Abstrakt:
Shkrimi në vazhdim ka për synim të vë në pah komentimin e një sureje shumë të shkurtër kuranore, por shumë përmbajtjesore, nga e cila duhet të merr mësim çdo mysliman dhe myslimane, që jetën e kësaj bote ta kalojnë në lumturi dhe mirëqenie, në mënyrë që në botën tjetër nga veprimet dhe punët e tyre, të shpresojnë dhe presin mëshirë, falje dhe shpërblim para të Gjithëmëshirshmit, Fuqiplotit.
Bëhet fjalë për betimin e Allahut të Madhëruar në kohën, e që është nata dhe dita, e cila përfshin akte dhe veprime të robërve, dhe se njerëzit janë në humbje, gjë që vetvetiu nënkupton se të qenit "humbës" është e kundërt e të qenit "fitues". Humbja mund të kategorizohet në kategori të ndryshme si: humbje absolute, gjithëpërfshirëse - siç është gjendja e atij që e ka humbur këtë botë dhe botën tjetër, ka humbur mirëqenien e tij dhe e ka merituar Zjarrin. Humbësi mund të jetë në disa aspekte, ndërsa në aspekte të tjera jo. Prandaj, Allahu xh.sh., e ka përgjithësuar humbjen për të gjithë, me përjashtim të atij që i ka këto katër karakteristika:
- besimi në çdo gjë që Allahu ka urdhëruar të besohet: e sigurisht që besimi nuk mund të jetë pa dije, kështu që dija është degë e besimit dhe se besimi nuk është i plotësuar pa dije dhe njohuri.
- veprimi i mirë (veprat e mira): kjo i përfshin të gjitha veprat e mira, të dukshme apo të padukshme, që kanë të bëjnë me të drejtat e Allahut dhe robërve të Tij, pavarësisht nëse këto janë veprime obliguese ose të dëshirueshme.
- rekomandimi për të Vërtetën: e që është Imani dhe punë të mbara. Pra, konsultimi i njëri-tjetrit në këto të dyja, do të inkurajojë dhe nxis njëri-tjetrin në to.
- rekomandimi për durim: të ketë durim në bindje ndaj Allahut dhe largimi nga mosbindja ndaj Tij të Plotfuqishmit, gjithashtu, të jetë i durueshëm në përcaktime të dhimbshme që i cakton Allahu.
-
Pra, me dy çështjet e para njeriu e kompleton veten, ndërsa me dy çështjet e tjera i plotëson njerëzit e tjerë. Pra, me plotësimin e këtyre katër çështjeve, njeriu do të ruhet nga humbja dhe do të fitojë dobi përfundimtare.
Fjalët kyçe: Koha që shkatërron (el-'Asr), fitimi, humbja, kalimi i kohës, besimi në Allahun, veprimi i mirë, rekomandimi për të Vërtetën, rekomandimi për durim.
Vlera e sures El-'Asr
Transmetohet nga imam Shafiur.a., të ketë thënë: “Që njerëzve mos t'u është shpallur asgjë tjetër përveç kësaj sureje, do të ishte e mjaftueshme për ta.”(1)
Ibn Kethiri, në tefsirin e tij të famshëm: Et-Tefsir Ibn Kethir ose Et-Tefsiru l-Kur’ani l- Adhim, shënon se imam Shafiu r.a., i pat thënë edhe këto fjalë: “Nëse njerëzit do të mendonin në lidhje me këtë sure, do të ishte e mjaftueshme për ta.”(2)
Sahabët e Pejgamberit s.a.v.s., këtë sure e përdornin si fjalëkalim në takimet e tyre. Në një transmetim tregon se: "Kur takoheshin dy nga sahabët e Pejgamberit s.a.v.s., s’do ndaheshin përderisa njëri-tjetrit mos t'i kenë lexuar suren el-'Asr. Pastaj, do të përshëndeteshin në mes veti.(3)
Ibn Kethiri në tefsirin e tij, shënon se Amrel-'Asin me një rast e pyeti Musejleme el-Kedhdhabi: “Çka i është shpallur në këtë periudhë shokut tuaj /d.m.th. Muhammedit/?” Amri i tha: “I është shpallur një sure e shkurtë, koncize dhe elokuente.” “Cila?”, e pyeti, dhe ai i recitoi suren el-'Asr. Musejleme el-Kedhdhabi për pak çaste u mendua dhe tha: "Edhe mua më është shpallur diçka e tillë.” Amri e pyeti: “Çka është ajo?”, ai tha: "O brejtës, o brejtës! Ti ke dy veshë dhe gjoks, dhe pjesën tjetër e ke thellim, vrimë.”Pastaj pyeti:“Amr, si të pëlqen? Amri iu përgjigj: "Pasha Allahun, ti e di shumë mirë se unë e di që ti gënjen."(4)
El-'Asr - Koha që shkatërron
Koha (lat. tempus, gr. Χρ?νος) është një nga konceptet bazë në fe, filozofi dhe shkencë. Allahu, xh.sh., në Fjalën e Tij Fisnike, në suren el-'Asr (koha që shkatërron), betohet në kohën dhe thotë:
"Pasha kohën" (El-'Asr, 1)
Përkthyesit e Kuranit në gjuhën shqipe, ajetin e parë të sures el-'Asr, e përkthejnë kështu: Sherif Ahmeti dhe Feti Mehdiu -“Pasha kohën”; ndërsa Hasan Nahi – “Betohem në kohë”.(5) Përkthyesit e Kuranit në gjuhën serbokroate/boshnjake, në mënyra të ndryshme e përkthejnë shprehjen kuranore ????? - el-'asr. Miqo Lubibratiq, përkthyesi i parë i Kuranit në gjuhën sllave (serbisht), këtë ajet kuranor e përkthen kështu:"Betohem në kohën pas drekës"(El-'Asr, 1). Besim Korkuti dhe Akademiku Esat Durakoviq, shprehjen e përmendur kuranore ????? –el-'asr, e përkthejnë si "kohë", dhe ajetin e parë të kësaj sure e përkthejnë kështu: "Pasha kohën". Xhemaludin Çausheviqi dhe Muhamed Panxha, në përkthimin e tyre të Kuranit, ajetin e parë të kësaj sureje e përkthejnë kështu: “E mbaj (e kam) si dëshmitar kohën (e cila tregon fillimin dhe fundin e çdo gjëje)”.Ndërsa, prof. dr. Enes Kariq, në përkthimin e tij të Kuranit në gjuhën boshnjake nga arabishtja, shprehjen e përmendur e përkthen në kuptimin e “kohës”, mirëpo, me sqarim se kjo i referohet "kohës e cila shkatërron". Duke u bazuar në ato që u përmendën më sipër, nga përkthimi i Lubibratiqit kuptojmë se këtu i referohet kohës së pasdites; nga përkthimi i Korkutit dhe Durakoviqit kuptojmë se këtu i referohet“kohës”në përgjithësi; nga përkthimi i Panxha-Çausheviqit kuptojmë se Zoti e ka marr kohën si dëshmitar të Tij; ndërsa nga përkthimi i prof. dr. Enes Kariqit kuptojmë se këtu nuk bëhet fjalë për kohën në përgjithësi, por për kohën që shkatërron (njeriun).(6)
Komentuesit e Kuranit thonë, se kur Allahu xh.sh., betohet për diçka në Kuran në diç nga krijesat të Tij, kjo tregon rëndësinë e madhe dhe vlerën e asaj në të cilën betohet. Betimet Hyjnore në Kuran janë shumë të zakonshme. Duket se forma më interesante e betimit Hyjnore në Kuran, është ajo ku mund të shohim se si Zoti merr kohën për subjektin e Garancive të Tij. Surja el- 'Asr është jashtëzakonisht interesante në këtë drejtim.(7)
