Në të gjitha xhamitë e Kosovës hutbe kushtuar ruajtjes së mjedisit

Me rekomandim të Myftiut Tërnava, afro 800 xhami në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, datë 5 qershor, trajtuan teorikisht dhe praktikisht çështjen e ruajtjes dhe kujdesit ndaj ambientit që na rrethon.

Nga minberet e shtëpive të Zotit, prijësit fetarë thirrën edhe një herë, ashtu siç shpesh ndodh në ligjëratat e tyre, që të ruajnë pastërtinë e hapësirave publike, të largojnë hedhurinat dhe pengesat nga rruga - si pjesë e besimit islam, të mbjellin fidane e pemë frutore, qoftë kjo edhe vepra e fundit e njeriut në këtë botë, me qëllim që të tjerët t’i shfrytëzojnë ato për hije dhe për t’u ushqyer nga frutat e tyre, njerëz qofshin apo kafshë dhe shpezë.
Ishte Myftiu Naim ef. Tërnava ai që i priu kësaj nisme, i shoqëruar nga Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dr. Ferid Agani, të cilët mbëltuan drunjë frutorë në oborrin e xhamisë së Madhe në Prishtinë.
“Të mbash pastër veten dhe mjedisin ku jeton është obligim i çdo besimtari. Është një gjë që, thirret për të, në çdo ditë të vitit, sepse feja jonë e pastër na urdhëron kështu. Ne sot, simbolikisht mbollëm këto pemë, dhe kjo është një motiv për ne dhe për çdo qytetar të këtij nënqielli, që të ndërgjegjësohen dhe vetëdijësohen edhe më tepër, kur është në pyetje kujdesi për ambientin, si një prej fundamenteve kyqe për të cilat porosit Islami, feja jonë e shenjtë”, theksoi Myftiu Tërnava.
Edhe ministri Agani bëri thirrje për ruajtje të mjedisit si dëshmi e vlerave qytetëruese të një vendi. “Mbajtja e ligjëratave në 800 xhami të Kosovës duke trajtuar temën mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, mendoj se paraqet një kontribut substancial dhe gjithëpërfshirës sa i përket vetëdijësimit të popullatës sonë për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, për rëndësinë e bartjes së vlerave të familjeve tona edhe në hapësirat publike. Ta ruajmë këtë pasuri, ta përparojmë sepse vetëm në këtë mënyrë do ta tregojmë përgjegjësinë që e kemi ndaj vetës, familjeve tona dhe shoqërisë në përgjithësi”, u shpreh ministri Agani./bislame/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme