“Ne bëmë që një bimë kungulli (jaktin) të rritej deri mbi shtatin e tij (profetit Junus).” (Saffat, 146)
Në këtë punim unë kam bërë një përmbledhje të traditës së Pejgamberit a.s., duke u
bazuar në librin “Zad el-Mead” (Ibën Kajim el-Xheuzije), i cili na mëson në lidhje me udhëzimet dhe traditën e tij a.s. në fushën e mjekësisë dhe mënyrës së kurimit që ai praktikoi dhe që ua mësoi njerëzve ta ushtronin dhe në mënyrë specifike për dobinë e përdorimit të kungullit, përbërjen kimike të tij nga aspekti im profesional.
Do të përpiqem të shpalosi pak urtësi që fshihen në këshillat dhe udhëzimet e tij në këtë fushë, urtësi të cilat nuk mund t’i nxjerrin e kuptojnë shumica e mjekëve.
Vetëm ata që kanë njohuri të vërteta mbi shkencën e mjekësisë njerëzore dhe mbi mjekësinë profetike mund ta bëjnë dallimin mes tyre. Profetët ishin njerëzit me mendjen më të ndritur dhe me diturinë më të kulluar e më të thellë. Ata ishin dhe mbeten krijesat më të afërta me të vërtetën. Ata janë njerëzit më të mirë që ka zgjedhur Allahu xh.sh., ashtu si pejgamberi Muhamed a.s. është më i miri ndër të gjithë pejgamberët e tjerë. Dituria, urtësia dhe mbrojtja me të cilat Allahu i kishte pajisur pejgamberët dhe të dërguarit e Tij, bëjnë që ata t’i përkasin një kategorie të pakrahasueshme.
shëndetësi
Mjekësia profetike përmban në vetvete një element hyjnor. Ky element e bënë krahasimin e mjekësisë profetike me mjekësinë e doktorëve profesionistë të ngjashëm me krahasimin e mjekësisë profesioniste me mjekësinë amatore. Mjekët më të mirë pajtohen me këtë fakt, pasi shkenca me të cilën ata merren është fryt i përqasjeve, eksperimentimeve, frymëzimeve, vizioneve dhe hipotezave.
Kjo lloj njohurie nuk mund krahasohet me Shpalljen që Allahu i Lartësuar ia zbriti Pejgamberit të Tij, ku i shpjegoi se çfarë i bënte dobi dhe çfarë e dëmtonte. Mjekësia e tyre në krahasim me Shpalljen është njëlloj sikurse dituria e tyre përballë dijes që sollën pejgamberët. Madje, në Shpalljen e Pejgamberit a.s. gjejmë ilaçe që shërojnë sëmundje të cilat është e pamundur t’i shërojnë edhe mjekët më të mëdhenj, sepse njohuritë dhe përvoja e tyre nuk mund ta arrijnë dijen e Shpalljes, e po kështu edhe vëzhgimet e tyre krahasuese nuk bëjnë punë.
Pejgamberi a.s. na mësoi se si kurohet zemra nga çdo gjë që e sulmon atë. Recetat profetike forcojnë zemrën dhe rrisin mbështetjen e plotë tek Allahu dhe varësinë prej Tij. Pejgamberi a.s. na mësoi të drejtuarit vetëm tek Allahu, të përgjëruarit dhe lutjen me përulësi vetëm përpara Tij, nënshtrimin dhe bindjen e plotë ndaj Tij, na mësoi që shërimin ta gjejmë nëpërmjet sadakasë, lutjes së sinqertë, pendimit të plotë, kërkimit të faljes, bamirësisë ndaj krijesave, ndihmës së njerëzve në nevojë, përpjekjes për largimin e vështirësive dhe fatkeqësive nga të goditurit me to. Të tilla “ilaçe” dhe mënyra kurimi i kanë provuar shumë e shumë njerëz, të cilët kanë parë më pas fryte që kanë qenë të paarritshme prej dijes dhe përvojës njerëzore.
Pejgamberi a.s. ka thënë se: “Për çdo sëmundje ka ilaç.”
I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Stomaku është ena qendrore e trupit, dhe venat janë të lidhura me të. Kur stomaku është i shëndetshëm, gjendja e tij bartet në vena, dhe nga ana tjetër venat do të qarkullojnë njëjtë dhe kur stomaku është i prishur, venat do të thithin prishjen nga ai dhe do të vazhdojnë në qarkullim.”
Ushqimet më të preferuara të Pejgamberit a.s. kanë qenë supa, kungulli, buka e elbit, mjalti dhe përsheshi – popara.