Sherif Ahmeti, përkthyesi dhe komentuesi njohur i Kuranit në gjuhën shqipe, në komentimin e kësaj sureje thotë: “...Zoti xh.sh., betohet në kohën që është gjëja më e çmueshme për njeriun, nëse e shfrytëzon atë si duhet. Është këshilluesi më i mirë që të jep mësim se si i dobëti dhe i ligu me angazhimin e tij në punë, në dituri, arriti të bëhet më i fortë, dhe më i lartë, ndërsa ai që ishte i fortë e i lartë, me përtacinë e tij, u bë më i dobëti. Koha është përplot ndodhi e ngjarje të çuditshme; njerëz të mëdhenj humbin vlerën, njerëzit e pa njohur arrijnë famë, pasanikët varfërohen, të varfëritë pasurohen, e kështu me radhë në të gjitha fushat e jetës, andaj duhet marrë mësim që të mos humbim e të dështojmë në këtë jetë. Nuk është humbur ai që ka besuar dhe ka bërë vepra të mira, sepse ai e ka ditur se kjo jetë është kalimtare,as e mira e as e keqja nuk janë të përhershme, andaj nuk është mashtruar pas dëshirave që rrënojnë njerëzinë e njeriut, është ruajtur dhe ka qenë i matur në të gjitha rastet e gjendjes. (...) Nuk janë të humbur edhe njerëzit që mësojnë njëri – tjetrin për punë të mbara, për drejtësi, për njohje të Krijuesit fuqiplotë. Kurrë nuk janë të humbur as ata që njëri – tjetrin e këshillojnë të jenë të durueshëm në vështirësi e mundime, në zbatimin e urdhrave të Zotit, në largimin prej punëve të këqija e të ndyra.“(8)
Thelbi i fjalës el-'asrnë foljen e vetës të tretë do të thotë: të jesh bashkëkohës i dikujt. Çdo kohë i ka karakteristikat e veta me të cilit njihet. Kështu, për shembull, themi: periudha e sahabëve, apo koha e atomit, ose koha e eksplorimit të hapësirës. Kjo sure, ndonëse e shkurtër, përmbledh pasojat e veprimtarisë njerëzore në këtë botë në çdo kohë ose në çfarëdo vend.(9)
Sipas mendimit të Muhammed Asadit, fjala 'asr paraqet “kohën” që është e matshme, dhe përbëhet nga një sekuencë prej periudhave (në dallim prej fjalës dehr, që paraqet "një kohë të pacaktuar", pa fillim ose përfundim, pra, “kohë absolute”. Nga kjo, 'asr mbart kuptimin e kalimit të kohës - e cila kurrsesi nuk mund të kthehet.(10)
Sipas mendimit të akademikut prof. dr. Enes Kariq, rrënja e fjalës A-S-R ka intencën origjinale në fjalën "shtrydhje", pra, se koha e shtrydh njeriun dhe të gjitha krijesat. Për shembull, në suren Jusuf (XII: 36) një nga të burgosurit, tha se ëndërroi “se si shtrydhte rrushin” (inni arania'siruhamran ).(11)
Ibn Kethiri, në tefsirin e tij, duke e komentuar ajetin e parë të sures el-'Asr, thotë: "El-'Asr, ????? d.m.th. "Ez-Zeman" - kohë. Zejdibn Esleme thotë se këtu mendohet: “Pasha namazin e ikindisë”.(12) Sipas mendimit të Ibn Kethirit, mendimi i parë është më i saktë.(13)
Imam Raziu, në lidhje me fjalën el-'asr në tefsirin e tij, thotë: “Allahu betohet në kohën në të cilën jetoi Pejgamberi s.a.v.s., si dhe vendin e jetës së tij, por edhe me jetën e tij, dhe sikur thotë: Pasha kohën në të cilën jeton ti, pasha qytetit tënd dhe jetës sate.” Dhe sikur thotë: “Ti, o Muhammed, ke qenë i pranishëm në mesin e tyre, dhe ti i thirre në rrugën Time, e ata janë kthyer prej teje dhe nuk të pranuan. E ata që të kanë kthyer shpinën dhe nuk e pranuan thirrjen tënde, a ka shkatërrim dhe humbje më të madhe se e tyrja.”(14) Kurse, imam Alusi ka thënë: “Thuhet se me këtë mendohet në kohën e pejgamberisë së Muhammedit s.a.v.s., sepse ajo kohë ishte më e vlefshme në përgjithësi, për shkak të vlerës dhe madhësisë së Muhammedit s.a.v.s.(15)
Ibnel-Xhuzejjel-Killbiel-Endelusi, në tefsirin e tij Et-Tes'hilu li'ulumi't-tenzil (Komentimi i lehtësuar i Kuranit)në lidhje me kuptimin e këtij ajeti përmend tre mendime: I pari: Kjo i referohet namazit të ikindisë. Allahu i Lartësuar me të betohet për shkak të vlerës së këtij namazi. Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Kujt i kalon namazi i ikindisë - sikur se të ketë humbur familjen dhe pasurinë e tij!”(16) I dyti: kjo është kohë para mbrëmjes, me të cilën Allahu betohet sikurse betohet dhe në agimin (mëngjesin). Këtë mendim e vërtetojnë edhe fjalët e Ubejj b. Ka'bit i cili e pyeti Pejgamberin s.a.v.s.,në lidhje me këtë ajet, e që ai i tha: “Zoti yt betohet në pjesën e fundit të ditës.” Dhe i treti: Ky mendim i referohet kohës në përgjithësi(17)
Zoti xh.sh., u betua në kohën se njeriu është i humbur dhe i dëshpëruar, qoftë nëse ai është bujk, tregtar, mjeshtër, nëpunës, ministër, sundues, dijetar i çfarëdo lëmi, derisa ai njeri nuk është i pajisur më këtë program, të cilin e përshkruan kjo sure.
Koha është ajo që uli popujt, të cilët dukeshin se janë të lartë dhe ngriti lart popujt tjerë që dukeshin se kanë qenë të ulët. Koha na tregon se e bëri krenar të drejtin dhe e poshtëroi të padrejtin e zullumqarin. Koha na mësoi që, kur një popull kaloi në padrejtësi, u dha pas dëshirave epshore, pas interesit personal duke e lënë pas dore bashkësinë dhe interesin e përgjithshëm.(18)
Koha i përngjan zjarrit, sikur që zjarri zhduket me dru (qymyr, barin, shtëpinë) të cilat i djeg, kështu edhe koha zhduket me atë që zhduk. Krijohet fleta, krijohet edhe koha e saj. Zhduket fleta, zhduket edhe koha e saj. Formohen pikat e ujit, formohet edhe koha e tyre. Zhduken pikat e ujit, zhduket edhe koha e tyre. Krijohet milingona me kohën e saj, kështu me të edhe zhduket. (...) Kështu koha është e pakthyeshme, ireversibile. Siç thotë al-Ma’arri:
“E djeshmja që shkoi - edhe pse është afër,
të gjithë banorët e Tokës nuk mund ta kthejnë atë!”(19)
Çdo çast, i cili nuk shfrytëzohet në vepra të mira, është i humbur. Këto fjalë të lartësuara, pasi që treguan qartë, na e tërheqin vëmendjen tonë në historinë, si dëshmitar të veprave njerëzore.(20)
Ne në këtë botë kalimtare jemi vetëm shkurtë, për një kohë të kufizuar. Çdo sekondë, minutë, orë, ditë, për ne paraqet vetëm një thesar. Ne nuk duhet të luajmë me të, nuk duhet t'i shkapërderdhim më kot, sepse jeta është një detyrë shumë serioze, kurse vdekja është një dëshmitar i heshtur për këtë seriozitet të lartësuar. Ahmed Shevkiu (vdiq më 1932) në vargun e tij të shkëlqyeshëm tregon:
“Rrahjet e zemrës së njeriut i thonë:
Minutat dhe sekondat - me të vërtetë kjo është jeta!”(21)
Kur është fjala për “përkohshmërinë e njeriut”, ekzistojnë shumë vargje të poetëve, e që ndër poetët arabë e islam, më së bukuri i thuri Ebul-Atahije (vdiq më 210/826.), i cili jetoi gjatë dinastisë Abasite. Këto janë vetëm disa nga vargjet e tija:
"Mos i beso kohës,
Veshi rroba për çdo rast.
