Hatib: Nezim Halilović Muderris

Falënderimi i takon Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi më të mirin njeri, Muhammedin, a.s., familjen, shokët dhe mbare pasuesit e tij deri në amshim!

Të nderuar vëllezër besimtar!
Hutben e sodit e kam titulluar "Jeta në Berzah" (El-hajatu el-berzahijje) "Jeta në varreza"!
Tema e sodit, në një formë është vazhdim i hutbes së kaluar "Shpirtrat në Berzah" dhe kjo hutbe duhet të na tërheq vërejtjen të gjithë neve, me shpresë se insha - Allah, përmes ajeteve, haditheve dhe thënieve të dijetarëve, çështjen e jetës në Berzah ta qartësojmë tërësisht, e ai qartësim do të duhej të rezultonte me përmirësimin e gjendjes tonë dhe me brengosjen se çka kemi përgatitur ne për Berzah dhe për Ditën e Gjykimit.
Në fillim të kësaj hutbe, ia përkujtoi vetes dhe juve ajetet 99 - 103 të kaptinës El-Mu'minun: "E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Zoti im, më kthe, (99) që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!" Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen,(100). E kur i fryhet surit (herën e dytë), atëherë, në atë ditë nuk do të ketë lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesë kush për njëri-tjetrin.(101) E kujt i peshon më rëndë peshoja (veprat e mira), ata janë të shpëtuari.(102) Ndërsa, atyre që u peshon lehtë peshoja (veprat e mira), ata janë që humbën vetveten dhe janë në xhehennem përgjithmonë.(103)
Ibni Rexhebi ka thënë: "Allahu xh.sh. i ka krijuar njerëzit me qëllim të ekzistimit ose mbetjes, e jo të zhdukjes. Ai ka bërë që pas krijimit, njerëzit të kalojnë prej njërës shtëpi në tjetrën. I ka vendosur në shtëpinë e kësaj bote për t'i sprovuar se cili prej tyre do të sillet dhe do të veprojë më mirë, më pas i vendos në jetën e Berzahut dhe i mban deri në Ditën e Gjykimit, në ditën kur prapë do t’i tubojë dhe t'i llogariasë, ashtu që secili, pa tjetër do ta merr atë që ka merituar. Por, ata edhe para asaj, në Berzah i përjetojnë efektet e veprave të tyre."
Duke folur për Berzahun, Muxhahidi ka thënë:"Berzahu është pengesë mes vdekjes dhe të kthimit në këtë botë." Dhe ka thënë: "Berzahu është gjendja mes vdekjes dhe ringjalljes."
Imam Sha'bi e ka dëgjuar një njeri, i cili pas kryerjes së xhenazes ka folur për të vdekurin: "Ai tash është banor i Ahiretit". Dhe ka thënë: "Mos thuaj banor i Ahiretit, por banor i varrit."
Vëllezër të nderuar, njeriu vdes në atë formë si ka jetuar, dhe ashtu do të ringjallet, e pastaj një grup do të hyjë në xhennet, ndërsa grupi tjetër në xhehennem.
Argument nga Kur'ani për vuajtjet e pabesimtarit në Berzah është edhe pjesa e ajetit 93 në Kaptinën El-En'am: “E, sikur t'i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, e engjëjt kanë shtrirë duart e veta (me ndëshkim) e (u thonë): "Shpëtojeni pra vetveten (nëse mundeni)". "Tash përjetoni dënimin e turpshëm për shkak se e thoshit të pavërtetën për Allahun, dhe ndaj argumenteve të Tij ishit kryeneç".
Këto fjalë u janë drejtuar jobesimtarëve në shtratin e tyre të vdekjes. Melekët e sinqertë i kanë informuar ata se nga dita e vdekjes së tyre i pret dënim i padurueshëm, do të thotë, ndëshkimi në Berzah (në varr apo diku tjetër). Kjo është konfirmuar në ajetin 45 dhe 46 të sures El-Gafir: "Dhe Allahu e shpëtoi atë (besimtarin) prej të këqijave që i kurdisën, ndërsa ithtarët e faraonit i përfshiu dënimi më i keq.(45) Ata i nënshtrohen zjarrit mëngjes e mbrëmje, e Ditën e Kijametit (u thuhet engjëjve): "Ithtarët e faraonit futni në dënimin më të rëndë!" (46)
Allahu xh.sh. në ajetet kur'anore të cituara më lartë në mënyrë të qartë i ka përmendur dy lloje të dënimit, në Berzah dhe në Ahiret, kur të vjen Dita e Gjykimit.
Në Hadithin të cilin e shënon imam Ebu Davudi thuhet: Transmeton Osman iben Affan r.a.: "Kur Pejgamberi s.a.v.s. e përfundonte varrosjen e të vdekurit, qëndronte pranë varrit dhe thoshte: “Bëni Istighfar (duke u lutur për falje) për vëllanë tuaj dhe lutuni që të jetë i fortë, sepse ai tani përgjigjet!" (Ebu Davudi)
Në hadithin tjetër, të cilin po ashtu e shënon imam Ebu Davudi thuhet: Transmeton Abdullah iben Abbasi r.a.: "Ka kaluar Pejgamberi s.a.v.s. pran dy varreve dhe ka thënë: "Me të vërtetë, këta të dy janë duke u dënuar, por nuk janë duke u dënuar për gjëra të mëdha. Ky për shkak se nuk është ruajtur nga urina, kurse ky tjetri për shkak se ka bartur fjalët e të tjerëve!" (Ebu Davud)