Kungulli (jaktin - në arabisht) nuk tregon vetëm kungullin, por shënon çdo lloj bime tjetër që ka kërcell zvarritës, si shalqiri apo kastraveci.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Ne bëmë që një bimë kungulli (jaktin) të rritej deri mbi shtatin e tij (profetit Junus).” (Saffat, 146)
Fjala “jaktin” e përdorur në këtë ajet do të thotë “kungull”, i cili ndryshe quhet (në arabisht) edhe dubba. Në dy Sahihët shënohet se, njëherë, një rrobaqepës e ftoi Pejgamberin a.s. në shtëpi për të ngrënë një vakt që ai kishte përgatitur. Bashkë me Pejgamberin a.s. shkoi edhe Enesi r.a.. Rrobaqepësi u nxori bukë prej elbi dhe një supë me kunguj e pastërma. Enesi rrëfen: “Unë e pashë vetë se si i Dërguari i Allahut a.s. i gjurmonte copat e kungullit nëpër pjatë, dhe që atëherë kungulli u bë shumë i dashur për mua.” Ebu Taluti tregon: - Kur hyra njëherë tek Enes ibën Maliku, ai ishte duke ngrënë kungull e duke thënë (duke iu referuar kungullit): “Ti je një bimë shumë e dashur për mua, sepse Pejgamberi a.s. të pëlqente shumë kur të hante.”
Aisheja r.a. ka treguar se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kur zien perime të ndryshme me mish, hidh më shumë kungulleshka në të, sepse ajo është mjet për forcim që e përmirëson zemrën e pikëlluar.”
Kungulli është bimë e ftohtë dhe e lagësht. Ai është një ushqim që tretet lehtë. Nëse kungulli nuk prishet në stomak përpara se të tretet plotësisht, ai prodhon një përzierje të mirë atje, sidomos kur shoqërohet me ushqim të përshtatshëm me të. Për shembull, shoqërimi i kungullit me sinap krijon një sekrecion (lëng) të hidhur, ndërsa kur i hedh kripë, e bën atë të kripur dhe, me substanca tkurrëse, sekrecioni bëhet kapsues. Nëse ha kungull të shoqëruar me ftonj, i ke dhënë trupit një ushqim të mirë. Kungulli është i lehtë për stomakun, sidomos për ata që nuk vuajnë nga këlbaza apo nga i ftohti. Lëngu që përmban ai ndihmon në shuarjen e etjes, nëse e pi atë, dhe në qetësimin e dhembjeve të kokës, nëse e lan kokën me të. Kungulli e zbut stomakun, sido që ta përdorësh, dhe është tepër i dobishëm për ata që kanë temperament të nxehtë. Po ashtu, kungulli i përzier me brumë dhe i pjekur në furrë, bashkë me lëngun e tij të përzier me pije të lehta, ndihmojnë në uljen e temperaturës së etheve, shuajnë etjen dhe shërbejnë si 369 ushqim i mjaftueshëm për trupin. Nëse ai përzihet me reçel ftoi dhe mena, asgjëson vrerin. Po ta ziesh kungullin dhe lëngut të përftuar t’i hedhësh pak mjaltë dhe natrium, ai do të shkaktojë këlbazë dhe acid. Ndërsa po të vësh si kompresë në kokë kungull të shtypur, ai do të lehtësojë gjendjen e xhungave të nxehta në tru. Lëngu i lëkurës së kungullit i përzier me vaj trëndafili ndihmon kundra tumoreve të nxehta, nëse hidhet me pika në vesh. Lëkura e tij qetëson çibanët e nxehtë të syrit dhe shërben kundra përdhesit. Kungulli është tepër i dobishëm për ata që kanë temperament të nxehtë dhe për ata që vuajnë nga ethet. Megjithatë, nëse ai has në stomak me substanca të prishura, atëherë edhe ai prishet, duke krijuar atje një përzierje të dëmshme. Në këtë rast, për të shmangur pasojat, njeriu duhet të përdorë uthull ose gjëra të tjera të tharta. Në përgjithësi, kungulli është një ndër ushqimet më të lehta dhe më të tretshme.