Sepse, edhe neve kanë për të na mbuluar njerëzit,
Po sikur që ne i mbulonim!”(22)
Në Perëndim thonë “koha është para”, kurse në Lindje thonë që ajo është më e çmuar se paraja dhe thonë: “Koha nuk mund të blihet as me margaritar.”(23) Po, kjo është me të vërtetë ashtu, megjithatë, koha është shumë më shumë se kaq. Dallimi në mes të “kohës” dhe parasë e margaritarëve, është se ato kur të harxhohen apo humben mund të fitohen dhe kthehen prapë, mirëpo, koha e humbur nuk kthehet më kurrë e as që kompensohet me diçka. Koha është një çështje e rëndësishme e jetës njerëzore. Se si ne sillemi me këtë dhunti të Zotit, do të përcaktohet i gjithë qëndrimi ynë në këtë jetë.
Në këtë jetë të kufizuar, ne kemi detyra të cilat sipas mundësive dhe aftësive tona duhet kryer. Çdo njeri ka misionin e tij në tokë, ai kurrsesi nuk duhet të gabojë apo ta tradhtojë.
Ibn Kajjim el-Xhevzijje, në librin e tij: El-Xhevabu-l-Kafi limense'ele 'anide-devaish-shafi, thotë: “Koha e njeriut, në fakt, ajo është jeta e tij.”(24) Ndërsa, Hasan el-Basriu ka thënë: “O njeri, ti je vetëm një numër i caktuar i ditëve, sa herë që të kalojë një ditë kalon edhe një pjesë prej teje, e kur të kalojë një pjesë pothuajse kalon gjithçka.” Po ashtu, Hasan el-Basriu ka thënë: “Nuk ka ditë të shkëlqejë agimi e që në të mos të thirret (njeriu): 'O njeri! Unë jam një krijesë e re, dëshmitar i veprimeve tuaja; prandaj furnizohu prej meje, sepse unë nuk kthehem më deri në Ditën e Kiametit'.” (25)
Myslimanët, e në veçanti të rinjtë, të cilët respektojnë jetën e dhënë nga Allahu xh.sh., duhet ta shfrytëzojnë kohën në gjëra të dobishme. Që nga vegjëlia, njeriu duhet të mësojë se si ta shfrytëzojë kohën. Sepse, çdo fillim i hershëm jep fryte më të mëdha se ai i më vonshëm. Një fjalë e urtë arabe thotë: “Dituria në vegjëli është sikur gdhendje në gur.”
Fjalë të urta popullore thonë:
“Koha është sikur shpata, po se preve, ajo të prenë ty.”
“Koha është vrasës gradual i njeriut, e cila ngadalë dhe si në heshtje e vret atë".
"Kohën (ditën) e sotme shfrytëzoje plotësisht, sepse është e pakthyeshme."
Ah, sikur njerëzit të dinin rëndësinë e kohës! Aspak nuk është i habitshëm fakti që një njeri e kishte zotëruar një gjuhë të huaj vetëm duke mësuar gjatë pauzës në vendin e tij të punës, ose njeriu tjetër, duke pritur porosinë e tij në restorant në një kohë prej 10-15 minutash. Muhammedi s.a.v.s., kishte shprehi të qortojë veten nëse në ndonjë ditë nuk do të kishte mësuar diçka të re. Ai, s.a.v.s., në hadithet e tij na këshillon për shfrytëzimin e kohës, e ndër të tjera, edhe në: “Rinin para pleqërisë, jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë dhe kohën e lirë para se të jemi të zënë".(26)
Transmetohet nga Muadh b. Xhebeli r.a., se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Nuk do të lëviz këmba e robit në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për katër gjëra: Jetën - në çka e ka shpenzuar, rinin - se si e ka kaluar, paranë - se si e ka fituar dhe shpenzuar, diturinë - se si e ka përdorur.”(27)
Në të vërtetë ne jemi përgjegjës për kohën që jetojmë, sepse ajo është një dhuratë nga Krijuesi ynë i Lartësuar. Është e sigurt se askush prej nesh nuk e di se kur do të shfaqet çasti i vdekjes. Dimë vetëm se duhet me fisnikëri të mësojmë, punojmë për të kuptuar misionin tonë në këtë jetë të shkurtër dhe kalimtare, dhe të fitojmë sa më shumë që është e mundur nga të mirat e saj. Allahu xh.sh., thotë në Kuran:
“Kur të ndodh Ngjarja,
Ndodhin e saj askush nuk do ta mohojë,
disa do t'i poshtërojë dhe disa do t'i lartësojë!”(28)
Jeta i ngjan një udhëtimi, kurse njeriu i ngjan një udhëtari në atë udhëtim, dhe në qoftë se njeriut i jepet mundësia të ndalet vetëm për një moment për furnizim dhe strehim gjatë udhëtimit, atëherë ai do të përpiqet që të pushojë mirë dhe të furnizohet për udhëtimin e tij të ardhshëm dhe të pakthyeshëm. Furnizimi këtu i ngjan ditëve të kaluara në këtë botë kalimtare, ndërsa strehimi i ngjan netëve.
Pra, jeta është dhuratë e Zotit. Ne jemi krijuar që të sprovohemi se cili prej nesh do të veprojë më së miri. Qëllimi themelor i jetës është bindja ndaj Krijuesit, jeta morale, pasimi i së vërtetës, punimi sipas drejtësisë, arritjen e mirësisë, shprehja e mëshirës dhe dhembshurisë.(29)
Njeriu dhe humbja e tij – dështimi
Në vazhdim të kësaj sureje, Allahu xh.sh., thotë:
"Njeriu është në humbje, me të vërtetë." (El-'Asr, 2)
Bazuar në këtë ajet kuranor ne vërejmë se njeriu është me të vërtetë në humbje, shkatërrim, etj., përveç kategorive të veçanta të njerëzve për të cilat do të bëhet fjalë më vonë.
Është interesant përkthimi i këtij ajeti nga Miqo Lubibratiq, i cili ajetin e përmendur të kësaj sure, e përkthen kështu: “Njeriu punon në shkatërrimin e tij”. Bazuar në këtë përkthim, ne kuptojmë një gjë shumë të rëndësishme, dhe kjo është - se njeriu është vetë përgjegjës për shkatërrimin e tij, pra, “që njeriu punon në vetë-shkatërrimin e tij”. Në suren el-'A'raf, ajeti 23, Allahu xh.sh. thotë: "Dhe ata thanë: 'Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtë (i dëmtuam) vetvetes sonë, e në qoftë se Ti nuk na fal (mëshiron), atëherë ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!”(30)
Me të vërtetë njeriu - si një qenie; është në humbje, sepse i jep përparësi botës kalimtare ndaj asaj të përjetshme, dhe ngase atë e sundojnë orekset dhe pasionet.(31)
Të gjithë jemi dëshmitarë të rrjedhës së kohës. Njërën pas tjetrës i përcjellim stinët e vitit: pranverën, verën, vjeshtën, dimrin, po ashtu edhe: ditët, javët, vitet dhe jetën në përgjithësi dhe atë në pa kthim. Pashmangshmërisht ecë koha në rrugën e saj të rrahur, ku nuk ka asnjë ndryshim në të. Allahu xh.sh., në Kuran, në suren Er-Rahman, thotë: ?? ?? ????? ??? "Gjithçka që është në tokë - është kalimtare ...".(32)
Është e sigurt se njeriu një ditë do të zhduket nga faqja e dheut, pastaj do të qëndrojë para Krijuesit të tij, Allahut xh.sh. Gjithçka rreth nesh na flet për vdekjen, si një të vërtetë të pashmangshme. Vdekjen e shikojmë çdo ditë, dëgjojmë për të çdo ditë, kështu që ne edhe e shijojmë atë çdo natë, sepse njeriu derisa është në gjumë ai është në një gjendje të vdekjes së vërtetë.
