A ka qenë mbreti anglosakson Offa mysliman?


Orhan Muhamed Ali

Kush hap Enciklopedinë Britanike (Britanica) ose atë Franceze (Larousse), dhe kërkon fjalën OFFA, do të lexojë të dhëna historike për këtë mbret anglosakson, i cili kishte sunduar në Angli 39 vjet (midis viteve 757-796), dhe i cili kishte qenë një nga sundimtarët më të fuqishëm të Anglisë së asaj periudhe të hershme të historisë së saj.
Mbreti Offa së pari ka sunduar Mercian ose, siç quhet, Anglinë e Mesme (Middle England), e cila në atë kohë ka qenë mbretëri e përbërë nga shtatë principata. Offa e zgjeroi mbretërinë e vet pasi kishte pushtuar principatat e vogla që e rrethonin, sikur ishin Kenti, Uesti, Skasonia dhe Uelshi, dhe pasi e kishte bërë të bijën princeshë të Uesekstit (Wessex) dhe Northumbisë (Northumbia). Më pastaj, mbreti Offa ndikimin e vet e zgjeroi gati në të gjitha pjesët e Anglisë. Përveç kësaj, ai bëri aleancë me mbretin e Francës, Karlin e Madh, dhe me Papën e atëhershëm, Adrianin I.
Njëri prej objekteve më të rëndësishme nga periudha e Offas, - i cili ekziston edhe sot, - është muri i njohur që Offa e kishte ngritur midis Mercias dhe Uelsit dhe i cili njihet me emrin Offa dyke (Muri i Offas).
Deri këtu çdo gjë është normale, mirëpo në vitin 1841 ndodhi një e papritur e madhe për historianët, sepse atë vit u gjet një monedhë e arit që ishte farkuar në kohën e këtij sundimtari të fuqishëm anglez. Por, a thua vallë, ku qëndron e parëndomta në këtë monedhë ari, e cila sot ruhet në Muzeun Britanik në Seksionin për numizmatikë antike?
Kjo qëndron në faktin se në atë monedhë ari ishin gdhendur, në gjuhën arabe, Shehadeti (Dëshmia islame) dhe ajetet kuranore, po ashtu në gjuhën arabe, dhe kjo në të dy anët e asaj monedhe ari.
Ja si duket kjo monedhë ari: Në njërën anë të monedhës në gjuhën arabe, në mes, është shkruar “La ila-he il-lall-llah vahdehu la sherike leh”, kurse rreth kësaj “Muhammedun resulull-llah”, e më pastaj “Erselehu bil-huda ve dinil-hakki li-judhhirehu aled-dini kul-lihi”.
Në faqen tjetër të monedhës, në mes, po ashtu në gjuhën arabe, është shkruar: “Muhammedun resul- ull-llah”, kurse fare në mes të kësaj fjalie, në gjuhën angleze, është shkruar “Offa rex” (Mbreti Offa), e përreth këtij në gjuhën arabe qëndron mbishkrimi: “Bismil-lah duribe hadh- ad-dinir, seb’in ve hamsine ve mie- tin”. D.m.th. “Me emrin e Allahut, ky dinarë është farkuar më 157”.