Kungulli nuk përdoret shpesh kohët e fundit, por ai është një burim i mirë i vitaminave, mineraleve dhe përbërësve të tjerë të rëndësishëm. Ka pak kalori dhe tretet lehtë. Kungulli përmban një sasi të vogël të proteinave, karbohidrateve dhe yndyrave, por ka edhe vitaminat A, C, E dhe K, si dhe vitaminat e grupit B. Gjithashtu kungulli është i pasur edhe me fibra dhe për shkak se përmban numër të vogël të kalorive, preferohet që të përdoret edhe nga personat që janë në dietë. Edhe beta karotina është një nga përbërësit e kungullit. Është konstatuar se beta karotina zvogëlon rrezikun e paraqitjes së kancerit të qafës së mitrës, ezofagut, lukthit dhe fytit. Ajo bllokon veprimin e radikaleve të lira, duke penguar kështu dëmtimin e strukturës qelizore të ADN-së.
Disa nga përbërësit që gjenden në kungull:
Vitamina A është përgjegjës për zhvillimin normal, funksionin riprodhues, shëndetin e lëkurës dhe syve dhe ruajtjen e imunitetit.
Vitamina B5 merr pjesë në proteina, yndyra, metabolizmin e karbohidrateve, metabolizmin e kolesterolit, sinteza e një numri të hormoneve, hemoglobinës, promovon thithjen e aminoacideve dhe sheqernave në zorrë, mbështet funksionin e lëvore veshkave. Mungesa e acidit pantotenik mund të çojë në dëmtim të lëkurës dhe mukozave.
Kaliumi është joni kryesor intraqelizor që merr pjesë në rregullimin e ekuilibrit të ujit, acidit dhe elektrolitit, merr pjesë në proceset e impulseve nervore, rregullimin e presionit.
Magnezi është një kripë minerale absolutisht e nevojshme, por që rezulton i mangët në më shumë se 60% të personave (hipomagnezit). Magnezi është një përbërës ushqyes për të ruajtur dhe rikthyer një shëndet të mirë, praktikisht është një antibiotik natyral, kurë me një efekt të lartë parandalues, efekt të fortë anti-inflamator, imunostimulues, deponues i energjisë, me veti anti-stres, anti-alergjik, alkalinizues, vepron si antacid (stomaku), si oksigjenues i gjakut, rregullues i vlerës së kaliumit dhe kalciumit, element esencial për më shumë se 325 reaksione biokimike, element bazë për çdo farmaci familjare, një element “pothuajse” i panjohur për shumë mjek, mineral i sigurt, nëse merret me tepricë, thjesht do të nxirret jashtë pa u bashkuar me përbërës të tjerë.
Konsumimi i 28 gram (rreth 142 cope) të farave të kungullit ju mundëson të përfitoni 23 % të nëvojes suaj ditore për hekur.
Në tabelat e mëposhtme kam paraqitur përmbajtjen e lëndëve ushqyese (kalori, proteina, yndyra, karbohidrate, vitamina dhe minerale) për 100 gr. pjesë e ngrënshme, të cilat janë prezentë në kungull dhe janë përcaktuar në bazë të eksperimenteve laboratorike:
Një hulumtim i bërë kohëve të fundit tregon për përmbajtjen e farave të kungullit nga një varietet tunizian (Béjaoui) i kungujve (Cucurbita maxima), të cilat u analizuan për përbërjen e tyre kryesore kimike dhe për vetitë e tyre të vajit. E shprehur në bazë të peshës së thatë, lagështia e farës ishte 8.46%, ndërsa përmbajtja e proteinave, fibrave, hirit, yndyrës dhe sheqernave totale u vendos përkatësisht në 33.92%, 3.97%, 21.97%, 31.57% dhe 0.11%. Kromatografia me gaz zbuloi se acidet yndyrore kryesore ishin acidet oleike, linoleike dhe palmitike (44.11%, 34.77% dhe 15.97% respektivisht). Vaji i farës u gjet gjithashtu i pasur me tokoferole me një mbizotërim të δ-tokoferolit (42.27%). Markeri i sterolit β-sisosterol përbën 39,6% të steroleve totale që përmban vaji i farës së kësaj varieteti. U zbuluan gjashtë acide fenolike (protokatekuik, kafeik, siringik, vanil, p-kumarik dhe ferulik), ku mbizotëronte acidi siringik (7.96 mg/100 g). Në tërësi, bazuar në veçoritë e vajit të farës, kungulli mund të konsiderohet si një burim i vlefshëm për produkte të reja me shumë qëllime për përdorim industrial, kozmetik dhe farmaceutik.
Kungull i zier është i pasur me vitamina dhe minerale si: vitamina A - 233,3%, vitamina B5 - 12%, kalium - 11,3%, kobalt - 17%, mangan - 14,6%, bakër - 28,1%
Në këtë artikull u përmendën disa nga dobitë e përdorimit të kungullit, përparësitë në shëndetin e njeriut si dhe rëndësia e kësaj kulture në jetën e Pejgamberit a.s..