Kjo është konfirmuar edhe sipas një shënimi nga Imam Ahmedi: Transmeton Enesi, r.a., se Pejgamberi,s.a.v.s., kaloi hipur mbi mushkën e tij pranë mureve të fiseve En-Nexhxhar dhe i dëgjoi zërat e atyre që dënoheshin në varr dhe nga britmat e tyre mushka u trembë. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Sikur të mos e varrosnit njëri-tjetrin, unë do t’i lutesha Allahut për t'ju mundësuar dëgjimin e dënimit në varr!" (Ahmedi)
Paraardhësit tanë korrekt, gjenerata e parë dhe e mësuar mirë, thotë se pasi të vdes menjëherë e përjeton gëzimin apo dënimin. Gëzimin ose dënimi e ndjen dhe e përjeton me shpirtin dhe trupin e tij. Për atë dënim dhe për atë gëzim thuhet dënimi i varrit ose gëzimi i varrit. Megjithatë, çdo person i cili vdes, edhe nëse nuk varroset në varr, digjet, mbytet në ujë, apo shqyhet nga kafshët e egra, ai gjithashtu do të përjetoi gëzim ose do të dënohet. Nëse një njeri është i varur në degët e pemës së lartë, dhe mbetur ashtu në atë gjendje për ditë në ajër, trupi dhe shpirti i tij do ta ndjejnë dënimin që i është përcaktuar. Kur njeri i mirë, besimtar, mbytet dhe hidhet në një gropë të thellë të mbushur me zjarr, trupi dhe shpirti i tij do ta ndjejnë kënaqësinë, e cila është përcaktuar. Pra, fjala është për dënimin dhe shpërblimi në jetën e Berzehut, d.m.th. jeta në mes kësaj bote dhe botës tjetër, por shpeshherë përdoret termi dënimi i varrit apo kënaqësia e varrit, sepse shumica e njerëzve pas vdekjes së tyre, varrosen në varr.
Xhematë të nderuar, përgatituni për vdekjen, Berzahun, ringjalljen, Ditën e Gjykimit, dhe insha-Allah për kënaqësitë e përjetshme në Xhennete, të cilat na janë premtuar! T’i përmbushim të gjitha obligimet e fesë Islame, e në veçanti obligimin e namazit, sepse pa namaz nuk ka besimtar të vërtetë, t’i përmbushim të gjitha detyrimet, sepse edhe për ato do të merremi në pyetje në Ditën e Gjykimit, dhe të bëjmë gara në të mira!

Lus Allahun xh.sh. që të na forcoi në rrugën e Islamit, dhe të na bëjë prej njerëzve të Tij të sinqertë, të cilët vetëm Atij i frikohen dhe vetëm Atij i përulen - i bijnë në sexhde, që t'i forcoj njerëzit që janë të shtypur të jenë të fuqishëm, e në veçanti vëllezërit tanë në Siri, t’i shpëtoj nga zullumi dhe zullumqarët dhe që t'ju ndihmoj që të korrin fitore, që fëmijët dhe pasardhësit tanë t'i bëjë të gëzuar, në sytë dhe zemrat tona, dhe t'i drejton në rrugë të drejtë të ymetit, që momentin e vdekjes të na bëjë të lehtë, që jetën në Berzah të na bëjë të këndshme dhe plotë kënaqësi, deri në Ditën e Gjykimit, që Ditën e Gjykimit të na i falë mëkatet, të na i mbulon turpet dhe të na i pranon veprat e mira dhe të na shpërblen me xhennetin e premtuar, në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertit, me dëshmorët dhe me njerëzit e mirë!



Përktheu dhe përshtati: Esat Rexha