Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, për të mirat dhe begatit që na i ka dhënë. Bekimet dhe paqja qofshin mbi Pejgamberin e All-llahut, mbi familjen e tij fisnike, shokët e tij besnik dhe pasuesit që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Xhemat i nderuar, të dashur vëllezër.
Ne jemi para përfundimit të një viti tjetër shkollor dhe akademik. Me këtë rast, tema e hutbes së sotme është titulluar: Shkenca për Kur’anin, të cilin e mësojmë dhe e pasojmë, pjesa e dytë.
Në hytben e kaluar kemi folur për atë se çka na mëson All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik dhe çka na mëson Pejgamberi s.a.v.s. në Synnetin e tij. Me lejen e All-llahut xh.sh. do të vazhdojmë aty ku kemi mbetur në hutben e kaluar.
Në prag të përfundimit të mësimit të vitit shkollor 2012 /13, të cilit tani i themi lamtumirë, ne ua kemi bërë me dije arsimtarëve, e sidomos prindërve, se fëmijët janë dhurata më e mirë, përgjegjësi e madhe, gjegjësisht emanet dhe sprovim i prindërve dhe rrethit të gjerë familjar.
Fëmijët janë dhuratë, sprovim, emanet, përgjegjësi. Lidhur me këtë All-llahu xh.sh. në Kur'an thotë: „Vetëm i All-llahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i falë vetëm femra atij që do; e i falë vetëm meshkuj atij që do. Ose u falë çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, i fuqishëm. (Shura, 49-50)
Këtë dhuratë, për më tepër, Allahu xh.sh., në Kur'an e përshkruan si "zinetul hajatiddunja" - "pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës në këtë botë, për derisa veprat e mira, janë ato të cilat do të mbeten përgjithmonë, do të jenë të shpërblyer nga Zoti yt edhe me shumë se sa mund të imagjinoi vet njeriu"! (El-Kehf, 46) në mënyrë që për dhuratën duhet falënderuar, ndërsa emanetin – premtimin duhet përmbushur!
Prej atij momenti kur prindërve u lind fëmiu, ata kanë marr përsipër një emanet/përgjegjësi ndaj kësaj dhurate, si dhe një rol të ri, rolin e kujdestarit dhe të edukatorit.
Allahu thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar. (Et-Tahrim, 6)
Këtu, Allahu thotë, në radhë të parë ruani veten, e më pas ruani familjen nga zjarri ..., që nënkuptojmë se Allahu thotë: "Edukoni veten tuaj e pastaj fëmijët gjegjësisht familjen." Kjo është arsyeja pse është thënë fjala e mençur, hapi i parë në edukimin e fëmijëve - prindërit e edukuar.
Rreth kësaj përgjegjësie për rritjen – edukimin e fëmijëve Pejgamberi s.a.v.s. shprehimisht thotë: "All-llahu do ta merr në pyetje çdo njërin që iu ka besuar tufa për ta ruajtur atë, si e ka ruajtur atë, a është kujdesur sa duhet për të apo me neglizhencën dhe moskujdesin apo ndoshta me vetëdije dhe me qëllim e ka shkatërruar. All-llahu xh.sh. do të pyes edhe se si është sjell prindi ndaj fëmijëve të tij.” (Buhariu)
Përveç asaj që fëmijët dhe pasuria janë dhurata dhe stolia e jetës në këtë botë, ato janë edhe sprovë. Allahu xh.sh. në Kur'an thotë: "Dhe, dijeni se pasuria e juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, dhe se te All-llahu është shpërblimi i madh.." (El-Enfal, 28) që do të thotë kur Ai ua dhuroi, u ka vënë venë në sprovë dhe në testim, për të parë nëse ju do ta falënderoni Atë për atë që ua ka dhuruar ashtu si kërkon Ai për të vepruar, apo do të largohemi nga Ai, i Lartësuari. [1]
All-llahu xh.sh.thotë: “O ju që besuat, vërtet, disa nga bashkëshortet tuaja dhe nga fëmijët tuaj janë armiq tuaj, andaj kini kujdes ndaj tyre, e nëse nuk merrni masa, nuk ua vini veshin dhe i falni, ta dini se edhe All-llahu është mëkat falës, mëshirues. S'ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, ndërsa ajo që është tek All-llahu, është shpërblim i madh”. (Et-Tegabun,14-15)
Është gëzim për suksesin dhe rezultatin e ri të nxënësve dhe studentëve tanë, të treguar në këtë vit shkollor, e sidomos për prindërit, të afërmit, për qytetin dhe për shtetin në përgjithësi. Por, u bëjmë thirrje që dituria e arritur të ruhet me kujdes.
Shfrytëzojmë rastin t’i përgëzojmë edhe njëherë mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit për njohuritë, rezultatet dhe sukseset e arritura.