Mesazhi "brilant", është në vargjet e mëposhtme arabe:
"Kur njeriu i mençur e përjeton këtë Botë,
i zbulohet armiku i tij i maskuar si një mik!"(33)
Në një gur varri të vjetër janë shkruar fjalët: "Ai, Allahu, është Krijuesi i përhershëm! O, vizitor i varrit tim, mendo mbi gjendjen time. Dje isha sikur që je ti sot, kurse nesër do të jesh sikur që jam unë".(34)Kurse, Allahu xh.sh., thotë në Kuran: "Çdo qenie e gjallë do të shijojë vdekjen!"(25)
Të përmendim një ngjarje, si një mësim të rëndësishëm në jetën tonë. Thuhet se në një betejë, qindra vjet më parë, tre ushtarë të plagosur rëndë, u strehuan në bodrumin e një fortese. Armiku kishte fituar, dhe ata mbetën gjallë në këtë betejë, duke qëndruan në rrënoja të asaj fortese, megjithatë, edhe pse ata qëndruan gjallë, por të mbuluar nën rrënoja, ndërkohë vdiqën: "Koha i mbuloi në harresë".
Kurtubiu, në Tefsirin e tij, e shënon transmetimin që flet për jetën Nuhut a.s, i cili jetoi rreth një mijë vjet. Kur i erdhi meleku i vdekjes për t'ia marr shpirtin, kur e pyeti Nuhun a.s.,se si i kaloi jeta? Ja se çfarë i tha: “Sikur kam hyrë në një derë dhe po dal në derën tjetër."(36)
Besimi në Allahun xh.sh., dhe veprimi i mirë
Pra, Allahu i Plotfuqishëm betohet në kohën që njeriu është në humbje dhe se atë e pret shkatërrimi, përveç kategorive të njerëzve që do t’i përmendim. Në vazhdim të kësaj sureje, Allahu xh. sh., thotë:
"Me përjashtim të atyre që besuan dhe bënë vepra të mira ..." (El-'Asr, 3)
Ibn Kethiri, në komentimin e këtij ajeti, thotë: "...vetëm jo ata që besuan dhe bënë vepra të mira ...", d.m.th. në mesin e atyre të cilëve u kanoset rreziku për shkatërrimin dhe humbjen e veprave të tyre, Allahu i Plotfuqishëm i përjashton ata që besojnë me zemër dhe me duart e tyre bëjnë vepra të mira.(37)
Kushti i parë i cili çon në sukses mbi të gjitha, është imani (besimi). Besimi i drejtë, është gjëja në të cilën Pejgamberi s.a.v.s., i thirri njerëzit, dhe ky është besimi në Njëshmërinë e Allahut të Lartësuar. Besimi në Allahun xh.sh., do të thotë që në mënyrë të vendosur të besohet se Allahu xh.sh., është Zot, Sundimtar dhe Krijues i gjithësisë. Vetëm Ai meriton që t'i bëhet adhurimi nëpërmjet namazit, agjërimit, lutjeve, shpresës në mëshirën e Tij, frikës, përulësisë dhe bindjes. Ai ka të gjitha atribute të përsosmërisë, dhe është larg çdo mangësie.
Pra, hapi i parë i cili e çon në sukses, atë i cili dëshiron të forcojë themelet e të mirave, është imani. Megjithatë, imani i vërtetë është ai që shkakton vepra të mira, nuk ka kurrfarë rëndësie imani (besimi) pa bërjen e veprave të mira, e tillë siç është e pavlerë dituria, po ashtu, pa veprim. Paraardhësit tanë në besim kishin shprehi të thonë: “Besimi dhe dituria pa veprim janë si një pemë pa fruta, ose si retë pa shi”. Fryti i imanit (besimit) dhe diturisë, pra, është veprimi.(38)
Allahu xh.sh., në suren el-Enfal, në ajetin 2-3, thotë: “Besimtarët janë ata të cilëve u dridhen zemrat kur përmendet Allahu! E kur t'u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi; të tillët mbështeten në Zotin e tyre. Dhe ata që e falin namazin dhe, nga atë që Ne u kemi dhënë atyre, japin!“(39)
Duke i komentuar këto ajete kuranore, Ibnel-Xhuzzejj el-Killbiel-Endelusi, thotë: Vërtet, besimtarët e vërtetë janë vetëm ata - d.m.th. me besim të plotë; ku pjesëza innema (vetëm) në fillim të ajetit është përdorur për rritje (shtim), theksim dhe përkufizim të kuptimit, të cilët, kur përmendet Allahu, mbushen me frikë zemrat e tyre - Ubejj b. Ka'bi lexonte feze'at (në vend të vexhilet, e që të dyja këto folje kanë të njëjtin kuptim), dhe kur t'u lexohen ajetet e Tij, ato u shtojnë besimin atyre, d.m.th. u forcojnë bindjen dhe jekinin e tyre, në krahasim me atë që thotë se imani nuk shtohet e as pakësohet, e që shtimi i besimit (imanit) bëhet përmes veprës; dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.(40)
Komentuesi i Kuranit El-Kushejri, në tefsirin e tij Letaif el-isharat, thotë se disa mufessirë thonë se fjalët e Allahut:“...ata që besuan...” i referohen Ebu Bekrit r.a., ndërsa fjalët “...dhe bënë vepra të mira...” i referohen Omerit r.a., kurse fjalët “...rekomanduan të vërtetën..” i referohen Othamit r.a., dhe fjalët “...rekomandojnë durimin...” i referohen Aliut r.a.(41)
Dijetarët islam thonë se fjala el-iman në arabisht do të thotë siguri, e që siguria është e kundërta e frikës. Të gjithë pejgamberët e Allahut janë dërguar për të ftuar në besim në vahdanijjet (njëshmërinë e Allahut xh.sh.), dhe lënie anash adhurimin e idhujve dhe çdo gjë tjetër që e largon njeriun nga besimi i vërtetë dhe i sinqertë në Allahun xh.sh. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
"Çdo populli Ne i dërguam pejgamberë: "Allahun adhurojeni, djallit u largoheni!"(42)
Përkthyesit e Kuranit në gjuhën boshnjake, si Miqo Lubibratiq(43), grupi i përkthyesve të cilët e përkthyen tefsirin e Ibn Kethirit në boshnjakisht(44), fjalën "et-tagut" në këtë ajet e kanë lënë në origjinal siç është në arabisht, d.m.th. nuk e përkthyen. Muhamed Mehanoviqi(45) kësaj fjale i jep përkthimin shejtan dhe e lë, po ashtu, si në origjinal "et-tagut", ndërsa, prof. dr. Enes Kariq, e përkthen në kuptimin e "djallit".
