - një shpërthim sëmundjesh që është i pranishëm në një zonë të madhe dhe po përhapet në mënyrë aktive.
Përderisa nuk ka një kurë ose vaksinë të disponueshme gjerësisht, trajtimi antiret roviral mund të ngadalësojë rrjedhën e sëmundjes dhe mund të çojë në një jetëgjatësi pothuajse normale. Trajtimi rekomandohet sapo të vendoset diagnoza. Pa trajtim, koha mesatare e mbijetesës pas infektimit është 11 vjet.(4) (Sipas të dhënave më të reja shkencore mjekësore, sepse në literaturën 10 vjet e më të vjetër, koha mesatare e mbijetesës është vetëm 3 vjet.) Në veçanti bakteri i Sifilizit transmetohet nëpërmjet kontaktit direkt me puçrrat e Sifilizit, të cilat zakonisht paraqiten në sipërfaqen e organeve gjenitale.


SIFILIZI


Sifilizi - sëmundje seksualisht e transmetueshme apo infeksion kongjenital shkaktohet nga bakteri i quajtur Treponema pallidum. Zakonisht shkaktohet nga kontakte intime me partner të infektuar. Manifestohet nga formacione ulceroze në zonën gjenitale, rektum, gojë, gishtërinj, pastaj zmadhim i nyjave limfatike, lodhje, dhembje koke, ethe, humbje oreksi, skuqje të lëkurës.(5)
Është sëmundje komplekse që shkakton simptome të llojllojshme në fazat e ndryshme të infeksionit. Sifilizi i pa trajtuar ka shumë komplikime. Shkaktari pra është Treponema e zbehtë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është një sëmundje e ndryshme bakteriale, që transmetohet përmes kontaktit seksual. Bakteria Treponema pallidum transmetohet gjithashtu përmes kontaktit fizik dhe puthjeve të gjata. Përveç kësaj, nënat shtatzëna që janë të infektuara janë në gjendje të transmetojnë bakterin dhe sëmundjen te foshnjat e tyre gjatë lindjes dhe pas lindjes. Sifilizi përhapet përmes plagëve dhe mund të shkaktojë dëmtime në organe si sytë, trurin ose kyçet.
Sifilizi transmetohet nëpërmjet kontaktit seksual (vagjinal, anal, oral) me personin e infektuar. Në veçanti bakteri i Sifilizit transmetohet nëpërmjet kontaktit direkt me puçrrat e Sifilizit, të cilat zakonisht paraqiten në sipërfaqen e organeve gjenitale. Faktorët kryesor të rrezikut janë: përfshirja në seksin e pambrojtur; marrëdhënia seksuale me më shumë se një partner; marrëdhënia seksuale me personin i cili ka shumë partnerë seksual.
Simptomat e para të Sifilizit zakonisht janë puçrrat të cilat nuk janë me dhembje dhe që paraqiten në penis, vagjinë, anus, rektum dhe gojë. Puçrrat zakonisht paraqiten dy deri në gjashtë javë pas infektimit dhe zhduken për një kohë të shkurtër. Mostrajtimi i drejtë i Sifilizit mund të shkaktojë sëmundje të zemrës, çmendje, verbim, paralizë edhe vdekjen. Mostrat nga puçrrat e Sifilizit ekzaminohen me mikroskop. Gjithashtu Sifilizi mund të diagnostikohet edhe me testin e gjakut.(6)