Puna – veprimtaria sipas mësimit të arritur është detyrë për të cilën ne do të pyetemi në Ditën e Gjykimit.
" A po i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?"(El-Bekare, 44)
Allahu i Plotfuqishëm, na fton për t’i përputhur fjalët dhe veprat dhe thotë: “O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni! Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni! (Es-Saff, 2-3)
Duhet përputhur fjalët me veprat! Le të mendojmë pak për atë që flasin këto ajete?
Ebu Lejs es – Semerkandi thotë: “Ai i cili pretendon se i posedon katër virtyte dhe nuk i konfirmon me vepra, ai nuk e ka thënë të vërtetën.
- Kush thotë se e do Zotin dhe nuk e braktis atë që Ai ka ndaluar.
- Kushdo që pretendon se e donë Xhennetin, e nuk e harxhon pasurinë në atë që shpie në Xhennet.
- Kushdo që pretendon se e donë Pejgamberin s.a.v.s. dhe nuk e ndjek Sunetin e tij, dhe
- Kush thotë se ai dëshiron të bëjë progres në besim, e nuk i vëren të mërziturit, të varfëritë dhe të pafuqishmin.
Një ditë, Pejgamberi s.a.v.s. duke ecur hasi në dy grupe njerëzish: Njëri grup i drejtohej Allahut xh.sh. me lutje, duke kërkuar nga të mirat e Tij, ndërsa grupi tjetër i mësonin të tjerët ... Pejgamberi i Allahut s.a.v.s., tha: "Këta po i luten Allahut xh.sh. që t’ju jep, nëse do Allahu, do t’iu jap ose nuk do t’ju jep, ndërsa këta tjerët po i mësojnë njerëzit. Edhe unë jam dërguar që t’i mësoj". Pastaj u drejtua drejt tyre dhe u ul në mesin e tyre. Duke e përgatitur Muadhin r.a. për Jemen, Pejgamberi s.a.v.s. i ka thënë: "Nëse All-llahu, nëpërmjet teje e udhëzon një njeri, është më mirë për ty se tërë bota dhe çdo gjë që është në të."
Në këtë kuptim edhe Pejgamberi s.a.v.s.na tërheq vërejtjen: "Kur'ani është mirësia më e madhe dhe më e mirë e cila më së shpejti harrohet." Me këto fjalë Pejgamberi s.a.v.s. u drejtohet të gjithë atyre të cilët kanë mësuar ndonjëherë të paktën një shkronjë, një ajet apo një sure, ose Hadith.
Të gjithë do të merremi në pyetje në Ditën e Gjykimit! Prindërit, për fëmijët e tyre! Fëmijët, për prindërit!
Jemi të rrethuar nga rreziqe të shumta: alkooli, droga, vrasjet, imoraliteti!?
Prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët e tyre në frymën e Islamit, në frymën e Kur'anit dhe Sunnetit. Ata, me shembullin e tyre duhet ta tregojnë Islamin, të jetojnë me Islam, t’i zbatojnë rregullat e Islamit, në atë mënyrë që për fëmijët e tyre të jenë shembull i gjallë.
Shikuar në përgjithësi, sot ka shumë të tillë që janë të gatshëm të mbajnë ligjërata, të japin këshilla, përderisa shumë pak ka të atillë të cilët janë të gatshëm t’i vejnë në veprim ato. Siç ka thënë një njeri i mençur: "Kur duhet të mbahen ligjërata të gjithë janë të aftë, e te shkolluar, por kur duhet (konkretisht) të vihen në vepër, atëherë të gjithë janë analfabetë."
Le të jemi prej atyre që i rrisin fëmijët në frymën e Islamit, të cilët bëjmë vepra të mira dhe prej atyre që fjalët i sinkronizojnë, i përputhim me vepra të mira. Le të jemi prej atyre që diturinë e zbatojnë në praktikë dhe udhëzojnë në të mirë!
Transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. shpeshherë iu ka drejtuar All-llahut xh.sh. me këtë lutje: "O Zot, kërkoj mbrojtje nga njohuritë të cilat nuk do të kem përfitim, nga një zemër që nuk është e përulur, nga shpirti i pangopur dhe nga lutja e pa pranuar”. (Muslimi)
Lusim All-llahun xh.sh. që të na japë sukses në drejtimin e fëmijëve tanë në rrugën e duhur dhe t’i edukojmë në të vërtetën islame! O Zot i Gjithëdijshëm, na mundëso që të mos turpërohemi me ata dhe ata të mos trupohen me ne. Amin!
Xhamia Norrköping, 17.05.2013 / 30.Džumade-ul-Euel, 1434 HG / Hatib: Zekerijah ef. Çajlakoviç
Përktheu :Esat Rexha