Sipas mendimit të Muhammed Asadit, "et-Tagut" nënkupton, fillimisht, çdo gjë që adhurohet në vend të Allahut, prandaj, gjithçka që mund ta largojë njeriun nga Zoti dhe e shpin drejt së keqes. Pra, Muhammed Asadi, për këtë fjalë, thotë se është më së miri të përkthehet si "forcat e së keqes".(46)
Adhurimi vetëm i Allahut Një, e largon njeriun nga adhurimi i dikujt tjetër përveç Tij, dhe ndërton në të parimin e barazisë së të gjithë robërve të Zotit, kështu që nuk i nënshtrohet askujt e as që e përul kokën përveç para Atij të Plotfuqishëm...(47)
Myslimani besimin e tij, përkatësinë e tij në islam dhe ymmetin mysliman, çdo ditë në vazhdimësi e dëshmon me veprat e tij të mira, dhe marrëdhënie me myslimanët e tjerë, njerëzit e tjerë dhe të gjitha krijesat. Pra,nuk mjafton që vetëm të dihet dhe njihet se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe. Përveç kësaj, ose me këtë, të mirën duhet dashur, përfituar, praktikuar dhe ndarë me të tjerët, kurse të keqes me vendosmëri dhe fuqishëm duhet kundërshtuar. Në fakt, e mira është në bazën e vetë imanit dhe pjesë e tij e pandarë.(48)
Vepra e mirë është rezultat i natyrshëm i besimit dhe lëvizje personale që fillon në momentin në të cilin forcohet thelbi i besimit në zemër. Besimi është fakt i lëvizshëm pozitiv. Ai sapo të bëhet i qëndrueshëm në ndërgjegje, dhe tashmë kërkon që të realizohet jashtë në formën e veprave të mira ... Ky është besimi islam ... Nuk është e mundur të mbetet i mbyllur dhe i palëvizshëm, i fshehur dhe i pa shfaqur në imazh të gjallë jashtë personalitetit të besimtarit... Në qoftë se nuk lëviz me këtë lëvizje të natyrshme, atëherë është i rremë apo i vdekur. Ashtu si një lule që nuk mbanë erë. Ajo natyrshëm vjen prej saj. Përndryshe, nuk ekziston!(49)
Nga kjo vlerë e besimit, është veprim, punë, ndërtim dhe kultivim... Çdo gjë është e drejtuar ndaj Allahut. Ai (besimi) nuk është pasivitet dhe tërhiqje në pjesët e fshehura të ndërgjegjes... Nuk janë vetëm qëllime të mira që nuk mishërohen në veprim. Kjo është natyra publike e islamit, që e bën atë një forcë të madhe për ndërtimin e jetës.(50)
Çfarë është e qartë për çdo lexues serioz të Kuranit, është ajo se, kudo që të përmendet imani në Kuran (besimi në Allahun xh.sh.), së bashku me të përmenden edhe veprat e mira (amenu ve 'amilu s-salihat). Pra, besimi pa veprim nuk është i mjaftueshëm, gjegjësisht, pa besim nuk ka vepra të mira, dhe anasjelltas.(51)
Rekomandimi për të Vërtetën dhe rekomandimi për durim
Në vazhdim të kësaj sureje, Allahu xh.sh., vazhdon dhe thotë:
“... dhe që në mes veti rekomandojnë të Vërtetën, dhe që në mes veti rekomandojnë durimin!” (El-'Asr, 3)
Një prej 99 Emrave të Zotit është edhe "E vërteta e Lartësuar" (el-Hakk). Allahu xh.sh., është e Vërteta, dhe Ai e do të vërtetën. Prandaj, besimtari duhet të jetë gjithmonë me te (të vërtetën). Ajo është shoku i tij besnik gjatë jetës, me të ai vetëm është i lumtur, ata që besojnë në Allahun xh.sh., ata do ta duan të vërtetën, para së gjithash, për shkak se kjo është dëshira e Allahut të Madhëruar.
Imam Ibn Xherir et-Taberiu në tefsirin e tij, rreth komentimit të fjalëve: ??????? ?????, e përmend transmetimin ku thuhet: “Transmetohet nga Ibn Abdil - 'A'la, i cili tha: 'Transmetohetnga Thena'ibn Abdi Thevri, nga Muammeri duke transmetuar nga Hasani r.a., i cili tha se fjalët e sipërpërmendura të Allahut nënkuptojnë: “Libër i Allahut (Kurani)'”.(52)
Ka shumë hadithe të Pejgamberit s.a.v.s., nga të cilat shpjegohet qartë se besimi dhe veprat e mira shkojnë së bashku (ndër to edhe rekomandimi i të së Vërtetës dhe durimit). Të përmendim vetëm disa prej tyre:
Imam Muslimi, shënon në Sahihun e tij nga Ebu Hurejre r.a., se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "...Kush (na) mashtron (rrenë), nuk më përket mua!"(53)
Gjithashtu, imam Muslimi në Sahihun e tij, shënon nga Sufjan ibn Abdullah et-Thekafiju se ka thënë: "E kam lutur të Dërguarin e Zotit s.a.v.s.: më trego rreth Islamit diçka ashtu që pas teje, askënd tjetër nuk do të kem nevojë ta pyes (në transmetimin e Ebu Usamesë thuhet: përveç teje)!"Ai më tha: "Thuaj: Unë besoj në Zot dhe pastaj ji i vendosur në atë!"(54)
Imam Buhariu, në Sahihun e tij, shënon nga Ebu Shurejha r.a., se kishte thënë: Me të vërtetë Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Pasha Allahun ai nuk beson! (Duke përmendur këtë tri herë)."Pastaj dikush pyeti:"Kush o i Dërguari i Allahut?"Ai, s.a.v.s., ka thënë:"Ai, fqinji i të cilit nuk është i sigurt nga e keqja e tij".(55)
Pejgamberi s.a.v.s., do të konsultohej me shokët e tij, dhe dëgjonte opinionet e tyre dhe i linte anash të veta (rreth ligjeve të kësaj bote) dhe merrte mendimet e tyre në qoftë se mendonte se ato ishin më të mira dhe më të drejta. Ibn Xhuzejj El-Killbi El-Endelusi, në tefsirin e tij, thotë: "I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., konsultohej me njerëzit për aspektet e luftës, etj., por jo edhe në aspektin e rregullave të Sheriatit. Ibn Abbasi ka thënë: "Konsultohej me ta për disa gjëra."(56)
Ebu Bekri, kalifi i parë pas vdekjes së Muhammedit s.a.v.s., në hytben (fjalimin) e tij të parë ka thënë: "O, njerëz! Jam zgjedhur për t'ju udhëhequr, edhe pse nuk jam më i miri ndër jush. Nëse veproj si duhet (saktë), ju më ndihmoni dhe në qoftë se gaboj, më parandaloni në atë. E vërteta është amanet. Gënjeshtra është mashtrim. (...) Më nënshtrohuni mua, përderisa unë i nënshtrohem Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe në qoftë se unë i kundërshtohem Allahut dhe të Dërguarit të Tij mos më nënshtrohuni. Ngrihuni për namaz, Allahu ju mëshiroftë."(57)
Thirrja në hakk(të vërtetën) do të thotë: Që secili prej nesh të thërret tjetrin në të vërtetën. Dhe çdo kryefamiljar apo udhëheqës (imam) duhet të shqyrtojë nëse edhe vetë është në të vërtetën, dhe pastaj të ftojë të tjerët në atë të vërtetë. Sepse Islami është feja e së vërtetës dhe kërkon nga ne të thërrasim dhe rekomandojmë në të Vërtetë absolute, të punojmë me të, dhe të jemi të vendosur dhe këmbëngulës. Allahu xh.sh., në suren Nahl, ajeti 125, thotë: "Ti në rrugën e Zotit tënd thirr me urtësi dhe këshillë të bukur...".(58)
Nga Uthman b. Affani r.a., transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: "Kush vdes dhe e di se Allahu është Hakk (e Vërteta), do të hyjë në Xhennet!”(59)
Sejjid Kutbi, në tefsirin e tij Fidhilali-l-Kuran (Në krahun e Kuranit), thotë se rekomandimi i ndërsjellë i të vërtetës është nevojë. Bartja e të vërtetës është shumë e vështirë. Ka shumë pengesa për të vërtetën: teket e shpirtit, logjika e interesit, mendimi i opinionit, dhuna e tiranit dhe padrejtësia e shtypësit, dhe arbitrariteti i zullumqarit... Rekomandimi i ndërsjellë do të thotë kujtimi, inkurajimi dhe bërje që të ndjehet farefisnori dhe afërsi në qëllimin,dhe vëllazëri në kryerjen e ngarkesave dhe amaneteve.(60)
Kur njerëzit thërrasin në të vërtetën, atëherë kalojnë gjurmëve të vështirësive dhe gjakut, sepse me të vërtetë ushqimi i të vërtetës është i hidhur. Le të shikojmë vetëm për një moment rrugën në të cilën kaloi edhe vetë Pejgamberi, s.a.v.s., duke bërë thirrje për të Vërtetën e Allahut, gjithashtu, edhe rruga e Pejgamberëve tjerë të Allahut xh.sh., duke filluar nga Ademi a.s., e deri te Pejgamberi i fundit i Allahut xh.sh., Muhammedin s.a.v.s.
Durimi është një cilësi që besimtarit i duhet shpesh, duke pasur parasysh se ai kalon nëpër sprova dhe fatkeqësi të ndryshme. Kur është besimtari në mirësi, i është mirënjohës Allahut të Plotfuqishëm, dhe kur e godet ndonjë vështirësi dhe sprovë ai është i durueshëm.(61)
Koncepti i këmbënguljes (durimit) i referohet besimit, i cili është kulmi i njohjes së Allahut të Lartësuar, dhe veprimit, gjegjësisht, bërja e veprave të mira, ku si ideal vendoset drejtësia dhe shmangia e çdo ekstremi. Në këtë kuptim për termin këmbëngulje, tregojnë ajetet e shumta të Kur'anit kerim. Në një mënyrë shumë mbresëlënëse për këtë flitet në ajetin 30 të sures Fussilet (Shpjegim):"E nuk ka dyshim se ata që thanë: "Zoti ynë është Allahu", dhe ishin të paluhatshëm në atë...". (62)
Këtu nuk mendohet që të qëndrohet i palëkundur vetëm në shqiptimin e fjalëve "Zoti ynë është Allahu", sepse koncepti i këmbënguljes (istikametit) nuk ka vetëm këtë kuptim. Gjithashtu, këmbëngulje vjen së bashku me një besim të fortë dhe njohjen e vërtetë.(63)
Pra, rekomandimii durimit është gjithashtu një domosdoshmëri. Përkujdesja ndaj fesë, veprës së mirë, dhe mbrojtjes të së vërtetës dhe drejtësisë janë detyrat më të vështira me të cilat përballet individi dhe komuniteti. Pra, për këtë arsye durimi është i nevojshëm. Duhet të jemi të durueshëm në luftën me veten,dhe në luftë me tjetrin dhe edukimin e tij. Pastaj, durimi për kundërvajtje dhe vështirësitë. Pastaj, durimi në fyerje dhe sprovë.(64)
Allahu xh.sh., në suren el-Ahkaf, ajeti 35, thotë: "Dhe ti bëhu i durueshëm siç ishin të durueshëm pejgamberët e vendosur ..."(65) Ndërsa në suren er-Rum, ajeti i 60, Zoti i Plotfuqishëm thotë: "Dhe ti duro! Me të vërtetë, premtimi i Allahut është i vërtetë dhe le të mos mashtrojnë ata që nuk besojnë vendosmërisht."(66)
Një prej të Dërguarve të Allahut i quajtur Llukman el-Hakim (i Urti), e këshilloi djalin e tij me këshillën pejgamberike:
"O biri im! Në të vërtetë, e mira dhe e keqja - nëse peshon sa kokrra e lirit, në shkëmb, ose në qiej a në Tokë qoftë, Allahu do ta nxjerrë në dritë! S'ka dyshim se Allahu i di fshehtësitë dhe është i informuar!"“O biri im!Fale namazin, urdhëro për punë të mira dhe ndalo nga të këqijat, dhe në të gjitha gjërat që mund të godasin, ti duro! Në të vërtetë, këto gjëra janë detyrë!(67)
Romakët e lashtë kanë thënë: "Në zjarr sprovohet (digjet) ari, kurse në të keqen burrat trima."
Ibnul-Kajjim el-Xhevzijje, në librin e tij Emradul-kulubu ve shifauha (Mjekësia e zemrës dhe shpirtit), thekson se Shejhul-islami Ibni Tejmije me një rast i kishte thënë: "Fatkeqësitë dhe sprovat janë si nxehtësia dhe i ftohti. Kur robi i Allahut di se domosdoshmërish duhet të ndodhin, nuk do të zemërohet në lidhje me të, dhe nuk do të jetë në depresion dhe pikëllim."(68)
Fjalët përmbyllëse dhe mesazhet
Kjo sure, ndonëse e shkurtër, përmbledh pasojat e aktivitetit njerëzor në këtë botë, në çdo kohë dhe në çdo vend. Ata që i janë larguar Allahut, do të jenë lëndë e xhehenemit, kurse ata që besuan, bënë vepra të mira, të cilët ishin të sinqertë dhe të durueshëm, ata e fituan betejën e jetës.(69)
Në këtë sure të shkurtë me tri ajete është prezantuar programi i përsosur për jetën e njeriut ashtu siç e dëshiron islami. Në të paraqiten skicat e nocioneve fetare në të vërtetën e tij të madhe dhe universale, në formën më të qartë dhe më besnike. Ajo sjell gjithë kushtetutën islame në disa fjalë të shkurta dhe paraqet ymmetin mysliman, thelbin dhe funksionin e tij në një ajet të vetëm, dhe ky është ajeti i tretë i kësaj sureje ... Kjo është mbinatyrshmëri që është vetëm në fuqinë e Allahut ... (70)
Në këtë sure janë të përmbledhura fakte të rëndësishme. Ajo i përmban të gjitha elementet e nevojshme për krijimin e kombeve dhe qytetërimeve, të tilla si: a) Kujdesi për vlerën e kohës; b) shfrytëzimi i kohës për të bërë gjëra të dobishme, c) rëndësinë e punës së përbashkët. Nëse ymmeti e kupton domethënien e kësaj sureje, do të rrisë ndërgjegjësimin dhe si pasoj e kësaj çdo aspekt i qytetërimit të tij do të përmirësohet.(71)
Me kalimin e kohës, në të gjithë shekuj, gjatë ekzistencës së njeriut në të gjitha kohët, ka ekzistuar vetëm një program i dobishëm, dhe një mënyrë e shpëtimit, dhe kjo është rruga vijat kufizuese e së cilës i vë kjo sure, është kjo rrugë, shenjat e së cilësi shënon kjo sure. E gjithë që është jashtë saj është shkatërrim dhe humbje ...(72)
I Lartësuari gjykoi se të gjithë njerëzit janë në humbje përveç atyre tek të cilët gjinden këto katër veti: imani (besimi), veprat e mira, rekomandimi i të Vërtetës dhe rekomandimi për sabër (durim). Lumturia e njeriu është në plotësimin e imanit (besimit) të tij dhe veprave të mira dhe plotësimin e këshillave të mira (nasihat) dhe udhëheqjen shpirtërore (irshad). Në këtë mënyrë njeriu kombinon përmbushjen e të drejtave të Allahut dhe të drejtave të robërve të Tij. Ky është sekreti i përmendjes së këtyre katër vetive.(73)
Sot ne shohim përmes kësaj kushtetute të cilën e hartoi Kurani,jetën e grupit të suksesshëm që ka shpëtuar nga humbja, dhe kështu na frikëson të shohim se çfarë humbje e kaplon njerëzimin në çdo vend në tokë, pa përjashtim. Na frikëson ky konfuzioni nga i cili vuajnë njerëzit në këtë botë - para Ahiretit, na frikëson të shohim se njerëzimi në mënyrë të qartë i shmanget të mirës që Allahu i ka dhuruar atij, me humbjen e të mirave, autoritetit të besimtarëve që kujdesen për të vërtetën në këtë tokë.(74)
_________________
1. Muhammed el-Gazali, Tematski tefsir Kur’ana, El-Kelimeh, Novi Pazar, 2013, fq. 726. Po ashtu: Amr Halid, Tefsir Kur’ana, Ilum, d.o.o. Buzhim, Buzhim, 2007, fq. 642. Po ashtu: Amr Halid, Riznica kur’anskih mudrosti, El-Kelimeh, Novi Pazar, 2007, fq. 485.