Duke marrë parasysh se ky mbret ka sunduar midis viteve 757-796 sipas Isait, atëherë konstatojmë se kjo monedhë ari është farkuar më 774, sepse viti hixhri 157 i përgjigjet vitit 774 pas Isait.
Gjetja e kësaj monedhe ari sfidoi qarqet shkencore, për se u mbajtën ligjërata dhe u shkruan me dhjetëra artikuj. Prandaj, ne kemi mundësi që supozimet shkencore që kanë ofruar historianët rreth kësaj teme, t’i mbështesim si më poshtë:
Supozimi i parë thotë se mbreti Offa ka pranuar fenë islame.
Supozimi i dytë thotë se ai ka përdorur fjalët arabe dhe ajetet kuranore vetëm si zbukurime të monedhës dhe se ai nuk e dinte kuptimin e fjalëve.
Supozimi i tretë thotë se mbreti Offa këtë monedhë e ka farkuar që t’u shërbente pelegrinëve dhe pasuesve të tij, të cilët dëshironin ta kryenin pelegrinazhin në Jerusalem, d.m.th. në këtë mënyrë ai u ka lehtësuar rrugën atyre. Pra, thjesht për shkaqe politike.
Supozimi i katërt thotë se mbreti Offa në vitin 787 kishte bërë marrëveshje me Papën Adriani I, në bazë të së cilës Offa kishte qenë i obliguar që Papës t’i paguante haraçin dhe se pikërisht për këtë arsye ai i kishte farkuar këto monedha!
Të përpiqemi tani t’i analizojmë të gjitha këto supozime.
Logjikisht, tri supozimet e fundit nuk do të mund të dëshmoheshin, sepse është e pamundur që një sundimtar të shkruante në monedha fjalë - vetëm për dekor të monedhës – pa ditur kuptimin e tyre, dhe sidomos kur bëhet fjalë për Shehadetin, një themelet e nga mësimeve islame. Edhe pse është fakt historik se disa sundimtarë evropianë, të mahnitur jashtëzakonisht nga qytetërimi islam, dikur emrat e vet i kishin shkruar me shkronjat arabe në monedhat që farkonin, siç ka qenë rasti me Alfonsin VIII, Vasilije Dimitrijeviqin, disa princër Norman, Villiam Roxherin, madje edhe perandori gjerman Henriku IV kishte urdhëruar që në monedhën e tij të farkuar të shkruhej emri i kalifit abasid El-Muktedir Bil-lah, sepse Henriku ishte magjepsur prej tij. Megjithëkëtë, askush nga ata nuk e ka shkruar në këtë mënyrë dhe kaq gjatë, - siç kishte shkruar mbreti Offa, - “Kelime-i Shehadetin”, e që të mos dinte kuptimin e tij (siç pohojnë disa historianë).
Supozimi i tretë është jashtëzakonisht i çuditshëm dhe joreal, sepse si do të kërkonte Papa nga mbreti Offa që ky të farkonte monedha me kuptimin e fjalëve islame për besimin, i cili do të ofrohej në emër të tatimit?! A është kjo e logjikshme dhe sidomos edhe për faktin se nuk njohim qëndrimin e Papës së atëhershëm ndaj Islamit? Për këtë arsye është normale që Papa të mos përfillte një shkrim të tillë në monedhën që merrte në emër të tatimit, qoftë ajo edhe në formë dekorimi në monedhë.
Për sa i takon supozimit të katërt, ai po ashtu është vështirë i pranueshëm dhe i argumentuar, sepse është vështirë të bindësh dikë se mbreti Offa kishte farkuar monedha që t’ua lehtësonte vendësve të tij pelegrinazhin - shkuarjen dhe qëndrimin në Kuds (Jerusalem), sa kohë që fare mirë është e njohur se asokohe myslimanët nuk i pengonin dhe as u shkaktonin vështirësi pelegrinëve për t’i vizituar vendet e shenjta, kjo në njërën anë. Kurse në anën tjetër, të krishterët e kishin të lejuar të hynin e të lëviznin lirshëm në vendet islame, madje pa kurrfarë kushtesh.
Mund të supozohet edhe mundësia që mbreti Offa, në atë kohë nuk kishte mundësi të farkonte monedha dhe kështu në ato rrethana ai ka mundur të farkonte këto monedha në ndonjë vend arabo-islam. Edhe kjo hipotezë nuk do të shtrohej si e mundshme, sepse enciklopedia Britanica në mënyrë të prerë thekson se rëndësia e këtij sundimtari qëndron në faktin se ai kishte themeluar një mbretëri dhe se kishte farkuar monedha, në të cilat ai kishte shkruar emrin e mbretit (d.m.th. emrin e vet) dhe të dhënën se kush e kishte farkuar monedhën. Përveç kësaj, monedhat e asaj kohe bartin figurën e mbretit Offa ose figurën e bashkëshortes së tij - Cynethryth. Një metodë e këtillë e farkimit të monedhave në Angli ka zgjatur disa shekuj, që në mënyrë të qartë mund të vërtetohet në monedhat e farkuara që gjenden në koleksionin numizmatik të farkuar gjatë kohës së këtij sundimtari, e që janë të emëruara me termin Coins, si dhe me biografinë e tij të theksuar në enciklopedinë Britanica. Pra, ajo që është thënë në Britanica, nuk lë vend për dyshime se gjoja ky sundimtar nuk kishte pasur mundësi të farkonte monedha në farkëtarinë e vet.
Nga sa u tha më lart, mund të konstatohet se mbreti Offa kishte pranuar Islamin, por që të argumentohet kjo, nuk posedojmë kurrfarë dokumentesh, përveç kësaj monedhe. Pa dyshim, shkak për mosposedim dokumentesh, siç pohojnë disa historianë, ishte qëndrimi i Kishës Anglikane, e cila ishte përpjekur t’i asgjësonte të gjitha dokumentet që kishin të bënin me këtë sundimtar të fuqishëm dhe me pranimin prej tij të fesë islame.
Tani mund të shtrohet pyetja: Vallë, a e kishte pranuar Islamin vetëm mbreti Offa me anëtarët e familjes së vet dhe me të afërmit e tij? Edhe kësaj pyetjeje nuk mund t´i jepet përgjigje, por mund të supozojmë se mbreti ishte takuar dhe kishte pasur kontakte me disa myslimanë e me disa shkencëtarë myslimanë, atëherë kur kishte vizituar Jerusalemin, andaj edhe e kishte pranuar fenë islame. Mirëpo, është më se e çuditshme se as enciklopedia Britanica dhe as ajo e Francës - Larousse, nuk shënojnë këtë fakt, d.m.th. takimin e mbretit Offa me myslimanët dhe me shkencëtarë myslimanë, por tërësisht e heshtin dhe e kapërcejnë, gjë që na bind se edhe këto vepra kaq të njohura shkencore nuk u afrohen disa fakteve historike nga pozicioni i objektivitetit shkencor.



Marrë nga: “Glasnik”, nr. 5, Sarajevë, 1986, f. 577-579
Përgatiti: S. Mehmeti
Dituria Islame 197