HERPESI


Herpesi gjenital është një infeksion nga virusi herpes simplex (HSV) i organeve gjenitale në rastin kur është i llojit gjenital. Shumica e njerëzve ose nuk kanë simptoma, ose kanë simptoma të lehta dhe kështu nuk e dinë që janë të infektuar. Pra paraqet inflamacion në lëkurë dhe mukoza, i shkaktuar nga herpes viruset. Karakterizohet me flluska të vogla, të cilat zhvillohen te personat që kanë pasur temperaturë të lartë.(7)
Kur simptomat ndodhin, ato zakonisht përfshijnë flluska të vogla që hapen për të formuar ulcera të dhimbshme. Mund të shfaqen edhe simptoma të ngjashme me gripin, si ethe, dhembje ose nyje limfatike të fryrë. Fillimi është zakonisht rreth 4 ditë pas ekspozimit me simptoma, që zgjasin deri në 4 javë. Pasi të infektohen, shpërthime të mëtejshme mund të ndodhin, por janë përgjithësisht më të lehta.
Sëmundja zakonisht përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë gjenital me sipërfaqen e lëkurës ose sekrecionet e dikujt që është i infektuar. Kjo mund të ndodhë gjatë seksit, përfshirë seksin anal dhe oral. Plagët nuk kërkohen që të ndodhë transmetimi. Rreziku i përhapjes midis një çifti është rreth 7.5% gjatë një viti. HSV klasifikohet në dy lloje, HSV-1 dhe HSV-2. Historikisht HSV-2 ishte më i zakonshëm, ndërsa HSV-1 gjenital është bërë më i zakonshëm në botën e zhvilluar. Diagnoza mund të ndodhë duke testuar lezione duke përdorur ose PCR ose kulturë virale ose teste të gjakut për antitrupa specifik.
Përpjekjet për të parandaluar infeksionin përfshijnë shmangien e marrëdhënieve seksuale, përveç marrëdhëniet seksuale me dikë që nuk është i infektuar. Pasi të infektohet, nuk ka shërim. Megjithatë, ilaçet antivirale mund të parandalojnë shpërthimet ose të shkurtojnë shpërthimet nëse ato ndodhin. Përdorimi afatgjatë i antiviralëve mund të zvogëlojë rrezikun e përhapjes së mëtejshme.(8)


GONORREA


Gonorrea është sëmundje ngjitëse, purulente, që prek cipat mukoze gjenitale, e cila transmetohet kryesisht me anë të aktit seksual, e cila shkaktohet nga gonokoku. Është një sëmundje seksualisht e transmetueshme (STD). Disa njerëz mund të kenë gonorre pa shfaqur asnjë simptomë. Gjithashtu, simptomat e gonorresë te femrat mund të jenë të ndryshme në krahasim me ato që shfaqen te meshkujt. Nëse mendoni se keni gonorre, është e këshillueshme të vizitoni mjekun tuaj. Trajtimi i menjëhershëm ndihmon në shmangien e problemeve afatgjata. Një kurs i antibiotikëve zakonisht shëron gonorrenë.(9)
Mënyra më e sigurt për të parandaluar gonorrenë dhe IST të tjera është përmes abstenencës. Pra shkencëtarët e fushës mjekësore kanë ardhur në përfundim që të abstenuarit nga marrëdhëniet intime me të huajt përveç partnerit legjitim (bashkëshortit) është zgjidhja më e mirë.(10)


PËRFUNDIMI


Duke u bazuar nga e gjitha që u tha më sipër, u vërtetua edhe një herë se çdo rregull, çdo urdhër, çdo sugjerim, çdo gjykim dhe çdo ndalesë që ka bërë për ne i Madhi Allah xh.sh., qoftë përmes fjalës së Tij të lartësuar, Kuranit fisnik, qoftë përmes të dërguarve të tij, paqja qoftë mbi ta, e veçanërisht përmes Pejgamberit të fundit Muhamedit a.s., qoftë përmes fjalëve të dijetarëve që janë trashëgimtarë të Pejgamberit a.s., është për të mirën tonë, qoftë të individit, ashtu edhe të shoqërisë.
Nëse i krahasojmë dispozitat fetare me zhvillimet më të reja mjekësore vërejmë përputhshmëri të pashoqe, shohim që edhe ndëshkimet më të rënda, me plot kuptimin e fjalës janë rahmet (mëshirë) si për njeriun në veçanti, ashtu edhe për njerëzimin në përgjithësi. Kur këto na u argumentuan edhe me fakte shkencore të fushës së mjekësisë, arrijmë në një vërtetim të një baraspeshe në mes të ndëshkimeve për imoralitetin dhe dëmet që shkakton ai në aspektin mjekësor.
__________________
1. Nazmi N. Velija, Nazmije A. Velija, Fjalor i terminologjisë mjekësore, (Tiranë: "Infbotues", 2013), fq. 564.
2. Ilir Q. Tolaj, Hamdi Ramadani, Shemsedin Dreshaj, Sëmundjet Infektive, (Prishtinë, Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina", 2018), fq. 21-34; Kenard E. Nelsen st al.: Infectious Diseae Epidemiology, 3rd Edition, Jones and Brothers Pub., 2014. P: 11-32; Leon Gordis, Epidemiology, 5th Edition, Elsevier Inc., 2014. P: 27-41.
3. Nazmi N. Velija, Nazmije A. Velija, Fjalor i terminologjisë mjekësore, (Tiranë: "Infbotues", 2013), fq. 287.
4. John Bennett, Raphael Dolin, Martin J. Blaser. Mandell, Douglas and Bennet's, Principles and Practice of Infectious Diseaes, 8th edition, Elesvier, 2015. P: 421-518. James Cherry, Gail Harrison, Sheldon Kaplan, Peter Hotez, William Steinbach, Feigin & Cherry's Textbook of Pediatric Infectious Diseases, 8th edition, Elesvier, 2019. P: 129-248. Ilir Q. Tolaj, Hamdi Ramadani, Shemsedin Dreshaj, Sëmundjet Infektive, (Prishtinë: Universiteti i Prishtinës - "Hasan Prishtina", 2018), fq. 583-627; Elmas Eltari, Pëllumb Pipero, Drita Gera, Sëmundjet Infektive, (Tiranë: Universiteti Mjekësor i Tiranës, 2015), fq:58-63.
5. Nazmi N. Velija, Nazmije A. Velija, Fjalor i terminologjisë mjekësore, (Tiranë: "Infbotues", 2013). Fq: 566.
6. Jonathan Cohen, William G. Powderly, Steven M. Opal, Infectious Diseases, 4th Edition. Elesvier, 2017. P:124-200; Janez Tromazic in Franc Strle s sodelavci, Infekcije Bolezni (English version), 2014/2015. P: 234-246; Ilir Q. Tolaj, Hamdi Ramadani, Shemsedin Dreshaj, Sëmundjet Infektive, (Prishtinë: Universiteti i Prishtinës - "Hasan Prishtina", 2018). Fq: 583-627.
7. Nazmi N. Velija, Nazmije A. Velija, Fjalor i terminologjisë mjekësore, (Tiranë: "Infbotues", 2013), fq. 268.
8. Karen E. Rogstad, ABC of Sexuality Transmitted Infections, 6th Edition, BMJ Books, 2011. P: 46-72; Mark Loeb, Fiona Smaill and Marek Smieja, Evidence Based Infectious Diseases, 2nd Edition, Blackwell Publishing Ltd. 2009. P: 210-249. Ilir Q. Tolaj, Hamdi Ramadani, Shemsedin Dreshaj, Sëmundjet Infektive, (Prishtinë: Universiteti i Prishtinës - "Hasan Prishtina", 2018), fq. 519-522.
9. Nazmi N. Velija, Nazmije A. Velija, Fjalor i terminologjisë mjekësore, (Tiranë: "Infbotues", 2013). Fq: 243.
10. Tom Elliott, Anna Casey, Petter Lambert, Johnatan Sandoe, Lecture notes, Medical microbiology and infection. 5th Edition, Wiley Blacwell, 2011. P:326-345. Gerd Gross, Stephen K. Tyring, Sexually Transmited Infections and Sexually Transmited Diseases, Springer, 2011. P:43-61. Muham-med Ali El-Barr, Narkomania, sëmundjet gjenitale dhe prostitucioni, (Tetovë: "ASR", 2002/1422 h), fq. 107-109; Ilir Q. Tolaj, Hamdi Ramadani, Shemsedin Dreshaj, Sëmundjet Infektive, (Prishtinë: Universiteti i Prishtinës - "Hasan Prishtina", 2018), fq. 522-524. Elmas Eltari, Pëllumb Pipero, Drita Gera, Sëmundjet Infektive, (Tiranë: Universiteti Mjekësor i Tiranës, 2015). Fq:63-67.


 


Dr. med. Lis Kusari
Dituria Islame 411


Nuk ka artikull pas ketij.