2. Ibn Kethir, Tefsir Ibn Kesir (Versioni i shkurtuar), versionet më të sakta i zgjodhi: Muhammed Nesib er-Rifa'i, Sarajevë, 2002, fq. 1527.
3. Muhammed el - Gazali, v. e cit., fq. 725. Këtë transmetim e shënon imam Et-Taberaniu nga Abdullah ibn Abdullah ibn Husejn el-Ensariu.
4. Ibn Kethir, v. e cit., fq. 1527.
5. Shih në përkthimet e tyre të Kuranit në gjuhën shqipe.
6. Shih në përkthimet e tyre të Kuranit në gjuhën boshnjake.
7. Akademik Enes Kari?, „Vrijeme u Kur'anu“, Takvim (Kalendar) për vitin 2015, Rijaseti i bashkësisë islame në Bosnje e Hercegovinë, Sarajevë, 2014, fq. 65.
8. Sherif Ahmeti, Kur’an-i përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Medinetu-l-Munevvere, Arabia Saudite, 1413 h., 1993, fq. 733.
9. Muhammed el-Gazali, v. e cit., fq. 725.
10. Muhammed Asad, Poruka Kur’ana, nga anglishtja përktheu: Hilmo ?erimovi?, IC El-Kalem, Sarajevë, 2004, fq. 1003.
11. Akademik Enes Kari?, „Vrijeme u Kur'anu“, ..., fq. 65.
12. Imam Buhariu, në Sahihun e tij, shënon se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: „Kush e lë namazin e ikindisë, i ka dështuar puna e tij.“ Për këtë arsye disa komentues të Kuranit ishin të mendimi se fjala el-'asr i referohet namazit të ikindisë.
13. Ibn Kesir, v. e cit., fq. 1527.
14. Fahruddin er-Razi, Tefsiru Fahrir-Razi (Mefatihul-gajbi), Vëllimi 32, Darul-fikri, Bejrut-Liban, 1981, fq. 86.
15. El-Alusi, Tefsiru -l- Kurani -l- adhim ve Seb' el- methani (Ruhul-meani), Vëllimi 30, Bejrut- Liban, pa vit botimi, fq. 228.
16. Hadithin e shënon Imam Tirmidhiu në Xhami'-Sunen, nga Ibn Omeri r.a.
17. Ibn Xhuzejj El-Killbi el-Endelusi, Olakšani komentar Kur’ana, Vëllimi 6, Përktheu nga arabishtja dhe shënimet: Nedžad ?eman, Libris d.o.o., Sarajevë, 2014, fq. 432.
18. Sherif Ahmeti, Komente dhe mendime islame, Lidhja, Prishtinë, 1995, fq. 174-175.
19. Akademik Enes Kari?, „Vrijeme u Kur'anu“, ..., fq. 72.
20. Muhamed Pandža dhe Džemaludin ?auševi?, Kur’an ?asni - prevod i tuma?, Sarajevë, 1937, fq. 947.
21. Aid el-Karni, Ash-Shavarid, bot. Al-Obeikan, Riad, 2006, fq. 66. Sipas: Enes Kari?, U potrazi za dubinama nebeskog plavetnila (Eseji o vjeri u XXI stolje?u), El-Kalem dhe CNS, Sarajevë, 2014, fq. 25.
22. Abu l-'Atahiyah, Diwan Abil-'Atahiyah, bot. Daru Sadir, Bejrut, 1980., fq. 229. Sipas: Enes Kari?, U potrazi za dubinama nebeskog plavetnila (Eseji o vjeri u XXI stolje?u), El-Kalem dhe CNS, Sarajevë, 2014., fq. 25.
23. Asmir Halilovi?, O za?udnosti govora 2, Bookline, Sarajevë, 2010, fq. 132.
24. http://dzemat-braunau.at/?p=1718, shkarkuar më: 20.08.2015.
25. Ebu Nuajm el-Asfahani, Hul’jetul-evlija, Vëllimi 2. Nga web. faqe: http://dzemat-braunau.at/?p=1718, shkarkuar më: 20.08.2015.
26. El-Hakimi, Sahih Et -Tergibi vet-Terhibi 3355, Albani.
27. Et-Taberaniu.
28. El-Vakia, 1-3.
29.http://www.rijaset.ba/index.php?option=com_content&view=article&id=20949:smisaozivota&catid=38&Itemid=602, shkarkuar më: 27. 07. 2015.
30. El-'A'raf, 23.
31. Ibn Xhuzejj El-Killbi el-Endelusi, Olakšani komentar Kur’ana, Vëllimi 6, ..., fq. 432.
32. Er-Rahman, 26.
33. Enes Kari?, U potrazi za dubinama nebeskog plavetnila, ..., fq. 28.
34. http://kons.gov.ba/main.php?id_struct=6&lang=1&action=view&id=2558, shkarkuar: 20.08.2015.
35. El-Enbija ', 35.
36. Asmir Halilovi?, v. e cit., fq. 131-132.
37. Ibn Kethir, v. e cit., fq. 1527.
38. Dr. Fuad Sedi?, Ogranci imana, El-Kelimeh, Novi Pazar, 2008, fq. 9.
39. El-Enfal, 2-3.
40. Ibn Xhuzejj El-Killbi el-Endelusi, Vëllimi 2., Përktheu dhe shënimet: Doc. dr. Almir Fati?, v. e cit., fq. 453.
41. El-Kushejri,Tefsiru-l-Kushejri (Lataif al-isharat), Vëllimi 3, Dar El-Kitab El-Ilmijjeh, Bejrut, Liban, 2007, fq.446.
42. El-Nahl, 36.
43. Shih: Mi?o Ljubibrati?, Koran, v. e cit., fq. 192. (238.)
44. Shih: Ibn Kethir, Tefsir Ibn Kesir, v. e cit., fq. 714.
45. Muhamed Mehanovi?, Plemeniti Kur’an (Prijevod (zna?enja) na bosanski jezik, utemeljen na Ibn Kesirovom tuma?enju, i kratki komentar), botues: LiesStiftung, botimi i parë, shtator, 2013, fq. 201.
46. Muhammed Asad, Poruka Kur’ana, ..., fq. 56.
47. Sayyid Qutb, U okrilju Kur'ana, Vëllimi 30. Fakulteti i studimeve islame në Sarajevë, Sarajevë, 2000, fq. 298.
48. Almir Fati?, Najljepši savjeti za život, Biljeg, d.o.o. - Sarajevë, Sarajevë, 2012, fq. 36.
49. Sayyid Qutb, v. e cit., fq. 301.
50. Ibid., fq. 301-302.
51. Almir Fati?, v. e cit., fq. 38.
52. Ebi Xha'fer Muhammed ibn XherirEt-Taberi, Tesir et-Taberi (Xhami'u-l-bejan an te'vili aji -l- Kur'an), Përgatiti: Dr.Abdullah ibn Abdil Husein et-Turkijji, Vëllimi 24., Kairo, 2001, fq. 614. Po ashtu këtë transmetim e shënon Abdur-Rezaku në tefsirin e tij, Vëllimi 2, fq. 394.
53. Zekijjuddin ebu Muhammed el-Munziriesh-shafi esh-Shami, Muslimova zbirka hadisa (Sažetak), El-Kalem, Sarajevë, 2004, fq. 407.
54. Ibid., fq. 21.
55. Abdullatif ez-Zubejdi, Buharijina zbirka hadisa (Sažetak), El-Kalem, Sarajevë, 2004., fq. 914.
56. Ibn Xhuzejj El-Killbi El-Endelusi, Olakšani komentar Kur’ana, Vëllimi 1., ..., fq. 465.
57. http://www.svetionikislama.org/tekstovi/5-ebu-bekr-es-sidik-ra-prvi-koji-je-povjerovao-i-nikad-nije-posumnjao.ht ml, shkarkuar më: 20.08.2015.
58. El-Nahl, 125.
59. Musnedi i Ahmedit: 5/229.
60. Sayyid Qutb, U okrilju Kur’ana, Vëllimi 30., ..., fq. 302.
61. Dr. Fuad Sedi?, v. e cit., fq. 369.
62. El-Fussilet, 30.
63. Almir Fati?, v. e cit., fq. 53.
64. Sayyid Qutb, U okrilju Kur’ana, Vëllimi 30., ..., fq. 303.
65. El-Ahkaf, 35.
66. Er-Rum, 60.
67. Llukman, 16-17.
68. Ibnul-Kajjim el-Xhevzijje, Medicina srca i duše, El-Kelimeh, Novi Pazar, 2012., fq. 339.
69. Muhammed el - Gazali, v. e cit., fq. 725.
70. Sayyid Qutb, U okrilju Kur’ana, Vëllimi 30., ..., fq. 296
71. Amr Halid, Tefsir Kur'ana, ..., fq. 643.
72. Ibid, fq. 297.
73. Ibn Xhuzejj El-Killbi El-Endelusi, Olakšani komentar Kur’ana, Vëllimi 6., ..., fq. 433. (fusnota 1)
74. Sayyid Qutb, U okrilju Kur’ana, Vëllimi 30., ..., fq. 30
Burimet dhe literatura:
1. Ahmeti, Sherif(1988),Kur’ani-i, përkthim me komentim, Kryesia e bashkësisë islame për R. Serbisë - Prishtinë, Prishtinë
2. Ahmeti, Sherif (1993),Kur’an-i përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Medinetu-l-Munevvere, Arabia Saudite
3. Ahmeti, Sherif(1995), Komente dhe mendime islame, Lidhja, Prishtinë
4. Asad, Muhammed(2004),Poruka Kur’ana, nga anglishtja përktheu: Hilmo ?erimovi?, IC El-Kalem, Sarajevë
5. Durakovi?, Esat, Prijevod Kur’ana, shkarkuar nga faqja e internetit:https://www.scribd.com/doc/211208632/Prevod-Kur’ana-Durakovic-PRINT, më: 30. 11.2014
6. (El-) Alusi, Tefsiru -l- Kurani -l- adhim ve Seb' el- methani (Ruhul-meani), Vëllimi 30, Bejrut, Liban, pa vit botimi
7. (El-) Xhevzijje, Ibnul-Kajjim(2012),Medicina srca i duše, El-Kelimeh, Novi Pazar
8. (El-) Endelusi, Ibn Xhuzejj El-Killbi(2014),Olakšani komentar Kur’ana, Vëllimi 1., përktheu dhe shënimet: doc. dr. Almir Fati?, Libris d.o.o., Sarajevë
9. (El-) Endelusi, Ibn Xhuzejj El-Killbi(2014),Olakšani komentar Kur’ana, Vëllimi 2., Përktheu dhe shënimet: doc. dr. Almir Fati?, Libris d.o.o., Sarajevë
10. (El-) Endelusi, Ibn Xhuzejj El-Killbi(2014),Olakšani komentar Kur’ana, Vëllimi 6., Përktheu nga arabishtja dhe shënimet: Nedžad ?eman, Libris d.o.o., Sarajevë
11. (El-) Gazali, Muhammed (2013),Tematski tefsir Kur’ana, El-Kelimeh, Novi Pazar
12. (El-) Kushejri (2007), Tefsiru-l-Kushejri (Lataif el-isharat), Vëllimi 3, Dar El-Kitab El-Ilmijjeh, Bejrut, Liban
13. (El-) Munziri, Zekijjuddin ebu Muhammedesh-Shafiesh-Shami(2004),Muslimova zbirka hadisa (Përmbledhje), El-Kalem, Sarajevë
14. (Er-) Razi, Fahruddin (1981), Tefsiru Fahrir-Razi (Mefatihul-gajbi), Vëllimi 32, Darul-fikri, Bejrut-Liban
15. (Et-) Taberi, Ebi Xha'fer Muhammed ibn Xherir (2001), Tesir et-Taberi (Xhami'u-l-bejan an te'vili aji -l- Kur'an), Përgatiti: Dr.Abdullah ibn Abdil Husein et-Turkijji, Vëllimi 24., Kairo
16. (Ez-) Zubejdi, Abdullatif (2004),Buharijina zbirka hadisa (Përmbledhje), El-Kalem, Sarajevë
17. Fati?, Almir (2012),Najljepši savjeti za život, Biljeg d.o.o. - Sarajevë, Sarajevë
18. Halid, Amr (2007),Riznica kur’anskih mudrosti, El-Kelimeh, Novi Pazar
19. Halid, Amr, (2007) Tefsir Kur’ana, Ilum, d.o.o. - Buzhim, Buzhim
20. Halilovi?, Asmir,(2010)O za?udnosti govora 2, Bookline, Sarajevë
21. Ibn Kethir, Ebul- Fida(2002),Tefsir Ibn Kesir (Verzioni i shkurtuar), versionet më të sakta i zgjodhi: Muhammed Nesib er-Rifa'i, Sarajevë
22. Kari?, Enes(2006),Prijevod Kur’ana, F.F. - Bihaq, Bihaq
23. Kari?, Enes(2014),U potrazi za dubinama nebeskog plavetnila (Ese rreth fesë në shek. XXI), El-Kalem i CNS, Sarajevë
24. Kari?, Enes(2014),„Vrijeme u Kur'anu“, Takvim (Kalendar) për vitin 2015, Rijaseti i bashkësisë islame në Bosnje e Hercegovinë, Sarajevë
25. Korkut, Besim(2000),Kur'an s prevodom zna?enja, KompleksiHadimal-Haramajn ash-Sherifajn al-Malik Fahd në Medine, nën mbikëqyrjen e Ministrisë për haxh dhe vakëf në Arabinë Saudite
26. Ljubibrati?, Mi?o(1990),Koran, Reprint botimi nga viti 1895, Svjetlost, Sarajevë.
27. Mehanovi?, Muhamed (2013),Plemeniti Kur’an(Prijevod (zna?enja) na bosanski jezik, utemeljen na Ibn Kesirovomtuma?enju, i kratki komentar), boton: LiesStiftung, botimi i parë, shtator
28. Mehdiu, Feti (1985),Kur’ani-i, Kryesia e bashkësisë islame për R. Serbisë – Prishtinë, Prishtinë
29. Nahi, Hasan (1988), Kur’ani i Madhëruar, Prishtinë
30. Pandža, Muhamed dhe ?auševi?, Džemaludin (1937),Kur’an ?asni - prevod i tuma?, Sarajevë
31. Qutb, Sayyid (2000),U okrilju Kur'ana, Vëllimi 30., Fakulteti i studimeve islame në Sarajevë, Sarajevë
32. Sedi?, Fuad (2008),Ogranci imana, El-Kelimeh, Novi Pazar
Interneti:
1. http://dzemat-braunau.at/?p=1718, shkarkuar më: 20. 08. 2015.
2. http://el-asr.com/tekstovi/muslimanska-porodica-u-vrijeme-hadzdza/, shkarkuar më: 27. 07. 2015.
3. http://www.rijaset.ba/index.php?option=com_content&view=article&id=20949:smisaozivota&catid=38&Itemid=602, shkarkuar më: 27. 07. 2015.
4. http://kons.gov.ba/main.php?id_struct=6&lang=1&action=view&id=2558, shkarkuar më: 20.08.2015.
5. http://www.svetionikislama.org/tekstovi/5-ebu-bekr-es-sidik-ra-prvi-koji-je povjerova o-i-nikad-nije-posumnjao.html, shkarkuar më: 20.08.2015.